Mendime
Besnik Boletini: Vetëvrasjet në Kosovë pse?!
E merkure, 23.01.2008, 03:11 PM
Vetëvrasjet në Kosovë pse?!
Nga Besnik Boletini*
Shoqëria jonë po kalon nëpër situata dhe probleme të shumta dhe nga me të ndryshmet, mund të themi së është bërë një oqean problemesh si papunësia, varfëria etj., etj. Këtyre brengave pas luftës iu bashkangjit edhe fenomeni i vetëvrasjeve, që është bërë një zgjidhje për shumë kosovarë sidomos pas luftës.
Ekzistojnë disa faktorë që i shtyjnë qytetarët e Kosovës që të vetëvriten, që të atakojnë vetën e tyre. Duke filluar nga aspekti ekonomik, gjendja e rendë ekonomike ku shumë njerëz kanë jetë të vështirë dhe zhyten në pesimizëm të thellë me mendimin së nuk kanë një të ardhme dhe së për ta çdo gjë është e keqe në Kosovë dhe nuk ia vlen për të jetuar.
Statistikat tregojnë se kemi një rritje enorme të vetëvrasjeve dhe tentim vetëvrasjeve pas luftës. Këtu duhet pasur parasysh traumat e qytetarëve të Kosovës të marra nga lufta, ku si pasojë kemi shumë njerëz me sëmundje mentale. Pra, një kategori njerëzish që kryerjen aktin e vetëvrasjes janë njerëzit me sëmundje mentale, që nuk mund të kontrollojnë veprimet e tyre. Kur jemi te vetëvrasjet pas luftës një faktorë që ka ndikuar në vetëvrasje apo tentim vetëvrasje është ndryshimi i rrethanave shoqërore , raporteve shoqërore, ku kemi një individualizëm shumë të theksuar e që ndikon në zbehjen apo shthuarjen e raporteve farefisnore apo shoqërore. Kjo është si rezultat i dinamizmit të jetës që po ndodhë në Kosovën e pas luftës. Shikuar në këtë aspekt raportet shoqërore kanë një rëndësi të madhe në kryerjen e aktit të vetëvrasjes, përkatësisht parandalimin. Në këtë kontekst vlen të përmendet së vetëvrasja është në proporcion të zhdrejtë me inkuadrimin e individit ne shoqëri, duke e trajtuar këtë aspekt në shoqërinë tonë vetë dinamizmi i jetës, individualizimi ka për pasojë mungesën e përkrahjes emocionale, pra një njeri nëse është marrë me veprimtari biznesi apo veprimtari tjera dhe i ka kushtuar një rendësi të madhe, që si rezultat ka pas zbehjen e raporteve shoqërore, kjo mund të shihet si rrezik sepse në rast të dështimit të tij ai nuk do të ketë përkrahje sociale apo emocionale, dhe ky person i zhytur në stres me një gjendje të rëndë shpirtërore. Pa përkrahjen e shoqërisë personat të tillë nuk do të mund që ta përballojë situatën në të cilën në të cilën ndodhet dhe e sheh si zgjidhje të vetme vetëvrasjen. E kundërta do të ndodhte nëse ky individ edhe pas dështimit do të kishte raporte të mira shoqërore do të gjente përkrahje emocionale dhe do ti mundësohej që të shprehë gjendjen e rendë shpirtërore, pra do të kishte mundësi për një katarsis (zbrazje psikologjike) gjë që do të ishte shumë pozitive në parandalimin e vetëvrasjes.
Faktorë tjetër që shkakton vetëvrasjen është humbja e të afërmeve si humbja e anëtarëve të familjes në luftë, aksident apo forma tjera, ku të personat përkatës shkaktohet një gjendje e pa përballueshme emocionale dhe këta persona nuk shohin arsye që të jetojnë pa personin qe e kanë humbur. Gjithashtu ndikim në kryerjen e aktit të vetëvrasjes ka edhe ndarja nga lidhjet e dashurisë apo shkurorëzimet, pra ndodhe që të njeri person shkakton gjendje të rendë shpirtërore, të pa përballueshme për personin përkatës dhe ka mendimin se nuk mund ta vazhdoi jetën i ndarë, dhe duke menduar se i ka humbur të gjitha shpresat dhe motivin për jetë pra nuk sheh ndonjë zgjidhje tjetër përveç vetëvrasjes.
Një faktorë tjetër që i shtynë njerëzit në Kosovë që të bëjnë vetëvrasje është ndjenja e turpit. Kjo ndodhë në situata të ndryshme p.sh. sjelljet “amorale” nga anëtarët e familjes ndikojnë që ai të kaloi në një krizë të madhe shpirtërore dhe ndjen një turp të madh së çka mendojnë të tjerët për atë, dhe nuk mund ta paramendoj të inkuadrohet përsëri në atë grup shoqëror që i ka takuar me parë, pra e percepton veten me një vetërespekt shumë të ulët, personat në situata të tilla e shohin si të pa mundur ri inkuadrimin në shoqëri dhe zgjedhë që ti japë fund jetës, ky rrezik i vetëvrasjeve mund të ndodhë edhe tek adoleshentët p.sh. shtatzënia e padëshiruar tek vajzat adoleshente, apo rrethana tjera që kanë të bëjnë me ndjenjën e turpit.
Probabilitet të madh që bëjnë vetëvrasje janë edhe njerëzit të cilët kanë përdorur drogë, dhe për pasojë kanë çrregullime shëndetësore përkatësisht mentale qoftë nga përdorimi i tepërt apo nga mungesa, dhe njerëzit e tillë zakonisht e përfundojnë jetën në mënyrë tragjike.
Si ta parandalojmë aktin e vetëvrasjeve
Siç e cekem edhe me lartë vetëvrasja është në proporcion të zhdrejtë me inkuadrimin e individit në shoqëri. Kjo lenë të kuptohet së një ndër mënyrat me të suksesshme për ta parandaluar aktin e vetëvrasjes është inkuadrimi i individit në shoqëri, përkatësisht komunikimi me ata persona, debatimi i problemeve të tij gjë që për personat që kanë krizë emocionale apo shpirtërore krijohet ndjenja së ai ka rëndësi për grupin apo rrethin shoqëror të cilit i takon. Hap tjetër është që të shtohet kujdesi ndaj personave që kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje që të bisedojnë me shumë me ata persona apo të shtohet vëmendje dhe kujdesi ndaj personave që kanë ndryshuar shume në veprimet e tyre si në mos interesimin e për aktivitetet që janë marrë me parë, apo kur ai kalon në pesimizëm të theksuar kur jetën e sheh si një hiç. Ndaj këtyre njerëzve duhet pasur kujdes me të madh dhe duke biseduar mekëta persona në duhet fituar besimin e tyre në mënyrë që këta persona të shprehin problemet e tyre gjë që do ti lironte sadopak nga ngarkesa emocionale. Mundësi tjetër për ta parandaluar vetëvrasjet është që njerëzit që kanë krizë shpirtërore të stimulohen që të lidhen me shumë me religjionin, ku ata njerëz mund të gjenin qetësi shpirtërore, dhe në anën tjetër do ta kuptonin së vetëvrasja është e dënueshme dhe nga religjioni.
Në opinionin e gjerë duhet bërë të ditur së akti i vetëvrasjes nuk përkon me kulturën tonë, në opinion dhe në media vetëvrasja duhet trajtuar në mënyrë të veçantë për pasojat që lë në shoqërinë tonë, dhe të trajtohet si akt qyqar e jo si zgjedhje e problemeve, gjë që do të ndikonte që shoqëria jonë të largohet nga ky fenomen dhe të kemi një shoqëri të shëndoshë.
*Student i sociologjisë