E shtune, 27.04.2024, 02:27 AM (GMT+1)

Faleminderit

Enver Robelli: Rojtari i mirësisë

E hene, 10.08.2009, 09:00 PM


Rojtari i mirësisë

Nga Enver Robelli   

Në historinë e tij kombi shqiptar ka pak njerëz sikur Zef Pllumi, i cili ishte prift e publicist, hero dhe historian, rojtar i mirësisë dhe autor i shumë veprave të rëndësishme mbi Shqipërinë nën sundimin e tiranisë komuniste. Në prag të dyvjetorit të vdekjes së tij do duhej të tërhiqte vëmendjen e opinionit një libër, i botuar para disa muajsh në Tiranë: „Kështu foli Atë Zef Pllumi me gazetarët“. Në këtë përmbledhje me intervista dhënë gazetarëve shqiptarë, Pllumi e shpjegon mprehtë dhe kthjelltë tragjedinë shqiptare të shekullit XX.

Të tjerët nuk harrojnë. Të tjerët dinë edhe të vlerësojnë. Kaloi pothuaj pa u regjistruar në mediat shqiptare në Ballkan një lajm, i cili u bë publik para disa javësh. Ky lajm humbi në zhurmën e politikës dhe kakofonisë së përditshme të kacagjelëve publikë. Lajmi është ky: në fund të majit gazetarja shqiptare Elsa Demo, redaktore e kulturës në gazetën „Shekulli“ në Tiranë, u nderua në Bari të Italisë me çmimin „Vojtila“ për intervistën e saj me klerikun Zef Pllumi, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare të shekullit XX. Mirënjohja është ndarë nga asociacioni „Terra del Mediterraneo“ në kuadër të konkursit ndërkombëtar „Gazetar i Mesdheut“. Shkrimi i Elsa Demos është botuar vitin e kaluar edhe në një libër, i cili përmbledh intervistat e Zef Pllumit me gazetarë shqiptarë prej vitit 1992 deri në vitin 2007 („Kështu foli Atë Zef Pllumi me gazetarë“, botoi Onufri, Tiranë, 2008).

Fillimisht disa të dhëna për Zef Pllumin. U lind në Malin e Rençit në Lezhë në vitin 1924, një vit i thyerjeve të mëdha në politikën shqiptare, kur Ahmet Zogu dhe Fan Noli zhvillonin një betejë të ashpër dhe jo vetëm politike për udhëheqjen e Shqipërisë. Pasi ndoqi mësimet në kolegjin françeskan në Shkodër, Zef Pllumi në vitet 40 ishte bashkëpunëtor i revistës së famshme kulturore „Hylli i Dritës“. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve ai u dënua me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet e Bedenit dhe të Orman-Pojanit. Pasi doli nga burgu vazhdoi aktivitetin e tij klerikal dhe në vitin 1956 shugurohet meshtar dhe shërben në trevën e Dukagjinit, me qendër në Shosh. Në vitin 1967, kur diktatori Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, Zef Pllumi u arrestua sërish dhe u syrgjynos në burgjet më famëkeqe të vendit.

Në vitet 60, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria u shndërrua në një vasale të Kinës. Duke qenë i inspiruar nga Revolucioni Kulturor Kinez, diktatori Hoxha bëri shumë eksperimente shoqërore dhe kulturore në Shqipëri, përfshirë këtu edhe ndalimin e fesë, një masë e ashpër, të cilën as komunistët kinezë nuk e kishin zbatuar. Pas lirimit nga burgu Zef Pllumi iu kthye punës si klerik, si publicist, si historian-dëshmitar i krimeve të komunizmit. Trilogjia e tij „Rrno vetëm për me tregue“ është një dokument trishtues dhe me vlerë të madhe mbi historinë e sundimit të komunizmit në Shqipëri, e cila prej Enver Hoxhës dhe ndihmëskasapëve të tij ishte shndërruar në një Gullag mesdhetar. Shqipëria zyrtare e ka nderuar Zef Pllumin vetëm në vitet e fundit të jetës së tij, duke i akorduar urdhrin „Nderi i Kombit“. Për aq sa dihet publikisht, Kosova zyrtare e ka injoruar këtë personalitet të njohur shqiptar, i cili vdiq para gati dy vjetësh, më 27 shtator 2007, në spitalin „Gemelli“ të Romës.

Shtëpisë botuese „Onufri“ nga Tirana i takon merita e ruajtjes së kujtesës për Zef Pllumin. Para disa muajsh ajo ka botuar një libër, në të cilin janë përmbledhur me gjasë intervistat më të rëndësishme që ky klerik e publicist ua ka dhënë gazetarëve shqiptarë që nga viti 1992 e deri në vitin 2007.

Sytë e myslimanes

Intervistat janë botuar kronologjikisht. E fundit në libër është plasuar biseda që gazetarja Elsa Demo kishte zhvilluar me Atë Zefin në verë të vitit 2007. Që në hyrje Demo përshkruan takimin me Zef Pllumin në Fshatin e Paqes në Shkodër, ku një grua që shiste libra e pyet: „A je nga ato anë ti që blen librat e padres? Je katolike? Jo, jam myslimane, nga Berati“. Në këtë intervistë Zef Pllumi flet për shumë tema. Ndonëse është keq me shëndet, ai nuk e humb ndjenjën e hollë për humor. (Në pyetjen „Si je me shëndet, pater Zef?“, ai përgjigjet: „Dje mbret, sot ruajna Zot“). Në këtë intervistë Atë Zefi flet edhe për fenë, për rëndësinë e besimit, për mirësinë, humanizmin. Kujton ditët kur e keqtrajtonte “operativi” i Sigurimit, shërbimit famëkeq të Enver Hoxhës. Thotë se këtë fazë të rëndë të jetës së tij e ka kaluar. Dhe shpalos diçka nga jeta e tij, që ndoshta asnjë prift katolik nuk e merr guximin ta thotë publikisht. Atë Zefi thotë: “Tash të vetmin fat që s’kam pasur ka qenë me femra. S’kam dashur”. Pastaj rrëfen se si në vitet 40, kur ishte 20-vjeçar, kishte takuar një vajzë, e cila ishte myslimania më e bukur që në atë kohë kishte Shkodra. “Ishte e bukur. Jo e bukur, po kishte nji palë sy që i lëshonin xixa. Asi sysh s’kam parë më në jetë”. Po prapë kleriku i ri ngurron t’i flasë, e përshëndet vetëm me dorë. Tema tjetër për të cilën flet Zef Pllumi në këtë intervistë është homoseksualizmi. Për Atë Zefin kjo është një sëmundje e përhapur. E keqja, thotë ai, është që tani homoseksualët i mbron ligji dhe “bota sugjeron tolerancë për këtë punë”. Pas terrorizmit homoseksualizmi, sipas tij, është sëmundja më e madhe e shekullit. Guximi për të folur për këtë temë, e cila është e tabuizuar jo vetëm në kisha, por edhe në shumë shoqëri, tregon se Atë Zefi e shihte veten jo vetëm Njeri të Zotit në tokë, por edhe intelektual që s’e fsheh atë që mendon. Njerëzit e rëndësishëm të një kombi, këtë e thotë vetë Zef Pllumi, janë ata që regjimi i dënon me vdekje.

Në intervistën dhënë revistës “Drita” në vitin 1992, ai me mendjekthjelltësi analizon deformimet e mëdha në shoqërinë shqiptare dhe vendimet, sipas tij, të padrejta të regjimit komunist. Nën pretekstin e unifikimit të kombit së pari u ndaluan fetë dhe u hodh baltë mbi figura si Gjergj Fishta, i cili kishte kryesuar Kongresin e Manastirit. Kështu, sipas Atë Zefit, u veprua edhe me unifikimin e gjuhës shqipe. “Po ku qëndron në të vërtetë bashkimi i kombit? Te zemrat apo te gjuha? (...) Qëllimi kryesor ishte mbajtja e pushtetit me dhunë. Në elterin e kësaj dhune e të pushtetit duheshin ba flijë të gjitha: liria individuale, pasunitë e pronat private, veçoritë e larmishme krahinore, besimet fetare, kokat e njerëzve, se i gjithë populli shqiptar duhej të kishte vetëm nji kokë, e cila dijte me folë vetëm nji gjuhë. Mjerisht ky popull u gjet në orë të ligë: servilët e karrieristat brohorisin, të dijshmit e të ndershmit struken prej frige, turmat naive të pavetëdijshme kërkojnë vetëm me mujtë me jetue. (...) Mendoj se duhet të jemë të gjithë shqiptarë të mirë e nuk kemi pse ti vejmë këmbën shoqi-shoit për kurrgjâ. Unë baj këtu vetëm një pyetje konkrete: Sikur një X qeveri të caktote ‘gjuhë zyrtare’ vetëm gegnishten (kurrë mos ndodhtë kjo punë), si do ta pritshin toskët nji vendim të tillë?”. Atë Zefi përkujton se edhe në të kaluarën intelektualët shqiptarë janë ballafaquar me vështirësi të ndryshme. Prandaj, në Kongresin e Manastirit u vendos që “të përdoren të dy alfabetet deri që mbi to të vendosë koha dhe jo dhuna”. Historia u dha të drejtë intelektualëve të atëhershëm të Shqipërisë.

“Lisi i kovaçit”

Në intervistat e tij Atë Zefi përherë përkujton rolin e madh që kanë luajtur klerikët në zhvillimin e kulturës dhe në luftën për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Në Konferencën e Paqes në Paris popullin shqiptar e përfaqësoi Imzot Luigj Bumçi, i cili “...kur duel prej mbledhjes, iu avit përfaqësuesi serb i Pashiqit e i tha: ‘Si nuk ke marre ti ipeshkëv katolik, me nji pllambë kryq në gjoks, vjen e deklaron këtu para botës se jeni vllazën me muslimanët, armiqtë e fesë e të përparimit!’”. Sipas Atë Zefit, pengesa më e madhe për projektet pansllaviste në Ballkan kanë qenë klerikët katolikë prandaj, sipas tij, “Tito dhe Stalini i thanë Enver Hoxhës: Në daç pushtetin në Shqipní, do të na bâjsh kurban klerin katolik”. Zef Pllumi e konceptonte Shqipërinë si shtëpi të vogël, sepse “Zyra e Ipotekës” që gjendej në Evropën Perëndimore nuk lejoi të jetë më e madhe. Por kjo shtëpi, sado e vogël, i ka katër mure, që kanë themele të thella nëpër shekuj. Njëri mur, thotë Atë Zefi, është feja islame, tjetri është ortodoksia, i treti është katolicizmi dhe muri i katërt është shteti shqiptar. “Kushdo që përpiqet t’i rrënojë këto mure, vepron për shkatërrimin e kësaj ndërtese që un e quej Shqipní”. I ashpër është Atë Zefi edhe me bartësit e shumë institucioneve kulturore të kohës së komunizmit dhe me xhelatët, të cilët torturonin jo vetëm të burgosurit politikë, por edhe gjithë shoqërinë. Ai kërkon që këta njerëz, të cilët edhe sot janë të pranishëm në institucione politike e kulturore në Tiranë, të dënohen së paku moralisht për krimet që i kanë kryer kundër Shqipërisë dhe t’u ndalohet atyre çdo veprimtari publike. Edhe ndaj këtyre njerëzve që kanë masakruar vëllezërit e tyre Zef Pllumi ka mëshirë. Ai thotë: “Nuk më duket zanat fort i kandshëm ai i njeriut që rrjep lëkura njerëzore”.

Regjimi i Enver Hoxhës jo vetëm që synonte t’i shfaroste të gjithë intelektualët me orientim perëndimor. Diktatura ua kishte marrë inati edhe eshtrave, prandaj edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku janë eshtrat e Gjergj Fishtës. Atë Zefi këtë e quan pjesë të fatalitetit historik shqiptar, sepse edhe eshtrat e Skënderbeut dhe të Pjetër Bogdanit patën të njëjtin fat. Të gjithë klerikët shqiptarë kanë qenë “si lisi në derë të kovaçit”, thotë Zef Pllumi. Kushdo që shkonte te farkëtari për të mprehur sëpatën, sapo dilte nga dera e provonte atë në atë “lis qyqar”. Njëjtë edhe besnikët e partisë e godisnin klerin. Këtu ata e dëshmonin devotshmërinë ndaj Partisë së Punës.

“Pa dritë, pa ujë”

Si e shihte Shqipërinë Atë Zefi? Me zhgënjim. Me pesimizëm. Si një vend që në prag të 100-vjetorit të pavarësisë nuk ka as dritë, as ujë, as rrugë. Një vend ku politikanët nuk qeverisin, por sundojnë; një vend ku “shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim dhe jo fitim...”. “Ti merre fjalën ministër. Po ta përkthejmë don me thanë shërbëtuer; por te na e ka kuptimin sundimtar, që don me thanë gërryes”. Kritik i rreptë Atë Zefi është edhe ndaj misionarëve të huaj, të cilët pas rënies së komunizmit erdhën në Shqipëri. Ai thoshte se të huajt nuk mund ta ruajnë dhe ta kultivojnë kulturën shqiptare dhe kishtare. Nganjëherë historia di të jetë edhe cinike dhe plot humor. Atë Zefi dhe klerikët e tjerë shqiptarë u liruan nga burgu më 11 prill 1989, në përvjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës. Duke dalë nga burgu dhe duke qeshur (“tuj qeshë”) Atë Zefi thoshte: “Paj na liruen për shpirtin e Enver Hoxhës!”



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora