Mendime
Kastriot Myftaraj: Eliminimi i Skënderbeut- parakushti i teorisë së Natali Klejer
E marte, 08.12.2009, 11:20 PM

Nga Kastriot MYFTARAJ
Nathalie Clayer, si të gjithë të huajt që shkruajnë me keqdashje për historinë e Shqipërisë kërkon të eliminojë Skënderbeun si personalitet qendror i historisë së Shqipërisë. Nuk është e vështirë që të kuptohet se përse bëhet kjo gjë. Ata që kërkojnë të mohojnë ekzistencën e kombit shqiptar në të shkuarën, e shohin si pengesë të madhe Skënderbeun. Se është e qartë që, derisa në historinë shqiptare, në shekullin XV, ekziston një personalitet si Skënderbeu, nuk mund të thuhet se në atë kohë nuk kishte një bashkësi nacionale shqiptare të konsoliduar, për kohën. Lufta është, si të thuash «prova e lakmusit» për virtytet dhe vlerat e një bashkësie, respektivisht të një nacioni. Për të përballuar një luftë të gjatë me një fuqi të madhe, siç bënë shqiptarët në shekullin XV përballë Turqisë, duhet që bashkësia të jetë e aftë të nxjerrë një ushtri të fortë që do të bëjë luftën, ndërsa pjesa tjetër e bashkësisë të angazhohet në sfidën e vështirë për të punuar për luftën duke e mbajtur ushtrinë me ushqime dhe veshje, si dhe duke riparuar kështjellat, urat, shtëpitë etj., që shkatërroheshin periodikisht nga armiku.
Derisa Shqipëria e asaj kohe, me popullsinë e saj të vogël arrinte të nxirrte në luftë një ushtri të fortë prej 15 mijë vetësh, si dhe një numër pothuajse të barabartë mbrojtësish të kështjellave, të cilat forca arritën që për 35 vjet të përballonin beteja shumë të vështira, atëherë duket e sigurt që shqiptarët qenë një bashkësi me një disiplinë të lartë, që mund të krahasohet vetëm me atë që patën më vonë prusianët. Shqiptarët e asaj kohe kishin një nocion të lartë përgjegjësie si individë-pjesë e një bashkësie përtej asaj fisnore dhe lokale. Ndryshe nuk do të kishte mundësi që shqiptarët e kohës të luftonin me aq përkushtim për një kauzë që shkonte shumë përtej asaj fisnore dhe lokale. Shqipëria e kohës kishte një elitë politike shumë të aftë për kohën, me moral dhe sensin e përgjegjësisë. Shoqëria shqiptare e shekullit XV zotëronte cilësinë kryesore që duhet të ketë një bashkësi për të ndërtuar një nacion (komb) dhe një shtet, cilësi kjo që është disiplina. Kjo nuk ndodhi sa ora në atë kohë por ishte rezultat i një procesi më të gjatë në kohë, dhe që duhet të ketë filluar që me krijimin e Principatës së Arbrit në shekullin XIII.
Rezistenca e Arbërisë katolike kundër invazionit turko-islamik ishte njëherësh edhe rezistencë nacionale shqiptare. Gjatë kësaj periudhe avancoi konstituimi i nacionit (kombit) shqiptar, ashtu siç ndodhi edhe me nacionet e tjera europiane si francezët, spanjollët apo rusët, që u konstituuan si nacione në luftën mbrojtëse kundër invazionit islamik. Nathalie Clayer e shikon Skënderbeun si një mit, dhe e trajton atë nga pikëpamja e teorisë së destruksionit të mitit. Ajo shkruan:
"Përveç çështjes së origjinës, ndërtimi i identitetit kombëtar shqiptar kishte thjesht nevojë edhe për fabrikimin e një panteoni-veçanë risht me nxjerrjen në pah të Skënderbeut". 1)
Që Nathalie Clayer nuk e duron dot ekzistencën e Skënderbeut në historinë shqiptare, kjo kuptohet kur shkruan:
"Një nga evoluimet më të rëndësishme ishte shqiptarizimi i figurës së Skënderbeut dhe nxjerrja në dukje si hero kombëtar. Përpara vitit 1896, në rajonet jugore ishte zhvilluar gjerësisht imazhi i Skënderbeut si hero i ortodoksisë greke, ndërsa në rajonet fqinje me Malin e Zi, po përhapeshin gjithnjë e më shumë, ende në vitin 1897, poema epike në të cilat atij i këndohej si një luftëtar sllav".2)
Në fund të faqes është shënimi:
"Mbi Skënderbeun si hero i ortodoksisë greke shiko më parë fq. 171 dhe mbi Skënderbeun si hero i ortodoksisë sllave shih më poshtë fq. 485".3)
Dy paragrafët e mësipërme mund të sillen si shembull i tendenciozitetit të Clayer. Ajo gjen një poezi të hershme të Jani Vretos ku Skënderbeu paraqitet si hero i ortodoksisë greke dhe mbi këtë bazë pastaj bën përgjithësimin se në pjesën jugore të Shqipërisë Skënderbeu shihej si hero i ortodoksisë greke. Por Clayer nuk thotë asgjë për evoulimin e Jani Vretos, i cili më pas doli nga influenca greke dhe u bë një nga personalitetet kryesore të Rilindjes Shqiptare. Sa për atë që Skënderbeu shihej në Shqipërinë Veriperëndimore si hero i ortodoksisë sllave, në faqen 485 të librit, kun a adreson Clayer, nuk thuhet asgjë. Teza është e pabesueshme, se kjo zonë me popullsi kryesisht katolike, ruante kujtime të forta për Skënderbeun, në luftën e të cilit kishte marrë pjesë, edhe në sajë të aleancës së Skënderbeut me Venedikun që zotëronte një pjesë të këtyre trojeve.
Clayer, si shumë studiues të huaj keqdashës ndaj shqiptarëve, ka prirjen të minimizojë, madje edhe të eliminojë krejt impaktin që pati në vetëdijen dhe kujtesën kolektive shqiptare lufta e Skënderbeut. Kjo luftë ishte një përjetim tepër i fuqishëm, nga ato që lenë gjurmë të thella në kujtesën kolektive. Derisa një betejë e vetme, ajo e vitit 1389 ka lënë gjurmë aq të thella në kujtesën kolektive serbe, edhe më tepër ka lënë gjurmë lufta 35-vjeçare e Skënderbeut në kujtesën kolektive shqiptare. Islamizimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve nuk mund t' i ketë zbehur këto gjurmë. Aq më tepër kur islamizimi i shqiptarëve nuk mund të ishte veçse sipërfaqësor për shkak se Imperia Osmane, duke qenë një shtet shumë i prapambetur, nuk i kishte instrumentet për të ushtruar në Shqipëri një imperializëm të vërtetë kulturor. 95% e shqiptarëve që u detyruan të kthejnë fenë nuk shkuan kurrë në shkolla gjatë dy shekujve pas fekthimit (tashmë është vërtetuar me dokumente se fekthimi masiv u bë në fund të shekullit XVII), kohë kur Shqipëria 4) qëndroi nën Imperinë Osmane. Ne ende duhet të gërmojnë në kujtesën kolektive shqiptare për të evidentuar gjurmët që ka lënë lufta e Skënderbeut.
Studiuesit si Clayer, kur thonë se në shekullin XIX Skënderbeu ishte zhdukur nga kujtesa kolektive shqiptare, bëjnë sikur harrojnë se përmendja e Skënderbeut si hero i rezistencës antiosmane në Shqipëri ishte një krim kundër shtetit osman, i cili ishte një shtet despotik që i dënonte në mënyrë drakoniane ata që e bënin këtë gjë.
Nuk është e vështirë të hetohet se ka një kordinim brenda një rrethi studiuesish të huaj që shkruajnë për historinë e Shqipërisë, ashtu që mund të quhet si konspiracioni kundër Skënderbeut. Libri i Clayer u botua në frëngjisht në vitin 2007 dhe një vit pas tij u botua libri i Oliver Schmit për Skënderbeun, i cili është komeplementar me librin e Clayer. Edhe Schmit e trajton Skënderbeun në termat e teorisë së destruksionit të mitit. Duke qenë se ka një lidhje praktikisht organike mes librit të Schmit dhe atij të Clayer, besoj se ia vlen që të shpreh shkurt pikëpamjen time se si duhet interpretuar dokumenti i zbuluar nga Oliver Schmit, që e paraqet kryengritjen e Skënderbeut si hakmarrje personale.
Unë në përgjithësi jam dakord me atë sentencën se historinë duhet t' ua lemë historianëve. Por ka raste kur historianëve u mungon një njohje e gjerë e tablosë së faktorëve që influencojnë në një veprim, sidomos kur është fjala për implikime të sofistikuara në politikën ndërkombëtare, saqë na provojnë atë sentencën e kundërt, se historia është tepër e rëndësishme për t' ua lënë vetëm historianëve. Volteri nuk ishte një historian, por me librat e tij historikë revolucionarizoi historiografinë e kohës së tij, duke u treguar historianëve një shembull se si duhej kërkuar dhe gjetur me inteligjencë filli në lëmshin e ngatërruar të kombinacioneve të politikës ndërkombëtare, subjekt i të cilave qenë personat që qenë në qendër të librave të tij historikë.
Mësimi që u dha historianëve profesionistë një amator në histori si Volteri, ishte se shpesh shpjegimi i një veprimi diplomatik të një sundimtari, apo një njeriu të tij, duhej kërkuar atje ku nuk ta merrte mendja, në lëmshin e ngatërruar të marrëdhënieve, ose edhe intrigave ndërkombëtare. Kjo do të thotë se historiani duhet të ketë njohuri shumë të gjera historike për epokën, që shkojnë shumë përtej specialitetit të vet të ngushtë. Përveç kësaj shembulli i Volterit na mëson se historiani duhet të ketë dhe një shkathtësi mendore të jashtëzakonshme, për të arritur në përfundime. Historianët, si në kohën e Volterit, ashtu dhe sot, nuk e kanë mësuar sa duhet atë mësim që vjen nga Volteri. Për shkathtësinë mendore kjo nuk varet prej tyre, dhe nuk është përgjegjësia e tyre, por për erudicionin kjo varet prej tyre, dhe është përgjegjësia e tyre. Në këtë rast, historia është tepër e rëndësishme për t' ua lënë këtyre lloj historianëve. Duket se kjo është një nga arsyet që Volteri u vu të shkruante libra historike. Guxoj të them se kjo është arsyeja që unë vihem të shkruaj për çështjen dhe më tutje le të gjykojë lexuesi.
Autori i librit "Skënderbeu", Oliver Jens Schmit, me interpretimin që i ka bërë një dokumenti për Skënderbeun, të ambasadorit të Dukatit të Milanos në Romë, provon sentencën se historia është tepër e rëndësishme për t' ua lënë vetëm historianëve, në disa çështje të caktuara. Aq më tepër që as historianët, kritikë ndaj Schmit, nuk arritën të sjellin argumentet e duhura. Dhe kjo ka ndodhur jo për faktin se historianët që i bënë kritikën librit të Schmit nuk janë specialistë të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë. Në fakt ata janë specialistët më të mirë që kemi pasur deri më sot. Problemi është se historianët tanë që kritikuan Schmit nuk i zotërojnë njohuritë e duhura për të zbatuar atë që në historiografi njihet si kritika e burimeve, dhe që në këtë rast kërkon njohuri për intrigat e famshme politike të shteteve italiane të kohës së Rilindjes, ndaj njëri-tjetrit. Schmit nuk e ka parë dokumentin nga kjo pikëpamje, dhe fatkeqësisht as historianët tanë, kritikë ndaj tij, nuk e kanë parë.
Për të hyrë në temë edhe lexuesi që nuk e ka lexuar librin e Schmit, po e citoj të plotë paragrafin nga libri i Schmit, ku tregohet për këtë dokument:
"Më 10 janar të vitit 1454 dy diplomatët milanezë Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio i shkruajnë zotërisë së tyre, dukës Francesco Sforza të Milanos, për pritjen që i kishte bërë Papa Nikollë V një bajlozi të Skënderbeut. Kjo ndodhi pak më shumë se gjysmë viti pas rënies së Konstantinopojë s, kur krejt Italia ishte si në ethe dhe fuqitë që si zakonisht veç grindeshin me njëra tjetrën tani po punonin për një `ligë italiane', e cila u realizua me të vërtetë në paqen e Lodit po atë vit. E pra në këto rrethana erdhi përpara papës i dërguari i Skënderbeut dhe njoftoi se: `për arsye të urrejtjes personale që ai (Skënderbeu, O.S.) ushqen kundër Turkut, meqë ky Turk ka vrarë babanë e zotërisë, ky zotëri (Skënderbeu, O.S.) ka vënë të vrasin një vëlla të Turkut (Mehmeti II, O.S.)".5)
Oliver Schmit komenton:
"Kështu zgjidhet edhe rebusi, shpjegohet mosbesimi i sulltanit, kryengritja e Skënderbeut". 6)
Oliver Jens Schmit ka parapëlqyer që, informacionin që jepet në këtë dokument, ta marrë si të mirëqenë, ndryshe nga ç' bën në shumë raste të tjera, në libër, kur jep shembullin se si duhet bërë kritika e burimeve. Duke u kqyrur dokumenti në sens të kritikës së burimeve, vihet re se dokumenti nuk është tjetër veçse një dizinformacion, për përdorimin e të cilave u bënë të famshme kancelaritë e shteteve italiane të kohës së Rilindjes, duke përbërë dhe origjinën e këtyre lloj operacioneve nga shërbimet inteligjente të shteteve moderne.
E dhëna që japin diplomatët milanezë duhet parë me dyshim për faktin se vjen nga diplomatë të një fuqie armike me Republikën e Venedikut, çfarë ishte në atë kohë Dukati i Milanos. Në janar 1454, kur daton dokumenti, Dukati i Milanos dhe Republika e Venedikut gjendeshin prej 19 vjetësh në luftë mes tyre, në atë që njihet në histori me emrin «Luftërat e Lombardisë». Në këtë luftë, në krah të njërës dhe tjetrës pale, gjendeshin dhe shtete italiane të tjera. (Këtu duhet ditur se Dukati i Milanos dhe Republika e Venedikut kishin kufi të përbashkët në Italinë e Veriut). Paqja e Lodit, e cila i dha fund kësaj lufte për një periudhë kohe, do të bëhej disa muaj më pas, në prill të atij viti. Traktati i Lodit u firmua në 9 prill 1454.
Komentoni
Artikuj te tjere
Gani Geci: I përgjigjem njëfarë Muharrem Xhemajlit!
Xun Çetta: Përballja me pasojat e ish-UDB-së dhe ish-SHIK-un në Kosovë
Faik Krasniqi: Fshehja e gjurmeve
Blendi Fevziu: Cfare solli Levizja Dhjetori '90
Alma Lama: Hapja e kutisë së Pandoras
Eduard M. Dilo: A humbi shqiptarizmi në sketerrën komuniste
Enver Bytyçi: Luti, Limaj dhe Kadri Veseli
Mazllum Saneja: Poezia moderne polake (IX)
Blerim Çoçaj: Shansi i shpresës
Naser Aliu: Misionari i fundit i R. Alisë
Fritz Radovani: Presidentat ma të qelbun të Evropës
Faik Krasniqi: ''Bac u kry''
Ramiz Dërmaku: Nga sytë më rodhën dy pika loti...
Mehmetali Rexhepi: Nëntorët Rilindja Pavarësia Bashkimi
Adnan Abrashi: Shpirti i një populli është gjuha që e flet
Ilir Sefaj: Rasti Bllaca dhe PDK
Idriz Zeqiraj: Kryehajduti thërret: ''Kapeni Hajdutin''
Valbona Baze: Ti je nje baba i keq!
Fronti i Bashkuar Shqiptaro-Amerikan, rreth acarimit të situatës politike në Shqipëri
Reagim i FBKSH për Evropë