E premte, 19.04.2024, 12:27 AM (GMT+1)

Intervista

Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me profesorin italian, mikun e shqiptarëve, Vittorio Andolfato

E marte, 20.10.2009, 08:43 PM


Profesor Vittorio Andolfato, gjate bisedes
Profesor Vittorio Andolfato, gjate bisedes

''Shqiptarët mund të krenohen me trashëgiminë e tyre kulturore''


Vittorio Andolfato: Besa dhe përshëndetja me shtërngim dore janë virtyte të shqiptarëve, që më kanë bërë një përshtypje të veçantë nga popujt e tjerë.

Nga Beqir Cikaqi - Zemra Shqiptare

Vittorio Andolfato, është profesor në pension, ka lindur me 1 maj 1941 në Viçenza, ndërsa jeton  e vepron në Bassano del Grappa, provincë e Viçenzes në Itali. Ka studiuar pikturën bizantine në përgjithësi dhe në veçanti atë ballkanike. Ishte ligjërues i disa fakulteteve italiane e jashtë, si në Universitetin e Milanos, mandej në Universitetin “Çirili dhe Metodi” të Sofijes (që në vitet ’65 - ’68 ) ku ka qen edhe lektor në katedren e gjuhës italiane. Pikërisht atje (në Sojfe) ka zanafillën edhe njohja e tij me shqiptarët.
    Profesor Andolfato, një mik i dëshmuar i shqiptarëve, përveç që është një pedagog është  edhe një humanist i njohur dhe i dashur në mjedisin ku jeton. Aktualisht është kryetar i Shoqatës “Babele”, shoqatë që ndihmon emigrantët për rregullimin dhe  vazhdimin e dokumenteve (lejeqendrimin “songiorno”) që këtu është një problem i theksuar. Gjithashtu është një nga drejtuesit e shoqatës “26 Shtatori”. Të takohesh me profesorin është një kënaqësi, por të bisedosh me të është edhe një privilegj të cilin e dëshiron gjithsecili. Profesor Vittorio Andolfato merr pjesë në të gjitha tubimet dhe aktivitetet e organizuar të mërgatës shqiptare në këtë lokalitet italian. Por, për të paraqitur para lexuesve se kush është profesor Andfaloto, cila është veprimtaria dhe kontributi i tij lidhur me shqiptarët, ai na pranoi në bisedë në shtëpinë e tij,  në qendër të Bassanos, në një të shtunë në orët e para të mbrëmjes. Biseden në atelien e tij të mbushur plot libra e piktura të shkrimtarëve e artistëve  të njohur italian e botëror, ku kishin gjetur vend edhe veprat e shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, mandej të Visar Zhitit, etj. Bisedën e kufizuam kryesisht rreth njohurive të tij për historinë, kulturën e shqiptarëve, kontributin dhe aktivitetin  tij për shqiptarët. Shoqërues i kësaj bisede ishte z. Avdi Beqiri, kryetar i shoqatës “Bashkimi Kombëtar” që selinë e ka në Bassano del Grappa.

- Profesor, Andolfato, që kur keni filluar të njiheni me historinë e çështjen shqiptare?

   Për shqiptarët si popull i vjetër kam dëgjuar qysh në bankat shkollore nga lënda  e historisë. Por, se shqiptarët janë popull i vjetër autokton në trojet e veta, se praradhësit e tyre ishin ilirët, e paraardhësit e ilirëve kanë qenë pellazgët, këtë e kam kuptuar gjatë studimeve, e sidomos njohurit  e mia për shqiptarët i kam zgjeruar gjatë studimeve pasuniversitare. Kam studiuar pikturen bizantine edhe kjo mi ka hapur shtigjet për të mësuar më shumë për shqiptarët. Pra, kam studiuar pikturen bizantine në përgjithësi dhe atë ballkanike në veçanti, e pasi në Ballkan si popull ma i vjetër janë shqiptarët, natyrisht më është dashur që ta njoh edhe historinë e tyre, kuptohet në përmasat që i kërkonte profesioni im. Shkurt jam kufizuar në pikturën bizantine e veçenarisht në atë ballkanike, saktësisht nga Venediku deri në Konstantinopojë.
 
 
Vittorio Andolfato dhe Avdi Beqiri
Vittorio Andolfato dhe Avdi Beqiri
- Z. profesor, kur keni filluar kantaktin dhe bashkëpunimin tuaj me shqiptarët?


  Në vitet 1965 – 68, isha emëruar lektor në katedren e gjuhës italiane në universitetin “Çirili dhe Metodi” në Sofje të Bullgarisë, ku jam takuar me Janko Likën, një studiuese nga Shqipëria, me të cilen kemi pasur një raport shumë të mirë reciprok në kompletimin e studimit të pikturës bizantine. Ndërsa ma vonë, këtu në Itali, saktësisht në Bassano jam njohur me Edmond Budinën, aktor dhe regjisor nga Tirana, të cilin e kam edhe mik, ndërsa si mik tjetër mjaftë të mirë e kam edhe Avdi Beqirin, kryetarin e Shoqatës “Bashkimi Kombëtar”, por, të më falni se miq i kam të gjithë shqiptarët për të cilët kam një konsideratë dhe respekt të veçantë.

- Njohja e Juaj me Kosovën dhe çështjen e sajë, është relativisht e vonë, si ka rrjedhur kjo njohje?

  Për t’u njohur me pikturat që janë të vendosura në të, kam vizituar Manastirin e Deçanit në vitin 1967, por me thënë të drejtën, nuk e kam ditur se ajo është tokë shqiptare, d.m.th atëbotë e kam perceptuar atë si pjesë  të Jugosllavisë, pasi që edhe politikisht Kosova bënte pjesë në atë shtet, që sikur u vërtetua më vonë se ishte shtet artificial. Ishte fundi i luftës në Bosnjë, unë me disa kolegë të mi dhe emigrantë nga shtete të ndryshme patëm organizuar një tubim lidhur me komunitetin e huaj që jeton në këtë lokalitet. Pas shumë diskutimëve, një pjesëmarrës u ngrit nga masa dhe na u drejtua të gjithëve: “Zotrinjë, lufta në Bosnjë po sjell shumë viktima të pafajshme. Po ju tërheq vërejtjen se në Kosovë, Millosheviçi dhe regjimi  i tij po përgatitë një luftë tjetër. Që të mos ndodhë një Bosnjë e dytë, bashkësia ndërkombëtare nuk guxon t’i përsërisë gabimet e bëra më parë...”. Këto fjalë të këtij pjesëmarrësi atëbotë nuk i morëm si fort serioze deri në vitet 1998, ’99. Vetëm atëherë u interesova për fatin e atij populli, ndërsa shumë vonë, pra, e kuptova se ai diskutuesi ishte kryetar i një shoqate kulturore shqiptare dhe quhej Avdi Beqiri. Atëhere kemi filluar angazhimin për sigurimin e mjeteve e ndihmave bashkarisht me shoqaten “Bashkimi Kombëtar “ dhe Këshillin e  Emergjencës në nivel të Italisë. Unë mendoj, ka pasur vërtet mundësi të mos lejohej një gjenocid tjetër, bashkësia ndërkombëtare reagoi, këtë e bëri me vonesë. Në mbrojtje të popullit ishte vetëm UÇK-ja me ato mundësi që kishte, pra u desh të pritej 24 marsi 1999 që të intervenonte NATO, e të bindej bashkësia ndërkombëtare se Millosheviçi dhe regjimi i tij e njeh vetëm forcën.

- Profesor i nderuar, ju shohim të merrni pjesë në tubime të shumta të shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe në lokalitetin ku jetoni. Veç kësaj edhe keni marrë angazhime për të ndihmuar punën e kësaj shkolle. Çka i'u shtyn për të bërë këtë punë?

  Mua më intereson shumë kultura. Kam dëshirë të njoh sa ma shumë kultura, e gjuha është primare për t’u ruajtur kultura e një etniteti në botë, dhe përmes gjuhës, kultura jo vetëm që emetohet por edhe shkruhet e ruhet per gjeneratat e ardhshme. Pra edhe shqiptarët duhet ta ruajn gjuhën e tyre, duke e ruajtur gjuhën  do të ruhen edhe traditat kulturore të trashëguara  nga paraardhësit dhe do të përcillen te brezat e rinj. E këtu në mërgim vlerat  kulturore të popullit do t’u prezantohen edhe vendësve si dhe të tjerëve që jetojnë në këtë lokalitet. I përcjell gati të gjitha programet e nxënësve të shkollës shqipe. Aq i emocionuar ndjehem sa që, më besoni, me ditë të tëra para dhe pas programit ndjej një gëzim dhe lehtësim shpirtëror. Shkurt unë jo që ndihmoj shkollën shqipe dhe shoqatën “Bashkimi Kombëtar” siç thoni ju, por e ndiej veten të privilegjuar që më është dhënë një rast për ta bërë këtë.

- Duke qenë njohës i mirë i shqiptarëve, s’do mend se jeni edhe në rrjedhat e zhvillimëve  aktuale në Shqipëri, mandej edhe me Kosovën e pas shpalljes së pavarësisë. Cili është mendimi juaj?

Profesori në mesin e librave
Profesori në mesin e librave
Me thënë të drejtën për Shqipërinë kam më pak njohuri, sepse është shtet që shumë vite, njohuritë e mija janë të përgjithësuara për shqiptarët, ndonëse kam mjaft miq nga Shqipëria me të cilët kontaktoj, dhe sa herë që e vizitojnë, kur kthehen më tregojnë për ndryshimet pozitive. Sikur e dimë se në fund të shekullit kaluar Kosova ishte në luftë dhe populli i sajë kishte nevojë për përkrahje, prandaj edhe jam lidhur disi në një masë më të veçantë.

  Sa i përket statusit të Kosovës, e kam thënë edhe ma parë, se pavarësia e Kosovës ishte e pashmangëshme, edhe ashtu ndodhi, sikur dihet  Republiken e Kosovës e kanë njohur mbi 60 shtete. Serbët në çdo mënyrë janë munduar e tani do të mundohen përmes gjyqit ndërkombëtar ta kontestojnë pavarësinë e Kosovës, me shantazhe të ndryshme, por nuk do të i'a arrijnë qëllimit. Mendoj se edhe disa shtete që kanë hezituar në njohjen e shtetit të Kosovës, do ta njohin, pas vendimit që do ta marrë gjyqi ndërkombëtar, që jam i bindur se do të vendos pro pavarësisë së Kosovës. E kosovarët duhet që t'u garantojnë të  drejtat  dhe sigurinë e minoriteteve sipas ligjeve e standarteve ndërkombëtare, pra nuk duhet kurrsesi t’a “imitojnë” regjimin e Beogradit.

- Keni bërë shumë për shqiptarët, e keni të drejtën morale të shprehni edhe ndojnë vërejtje në drejtim të (mos)punës së tyre !?
 
Për një popull të vjetër, siç është populli shqiptar me një histori dhe kulturë të pasur, përsonalisht kam vërejtje se pak është shkruar nga vet shqiptarët. Më kuptoni drejtë, edhe është shkruar por duke pasur parasysh se sa e vjetër dhe e pasur është ajo trashëgimi, është dashur të shkruhet edhe shumë më shumë. Kështu i'u sugjeroj studiusve shqiptarë që të kontribojnë akoma në këtë drejtim, pasi që bindja ime është se ka për çka e për ku të shkruhet. Ja p.sh. unë e di  se në veri të Bullgarisë një vend quhet Arbanasi, edhe e di se është emër që ka te bëjë me shqiptarët, dhe jep me kuptu se ka çka studiohet e te shkruhet per atë studim, etj.

-Profesor Andolfato, po ndonjë veçori karakteristike (të veçantë) që kanë shqiptarët, e cila ka lënë mbresa tek Ju?

Kam shumë kujtime të mira për shqiptarët dhe me shqiptarët. Por, ajo që më ka lanë mbresa, është se shqiptarët kur të përshëndesin të zgjasin dorën, te të tjerët nuk është ashtu. Mandej si trashëgim nga të parët e kanë fjalën e dhënë - Besën.
Besa - fjala e dhënë, si dhe zgjatja e shtërngimi i dorës nuk janë karakteristika, por i konsideroj se janë virtyte që më kanë lënë mbresa të veçanta në mua. Këtë e kam vërtetuar edhe vetë gjatë kontakteve që kam pasur me shqiptarët që jetojnë në lokalitetin e këtushëm në bassano del Grappa. Dëshiroj  që këto virtyte të përcillen edhe në brezat e ardhshëm.

- Në angazhimin tuaj për komunitetin shqiptar të Bassanos, shoqata “Bashkimi Kombëtar” i'u ka shpallur anëtar nderi, cili është prononcimi i juaj?

Unë kur jam angazhuar kurrë nuk kam menduar për shpërblime, mirënjohje, etj. Megjithatë e përserisë edhe një herë, e konsideroj si privilegj që më është dhënë rasti ta ndihmojë komunitetin shqiptar, populli  i të cilit ka vuajtur kaq shumë. Ndërsa, për domethënjen e shpalljes anëtar nderi te shoqatës “Bashkimi Kombëtar”, mirënjohje kjo e dhënë me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës “Bashkimi Kombëtar”, si dhe ndarjen e statujës së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut në 600 vjetorin e lindjes së tij të shënuar  nga shoqata “Bashkimi Kombëtar”, tregon edhe vendi ku i kam vendos ato, pra në vendet më te dukshme të atelies sime. Aty në bibliotekë i kam edhe te gjitha veprat e përkthyera në italisht të Ismail Kadaresë. Kohëve të fundit jam i lidhur edhe me shkrimtarin Visar Zhiti, i ngarkuari me punë për kulturë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë, i cili para disa muajve ishte në Bassano, më dhuroi një komplet nga librat e tij të botuar (n’a i tregon), gjithashtu një respekt të veçantë kam edhe për veprën e piktorit shqiptar Ibrahim Kodra, dhe personalitete  të kulturës e artit shqiptar.

- Duke pasur parasysh faktin se tani i keni mbi 68 vjet, ka vite tashmë që jeni pensionuar. A do të “pensionoheni” edhe nga angazhimi në të mirë të shoqatës “Bashkimi Kombëtar”?

Jo. Jo me Shoqatën “Bashkimi Kombëtar” nuk do të kërkoj kurrë të “pensionohem”, do të jap kontributin tim edhe në të ardhmen nuk do të mungojnë ndihmat, sepse këtë (shoqatën) e konsideroj si familje të dytë, disi jam mishëruar me antarët e shoqatës, për të cilët e di tani se vijnë nga troje gjeografikisht të ndara, por këtu e zhvillojnë aktivititen vetëm si të bashkuar. Unë vazhdimisht do të bashkëpunoj derisa të mundem, gjegjësisht derisa të më lejojë shëndeti im. Më vjen shumë keq për ate që i ka ndodhur skuadrës së  këtueshme të futbollit “Skenderbeu”, që vite ma parë ka garuar dy sezona me sukses në kampionatin pronivcial të Viçenzës, por për mungesë të mjeteve tani i ka ndërpre aktivitetin! Do të mundohem, që sa ma parë të gjejmë forma që skuadra sa ma shpejt ta vazhdojë aktivitetin aty ku e meriton, d.m.th. në zhvillimin e takimeve për garat kampionale.

 - Profesor i nderuar, përveç që jeni kryetar i shoqatës “Babele”, jeni edhe njëri nga drejtuesit e shoqatës ”26 Shtatori”. Cili është misioni i këtyre shoqatave?

Të dyja shoqatat kanë mision - qëllim humanitar. E para merret me ndihmën, gjegjësisht sistemimin emigraneteve,  rregullimin e banimit, lejeqëndrimit, punës, etj. Ndërsa  shoqata “26 Shtatori” është shoqatë që mbronë të drejtat racore, e ka marrë emrin në shenjë përkujtimi të datës 26 shtator 1944, kur nazifashitët i varën 31 të rinjë në Bassano del Grappa pse ishin kundër racizmit, këta të rinjë me ditë të tëra kanë mbet të varur nëpër drunjët e Bassanos. Por, megjithatë nazifashizmi u përmbys, dhe tani i kujtojmë me nderim të lartë ata martirë, ku sot ka rrugë me emrin e tyre, edhe shoqata që lufton racizmin, ku jam i angazhuar edhe unë, etj.

 - Zoti profesor, duke të falenderuar për gjithë kontributin tuaj që ke bërë dhe je duke u angazhuar akoma për shqiptarët, ju falemenderojë edhe për këtë bisedë!

Është kënaqësi e imja  të përgjigjem për një gazetë-faqe interneti me një emër po ashtu domethënës për shqiptarët, sikur  është Zemra Shqiptare. Faleminderit.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Alfred Papuçiu: Intervistë Ekskluzive me Prof. Dr. Isuf Kalon Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Poetin, Studiusin dhe Pedagogun Gjekë Marinaj Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin, kompozitorin, poetin dhe publicistin, Demir Krasniqi Sylejman Morina: Intervistë Ekskluzive me Prof. Draqo Mariq, publicist dhe historian Faruk Tasholli: Intervistë Ekskluzive me biznesmenin Lazim Destani Sulejman Morina: Intervistë Ekskluzive me prof. dr. Aleksandër Stipçeviqin Beqir Cikaqi: Intervistë Ekskluzive me piktorin Pjetër Koleci Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Miranda Hashani Albert Shala: Interviste Ekskluzive me piktorin Akademik Gemb Xerxa Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me poetin dhe patriotin z. Baki Ymeri Albert Shala: Interviste Ekskluzive me piktorin Akademik Sylejman Kadria Albert Shala: Intervistë Ekskluzive me z. Halil Ahmeti, kryetar i Shoqatës Drini Gjakovë - Shkodër Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me poetin, eseistin dhe përkthyesin e njohur Mazllum Saneja Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me kampionin e botës Kreshnik Qato Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me kantautorin e njohur Lirio Nushi Albert Shala: Interviste Ekskluzive me publicistin dhe poetin Gjok Sokoli Jeton Kelmendi: Intervistë Ekskluzive me legjendën e Rock-ut shqiptar Veli Sahiti (Trix) Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me aktoren dhe këngëtaren e mirënjohur Maya Aliçkaj Ajete Zogaj: Intervistë Ekskluzive me Prof. as. dr. Begzad Baliun Alma Papamihali: Intervistë Ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Bleona Qereti

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora