E premte, 06.12.2024, 10:21 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Berisha, kundër historianëve: Regjistrimi nuk sjell përçarje

E enjte, 28.01.2010, 06:45 PM


Nga Shekulli

TIRANË - Edhe pse historianët shqiptarë, si Pëllumb Xhufi apo Sabri Godo e kanë kundërshtuar me argumente historikë nismën e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, duke e cilësuar atë të panevojshme dhe që mund të sjellë përçarje fetare dhe rritje të numrit fiktiv të minoriteteve në vend, kreu i qeverisë, Sali Berisha, i qëndron argumentit të tij se regjistrimi i popullsisë në këtë bazë nuk përbën asnjë problem.

Sipas Kryeministrit Berisha, pretendimet se deklarimi i besimit fetar sjell përçarje fetare, nuk qëndrojnë, pasi, sipas tij, të gjitha besimet fetare jetojnë në harmoni mes tyre. "Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat", - tha dje Berisha. 

Kreu i qeverisë vuri në dukje se njerëzit janë të lirë ta pohojnë ose jo besimin e tyre fetar. Sipas tij, qeveria që ai drejton është për respektimin e plotë të besimit. "Në këtë kontekst, dua te shtoj se nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist. Kjo është një shoqëri e lirë. Sigurisht ka dhe ateistë. Nuk shoh këtu as dëmin më të vogël. Po të kthehem pas në vitet '90-të kishte intelektualë që mendonin se duhet të nisnin një proces masiv konvertimi. Doktrina jonë ishte, aty ku ishin 4 myslimanë, të ngrihej një xhami, aty ku ishin 4 të krishterë një kishë dhe aty ku ishin 4 bektashinj, një teqe. Ne jemi për respektimin e plotë të besimit", - u shpreh Kryeministri. 

Duke folur në marrëdhëniet që ka shteti me besimin fetar, kreu i ekzekutivit nënvizoi se deklarimi i besimit fetar nuk ka asnjë impakt mbi qëndrimin e shtetit në raportet me fenë. "Të gjitha regjimet që ka provuar ky shtet, që nga themelimi i tij deri më sot kanë qenë dhe janë sekulariste se kjo është një trashëgimi themelore pozitive, pra edhe në këtë rast deklarimi i feve nuk ka asnjë ndikim dhe nuk mund të ketë asnjë ndikim mbi sekularizmin e Shqipërisë dhe shqiptarëve", - theksoi ai. Për sa i përket regjistrimit mbi baza etnike, edhe pse historianët e kanë cilësuar si një mundësi për rritje e numrit fiktiv të minoriteteve dhe si një nënshtrim ndaj interesave të shteteve fqinje, Kryeministri u justifikua me faktin se populli shqiptar nuk ka nevojë për identitet. 

Për këtë arsye, sipas tij, deklarimi i enticitetit nuk përbën ndonjë problem. Por, sipas liderit të mazhorancës, popullsia me shumicë shqiptare duhet të bëjë kujdes të mos lëshojë deklarata lënduese ndaj grupeve minoritare. "Duhet që shumica të jetë shumë e vetëdijshme dhe e përmbajtur, flas këtu për shumicën e shoqërisë, e cila duhet të ketë vetëdije të thellë dhe nuk duhet të bëjë deklarata lënduese për minoritetet dhe grupet etnike", - shtoi Berisha. 

Duke pranuar vetë faktin se jo çdo vend e kryen këtë formë regjistrimi, Berisha tha se për vendin tonë është e drejtë që ta bëjë. Megjithatë, sipas tij, regjistrimi i personave në bazë të këtyre elementëve nuk do të shënohet në pasaporta, pasi konsiderohet si diskriminim. "Pavarësisht se jo në çdo vend bëhet kjo formë regjistrimi, ne na takon ta bëjmë. Është një dëshirë absolutisht legjitime dhe shumë e drejtë. Nuk do të shënohet në pasaporta. Ky është një standard tjetër, pasi kundërshtitë globale janë më të mëdha duke qenë se kjo konsiderohet si diskriminim. Nuk kam kundërshtim për një qëndrim të tillë", - përfundoi ai.
*****


FP: Regjistrimi i popullsisë dhe marrëdhënia me Greqinë
Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare ka ngjallur debat në Shqipëri, duke rihapur çështjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë që qytetarët duhet të kenë, të mos deklarojnë përkatësinë e tyre fetare apo etnike. 
Por qeveria dhe partia Bashkimi i të Drejtave të Njeriut që mbrojnë këtë aksion, këmbëngulin po ashtu se duhen respektuar dhe të drejtat e atyre që duan ta theksojnë këtë identitet të tyre. Debati zhvillohet në një kohë kur vendi fqinj Greqia ka njoftuar se është e gatshme t'u japë shtetësinë emigrantëve shqiptarë që kanë origjinë greke, dhe kur ekspertët paralajmërojnë një spekulim të mundshëm me identitetin për shkak të standardit të ulët ekonomik dhe demokratik që Shqipëria ka në raport me vendet fqinje.
Ne editorialin e Faktorit Plus mbi kete teme thuhet:

'..Debatin për rrezikun nga vetëdeklarimi i identitetit etnik apo fetar, nuk e nxit as ksenofobia as ndonjë linjë e urrejtjes raciste në Shqipëri, por standardi i ulët që shoqëria shqiptare ka nga pikëpamja ekonomike, dhe liria e lëvizjes në raport me vendin fqinj, Greqinë. 
Pa dashur të hyj në argumentet e të dy palëve, në atë të pakicës greke dhe qeverisë nga një anë dhe në atë të shumicës së ekspertëve historianëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit nga ana tjetër, një gjë shihet fare qartë, se frika buron nga fakti se shumë shqiptarë për të përfituar pasaportë greke, apo për të siguruar një liri lëvizje më të madhe do të jenë të gatshëm që siç kanë ndërruar emrat në Greqi, të ndërrojnë dhe fenë dhe identitetin e tyre etnik. 

Kjo rihap një temë shumë delikate mbi vlerat reale të shoqërisë shqiptare dhe teston në një farë mënyre dhe disa tipare të deklaruara të shqiptarëve, siç është krenaria kombëtare, të cilat mund të vihen në dyshim. Ky debat bëhet shumë social nëse fillon e krahason atë çfarë i ofron një qytetari shqiptar, shteti i vet dhe atë çfarë i ofron shteti fqinj. 

Shteti shqiptar i ofron varfëri, mungesë personaliteti, arbitraritet, grabitje prone, dhunim të lirive njerëzore, lirisë së shprehjes dhe lirisë ekonomike, ndërsa shteti fqinj, një vend anëtar i Bashkimit Evropian ja ofron të gjitha këto mundësi, por e kushtëzon tek identiteti. 

Tanimë pyetja lind, a ja vlen që një shqiptar mesatar, me njëqind probleme të tilla në vendin e vet, të hezitojë për të mos deklaruar origjinë greke, në shkëmbim të gjithë standardeve të tjera pozitive? Kësaj dileme është gabim t'i përgjigjesh në këto kushte. Është gabim, pasi në të gjitha rastet dikujt duhet t'i hysh në hak. Mbas të gjithash, kësaj pyetjeje nuk bën t'i japë përgjigje në këto kushte shteti shqiptar. 

Qeveria shqiptare është përgjegjëse për varfërinë, dhe standardin e ulët të lirive që ka prodhuar për qytetarët e saj. Debati që ajo po hap është një debat luksoz, të cilin ajo nuk e përballon dot. Përgjigjja ndaj këtij debati në këto momente, do të jetë e gënjeshtërt, pasi qytetarët shqiptarë dhe këtu nuk kam parasysh pak vetë, do të zgjedhin standardet e lirisë dhe mirëqenies, para krenarisë boshe kombëtare në këto raste. 

Prandaj do të ishte e udhës që ky debat të shtyhej për më vonë, atëherë kur së paku shqiptarët, të kishin standarde të krahasueshme me fqinjin tonë evropian. Meqë konflikti real qëndron mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe problemi real është lëvizja e lirisë dhe varfëria, atëherë ky debat duhet të hapet kur ne dhe Greqia të jemi në kushte të krahasueshme sa u përket së paku këtyre dy fenomeneve. 

Shqipëria duhet të fitojë njëherë të drejtën e lëvizjes së lirë, me qëllim që shqiptarët të mos joshen sa i përket identitetit vetëm për një leje qëndrimi dhe së dyti Shqipëria duhet të bëjë hapa serioze drejt luftës kundër varfërisë dhe korrupsionit me qëllim që shqiptarët të mos joshen për një copë bukë dhe një trajtim më dinjitoz nga shteti, në shkëmbim të identitetit të tyre. 

Kështu që është mirë që qeveria para se të mendojë për një debat të tillë luksoz tani, le të punojë për liberalizimin e vizave dhe luftën kundër varfërisë e korrupsionit për t'i vënë qytetarët e saj në pozita të barabarta me ata fqinjë. Dhe kur të jemi të barabartë, atëherë jemi më të lirë dhe më të drejtë në zgjedhjen tonë...' 


*******


XHUFI: 'Berisha i dytë po bën tradhti kombëtare'

Nisma e qeverisë për të "kataloguar" shqiptarët në bazë të ndarjeve fetare dhe etnisë ka gjetur kundërshtime të forta te bota akademike shqiptare, e cila e konsideron si plotësimin e ëndrrës së vjetër greke për marrjen e territoreve shqiptare.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë Greqia do të kërkojë atë që ajo e quan Vorio-Epir. Historiani Pëllumb Xhufi komenton nismën e re të qeverisë, duke e konsideruar si një tradhti kombëtare.

Z. Xhufi, si e vlerësoni nismën e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare?

E konsideroj tradhtinë e radhës ndaj interesave të vendit, një lëshim të turpshëm ndaj presioneve të qarqeve nacionaliste greke, zyrtare e jo zyrtare, që kërkojnë të zbatojnë deri në një projektin nacionalist të tjetërsimit të Shqipërisë së Jugut ("Vorio-Epiri").

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare ishte një ndër 6 pikat e ultimatumit që ish-kryeministri grek Miçotaqis i paraqiti në korrik 1993 Berishës së Parë. Berisha i Dytë, deri më sot, kishte zbatuar pesë nga gjashtë pikat, madje në 2009 i bëri së bijës së Miçotaqisit, zonjës Bakojanis, një dhuratë të papritur, marrëveshjen për faljen e hapësirës detare, që babai i saj nuk kishte guxuar ta kërkonte në 1993.

Dhe, pikërisht dje, qeveria Berisha, nëpërmjet një zëdhënësi të denjë për kësi lloj kumtesh, njoftoi nisjen e procesit për realizimin e pikës 6 të ultimatumit Miçotaqis: regjistrimin e popullsisë me përcaktim të kombësisë e të besimit.

Shqipëria, që me kushtetutë vetë-shpallet shteti i qytetarëve pa dallim kombësie e besimi, detyrohet tani, nën presionin grek, të zbresë në nivelin e një shteti që vendos shenja dallimi midis shtetasve të vet.

Në Evropën moderne mbizotëron koncepti i shtetit të qytetarëve, pa përcaktime të karakterit etnik apo fetar. Vërtet, në vendin fqinj Kushtetuta heq një dallim të qartë midis "grekëve" dhe "ortodoksëve", nga njëra anë, dhe "të tjerëve", nga ana tjetër, të cilët "të tjerë", ndryshe nga "grekët" e nga "ortodoksit", nuk kanë të drejtë të vetë-identifikohen, të organizohen në parti e shoqata e të punësohen në sektorin publik.

Por, Greqia nuk është një rast për t'u marrë shembull për standarde të të drejtave të njeriut e të minoriteteve: në fakt, ka refuzuar edhe të njohë konventat përkatëse të Këshillit të Evropës.

Ndaj, duke marrë në konsideratë edhe të tjera punë të errëta që qeveria Berisha ka kryer gjatë këtyre viteve (marrëveshja e kufirit detar, protokolli për varrezat e ushtarëve grekë, hapja e shkollave greke në vende nevralgjike, si Himarë, Korçë etj.), gjykoj se kemi të bëjmë me një shitje të interesave të vendit, e pra me një shkelje tjetër të rëndë të Kushtetutës. Diku e kam quajtur edhe "tradhti kombëtare", dhe e tillë është.

Çfarë sjell, sipas jush, kjo ndarje në marrëdhëniet mes shqiptarëve?

Nuk besoj se do të sjellë ndonjë dramë në marrëdhëniet mes shqiptarëve. Ata shqiptarë, që për arsye materiale e njerëzore, do të pranonin të vetë-deklaroheshin si "grekë", do të vazhdonin edhe më tej të ndjeheshin shqiptarë.

Por, nëse vërtet qeveria shqiptare do t'i shkojë deri në fund marrëzisë së saj, d.m.th., do lejojë që kombësia të njihet e të regjistrohet si e tillë vetëm mbi bazë të deklarimit, pa marrë në konsideratë elementët e tjerë objektivë, familjarë, historikë, anagrafikë etj., atëherë do të lindin probleme të rënda, që nuk lëndojnë "sedrën" kombëtare të njërit apo të tjetrit, por integritetin e shtetit shqiptar dhe vetë sigurinë kombëtare.

Qeveria shqiptare, kjo e Berishës, po merr mbi shpatulla një përgjegjësi të rëndë, atë të sajimit artificial të një minoriteti grek të paqenë, prej 100, 200, 300 apo 400 mijë personash.

Dhe atëherë, Shqipëria duhet të fillonte një "jetë të re": pikë së pari do të duhej të ripagëzohej si një shtet multietnik, do të duhej të nënshkruante me Dulen një marrëveshje si ajo e Ohrit, do të duhej të paguante me buxhetin e shtetit helenizimin e shqiptarëve të vetë-deklaruar si grekë, do të duhej të kishte grek presidentin ose kryeministrin e një mori të tërë ministrash.

Kur them "grek", e kam fjalën për grekë të thekur të tipit Bollano e Ksera, që janë gati të fshijnë nga harta jo më Jugun, por gjithë Shqipërinë.

Historiani Godo thekson se kjo ndarje sjell rivalitete fetare, sipas jush, a është e mundshme një e gjë e tillë?

Sigurisht, nga një deklarim nën presion i kombësisë dhe i besimit, edhe harta fetare e Shqipërisë do të ndryshojë rrënjësisht.

Prej plot 20 vjetësh, Athina ka ushqyer te shqiptarët një refleks të kushtëzuar: kush deklarohet "vorioepirot" dhe kush ndërron emrin dhe fenë, i ka shanset për të marrë një vizë, për të marrë një dokument, për të marrë një pension.

Pra, veç shtimit ireal të numrit të "grekëve", do të kishim edhe një proces paralel të një proselitizmi të detyruar. Dhe të mendosh, që në Greqi proselitizmi ndalohet nga vetë Kushtetuta e atij vendi.

Në ç'mënyrë mund të sjellë rivalitete fetare, regjistrimi i popullsisë mbi këtë bazë?
Së pari, rivalitetet fetare në Shqipëri nuk kanë qenë asnjëherë "endogjene": ato janë inspiruar nga politikanë e klerikë të huaj.

Ky është një mësim i patundur i historisë. Sigurisht, një regjistrim i tillë, plot prapaskena e prapamendime, do t'i jepte dorë krejtësisht të lirë qarqeve antishqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të mbjellë ndasi, mëri, armiqësi mes vetë shqiptarëve. Është një punë që e kanë bërë përherë, dhe jo pa rezultate.

Por, edhe në këtë kuptim, përgjegjësia e autoriteteve shqiptare do të jetë e jashtëzakonshme: me një regjistrim të tillë ato i bëjnë një atentat të rëndë kohezionit shoqëror e moral të popullit shqiptar.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora