E premte, 02.05.2025, 06:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Halit Bogaj: Sabit Jakupi - Mbijetesa

E marte, 29.09.2009, 07:08 PM


SABIT JAKUPI’ ‘MBIJETESA’’, BOTOI SHTËPIA BOTUESE’’LIBRI SHKOLLOR’’

Nga Halit Bogaj

Libri’’Mbijetesa’’është edhe një dëshmi tjetër e madhe përmes së cilës mësojmë se çfarë hoqi ky popull nga regjimi i egër obskurantist serb në kohën  e aplikimit të masave të dhunshme në të gjitha institucionet kulturore, ekonomike dhe arsimore të Kosovës, ku bënte pjesë edhe Enti i Teksteve dhe Mjeteve mësimore të Kosovës.

Në librin e çmuar të autorit Sabit Jakupi, i cili njëkohësisht ishte edhe Drejtor i Entit, shpalosen ngjarje dhe përjetime të ndryshme në një periudhë disavjeçare kur nga armiku ynë i pashpirtë  shkelej dhe rrënohej gjithçka që ishte shqiptare.

Libri’’Mbijetesa’’, një titull simbolik dhe shumë i  qëlluar, në mënyrë kronologjike hedhë   dritë në rrethanat e vështira në të  cilat punoi Enti i Teksteve dhe Mjeteve mësimore të  Kosovës, sidomos në një kohë mjaft të rrezikshme kur i tërë kolektivi i Entit në mënyrë të vendosur i kishte refuzuar masat e dhunshme dhe pranimin e  shtetit serb.Këtu  shihej qartë paluhatshmëria e të punësuarve të cilët mbronin vlerat tona legjitime kulturo arsimore dhe fatin e vështirë të Kosovës mbi të  cilin në mënyrë barbare ishin vërsulur aparatçikët e pushtetit aktual serb.

Rrënimi i pamëshirshëm i Entit- me nxjerrjen me dhunë të  udhëheqësit të tij, shkaktoi revoltë të madhe tek të gjithë të punësuarit të  cilët nuk  donin në asnjë mënyrë që të punonin në kushte të reja okupuese dhe ta pranonin instalimin e drejtorit të ri ardhacak i  cili  donte  t’i çbënte të gjitha  të arriturat e deriatëhershme në lëmin e veprimtarisë së tyre aq të rëndësishme.Pikërisht ai ishte qëllimi i pushtetit autokrat antishqiptar i cili nuk mund ta duronte përparimin tonë arsimor në të  gjitha fushat e jetës, duke menduar se do  të rikthehej historia e kobshme që ishte ushtruar pesëdhjetë vite më parë ndaj këtij populli, pikërisht ajo kohë e kaluar kur ndiqej dhe persekutohej libri dhe fjala shqipe.Serbia mjerisht se edhe në  fundshekullin e shkuar bënte plane dhe kalkulime të tilla absurde të cilat do të bëheshin qesharake por edhe tragjikomike ngase ajo në asnjë mënyrë nuk i ndërpriste qëllimet e veta fashizoide ndaj librit tonë.

Duke i pasur në fokus të gjitha tentativat e armikut tonë të përbetuar dhe të pangopur, Enti i Teksteve dhe Mjeteve mësimore iu përvesh edhe më me ngulm punës së vetë titanike për botimin e një numri  sa më të madh të Teksteve dhe Mjeteve mësimore.Duke formuar sistemin paralel/përkahësisht duke e vazhduar punën e vetë legjitime/ Enti dhe udhëheqja e tij rrezikoheshin edhe personalisht, por pa u trembur fare që të vazhdonin rrugën e tyre të ndritur për të botuar sa më tepër tekste shkollore të cilat i duheshin si buka rinisë sonë të etur për shkollim të mëtejmë të cilin  e vazhduan arsimtarët tanë nëpër shtëpi-shkolla,të cilat i lëshuan pa asnjë kompenzim material dashamirët e mëdhenj të arsimit . Pra, krahas kontinuitetit të pandërprerë të shkollave tona të mesme dhe fakulteteve, të cilat në mënyrë të pamëshirshme u nxorën nga objektet legjitime, punën e vetë kolosale e vazhdoi edhe Enti i Teksteve dhe Mjeteve mësimore të cilat nevojiteshin për një armatë të madhe shkollarësh, të cilët, edhe në kushte të tilla, e çmendnin armikun tone shekullor.

Në këtë rrafsh, inspektorët e Udbës serbe filluan gjahun e tyre ndaj personelit të  Entit, duke hyrë këtu  edhe konfiskimi i librave të botuara në  shtypshkronjat private  anembanë Kosovës, me ç’rast- kontribut të madh kishin dhënë edhe disa afaristë shqiptarë me mjetet e tyre materiale, të cilët me respekt të madh i përmend autori i librit’’Mbijetesa’’.

Libri, përveç shumë lëvizjeve pozitive, të  cilat ishin evidente në atë periudhë,spikat edhe solidaritetin e pakontestuar brendakombëtar dhe vendosmërinë njerëzore për të sendërtuar kontinuitetin e arsimimit tonë që ishte një nevojë shumë e domosdoshme për mbarëvajtjen e mëtejme të popullit në rrugët e paevitueshme çlirimtare.

Pra edhe njëherë gjatë historisë sonë të dhembshme dhe të përgjakshme armiku u përpoq që ta lente këtë popull pa arsim dhe dinjitet- çka nuk i shkoi  për dore në asnjë drejtim, përveç ngecjes që kemi pësuar për një periudhë mjaft të gjatë kohore pasojat e së cilës jemi duke i hetuar në çdo hap. Por  qëllimi ynë përfundimtar na mbetet satisfaksioni kryesor që arsyeton rrugëtimin tonë aq të gjatë drejt arritjes së idealeve tona përfundimtare.

Mes tjerash , duhet theksuar  edhe faktin e pamohuar se libri’’Mbijetesa’’ është  edhe një përmbledhje tjetër faktesh të hidhura, por edhe krenare, për rrugët tona të mundimshme në një kohë aq të vështirë në të  cilën vërtet duhej të mbijetonim në mënyrat më të ndryshme, të cilat shpeshherë ishin të mbushura edhe me sakrifica të llojllojshme.

Libri pra ishte një domosdoshmëri e kohës që i shënoi të gjitha përjetimet e atyre që kontribuan për të arritur një  epokë të re  dhe  një liri për të cilën janë sakrifikuar gjenerata të tëra, një etapë tjetër zhvillimore kur nuk do të kemi më pushtete të dhunshme dhe instalime njerëzish të huaj në vatrat dhe institucionet tona.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx