E premte, 26.04.2024, 07:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Risto: Në gjurmët e erës ecin fjalët prej guri

E diele, 22.03.2009, 08:09 PM


Në gjurmët e erës ecin fjalët prej guri

(Rreth vëllimit poetik « Erdhe për gjurmë të erës » të autorit Jeton Kelmendi)

Nga Petraq Risto, drejtor i ShB Globus R

Këto ditë shtëpia botuese « Globus R. », që unë drejtoj, publikoi vëllimin poetik “Erdhe për gjurmë të erës” të autorit kosovar Jeton Kelmendi, përzgjedhur nga Anton Nikë Berisha. Një vëllim pretencioz, me ngarkesa origjinale estetike dhe emocionale, një ndjeshmëri ku skajet kërkojnë të bashkohen për të na treguar se « uni » poetik është i një rëndësie të posaçme.
    Deri kur nën hije/Trupi i heshtjes sate /Erdhe për gjurmë të erës/  Mbretëreshë e askujt /  Deri kur në fushat/  Plot me asgjë / Jemi takuar rastësisht/  Gjithçka shkoi poleve të kundërta /  Deri kur t’ia fshehim vetvetes/  Atë që nuk e dimë / Erdhi e shkoi një mendim/  Në vend të fjalës (Erdhe për gjurmë të erës)
Jeton Kelmendi është një poet aktiv i dekadës së fundit, një ish ushtar i UÇK-së, një zjarr lirie në lëvizje të pandërprerë, një poet i brishtë e një filozof i gurtë, një e vërtetë këlthitëse për shpirtrat e plagosur. Gur mbi gur/I ngrihet kala fjalës… (Kala e fjalës)
Fjala është kodi, pasuordi i këtij libri. Me fjalën Jetoni luan, qesh dhe qan, urren dhe dashurohet. Në shumicën e poezive të këtij vëllimi autori i ka imazhet të qarta, të thjeshta, që kërkojnë të shtihen brinjazi pranë realitetit e të flirtojnë me të. Piere Reverdy-a për imazhin poetik shprehet: "Imazhi është një krijim i kulluar i mendjes. Ai nuk mund të lindë nga një krahasim, por nga përqasja e dy realiteteve pak a shumë të largëta. Sa më të largëta dhe më të sakta të jenë raportet midis dy realiteteve të përqasura, aq më shumë ai do të ketë fuqi emotive dhe realitet poetik"  Kur thanë heshti Anton Pashku/ Dhe hijes i ra hije/Fjalës iu shkëput edhe një fjalë / Përmbi Dukagjin po frynte erë/ Shi binte mbi dy shkronja/ Oh (Fjalës iu shkëput edhe një fjalë)
Fjala ka peshën e mendimit edhe atëhere kur i këndohet heshtjes. Heshtja e Kelmendit shpesh është vrastare, dhe fjalët i vijnë pas ose si vajtojca, ose si kor i një tragjedie të lashtë: Të thirra/ Prej matanë heshtjes/Shtatë ditë/ Memëzi i bëra shtatë shkronja/  Me shtatë / Me atë fjalë thirret/  Dufi i dallgëve/  Të detit  (Të thirra prej matanë heshtjes)
Mendimi që mbruhet nga fjala dhe heshtja e piqet në furrën e kohës, patjetër që bukën e bën të ëmbël. Buka e mendimit poetik te Jeton Kelmendi nuk do të ishte e pjekur pa elementin kohë, shqetësim. …Në pritje të saj përherë ranë dëshmorët/Do të vijë një kohë e bardhë më e re/  Se shekulli i premtimeve/   Mos janë çmendur muajt dhe stinët/   Të na vargun fjalën /   Shën koha jonë / Më bën ta pres atë ditë  (Shën Koha jonë)
I bindur ndaj urdhërave të kohës poeti jeton historinë e vet, historinë e të parëve të tij dhe krenohet me figura si Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Rugovës, Azem Shkrelit...Në libër lirika dhe epika pinë ujë te një burim, fjalët përgjojnë në ledhet e një kulle, shpirti kullot në lëndinat poetike. Shpesh lirika dhe epika, e zakonshmja dhe madh/shtorja shkrihen letërishst në vrullin poetik të Kelmendit, pa marrë poza heroi, por duke e shkrirë heroiken në vibrimet e shpirtit poetik, në një klithm/ të brendshme, siç ndodh te poezitë “Te mrizet e Dukajve”, ku muranat  psherëtijnë nga dhembja; apo në poezinë “Orët e bjeshkës” kur shkruan: Bregut të Mujit pi qumësht/Zanash/ Kokës m’ia mbështjell shallin/  E bardhë /Për Qafë të Diellit kur kaloni/ Më thërrisni/  Kam mall / Për Tokën e të parëve.
 Poezitë e këtij libri janë zgjedhur nga: “Shekulli i premtimeve” Rilindja, Prishtinë 1999; “Përtej heshtjes” Faik Konica, Prishtinë 2002; “Në qoftë mesditë” Faik Konica, Prishtinë 2004; “Më fal pak Atdhe” Faik Konica, Prishtinë 2005; “Ku shkojnë ardhjet” Ombra GVG, Tiranë 2007, si dhe nga disa dorëshkrime, që autori ia dha personalitetit të letrave shqipe Anton Nikë Berishës, të cilin edhe  Globus R. e falenderon për punën serioze në përgattijen e këtij libri.
Jeton Kelmendi është ende i ri, një poet aktiv që di t’i përdorë me mençuri gjithë resulset që jep koha e internetit dhe jam i bindur se shumë shpejt, falë talentit dhe punës së palodhur, ai do të di të gjej shtigjet e duhura, që me fjalët dhe të vërtetën artistike, të përballet me cilësinë në rrafsh global.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora