E shtune, 27.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Parlamentet Shqiptare

E merkure, 20.10.2010, 09:59 PM


Parlamentet Shqiptare

 

Nga Dorian Koçi

 

Në kohën e regjimit komunist, për të stigmatizuar regjimin e mbretërisë në një antologji të muzës popullore u botua një anekdotë për deputetet shqiptarë që nuk dinin çdo të thoshte fjala buxhet. Me fjalë të tjera ,pasi diskutohej në seancën parlamentare për buxhetin e shtetit dikush nga deputetët ngrihej nga vendi dhe pyeste: Ju lutem të ngrihet në këmbë z Buxhet që ta njohim sepse po dëgjojmë shumë për të.

Përtej groteskes dhe denigrimit  që mundohej të përcillte kjo anektodë, në të mund të gjeje pak gjurmë të së vërtetës pasi sistemi i vlerave që ne kemi ndërtuar asnjëherë nuk ka qenë i ngritur mbi meritokracinë por mbi interesat e ngushta klanore, provinciale dhe besnikërie të dyshimtë ndaj udhëheqësve. Në listat e deputetëve që kanë shërbyer në parlamentin e mbretërisë përveç hartuesve të statuteve të para të vlefshme të Shqipërisë kanë shërbyer dhe krahinorë të rëndomtë që kishin influencë në krahinat e tyre dhe si rezultat ishin një element i rëndësishëm për mbretërinë e brishtë shqiptare,udhëheqës të fuqishëm fisesh që nuk i kalonin arsimimin më shumë se shkallët e një mejtepi të Perandorisë Otomane apo dhe aventurierë  që pasi kishin dështuar të arsimoheshin në Perëndim kishin gjetur si strofull politikën pasi vetëm aty mund të shisnin dhe blinin pallavrat e tyre.

 Kriteri i kryesor i përzgjedhjes së tyre sigurisht që ishte besnikëria ndaj Mbretit, kriter i cili besohej se do i jepte vazhdimësi mbretërisë dhe sistemit politik dhe të vlerave të saj. Në panagjerikët e shumtë që janë botuar më 1937 me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë mund të gjesh shumë fjalime dhe nota besnikërie të parlamentarëve shqiptarë ndaj mbretërisë dhe Mbretit aq sa të jepet ndjeshmëria të besosh se regjimi monarkik dhe vlerat e tij do zgjasnin 1000 vjet. Në fakt dy vjet më vonë kur Mbretëria shqiptare u shkërmoq si një kështjellë në rërë përballë agresionit fashist të 7 prillit 1939 dhe vetëm 5 ditë më vonë më 12 prill shumica e përfaqësuesve “besnikë” të parlamentit të para 7 prillit 1939, u mblodhën në një asamble kushtetuese ku po i njëjti kryetar, Xhafer Ypi shpalli rrëzimin e regjimit monarkik në Shqipëri, bashkimin e Shqipërisë me Italinë Fashiste dhe afrimin e kurorës shqiptare Mbretit të Italisë Viktor Emanuelit III.

Kjo ndoshta mund të kishte qenë një nga goditjet më të mëdha që një udhëheqës mund të  kish pësuar në karrierën politike të tij që pas 15 vjetësh me radhë në pushtet nuk kish qenë në gjendje të krijonte një trashëgimi të qëndrueshme politike. Por ajo që mund të ishte e vlefshme për sisteme politike të ngritura mbi vlera demokratike nuk ishte e vërtetë për sisteme gjysmë demokratike si ishte mbretëria shqiptare. Ndaj në dokumente të kohës gjen letërkëmbime të Mbretit Zog në emigrim me ish anëtarët e vet “besnikë” të parlamentit, të cilëve u bën thirrje që ti bashkoheshin atij sërish sikur të mos kish ndodhur gjë më parë sigurisht pa harruar të theksojë se këto aleanca të reja politike bëhen në emër të Shqipërisë dhe kombit por që për një studiues të vëmendshëm se ka vështirë ta kuptojë  më shumë kishin të bënin me rikthimin e tij si Mbret në Shqipëri.

Për fat të keq tradita e formuar mbi bazën e këtyre aleancave të dyshimta interesash të ngushta personale që shpesh herë në ditët e sotme përpiqen të na i shesin si kompromise dhe konsensuse të suksesshme politike ka qenë pjesë e kulturës sonë institucionale jo vetëm gjatë regjimit diktatorial por dhe në 20 vjet demokraci. Parlamenti shqiptar i pas viteve 90’ nuk ka përfaqësuar vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare por ka mbartur mbi shpinë gjithë këtë trashëgimi jo të qëndrueshme institucionale duke e pasuruar dhe më shumë në këtë drejtim. Sot jemi dëshmitarë të një lufte mediatike të paskrupullt ku qytetarëve shqiptarë u duhet të durojnë me patetizëm hartimet mediokre të besnikërisë së deputetëve ndaj shefave të vet politikë jo për të çuar përpara kauza të mëdha si janë lufta kundër korrupsionit apo Integrimi evropian i vendit, por sigurimin e vendit në listën pasardhëse të zgjedhjeve të tjera. Sistemi elektoral me listat e hartuara nga kryetarët e partive ka zbehur çfarëdolloj dinjiteti njerëzor apo pavarësie mendimi politik të deputetëve duke i kthyer në Arkelinë dhe Pucinella të mjeshtrave të mëdhenj të gënjeshtrave –udhëheqësve politikë të partive. Reforma e re elektorale duhet të rikthejë nocionin e llogaridhënies së deputetit para elektoratit të vet si një nga kushtet bazë për ndërtimin e një demokracie të shëndetshme në të cilën elektorati do të ketë mundësinë dhe përvojën që ti zgjedhë apo ti “djegë” kandidaturat e paraqitura.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora