Shtesë » Lajme
Milazim Kadriu: Jetë në geto
E premte, 29.01.2010, 10:00 PM
Kushtet e rënda të banorëve në Lagjen e Kuvajtit në Besianë
JETË NË GETO
Nga Milazim KADRIU
Në periferi të qytetit të Besianës në rrugën për në fshatin Ballofc ndodhet kompleksi i strehimit kolektiv e ndërtuar nga Komiteti i Botës Islame të Kuvajtit pas përfundimit të luftës. Fillimisht qe paraparë të vendosen familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe disa familje skamnore. Kjo qe paraparë të jetë një strehim i përkohshëm ngase kushtet janë të rënda në këtë qendër të strehimit,mirëpo aty jetojnë familje të cilat nuk kanë nga t’ia mbajnë sepse si thonë ata dimrit mërdhijnë ndërsa verës digjen në barakat e llamarinta. Disa herë është premtuar që për ta të gjendet ndonjë zgjidhje por asgjë konkrete deri më tani nuk është bërë.
Është bërë një dekadë e plotë kur është ndërtuar Lagja e Kuvajtit të cilën herë e quajnë edhe Lagja e Dëshmorëve sepse fillimisht qe thënë se aty do të vendosen familjarë të dëshmorëve dhe kategorive tjera të luftës por më vonë janë vendosur edhe shumë familje tjera por gjithsesi familje që kanë qenë pa strehë mbi kokë. Kjo qendër e strehimit të përkohshëm qe ndërtuar nga Komiteti i Botës Islame të Kuvajtit.
Jeta në ndërtesat e llamarinta
Në ndërtesat e llamarinta (kontejner) me kalimin e kohës jeta dhe ekzistenca sa vjen e vështirësohet madje edhe ankesat e banorëve të këtushëm gjithnjë e më shumë janë më të mëdha. Kur bisedohet me ta ata thonë se imagjinoni jetën tonë në këta kontejner tash e dhjetë vite ku dimrit është shumë ftohtë,ndërsa verës tepër nxehtë dhe i vetmi burim i ngrohjes dhe përgatitjes së ushqimit është energjia elektrike pa pasur mundësi të përdorimit të burimeve tjera alternative.
Në mesin e këtyre familjeve ka familje të dëshmorëve të kombit,veteran e invalid të luftës,familje e gjendje të rëndë sociale (shfrytëzues të ndihmave sociale),familjarë të viktimave civile të luftës,fëmijë jetim, pensionist invalidor të kategorive të rënda dhe kategori tjera të ndjeshme të shoqërisë,të cilët kanë mbetur peng i kësaj qendre kolektive të strehimit të cilët nuk kanë mundësi dhe as kushte që vetë ta zgjidhin çështjen e banimit pa ndihmën e institucioneve të shtetit.
Pa përkrahje për punësim
Problem i cili e rëndon edhe më shumë jetën e banorëve të këtushëm është edhe energjia elektrike ku të gjitha këto familje deri tani kanë pasur vetëm një njehsor elektrik dhe borxhi ndaj KEK-ut ka arritur shumën prej 1 milion e 150 mijë euro dhe pikërisht për këtë borxh banorët e kësaj lagjeje shpeshherë kanë mbetur në terr duke ua shkyçur energjinë elektrike dhe duke kërkuar shlyerjen e borxhit që nuk kanë pasur mundësi ta bëjnë ata.
Sipas përgjegjësit të lagjes Islam Visoka në këtë lagje aktualisht jetojnë 131 familjeve me mbi 750 anëtarë të cilët që nga viti 2000 banojnë në objektet e llamarinta në Lagjen e Kuvajtit për ndërtimin e të cilës janë shpenzuar 2.5 milionë euro nga Komiteti i Botës Islame nga Kuvajti. Prej tyre 16 janë familje dëshmorësh, 6 invalidësh dhe 36 veteranësh të luftës, kurse të tjerat janë raste sociale. Ai tha se deri në muajin maj të këtij viti banesat nuk kishin orëmatës për energjinë elektrike,kurse tash e tutje banorët do ta kenë shumë vështirë për ta paguar energjinë e shpenzuar pasi mesatarja e harxhimeve është 70-80 euro në muaj dhe është mënyra e vetme për ngrohje dhe përgatitje të ushqimit dhe gjërave tjera. Visoka kërkoi që të paktën këto familje të kenë lehtësira në pagesën e energjisë elektrike deri në 50 për qind pasi shumica janë nga familjet me kushte të rënda ekonomike. Ai tha se në kuadër të lagjes me një hapësirë prej 5 ha ekziston shkolla, xhamia si dhe ambulanca shëndetësore ku mund të kryhen vizita mjekësore si dhe analizat laboratorike, si dhe shërbimet e stomatologjisë.
Ndërsa Rashid Djarun,drejtor i Komitetit të Botës Islame të Kuvajtit që ndërkohë është shndërruar në OJQ "Kosova për ndihmë dhe zhvillim" (KAD - Kosova Aid Developent) tha se ka menduar gjatë që të gjendet ndonjë zgjedhje për këta banorë duke ndërtuar një banesë kolektive por duke parë se në këto kategori që aktualisht jetojnë këtu ka shumë familje dhe është e pamundura që të zgjidhet çështja e banimit për të gjithë jam i mendimit se zgjedhja më e mirë do të ishte ndërtimi i shtëpive të gjithë këtyre banorëve në vendlindjet prej nga vijnë.
Për plotë dhjetë vjet jetë në këtë geto të rrethuar me gjemba
"Jeta në këtë geto të rrethuar me gjemba për plotë dhjetë vjet na bënë që gjithnjë të ndihemi keq madje edhe fëmijët i shohin dhe i ndjejnë dallimet në kushtet e jetës dhe banimit. Tepër shqetësues është fakti se këtu të rinjtë dita- ditës po pësojnë efekte të thella të depresionit nga kjo gjendje tepër e rëndë . Këtu tmerret e luftës ende nuk kanë përfunduar, këtu liria nuk përjetohet si liri por si një padrejtësi, mjerim, ferr për një dekadë të plotë. Këtu të gjithë banorët janë shqiptarë dhe liria dhe shteti janë fituar dhe ndërtuar me gjakun e familjarëve të këtyre banorëve” shprehen banorët e këtushëm.
Në këtë lagje ka shumë banor që meritojnë të jenë në punë por ata nuk kanë përkrahje në punësim madje ka edhe banorë me fakultet që presin punë tash e shumë vite por ashtu si janë lënë pas dore në çështjen e banimit edhe në punësim nuk kanë përkrahje dhe në lëmit tjera
Në kompleksin e "Lagjes së Dëshmorëve" në Besianë,është edhe shkolla ku para më shumë se një viti është ndërtuar objekti i ri shkollor i shkollës "Dëshmorët e Kombit". Shkolla e re dy katëshe e pajisur me inventar të ri dhe me ngrohje qendrore Ndërtimi i shkollës me 1250 m katror që ka nëntë dhoma mësimi,gjashtë kabinete e tri dhoma pune ka kushtuar 286 mijë euro, prej të cilave KK-së e Besianës ka participuar me 136 mijë euro, kurse Komiteti i Kuvajtit, përkatësisht OJQ "Mercy International Kuvajt" ka participuar me 150 mijë euro.
Kosovare Sejdiu(35),bashkëshorte e dëshmorit Fadil Sejdiu që bashkë me djalin 14 vjeçar jeton në këtë lagje thotë se si kategori e familjarëve të dëshmorëve dhe të tjerët që janë nga UÇK nuk e meritojnë të jetojnë në këto kushte mezerie. Shoqëria nuk ka bërë asgjë për familjet e këtyre kategorive sa i përket zgjedhjes së çështjes së banimit. Po këtë mendim e mbanë edhe Sejdi Sejdiu (47) nga Shamalluku i Besianës që ka pesë të vrarë në luftën e fundit (Katër vëllezër dhe nënën).Ai thotë se shoqëria ka bërë pak për ne,kurse zgjedhja më e mirë për ne që tash nëntë vite jetojmë në kushte mezerie është ndërtimi i një banese kolektive Edhe Hazir Rekaliu (53) nga Dobratini i Besianës që bashkë me gjashtë anëtarët e familjes së tij jeton në këtë lagje thotë s e kushtet janë shumë të vështira në veçanti gjatë dimrit. Rryma është shumë e shtrenjtë dhe zgjedhja e halleve tona është ndërtimi i një banese kolektive. Po këtë mendim e ndanë edhe Naim Mehmeti (46) nga Majaci që si rast social është i strehuar me gjashtë anëtarë në këtë lagje.
Të gjithë folësit e më sipërm banorë të kësaj lagjeje janë ankuar se të gjitha qeveritë e pas luftës në Kosovë me gjithë peticionet me shkrim drejtuar atyre si dhe presidenti e Kuvendit kanë hasur në vesh ët shurdhër për zgjedhjen e halleve të tyre për dallim nga pjesëtarët e komunitetit rom e ashkalinj që po privilegjohen duke u ndërtuar banesa kolektive dhe shtëpi si është vepruar në Kastriot e Mitrovicë si dhe me serbët që anembanë Kosovës po u ndërtohen shtëpitë me para të taksapaguesve kosovar.
Banorët e kompleksit të " Lagjes Kuvajtiane" me një peticion drejtuar institucioneve më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë kërkuar që tu zgjidhet çështja e banimit. Shkresa është adresuar presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit , ombudspersonit si dhe shumë ministrive. Nëpërmes saj ata kanë kërkuar që tu zgjidhet çështja e banimit.
Ndarja e truallit për banesa kolektive
Zyrtarët komunal në KK të Besianës thonë se problemi i banimit në komunën e Besianës është bukur i madh ngase shumë familje ende edhe pas dhjetë vitesh prej përfundimit të luftës nuk e kanë të zgjedhur problemin e banimit. Madje shumë familje nuk kanë kulm mbi kokë ose jetojnë në kushte të vështira banimi. Sipas zyrtarëve komunal në Besianë problem i banimit nuk është vetëm për 132 familje që jetojnë në strehimoren kolektive në Lagjen e Kuvajtit por sipas tyre janë dhjetëra familje që jetojnë edhe në kushte më të vështira banimi. Komuna e Besianës ditë më parë u ka dhuruar çelësat e shtëpive të reja 11 familjeve llapjane që deri tash kanë qenë në kushte të rënda banimi. Këto shtëpi janë ndërtuar nga buxheti komunal dhe kjo do të vazhdoi edhe në të ardhmen premtojnë zyrtarët komunal. Ruzhdi Dema,zyrtar komunal për strehim thotë se në gjendje shumë të keqe të banimit janë më tepër se 100 familje dhe brengë e veçantë është QPK në Ballofc me 132 familje.
Ai thotë se me një vendim të Asamblesë të KK kemi ndarë një lokacion për ndonjë objekt të banimit social(sepse kemi familje të cilat nuk kanë tokë – truall) dhe nga ana tjetër dy – tri vite kemi dorëzuar projekte për ndonjë objekt të banimit social dhe kjo në MMPH, në MPMS, MAPL dhe KAD ( ish KBI) të Kuvajti. Ne si KK kemi ndarë truallin për ndërtimin e një banese kolektive .Në buxhetin e këtij viti 150 mijë euro që ne kemi llogaritur se kjo të jetë 15 për qind e shumës për ndërtimin e asaj banese. Po ashtu për ndihë u jemi drejtuar Ministrisë së mirëqenies sociale,Ministrisë që ambientit dhe planifikimit hapësinor dhe Ministrisë së Administrimit të pushtetit lokal por ende nuk kemi marr përgjigje,jemi duke pritur dhe shpresojmë që ndonjëra ose të tria këto ministri të na ndihmojnë në këtë drejtim.
Komentoni
Artikuj te tjere
Te perndjekurit politike apelojne: Besim Ndregjoni, poet i Enverit, mjaft abuzove...
Rrëzimi i paktit, Bakojanis akuzon Ramën: U bashkua me ekstremistët
Berisha, kundër historianëve: Regjistrimi nuk sjell përçarje
Milazim Kadriu: Keqpërdorimi i parasë publike është korrupsion...
Milazim Kadriu: Shqetësim për ndryshimin apo stopimin e autostradës së ëndërrave tona
Rrëzimi i Paktit Detar, deklarata zyrtare e Gjykatës Kushtetuese
Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, sqaron regjistrimin e vitit 2011
RADIO KOSOVA E LIRË - NJË PERLË GJITHËKOMBËTARE
Mexhid Yvejsi: Papa, Patriarku dhe Kosova
Milazim Kadriu: Më 15 shkurt fillon procesi gjyqësor kundër Albin Kurtit
Vazhdon të përkrahet protesta e Radios ''Kosova e Lirë'' drejtuar komisionit të pavarur të medieve
FP: Regjistrimi i popullsisë dhe marrëdhënia me Greqinë
Besnik R. Bardhi: Në prag të 20 vjetorit të helmimeve masive në Kosovë
Dhuna ekstreme në xhami
Radio Kosova e Lirë ndërrmerr fushatë protestuese
Skënder Buçpapaj: U festua Dita e Martin Luther King
Milazim Kadriu: Bechtel & Enka’ fituese për ndërtimin e autostradës Morinë – Prishtinë – Merdar
IGMG: Fushata e Kurbanit në Kosovë
Hasan Qyqalla: Edhe unë Ndihmoj
Milazim Kadriu: Shënohet 28-vjetori i martirizimit të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës