Faleminderit
Kolec Traboini: Shpirti i Arbërit rron
E diele, 09.05.2010, 07:59 PM
SHPIRTI I ARBERIT RRON
Kur trupi ikën shpirti vjen më pranë njerëzve
Ndaj dy fjalë me At Antonio Bellusci, pas 10 vjet ndarje me mikun tonë të përbashkët, Aristidh Kola.
Eshtë nder i madh për mua të marr një leter prej jush,i ndritur At Antonio Bellusci, njeriu i nderuar e respektuar në mbarë Diasporën Arbërore, e për më tepër të më falenderosh publikisht për çfarë unë kam mundur modestisht të shkruaj për mikun tonë të përbashkët, arvanitasin e madh, Aristidh Kola. Atë tani e kanë pranë ëngjëjt e Zotit, por edhe ne e mbajmë në zemrën tonë, të gjallë e plot energji , ashtu siç e njohëm. Të përzemërt , me fytyrë plot dritë e të qeshur, gjithmonë i mirë e bujar.
Ju, i nderuar At Antonio, e keni takuar shpesh herë, e keni patur bashkëpunëtor e mik për krye, siç i themi aq bukur në gjuhën tonë arbërore. Kur isha në Greqi e kisha hapur një gazetë në gjuhën shqipe për emigrantët, Aristidh Kola më fliste me një admirim të jashtëzakonshëm për ju e veprën tuaj hulumtuese. Ishte i lumtur që kishte një mik të madh në skajin tjetër të Mesdheut. Vepra e fundit e botuar në të gjallë prej tij ishte për ju “ Antonio Bellusci dhe magjia e gojdhanave popullore”, Athinë 2000.
Ju vlerësonte lart dhe ju kishte mikun më të afërt në qëllimin e madh e të përbashkët për të mbajtur të gjallë frymën arbërore. Miqësia juaj kalonte nga Thiva, përmes fshatrave arvanite të Atikisë, që i rrinë Athinës si kurorë, nga ishulli Salamina i Anastas Kulluriotit, kalonte nëpër malet e Moresë tek Arbërshët e De Radës e Zef Serembes në Kalabri e Siqili të Italisë. Dhe natyrisht përshkonte si hark drite qiellin e Shqipërisë dhe Kosovës e mbarë trojeve shqiptare në Ballkan.
Ju ishit si dy yje që ndriçonit një në lindje dhe tjetri në perendim të Arbërisë sonë. Ju ishit dy zogj shqiponje që së bashku kishit fluturuar lart por edhe larg deri në Strasburg, për t’i thënë Europës se Arvanitët, trashigimtarët e Kollokotronit, Marko Boçarit, Gjergj Karaiskaqit, Laskarina Bubulinës e plot heronjëve të tjerë të Revolucionit Grek, ishin gjallë, anipse të harruar pak prej vetes e shumë e më shumë prej të tjerëve. Ju të dy ishit ata që në gjysmëshekullin e shkuar po e zgjonit atë popull, i kthenit atij krenarinë e mohuar.
Tek të shkruaj ty, arbëreshi ynë i ndritur At Antonio, më duket se flas me Aristidh Kolën ndaj dhe fjala më merr tone mallëngjyese. Aq më tepër që në 11 Tetorin e pritshëm, mbushen plot dhjetë vjet nga ajo ditë e zezë athinjote, ajo vdekje mizore, që na e rrëmbeu parakohe krejt e papritur Aristidhin tonë. Por dora e ligësisë njerëzore, siç kishin bërë me Anastas Kulluriotin e Jorgo Marugën, e rrëmbeu vetëm fizikisht. Aq mundën të bënin. Nuk mund ti vihen pranga dritës. Asgjë tjetër nuk ka ikur veç trupit që ju kthye dheut të krijimit. Frymën e tij e ndjejmë. Veprat e mendimet e tij na shoqërojnë. Sot më tepër se dje, nesër me tepër se sot, kështu në vazhdimësi, sa kohë që bijtë e shqipes arbërore, shqiptarët, arbëreshët, arvanitët rrojnë e do të rrojnë mbi dhè.
Aristidh Kola ishte një mendje e ndritur që e kuptonte se në këtë botë kish jetë por kishte edhe vdekje, por dinte akoma më mirë se vdekja mund të mundej me vepra të mëdha për njerëzit. Ai e dinte mirëfilli se ka një mënyrë për të rrojtur edhe pas vdekjes, çfarë në të vertetë e mrekullisht ndodhi, se ja, tani për Aristidhin tonë dinë e flasin më shumë njerëz. Ani pse gazetat shqiptare në Tiranë e Prishtinë fare pak shkruajnë, se janë peng e robër të politikës dhe interesave, por falë komunikimit të shpejt e masiv elektronik, për Aristidh Kolën sot flasin e shkruajnë me admirim në të katër anët e globit nga Europa në Amerikë, Kanada dhe Australi, kudo ku ka shqiptarë.
Vepra e tij madhore “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” pas nëntë botimeve në Greqi, është botuar e ribotuar edhe në Shqipëri, por, edhe vepra te tjera si “Gjuha e Perendive” tashmë i kanë në dorë shqiptarët në arbërishtën tonë të lashtë e të bukur.
Disa njerëzve vdekja ju shërben për tu bërë edhe më të gjallë se të gjallët. Kur trupi ikën shpirti vjen më pranë njerëzve.Ringjallje sipas shëmbëllesës se Krishtit. Ndaj gjithmonë kam thënë e do të them se Aristidh Kolën e kemi gjallë midis nesh.
Shpirti i Arbërit kurrë nuk vdes. Shpirti Arbërit Rron, Zei, Live Forever!
Sot e përgjithmonë e jetës, o Zot! Amen!
Kolec TRABOINI
traboinistudio@yahoo.com
www.traboini.com