E diele, 10.11.2024, 05:49 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Ish-Shikasi: Unë, vartësi i Sefgjinit që “rrëmbeja” njerëz

E enjte, 06.01.2011, 06:54 PM


Remzi Hoxha
Remzi Hoxha
Klodiana Lala, Gazeta Shqiptare

 

Riza Shehu, ish-shikasi i hetuar për implikim në rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, nxjerr në dritë mjaft detaje mbi misterin që mbulon ngjarjen e 16 viteve të kaluara. Ai u ka rrëfyer gjykatësve italianë se oficerët e SHIK-ut kanë bërë shoqërime të mjaft personave, por mohon kategorikisht të ketë qenë pjesëmarrës në këto shoqërime.

Ish-shikasi i dyshuar për pjesëmarrje direkte në rrëmbimin e biznesmenit Hoxha, edhe pse ndaj tij, për arsye që nuk dihen, nuk është ngritur asnjë akuzë, është shprehur se nuk ka dijeni për këtë ngjarje. GSH po boton të plotë dëshminë e Shehut para gjykatësve italianë, ku tregon gjithçka ndodhte në dyert e SHIK-ut të asaj kohe, që duket se në jo pak raste i ka “rrëmbyer” kompetencat edhe policisë….

GJYKATA: Duhet të më thoni emrin dhe mbiemrin tuaj?

Deklaruesi: Riza Shehu, 03.06.196x

GJYKATA: Ku keni lindur?

Riza Shehu: Në Shqipëri.

GJYKATA: Në cilin qytet?

Riza Shehu: Dibër, lindur në Maqellarë, Dibër.

GJYKATA: Ku banoni në Itali?

Riza Shehu: Në Vazola.

GJYKATA: Bëjmë me dije për praninë e avokatit mbrojtës tashmë. Gjykatësi pasi vuri në dukje që nga leximi i pyetjeve që duhet t’i drejtohen dëshmitarit, flitet për një pjesëmarrje të tij në krimet për të cilat procedohet ndaj personave të tjerë në Shqipëri, e njeh dëshmitarin me paralajmërimet rituale në bazë të nenit 64, Kodi i Procedurës Penale. Po ju them sidoqoftë, ndoshta jo menjëherë, nëse dëshironi dhe më pas ta dini që mund edhe të më thoni ‘nuk dua të përgjigjem’, mirë? Sepse mund të kemi një pjesëmarrje (implikim) tuajën dhe pastaj do ju duhet të përsërisni, por tashmë jemi këtu, deklarime kundër personave të tjerë. Tani, ju doni të përgjigjeni?

Riza Shehu: Po, kam ndërmend të përgjigjem.

GJYKATA: Po ju shpjegoj një moment faktet, mirë? Po procedohet për ata tre personat që ju përmenda më parë për krime të ndryshme, sekuestrim personi dhe tjetër, pasi kanë sekuestruar shtetasit Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha. Flasim për fakte në vitin 1995 dhe pastaj, edhe sepse kanë torturuar gjithmonë shtetasit Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha, duke u shkaktuar atyre disa pasoja në gjendjen e tyre shëndetësore. Pak a shumë, aktet janë këto. Në tetor 1995, ka ndodhur sekuestrimi i një shtetasi shqiptar me emrin Remzi Hoxha, që më pas është shoqëruar në drejtim të Vainit në rrethin e Lezhës dhe një operacion i tillë është realizuar duke përdorur tri automjete, njëri prej të cilëve me targë TR 24 49 C, kjo është kryer në vendin në të cilin punonte dhe në një repart privat prodhim dyersh dhe dritaresh në pronësi të tij. Nga Drejtoria e Policisë Rrugore të Tiranës ka rezultuar se automjeti i përkiste Drejtorisë së Shërbimit Informativ Kombëtar dhe që targa ishte tërhequr gjithmonë nga drejtoria për nevoja operative. Pastaj, ndaj këtij personi është ushtruar dhunë fizike. Pak a shumë, të njëjtat fakte edhe për personat e tjerë.

GJYKATA: Tani, unë para së gjithash po ju kërkoj, në vitet 1995-1996 keni qenë në marrëdhënie pune dhe ku keni punuar, me çfarë detyre dhe funksionin që keni kryer, a e mbani mend? Jeni në gjendje të përgjigjeni?

Riza Shehu: Atëherë, nga vitet 1992 unë kam bërë universitetin.

GJYKATA: Në ’92-in ndiqnit universitetin?

Riza Shehu: Po, mbarova katër vjet në 1996 dhe kështu gjeta një mundësi për punë që… domethënë, universiteti bëhet ditën, por edhe natën, por atje bëhet ditën, kështu gjeta një mundësi për punë për t’u impenjuar natën në zyrë, për shembull. Të themi një zyrë informacionesh...Nuk mund të themi roje, por më jep mundësinë për të punuar me turne, për të ndjekur studimet e mia ditën.

GJYKATA: Ku punonit, në Shërbimin Informativ Kombëtar?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Në veçanti në sektorin e rojeve?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Ishit në Tiranë?

Riza Shehu: Studioja në Tiranë, në universitetin ekonomik.

GJYKATA: Pra ju e ushtronit këtë funksion si roje në këto zyra?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Dakord. Në cilën periudhë pikërisht, a e mbani mend?

Riza Shehu: Domethënë...pretendoj që kam punuar tre vjet apo tre vjet e gjysmë, nuk di të them tani që...sepse domethënë që është një moment atje për të bërë një lloj pune, duhet të kesh njëfarë shkolle, apo jo? Atëherë kjo punë që unë bëja, i përgjigjej vit për vit që unë bëja universitetin deri në vit të katërt.

GJYKATA: Mirë, pra deri në fund të ’96-ës ju keni punuar?

Riza Shehu: Po, po.

GJYKATA: Saktësisht, cilat ishin detyrat tuaja?

Riza Shehu: Nuk mund të them një funksion të veçantë sepse...

GJYKATA: Ju më parë thatë roje, por roja...?

Riza Shehu: Po, të themi roje sepse këtu është zyra e informacionit, nëse këtu punon...

GJYKATA: Pra zyra e informacionit?

Riza Shehu: Jo, kjo zyra që i përgjigjet njerëzve, kështu domethënë që i shërbente një personi dhe e kam kërkuar dhe unë pasi me leverdiste, ngaqë studioja ditën dhe punoja natën.

GJYKATA: Çfarë orari punonit?

Riza Shehu: E merrja gjithmonë, gjithmonë, d.m.th, rreth orës 20 e 30 ose 21:00, deri të nesërmen në mëngjes.

GJYKATA: Pra ju ishit në këtë zyrë informacioni?

Riza Shehu: Po, e vërtetë.

GJYKATA: Po kishit marrëdhënie me publikun, apo kjo zyrë ishte vetëm e brendshme?

Riza Shehu: Jo.. marrëdhënie me publikun jashtë.

GJYKATA: Po.

Riza Shehu: Jo, vetëm me ata që hynin dhe dilnin.

GJYKATA: Kush hynte dhe dilte, persona privatë apo persona që punonin?

Riza Shehu: Jo, jo, persona që punonin.

GJYKATA: Pra le të themi që ishte një zyrë e brendshme?

Riza Shehu: Po, po, e brendshme, e brendshme.

GJYKATA: Nga kush drejtohej?

Riza Shehu: D.m.th, mund të them që drejtori i përgjithshëm ishte ai atje, i pari.

GJYKATA: Kush ishte?

Riza Shehu: Arben Sefgjini, drejtori i përgjithshëm i asaj drejtorie të kryeqytetit.

GJYKATA: Arben Sefgjini ishte drejtori i përgjithshëm?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Po, a ishte shefi yt i drejtpërdrejtë?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Ju nga kush merrnit urdhra?

Riza Shehu: Është e madhe...(nënkupton drejtorinë).

GJYKATA: Ju kishit marrëdhënie me ndonjë tjetër?

Po, ishte një djalë që…nuk më kujtohet emri, ai që më kishte caktuar mua sepse ishte një sektor i vogël ky…

GJYKATA: Nuk e mbani mend? Ju kishit raporte me këtë Arben Sefgjinin, apo jo?

Riza Shehu: Jo, d.m.th, direkt jo, sepse kishte… por nëse janë 200 apo 300, ajo punë ishte e dorës së tretë të themi, sepse më interesonte edhe mua.

GJYKATA: Tani duhet të më thoni, sektori në të cilin punonit ju, kishte marrëdhënie pune apo varësie nga Drejtoria e Shërbimit Informativ të Tiranës?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Ju konkretisht, në varësi të kujt ishit?

Riza Shehu: Mendoja se ai zotëria atje.

GJYKATA: Arben Sefgjini?

Riza Shehu: Nuk mund të të shpjegoj procedurat atje, d.m.th… sigurisht që nuk më thoshte që kur më paguante shkonte atje, por nëse e shoh tani, them të vërtetën sepse e kam takuar tri a katër herë në vit…

GJYKATA: Ju kryenit detyrë roje, shërbim roje, sepse po ju pyes, ju duhet të më shpjegoni nëse ju kujtohen apo jo disa persona që keni bërë shërbimin e rojës apo të vrojtimit?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Nuk ju kujtohen personat me të cilët keni…?

Riza Shehu: Jo, jo, gjykatëse por e kam bërë sepse… d.m.th, mua nuk më lejonte kjo punë që bëja natën, d.m.th…

GJYKATA: Pra ju nuk keni bërë asnjëherë një shërbim roje vëzhgimi, ishit vetëm në këtë zyrë informacioni të themi?

Riza Shehu: Për shumë kohë, po.

GJYKATA: Çfarë do të thotë kjo?

Riza Shehu: Për shumë kohë… le të themi deri sa erdhi koha dhe u diplomova, në përgjithësi kjo ka qenë puna ime

GJYKATA: Pra nuk keni kryer një aktivitet vëzhgimi të drejtpërdrejtë?

Riza Shehu: Jo, jo.

GJYKATA: Ju konkretisht keni vëzhguar persona?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Sepse kjo (dosja) presupozon që ju keni kryer aktivitet vëzhgimi ndaj disa personave. Ju më thoni që nuk e keni bërë asnjëherë këtë aktivitet?

Riza Shehu: Ne shoqëronim...

GJYKATA: Keni kontrolluar ndonjëherë persona, vëzhguar? Është e ndryshme nga shoqërimi?

Riza Shehu: Eh, pikërisht.

GJYKATA: Po t’i kontrolloje, t’i vëzhgoje?

Riza Shehu: Kuptoj, por d.m.th, t’i shoqëroj po, sepse disa herë punonim me policinë…

GJYKATA: Çfarë doni të thoni?

Riza Shehu: D.m.th, për të shoqëruar personat për siguri, për...

GJYKATA: Pra ju ishit me shumë shoqërues sesa kontrollues?

Riza Shehu: Po sigurisht, shkonim për sigurinë tuaj...

GJYKATA: Ju e dinit se cilët ishin personat që viheshin nën vëzhgim apo vrojtim nga ana juaj?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: E dinit se cilët ishin? Ku banonin? Për çfarë arsyeje ishin vënë nën vëzhgim?

Riza Shehu: Atë që shoqëroja po, por nuk është që...d.m.th, të themi që kjo gjë ka rëndësi, disa herë ishin të huajt, d.m.th, titullarë ambasadash, kështu, por nuk...

GJYKATA: Ju i shoqëronit?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Por nuk i kontrollonit? Janë dy gjëra të ndryshme, e dini?

Riza Shehu: Unë nuk kam pasur këtë, d.m.th...

GJYKATA: Këtë detyrë vëzhgimi?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Na thoni nëse për kryerjen e këtij aktiviteti vëzhgimi apo vrojtimi të personave ndiqej një procedurë e caktuar nëse e dini, në rast të kundërt më thoni ‘nuk jam në mendje të përgjigjem’, kuptuat? Sepse këtu nënkuptohet që ju e keni kryer këtë aktivitet vëzhgimi?

Riza Shehu: Procedura...procedura... dua të them procedura, d.m.th, të thonë që duhet të shkosh këtu dhe atje, por nuk është që...d.m.th, mund të diskutoja që mund të mos shkoja, duhet të shkoja...

GJYKATA: Për të shoqëruar?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Ju e ndiqnit jashtë?

Riza Shehu: Jo jashtë.

GJYKATA: Jashtë zyrave?

Riza Shehu: Ne e shoqëronim deri në një, pastaj thoshin: detyra jonë mbaron këtu, kaq.

GJYKATA: Nëse aprovohej apo jo vëzhgimi apo vrojtimi i një personi, kush ishte që e aprovonte këtë kontroll, këtë vëzhgim? Kush vendoste se cilët persona ishin për t’u vëzhguar apo për t’u vrojtuar?

Riza Shehu: Nuk e di dua të them, d.m.th... neve na thoshin që duhet të bëjmë këtë punë.

GJYKATA: Çfarë ju thoshin: Shoqëroje këtë person?

Riza Shehu: Dikush thoshte që është e paligjshme, dikush thoshte që është e ligjshme, dikush... nuk shpjegonin për asgjë.

GJYKATA: Por çfarë ju thoshin saktësisht: Shoqëro këtë person?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Apo: Ndiqe këtë person?

Riza Shehu: “Shoqëroje këtë person dhe bëni kujdes, mos e lëndoni, që dikush nuk...”, d.m.th, disa herë, disa herë në mënyrë të veçantë kanë qenë të gjithë të huajt që vinin atje për punë që...d.m.th, në këtë kuptim, por nuk është që e dinte ai që shkonte jashtë, d.m.th, ai që vendoste ishte oficeri me detyrë më të lartë.

GJYKATA: Ky aktiviteti i vëzhgimit apo i vrojtimit, ju e dini nëse dokumentohej në ndonjë farë mënyre?

Riza Shehu: Nuk e di.

GJYKATA: Regjistrime?

Riza Shehu: Jo, unë nuk kam bërë asnjëherë.

GJYKATA: Me video-kamera? Pra ju nuk keni bërë asnjëherë këtë aktivitet kontrolli apo vrojtimi? As si një aktivitet të dytë, të fshehur?

Riza Shehu: Në këtë kuptim pikërisht, vëzhgim personash me foto-kamera kështu, foto-kamera...

GJYKATA: Si? Mund të flasësh më mirë, ndryshe nuk kuptohet.

Riza Shehu: Foto-kamerat nuk ishin të lejuara, d.m.th...

GJYKATA: Ju mund të shoqëronit? Ju është caktuar detyra të shoqëronit direkt disa persona në sektorin për të cilin punonit apo për llogari të Shërbimit Informativ Kombëtar?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Jo?

Riza Shehu: Asnjëherë, sepse nëse mund të shpjegoj, ajo puna që bëja nuk më lejonte... duhet njëfarë grade atje për... d.m.th, njëfarë eksperience shërbente për gjithçka, por..

GJYKATA: Keni pasur apo jo të drejtën apo pushtetin për të arrestuar persona për llogari të Shërbimit Informativ Kombëtar?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Asnjëherë?

Riza Shehu: Unë, jo.

GJYKATA: As në mënyrë të fshehtë?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Sepse shikoni këtë pyetje, tani unë nuk i njoh faktet, duket haptazi një realitet tjetër në kuptimin që presupozohet ose ndoshta dyshohet që ju keni bërë pjesë në këto shërbime në mënyrë të fshehtë, pra që ndoshta formalisht mund të bënit një lloj pune, por në të vërtetë me një bashkëpunim të fshehtë, ju kishit detyrë të hetonit, d.m.th, të bënit një punë spiunazhi, kontrolli, vëzhgimi pushtet edhe për të arrestuar, kuptuat?

Riza Shehu: Kuptova.

GJYKATA: Këto ju nuk i kishit, këto pushtete?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Ju e keni njohur shtetasin Ziso Kristopulli?

Riza Shehu: S’e kam dëgjuar asnjëherë.

GJYKATA: Keni dëgjuar të flitet për të?

Riza Shehu: Nuk e di, jo.

GJYKATA: Na thoni nëse përpara se të takonit këtë Ziso Kristopullin, ishit apo jo në dijeni të ekzistencës së tij, vendbanimit të tij dhe të aktivitetit të tij të punës? Ju keni marrë pjesë në rrëmbimin apo në sekuestrimin e këtij Ziso Kristopullit?

Riza Shehu: Nëse nuk e njoh...

GJYKATA: Ju e dini që ishte rrëmbyer? E dinit që të tjerë ishin caktuar për ta rrëmbyer?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Pra, ju nuk jeni në gjendje të më thoni se si ka ndodhur apo kur rrëmbimi? Nisja? Ku kanë shkuar? Kur ka ndodhur?

Riza Shehu: Jo, zonjë.

GJYKATA: Pyetja është: na jepni disa shpjegime të hollësishme në lidhje me rrëmbimin e shtetasit Kristopulli, momentin e nisjes, kush ju ka urdhëruar për ta rrëmbyer, kur ka ndodhur, me kë keni shkuar, me çfarë automjeti, kur ka qenë nisja nga Tirana dhe kur keni mbërritur, nëse përpara se të shkonit në Ksamil, ku banonte Kristopulli, keni qëndruar në Sarandë, apo jo, nëse keni takuar dikë në Sarandë, nëse ju ka shoqëruar dikush nga Saranda në Ksamil, kush e drejtonte këtë operacion, sa persona kanë marrë pjesë në të, sa ditë ka zgjatur operacioni, ku keni qëndruar, ku e keni takuar Kristopullin, nëse ky Kristopulli ka pranuar të vijë me ju, apo nëse ka qenë i detyruar, rrugën e përshkruar, nëse e njihnit vendin ku është dërguar, kujt i është dorëzuar ky Kristopulli...etj.

Ju jeni në gjendje t’i përgjigjeni këtyre pyetjeve?

Riza Shehu: Jo, sepse nuk kisha asnjë detyrë, kuptuat? D.m.th, asnjë gjë, asnjë..., d.m.th, një oficer i rëndësishëm.

GJYKATA: Ju nuk e keni njohur shtetasin Remzi Hoxha?

Riza Shehu: Atëherë...

GJYKATA: Para së gjithash, nëse po apo jo?

Riza Shehu: Në atë kohë, jo nuk e njoh.

GJYKATA: E njeh personalisht?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Jo?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Po e di se kush është ai?

Riza Shehu: Jo, në gazetë d.m.th, unë si të gjithë lexoj gazetën, kam lexuar...

GJYKATA: Çfarë keni lexuar?

Riza Shehu: Një gazetë, një gazetë të...

GJYKATA: Një gazetë?

Riza Shehu: Po, kam lexuar për këtë emër.

GJYKATA: Ke lexuar këtë emër?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: E mbani mend se ç’keni lexuar?

Riza Shehu: Jo, një informacion në faqe të parë atje...

GJYKATA: Dhe kaq? Ju nuk e keni njohur atëherë?

Riza Shehu: E kam blerë këtë gazetë, e kam lexuar atje, kaq.

GJYKATA: Po këtë Remzi Hoxhën, ju e keni njohur?

Riza Shehu: Nuk e kam njohur, nuk e di se nga vjen dhe çfarë nënshtetësie ka, nëse është i imi, por kam lexuar...

GJYKATA: Pra, ju nuk e keni vëzhguar apo vrojtuar, ose kontrolluar ndonjëherë?

Riza Shehu: Jo, asnjëherë.

GJYKATA: D.m.th, nuk mund t’i përgjigjeni as pyetjes 20, nëse e mbani mend se ku është bërë vëzhgimi?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Ju keni marrë pjesë në sekuestrimin e Remzi Hoxhës?

Riza Shehu: Jo, dhe nuk e di të jetë sekuestruar.

GJYKATA: Pra pyetja 22, që është në lidhje si ajo e mëparshmja, me të gjitha mënyrat e kryerjes së rrëmbimit, ku ju kërkohet dita, muaji, viti, me kë e keni kryer rrëmbimin, kush ju ka dhënë urdhër, sa ishit, ku keni qëndruar, autoveturat që janë përdorur, etj; ju jeni në gjendje t’i përgjigjeni?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Jo. Sepse ju nuk keni marrë pjesë në rrëmbim?

Riza Shehu: Nuk kam marrë pjesë në rrëmbim.

GJYKATA: Ju keni marrë vesh ndonjë lajm për këtë rrëmbim nga persona të tjerë?

Riza Shehu: Jo, vetëm këtë që jua thashë më parë, që kam lexuar diçka, jo çfarë ka ndodhur.

GJYKATA: Ju i keni njohur personat e akuzuar në këtë procedim penal që është duke u zhvilluar pranë autoriteteve gjyqësore shqiptare dhe më saktësisht Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashin? Ju i keni njohur ndonjëherë? I njihnit?

Riza Shehu: I kam dëgjuar. D.m.th, t’i dëgjosh është diçka tjetër e të njohësh, tjetër.

GJYKATA: Janë emra të njohur? Emra që ju i keni dëgjuar?

Riza Shehu: Po.

GJYKATA: Po personalisht i keni parë, keni biseduar ndonjëherë me ta?

Riza Shehu: Quheshin inspektorë.

GJYKATA: Ishin inspektorë?

Riza Shehu: Po, po nuk është se kishim marrëdhënie.

GJYKATA: Të drejtpërdrejta?

Riza Shehu: I kam njohur. Kishin marrëdhënie me atë drejtorin atje.

GJYKATA: Ju keni njohur vetëm Arben Sefgjinin?

Riza Shehu: Po, sepse ishte i yni.

GJYKATA: Si e keni njohur dhe çfarë raporti keni pasur me të?

Riza Shehu: Jo, nuk kisha raporte të drejtpërdrejta me të.

GJYKATA: Si e njihnit, vetëm se ishte drejtori juaj?

Riza Shehu: Sepse hynte në makinën e tij dhe vinte, e nëse të binte rasti të të gjente, një mirëmëngjes para tij mirë, ndryshe nuk e shikoje për ditë e javë me radhë.

GJYKATA: Vetëm sepse ishte shefi juaj, të themi?

Riza Shehu: Është shefi, d.m.th, poshtë shefit më të madh.

GJYKATA: Ju dini nëse në rrëmbimin e këtij Ziso Kristopullit dhe të Remzi Hoxhës ka marrë pjesë ndonjëri prej tre emrave që ju përmenda më parë?

Riza Shehu: Nuk e di.

GJYKATA: Ndonjëri nga këta tre emrat që ju përmenda më parë, Sefgjini, Kumbaro dhe Koldashi, ju ka urdhëruar rastësisht të sekuestroni dy shtetasit, Kristopullin dhe Hoxhën?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Ju e dinit që shtetasi Remzi Hoxha ishte rrëmbyer dhe zhdukur?

Riza Shehu: Nuk e di.

GJYKATA: Nuk e dinit, d.m.th, ju nuk keni reaguar pas zhdukjes së këtij personi?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Pyetja 27 thotë: Të na thotë dëshmitari nëse ka reaguar apo jo në lidhje me zhdukjen e këtij personi, në rast se po, ku dhe kur? Jeni në gjendje t’i përgjigjeni?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Jo, sepse nëse më thoni që nuk e dinit...atëherë pyetja e fundit: Ju jeni marrë në pyetje edhe herë të tjera në lidhje me këto fakte?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Mirë. Nuk di nëse ata kanë kuptuar?

Riza Shehu: Herën e kaluar që u paraqita këtu...

GJYKATA: Po, po herën e kaluar që unë ju thirra paraprakisht për të marrë vesh nëse ju dëshironit apo jo t’i nënshtroheshit pyetjes duke qenë se ishin autoritetet shqiptare që do të vinin, pa ju shqetësuar në një rast mospranimi nga ana juaj do të ishte e kotë t’ju sillnim, por vetëm për këtë. E keni kuptuar se çfarë ka ndodhur? Dëshmitari ka deklaruar se ka kryer një aktivitet pune, por të një natyre të reduktuar si një lloj roje, informues në një zyrë të brendshme, por që nuk ka kryer, kështu pohon ai, ndonjë aktivitet...

Riza Shehu: Është e dokumentuar. Puna ime është e dokumentuar.

GJYKATA: Aktivitet spiunazhi, vëzhgimi sekret të paautorizuar apo të paligjshëm, mohon t’i ketë njohur të dy personat pasivë, d.m.th, personat që janë rrëmbyer, mohon dhe më tepër të ketë pasur dijeni për këto fakte dhe të ketë marrë pjesë në to. Mirë. Doni të dini ndonjë gjë, meqenëse jeni këtu dhe edhe letërporosia ka përfunduar?

Përkthyesja: Mund të bëjmë pyetje të lira?

GJYKATA: Jo, nëse dëshmitari është i gatshëm, sepse letërporosia është kjo, ajo e autorizuara, unë i kam bërë tashmë të gjitha pyetjet, nëse dëshmitari është këtu dhe jep pëlqimin dhe nuk ka probleme të mëdha po ndonjë specifikim, por ju lutem asgjë më tepër.

Prokurori: I nderuar gjyqtar, ne jemi këtu për të bërë pyetje të tjera.

GJYKATA: Nuk janë të autorizuara, letërporosia nuk e ka për objekt.

Prokurori: Në lidhje me këto pyetje, ne duam të specifikojmë...

GJYKATA: Mirë, fillojmë. Çfarë dëshironi të pyesni? Përkthyesja duhet të flasë në mikrofon, sepse duhet të përktheje. Bëjmë me dije se prokurori kërkon disa sqarime dhe përkthyesja të përkthejë

Prokurori: Ju falenderojmë për pjesëmarrjen në këtë seancë të kërkuar nga pala jonë, dëgjuam dëshmitarin, pyetjet janë bërë, janë vetëm për t’u specifikuar disa pyetje bazë të këtyre pyetjeve. Dua t’i bëj disa pyetje dëshmitarit, nëse dëshmitari ka udhëtuar në drejtim të Ksamilit, apo jo?

Riza Shehu: Jo.

Prokurori: Nëse dëshmitari ka marrë rimbursim për këtë rrugë, apo jo?

Riza Shehu: Nëse nuk e kam bërë, nuk mund të kem marrë rimbursim.

GJYKATA: Thotë se është përgjigjur?

Prokuroria: Në tetor të 1995...

GJYKATA: Në tetor të ‘95-ës?

Riza Shehu: Jo, (jashtë mikrofonit).

GJYKATA: Thoni jo?

Riza Shehu: Jo.

Prokurori: Në bazë të informacionit që kemi ne, rezulton se dëshmitari ka udhëtuar dhe madje ka marrë edhe rimbursim...

GJYKATA: Kuptuat, ka disa dokumentacione ku thuhet se jo vetëm keni udhëtuar, por edhe keni marrë rimbursim?

Riza Shehu: Unë them që jo.

Prokurori: Nëse e njihni shtetasin shqiptar, Besim Datia?

Riza Shehu: Eh? Jo.

Prokurori: Nëse e njihni shtetasin Beqir Teshala?

Riza Shehu: Jo.

Prokurori: Nëse keni punuar me Avni Koldashin?

Riza Shehu: Po.

Prokurori: Me çfarë detyre, aksioni?

Riza Shehu: Unë?

Prokurori: Po.

Riza Shehu: Bëja gjithmonë atë, d.m.th...

Prokurori: Nëse keni udhëtuar me Avni Koldashin në drejtim të Sarandës dhe Ksamilit?

Riza Shehu: D.m.th, unë nuk..., d.m.th, pikërisht... them se jo, nuk mbaj mend asgjë. Eh? No.

GJYKATA: Ju e keni bërë këtë udhëtim, apo jo?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Është e kotë të vazhdojmë, doni të bëni pyetje të tjera?

Prokurori: E njeh shtetasin Shpëtim Pasholli?

GJYKATA: Njeh, ç’do të thotë që njeh?

Prokurori: Njeh Shpëtim Pashollin...

Riza Shehu: Mund të përgjigjem në gjuhën time? Ka punuar me mua?

GJYKATA: Jo, jo, ju përgjigjuni italisht.

Prokurori: Periudha ‘95?

Riza Shehu: Ka punuar me mua.

Prokurori: Nëse e njeh...

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Nëse e njeh...

Riza Shehu: Jo, jo.

Prokurori: Në rrugën “5 Maji”, në shoqërinë e tre personave, apo ke shoqëruar persona të tjerë?

GJYKATA: Ç’do të thotë në rrugën “5 Maji”? Kur? Duhet ta kontestualizoni.

Prokurori: Gjithmonë në vitin 1995.

Riza Shehu: Nuk kam bërë punë i shoqëruar me këta persona.

Prokurori: Makina me targën që ju përmendi më parë gjykatësi, ju kujton gjë?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: TR e mbani mend?

Riza Shehu: Jo.

GJYKATA: Jua kam lexuar më parë, iu kujton gjë ajo targë?

Riza Shehu: Jo, as targa, as se çfarë lloj makine ishte, d.m.th, mundësitë e mia kanë qenë të reduktuara gjykatëse, sepse bëja punë për llogari timen, d.m.th...

Prokurori: Gjatë vitit 1995, në bazë të urdhrave të Avni Koldashit dhe bashkë me të, ke marrë pjesë...?

Riza Shehu: Jo.

Prokurori: Aktivitet vëzhgimi?

Riza Shehu: Jo, me këtë zotëri jo.

GJYKATA: Mirë, mund ta mbyllim.

 

_____________

 

Loshaj tregon për rrëmbimin e Remzi Hoxhës

 

Lindita Çela, Shekulli

 

Dëshmitari kryesor i procesit ndaj ish- SHIK-asve Sefgjini, Kumbaro e Koldashi rrëfen torturat e SHIK

I rrëmbyeri ka dhënë deklarimet e tij muajin e kaluar në një gjykatë Kosovare 


TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, ka arritur më në fund të marrë dëshminë e Avdyl Loshajt, i cilësuar si personazhi dhe dëshmitari kyç në historinë e rrëmbimit nga SHIK-u në vitin 1995, të biznesmenit shqiptaro Maqedonas, Remzi Hoxha, i zhdukur që prej asaj kohe. 

Në kohën e rrëmbimit ai kishte hyrë në Shqipëri, si fotoreporter i luftës së Bosnjes, ndërsa deri më sot ardhja e tij në atë kohë në Shqipëri duket se ka mbetur enigmatike. Bashkë me Remzi Hoxhën, në atë kohë, u rrëmbye edhe biznesmeni minoritar Ziso Kristopulli, si dhe vetë Avdyl Loshaj. Një dëshmi prej 16 faqesh është ajo çka akuza e Krimeve të Rënda, ka në dorë nga rrëfimi i Loshajt mbi atë që ai vetë përjetoi si bashkëvuajtjës me Remzi Hoxhën. 

Të tre ata pas rrëmbimit, janë dërguar në bazat e SHIK-ut, ku janë marrë në pyetje nga oficerët dhe drejtuesit e shërbimit sekret të degës së Tiranës. Avdyl Loshaj, pas keqtrajtimeve të kryera ndaj tij, mundi të largohej nga izolimi, pasi u hodh nga kati i dytë i ndërtesës ku merrej në pyetje. 

Ndërkaq, Remzi Hoxha, i cili ishte rrëmbyer pranë punishtes së tij të prodhimit të duraluminit në rrugën "Siri Kodra", pranë frigoriferit, u zhduk dhe që nga ajo kohë trupi i tij, nuk është gjetur ende nga familjarët. 

Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës si dhe rrëmbimin e dëshmitarit dhe të dëmtuarit Avdyl Loshaj, si dhe të Ziso Kristopullit, Prokuroria e Krimeve të Rënda, akuzon ish- drejtuesit e SHIK,-ut të asaj periudhe, Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Avni Koldashin. 

Ky i fundit është në rolin e të penduarit, dhe ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. I vetmi nga të akuzuarit që vazhdon të paraqitet në proces është Arben Sefgjini. Ai gjatë kohës që është hetuar tashmë që po zhvillohet procesi gjyqësor, ka qenë në funksione publike, si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe tashmë në funksionin e Drejtorit të Shërbimit të Provës, për të dënuarit.

I akuzuari tjetër, Ilir Kumbaro, ndodhet në Angli, ku qëndronte i fshehur me emrin Shaqa Shtari, që prej kohës së arratisë së tij nga Shqipëria. 

Loshaj, i cili gjithashtu u rrëmbye nga SHIK-u në vitin 1995, muajin e kaluar ka rrëfyer për herë të parë, pas 15 vjetësh zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Avdyl Losha, që arriti t'iu mbijetojë torturave është pyetur nga auroritetet e drejtësisë kosovare. 

Pyetja e tij mësohet se është realizuar në fund të muajit dhjetorit, ndërsa Loshaj ndodhej në Kosovë. 

Dëshmia e tij është dhënë me kërkesën e tij, pasi kishte njoftuar autoritetet shqiptare të drejtësisë se deponimet e tij në lidhje me procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës, do t'i jepte në Kosovë, për shkak të frikës së tij për të dëshmuar në Shqipëri.

Nuk dihen detaje të dëshmisë së tij, ndërsa ajo pritet të përcillet në Ministrinë e Drejtësisë, për t'ia përcjellë më pas zyrtarisht Gjykatës së Krimeve të Rënda, që duhet ta administrojë atë. Dëshmia e tij konsiderohet më e rëndësishmja për të zbardhur fatin e të zhdukurit Remzi Hoxha. Loshaj u gjet në Holandë pas gati 12 vitesh, nga zhdukja e Remzi Hoxhës. 

Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve Sefgjini, Koldashi dhe Kumbaro ndodhet në fazën përfundimtare të marrjes së provave të organit të akuzës. Sipas prokurorisë, të pandehurit akuzohen se kanë organizuar, rrëmbyer dhe torturuar shtetasit Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Loshaj shprehu gatishmërinë për të rrëfyer torturat e SHIK-ut

Më 19 maj të vitit të kaluar gjatë një seance të procesit gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, prokurori i çështjes, Xhevat Hana, , njoftoi trupin gjykues se Avdyl Loshaj kishte kërkuar nga Holanda të "rrëfente" për "rrëmbimin" dhe "torturat" e ushtruara ndaj tij nga SHIK-u, në vitin 1995. 

Kjo deklaratë erdhi, vetëm pak sekonda pasi përkthyesi i caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, lexoi shkresën e ardhur me letër-porosi nga autoritetet holandeze, të cilët kishin shpjeguar se Loshaj nuk gjendej në qytetin e Bredas në Holandë. 

"Nga hetimet e kryera nga ana jonë, kemi konfirmuar se në qytetin e Bredas, nuk ka ndonjë person të regjistruar me emrin Avdyl (Armand) Loshaj. Për këtë fakt, ju njoftojmë se nuk mund të ekzekutojmë letër-porosinë tuaj për marrjen në pyetje"- thuhet në shkresën e ardhur nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë më datë 4 maj 2010. 

Pas leximit të shkresës, avokati i të pandehurit Arben Sefgjini, kërkoi nga gjykata mos të pyetej ky person, pasi po zvarriste procesin. Prokurori Hana kundërshtoi kërkesën, duke shtuar se "në dhjetorin e vitit 2003 brenda ambienteve të Ambasadës Shqiptare në Holandë është marrë në pyetje Avdyl Loshaj dhe ai nga frika e eliminimit fizik ka dhënë adresë të gabuar". 

Më 10 qershor 
Loshaj: Dua të dëshmoj në Kosovë 


Më tepër se 20 ditë, pasi kishte shprehur gatishmërinë, për të dëshmuar në procesin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Avdyl (Armand) Loshaj, ka kthyer një përgjigje, duke kërkuar që të dëshmonte në një prej gjykatave Kosovare, për shkak të frikës ndaj tij për të dëshmuar në Shqipëri. 

Eshtë pranuar kërkesa e Avdyl alias Armando Loshajt për ta marrë në pyetje për llogari të procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të SHIK-ut në një prej gjykatave të Kosovës. Pas këtij njoftimi gjykata lajmëroi palët se letër-porosia e nisur në Kosovë ka marrë drejtim dhe pritet vetëm caktimi i një date për marrjen në pyetje të Loshajt. 

Ai cilësohet nga prokuroria si një nga tre viktimat e rrëmbimit dhe torturës së agjentëve të SHIK-ut, të pandehurit Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Në të njëjtën seancë, trupi gjykues kishte njoftuar palët se autoritetet italiane, kishin marrë në pyetje të katër dëshmitarët e akuzës, ish-punonjës të SHIK-ut në Vainë të Lezhës. Në këtë vend, mendohet se të pandehurit i kanë dërguar të rrëmbyerit, Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. 

Dy ditë me rradhë dha dëshminë e tij mbi rrëmbimin e tij në qytetin Studenti dhe torturat e SHIK-ut 
Loshaj dëshmi përballë kryegjyqtarit të Pejës 

Loshaj, pranoi të flasë, por jo në Shqipëri. Ky ishte pakti që kishte bërë për të folur, një nga personat që shpëtoi gjallë nga torturat e ish- punonjësve të SHIK-ut në vitin 1995. 

Në kushte ekstreme sigurie, pas 15 vitesh, Avdyl Loshaj rrëfeu rrëmbimin e tij punonjësit e SHIK-ut, bashkë me Ziso Kristopulin, e Remzi Hoxhën, ndërsa fati i këtij të fundit ende. Për dy ditë me radhë, i deklaruar si fotoreporter i luftës së Bosnjës, ai tregoi për kryetarin e Gjykatës së Pejës ç ndodhi në Tetorin e vitit 1995, kur u zhduk biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Rremzi Hoxha. 

Mësohet se në dëshminë e tij, ai ka dhënë detaje të panjohura më parë nga organet e drejtësisë dhe opinioni publik në në Shqipëri, për ngjarjen për të cilën akuzohen tre ish- punonjësit e SHIK-ut, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. 

15 faqe rrëfim të dhëna në dy ditë në Gjykatën e Pejës është përmbledhur e gjithë dëshmia që pritet të zbardhë fatin e biznesmenit Rremzi Hoxha. Njeriu që ka heshur për 15 vjet me radhë dhe që konsiderohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si personi kyç në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më vitin 1995 ka thyer heshtjen. 

Për dy ditë me radhë, Avdyl Loshaj ka dëshmuar në gjykatën e Pejës gjithçka që ka patur dijeni për ngjarjen. Me 20 dhe 21 dhjetor, njeriu që arriti të arratisej nga spitali ushtarak në vitin 1995 u paraqit në Gjykatën e Pejës për të rrëfyer historinë e rrëmbimit të tij në Qytetin Studenti. Kryetari gjykatës, së Pejës Sali Mekaj, tha për Shekullin se kjo dëshmi u mor në bazë të kërkesës së Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. 

"Është e vërtetë që unë kam marrë në pyetje Avdyl Loshajn dhe kjo pas një letër-porosie të bërë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri. 

Zoti Loshaj ka dëshmuar gjithçka që dinte mbi një hetim të hapur në Shqipëri dhe kjo është dokumentuar nga ana jonë dhe u është përcjellë në rrugë zyrtare autoriteteve të gjykatës Shqiptare. Përmbajtjen e kësaj dëshmie nuk mund ta komentoj", deklaroi "Shekullin", Sali Mekaj. Rrëfimi i është përmbledhur në një fashikull dhe përmban në total 15 faqe rrëfim. 

Për herë të fundit Remzi Hoxha është parë i gjallë në katin e dytë të qelive të SHIK-ut në Lezhë ndërsa më pas ka humbur gjurmët prej 15 vitesh. Të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt, Ziso Kristopulit, Remzi Hoxhës, me pasojë zhdukjen e këtij të fundit janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, ish-punonjës të SHIK-ut.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora