E premte, 26.04.2024, 04:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: Humbjet në variantet e lojës

E diele, 05.07.2009, 11:43 AM


Humbjet në variantet e lojës
     
Nga Mehmetali Rexhepi

Vëllimi i tretë i poetit Ramadan Mehmeti “Loja e ruletit”, titulluar me një togfjalësh të thjeshtë në vështrim të parë, më një përgaditje teknike të lakmueshme për shkrimpasionantët, përbëhet prej shtatë ciklesh poetike.
Ç’prej poezisë së hapjes së librit  “Ecja”, vertikalen e ecjes sonë drejt cakut e përcjell loja. Loja:

“Pse s’mund t’i zëmë
Kuajt e zezë në lëmë”
U shpik djallëzia për të mashtruar
madje edhe PERENDINË”
“Që të mos lindte Njeriu
Sall lojë e tij e verdhë”
                        (Rrëfimi I)

Në tërë këtë reliev poetik loja luan rolet e veta në variante të shumëfishta, me maska e pa maska:

“Loja vazhdon me të vjetrën
Të më zgjojë në një potpuri tjetër”

Figura e lojës së përgjakur është e pranishme jo vetëm në vjershën “Loja”, f.17. Ndërsa pas leximit të vjershës “Sëmundja”, do të vijmë deri te një përfundim i thjeshtë: se po u trash sëmundja  e kujtesës do të pasonte vdekja e saj, e kjo shtron pyetjen tragjike, a do të na ngjajë?
Në pesëvargëshin e vjershëzës “Shpresa”, f.23, ndërgjegjen e përgjumur të ditës së shndërruar në natë, e zgjon shpresa si relikt i përhershëm, për të cilën, mbase duhet mbështetur si plaku për shkopin dhe, madje, ç’ironi: “Edhe në lojën e sprasme...”
Tërë ciklin tjetër poetik “Variant loje”, vjershat “Fati i zi” f.27, “Harfa e rreme”, f.29, “Variant loje” f.34, pastaj cikli më përmbajtësor e origjinal “Ura e Maskatarit” në “Ç’u bë ura” f.47, “Infarkti i ditës” f.48, “Në çfarë pikëpyetje” f.50, “Teatër mistik” f.51, “Kontot e zbrazëta” f.54, vazhdon loja e nisur në fillim. Kjo lojë që solli etninë tonë në pikëpyetje dhe pikëçuditje:

“Vdekja paralajmërohet
Një mijë vjet më parë
Shpallet në Gjilan
Një mijë vjet më vonë”
(Në çfarë pikëpyetje)

Në këtë lojë (Migjeni thotë: “s’duem me humbë në lojë të përgjaktë të historisë njerzore”), e në këtë teatër të Gjilanit, nën këtë Urë të Maskatarit ose të Masakrit, onomastikë tipike e Gjilanit, e etnisë më të gjenociduar të Ilirikumit… Ndërrohen aktorët e kufomat e tragjizmit të tyre të pa shkruar mbesin të pavarrosura:

“Edhe pse Dobrushës i vjen erë gjaku
Kotësinë e së nesërmes
Para se t’i bien dhëmbët
Nga trishtimi”

Në këtë teatër mistik buzë lumëgjakut të urës së Maskatarit ose Masakrit, qemë aktorë… Vetëm aktorë të dhimbjes. Qemë aktorë të Teatrit më tragjik të Evropës e, megjithatë mistik?! Aluzioni poetik është i qartë, vijimësia gjithnjë tragjike. Kur luajtëm heroizmin, regjia bëri epilogun e tradhtisë, pra, të lojës ose të Lojës së Ruletit të Zi, sikur shprehet poeti.
Nëpër të gjitha ciklet e këtij libri vjen duke u shpaluar polisemantika e lojës. Lojës së ruletit të zi. Në fjalorin poetik loja është në funksion të sajimit të kuptimeve, të përmbajtjeve të shumta togfjalore: lojë fjalësh, loja e fatit ose fati në lojë, loja me parime, loja e parme, loja e sprasme, loja e ruletit, lojë fëmijësh, loja e djajve, loja që vazhdon…
Figura e dreqit ose djalli janë sinonime të së keqes, janë etika e fatëdytësorit dhe fatkobit tonë (Bima e Dreqit).
Ndryshe do të thoshim: na ka hy ose mbirë dreqi në shtëpi. Kur t’hyn dreqi n’votër t’prish me vëlla e me motër. Dreqi është personifikim i së keqes dhe i së pakapshmes, meqë:

“Zotit s’i beson
Aq më pak njeriut”

Është ky një monstrum që nuk i beson krijuesit dhe shëmbëllesës së tij, njeriut. Ky farë monstrumi, që është “Fati i Zi” yni:

“E mban në tërkuzë
Atë sinor të shenjtë”
Dhe pasi:
“S’mund t’ia heq    
As me namatisje e magji”

Mundësia për ta ndëshkuar e luftuar mungon, ai edhe më tutje këtu e, nëpër Evropë kalëron. Poetit i mbetet të pajtohet dhe të ngushëllohet me konstatimin se: “Ky dreq nuk shqitet”, sepse ndjek rritën e poetit të identifikuar në një etni:

“Djalli në hap të ndjek” e edhe
“Para se ta hedhësh hapin”

Kjo ngjet gjithnjë derisa të shërohet lëngata e gjatë e legjendës. Lëngata jonë e stërpërsëritur  pas betejash me bajlozët e zi të tokës e të tejdetit:

“Në shtëpi
Lëngon Gjergj Elez Alia”
(Zogjtë e mi)

Ndonëse ka arritur, që fjalën e shprehjen poetike, ta lakojë e bëjë elastike, ta dendësojë kuptimisht e figurativisht, por për të depërtuar nëpër labirintet e kështjellës poetike herë - herë ngatërrohet në kthinat e kështjellave të mendimit e të sintaksës. Në poezinë “Bajlozi matanë detit” shkruan: “Sinori e zuri natën në tradhti”, ndoshta do të duhej të thuhej: “Nata zuri sinorin në tradhti”, në vjershën “Udha dhe Djalli i Larmë” f.39, “Nata hijet i mbështolli për shtatin tim”, Rexhep Elmazi shprehej: “Dita është hymni i botës, ndërsa nata elegjia e saj”. Pa dritë nuk ka hije. Hijet formësohen nga drita, prandaj themi dritëhije. Hija e ditës mund të jetë nuancë e përgjasimit të natës.
Kultura letrare e poetit Ramadan Mehmeti, pas dy përmbledhjeve poetike, tashmë arrin stabilitetin shprehimor. Përpos ndonjë lajthitjeje gjuhësore, si: “Apo do të vendnumëron” në vend se “Apo do të vendnumërojë”, hasim gjetje fjalësh “derivate” si për shembull: thurimë, thurima, thurimën fjalë, figurë, ide, etj. Kjo e ndonjë tjetër, që nuk është nënvizuar, gjithsesi janë në funksion të pasurimit të fondit gjuhësor e të stilistikës poetike të shqipes.
Struktura stilistikore e organizative, fryma dhe forma, sidomos prania e  thirrores (interogativit), në ciklin e fundit “Nama e Zezë”, i ngjan poezisë së Beqir Musliut. Por ndikimit asimilues, cili poet a krijues mund t’i shmanget plotësisht?
Ramadan Mehmeti mbetet Ramadan Mehmeti. Kur poezia i bëhet urti udhërrëfyese, ose moto jetësore, poeti pohon:

“Ngado që të shkosh
Nuk mund të shkosh aq larg
Sa ta harrosh gjurmën
E paraardhësit tënd”
(Gjurma)

Ngado të shkojë Ramadan Mehmetin poezia do ta shoqërojë.   


(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora