E premte, 26.04.2024, 06:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Tradita e harruar e kinemasë

E enjte, 26.07.2007, 10:42 PM


Pakkush flet sot për traditën e kinemasë shqiptare, e marrë kjo në kontekstin e të bërit film dhe të parit film. Të dyja bashkangjitur ishin pasojë e njëra-tjetrës dekada më parë, ndërsa sot ato janë dy procese krejt të ndryshme e të pavarura. Filmi shqiptar ka rrugëtuar mjaft për të arritur në një film modern, i hapur ndaj festivaleve ndërkombëtare e një realizimi teknologjik të avancuar. Pas kemi lënë jo pak, por pothuajse 1 shekull që nga fillimet e shfaqjes së filmave në kinematë tona, e megjithatë filmi i sotëm nuk gjen hapësira kinemaje për tu shfaqur.Ndoshta një traditë e kthyer mbrapsht apo e harruar. Shfaqja e filmit shqiptar në ekranet e kinemave ekzistuese në vend është thuajse një veprim abstrakt, që ka ndodhur për herë të fundit para një viti me vetëm një film. Por të bësh kinema dhe të shohësh kinema nuk janë veçse dy hallka të të njëjtit zinxhir, magjisë së kinematografisë. “Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-‘12. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para të kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë private pas Luftës i Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat. Filmat e parë u bënë nga të huajt dhe më tepër ishin kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë”, shprehet diku Abdurrahim Myftiu, studiues i kinematografisë dhe përkthyes.

Kinostudio “Shqipëria e re”
Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovjetik “Luftëtari i madh i Shqipërisë–Skënderbeu” (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës). Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë: “Fëmijët e saj”, film i shkurtër, i realizuar në 1957 me regjisor H. Hakani dhe “Tana”, realizim i vitit 1958, me regjisor Kristaq Dhamo. Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit, kryesisht me subjekte nga Lufta kundër pushtuesve fashistë e nazistë (1939-44) dhe nga reformat e viteve të para pas Luftës. Bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Gëzim Erebara, Pirro Milkani. Në vitet ’70, me shkurtimin drastik të importit, si rezultat i politikës së izolimit të ndjekur nga shteti në fushën e kulturës,u shënua një rritje të ndjeshme të prodhimit, nga 5-6 filma artistikë në vit në fillim të periudhës, deri në 8-10, për të arritur në 14 në vitet ’80. U zgjerua gama e zhanreve. U bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regjisorja Xhanfise Keko; ndër filmat e saj përmendim “Beni ecën vetë”, 1975. Kinokomedia e parë “Kapedani” u realizua në 1972, nga regjisori F. Hoshafi e M. Fejzo. U bënë filma historikë e muzikorë, po zhanri më i pëlqyer mbeti filmi dramatik. Krahas të tjerëve bënë filma një brez i ri regjisorësh: Rikard Ljarja, Saimir Kumbaro, Ibrahim Muçaj, K. Mitro, Esat Mysliu. Nisi prodhimin e filmave artistikë edhe TV Shqiptar me filmin “Udha e shkronjave”, 1978, nën regjinë e Vladimir Priftit. Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës II Botërore. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si Ballë për ballë (1979, regj. K. Çashku e P. Milkani), “Dora e ngrohtë”, 1983, regjisor Kujtim Çashku, “Agimet e stinës së madhe”, 1981, regjisor A. Minga, “Kohë e largët”, 1983, regjisor S. Pecani, “Tela për violinë”, 1987, regjisor B. Kapexhiu etj. Në vitet ‘70-‘80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20- 40 në vit dhe pati tipare të thella propagandistike, po edhe kulturore. Lindi filmi vizatimor shqiptar me filmin “Zana dhe Miri”, 1975, realizues V. Droboniku e T. Vaso, i cili arriti deri në 16 filma në vit. Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, ishte fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike. Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare.

Tradita e kinemave
Në fund të viteve ‘80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje, si dhe kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar. Në vitet ‘90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella. Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio, dhe filmat tani prodhohen kryesisht nga shtëpi filmike private (kryesisht regjisorë të kinostudios së mëparshme) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të ngritur në mesin e viteve ’90, dhe me producentë të huaj. QKK është qendër e re e administrimit të filmit në Shqipëri, që ka dhënë tashmë rezultatet e para; aktualisht prodhimi kinematografik kryhet në bazë të Ligjit për Kinematografinë, mjaft i diskutuar nga kineastët.

Kinemaja sot
Sot kinemaja shqiptare përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut. Përveç rënies së prodhimit ne sasi edhe rrjeti i sallave të kinemave ka zbritur ndjeshëm, dhe vetëm kohët e fundit janë bere dhe po bëhen përpjekje për ngritje sallash të reja bashkëkohore si kinemaja “Millenium” ne Tirane dhe një tjetër në Elbasan. Mund te thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar në kushte të caktuara, por ende në ndërtim e sipër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora