Kulturë
Cikël me poezi nga Kostaq Duka
E shtune, 24.07.2010, 08:48 PM
Kostaq Duka
(cikël me poezi)
Botë
Botë
e copëzuar në mijra botë
që ndizen e shuhen për ditë…
Botë
veç nën këmishën diellore
dhe pelerinën e natës
në vërtitjen pa fund i bashkon të gjithë
Botë
pas lëkurës tënde ngjeshur me të tjerë
edhe pse shpesh them
larg rrëmujës e dashurisë së reme
më mirë në vetvete
edhe pse botëzë-thërmijë.
Kontrast
Rrëzohet fëmija
Bërtet me të lebetitura
Pret prindi ta rrëmbejë në krahë
Ta përkëdhelë e mbulojë me të puthura.
Rrëzohet plaku
Dhimbjen kafshon
Rrënkimin rrëzon
Humnerave të shpirtit.
………
Në rini
me rrezen e diellit
erën
ujin e ëmbël të liqenit
dallgën e detit
luaja gjithë gaz e furi……
Tani
rezja,era,ajri ,uji
luajnë me mua
më prekin lehtas, me përkëdheli.
Borxhi
Ju lutem
mos më kërkoni borxh.
Pamundësia per t’u ndihmuar
Më shkakton vuajtje.
Ju lutem
Mos më kërkoni borxh.
Pas mohimit të ftohtë
U trembem pikpyetjeve iluzive
Vrastare të dashurisë njerëzore.
Ju lutem
Mos më kërkoni borxh.
Jetës i jam qepur me thonj
Ju më kujtoni greminën
Ajo është pranë
Po s’dua ta shoh!
Sendërtimi i Poezisë
Në fillim një tingull
Pastaj një rrokje
Tek fjala u ngjit pazgjidhmërisht.
Dhe fjala
Tek vargu
U serëndit
Në hapësirën e vet
Si ta kish përjetësisht.
Vargu
U shkund, lëvizi
Gjithë drithërimë.
Diku në një strofë
Mendimin,figurën
Zjarrmoi të lirë.
Së fundi
Poezia si një avion
Drejt shpirtërash
U nis në fluturim…
Korrik 2010.