E premte, 03.02.2023, 09:27 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Qamili Vogël (Muhaxhiri) - Këngëtar i Madh

E diele, 22.03.2009, 06:39 PM


QAMILI VOGËL (MUHAXHIRI) – KËNGËTAR I MADH
(1923 – 1991)

Nga Demir KRASNIQI

Qamili Vogël – Muhaxhiri u lind më 1923, në një familje të varfër bujqish , në mëhallën e Gecës në Gjakovë .
Në mungesë të kushteve për shkollim të rregullt , në mënyrë autodidakte ka mësuar shkrim – leximin dhe me punë të pavarur arriti arsimimin elementar .
Ka qenë pjesëmarrës i LNÇ-së. Më vonë u kualifikua si punëtor grafik në shtypshkronjën e NGB “Rilindja” të Prishtinës , ku edhe ka punua deri në pension .
 Qysh si fëmijë, u vërejt talenti i tij i rrallë ndaj muzikës , ku tregonte interesim të madh ndaj këngës . Talenti i tij , shumë shpejt i ra në vesh mjeshtrit të madh të këngës dhe sharkisë – Ymer Agë Rizës nga Gjakova . Ai e mori Qamilin në grupin e vet muzikor dhe aty i bëri hapat e parë në këngën popullore.
 Me grupin muzikor të Ymer Rizës ishte edhe një këngëtar tjetër më i moshuar , që quhej Qamil Idriz Haxhija . Qamil Muhaxhirin si fëmijë , kudo që shkonte nëpër ndeje e ahengje gjakovare , publiku e priste me një simpati dhe një admirim të madh .
 Mu aty lindi epiteti: I VOGËL , epitet ky që shumë shpejt do të zëvendësojë mbiemrin e tij – MUHAXHIRI dhe ky mbiemër do ta përcjellë deri në vdekje Qamilin e Vogël – këngëtarin tonë të madh .
 Mbiemri i vërtetë i Qamilit të Vogël – MUHAXHIRI del nga rrethanat tona të njohura historike , nga se me rastin e shpërnguljeve të mëdha të shqiptarëve nga fshatrat e rrethit të Jabllanicës , të parët e familjes së tij ishin ardhur në Gjakovë nga një fshat i komunës së Medvegjës , andaj si në çdo qytet tjetër ashtu edhe në Gjakovë , të gjithë ardhacakët quheshin: MUHAXHIRË .
 Qamili qysh herët mbeti pa prindër . Gjendja e rëndë ekonomike në atë kohë , nuk i dha mundësi që të shkollohej , prandaj u detyrua që të kërkojë punë në Tiranë , ku bëhej si shegert te një zotëri – në një kafene .
 Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë , Qamili më tepër interesohej për këngën se sa për profesionin e kamerierit .Atje ra në kontakt me shumë këngëtar më eminent të asaj kohe , prej të cilëve mësoi shumë këngë të ndryshme popullore .Pas disa vitesh , përsëri kthehet në vendlindje .
 Më 1952 , pranohet si këngëtar i rregullt dhe solist i programeve të rregullta të Radio Prishtinës . Në atë kohë , Qamili punësohet edhe si punëtor grafik në Ndërmarrjen Grafike Botuese “RILINDJA” , ku punon deri në pension .
 Qamili i Vogël i takoi plejadës së parë të këngëtarëve popullor kosovarë të pasluftës , siç janë: Zyhra Mula, Meserete Çavolli,Mazllom Mejzini, Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Hivzi Vokshi, Xhejlane Broçi, Adem Ejupi, Liliana Çavolli, Muhamet Shala, Shahindere Bërlajolli, Qerimane Imami, Myrvete Fetahu , Gonxhe Gashi, Lajde Berisha, Behixhe Pakashtica, Anton Tomi, Gonxhe Manaku , Ismet Veseli, Rexhep Zajazi e shumë të tjerë.
 Pasi u pranua në Radio Prishtinë, Qamili kontribuoi dukshëm edhe në prezantimin e këngëve burimore me motive fshatare si dhe afirmimin e rapsodëve më eminent të asaj kohe, siç ishin: Salih Bajrami, Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Sefedin Gashi – Mleqani,Dervish Shaqa, Demush Neziri, Ibrahim Krasniqi, Qazim Berisha, Hamide Sadiku, Halil Cërvadiku, Bajrush Doda, Zenun Gashi, Marash Krasniqi, Mon Sokoli, Augustin Uka, Tahir Drenica, Hashim Shala e shumë të tjerë.
 Qamili Vogël , me zërin e tij kumbues dhe me punën e tij të palodhshme prej këngëtari , arriti që t’ i mbajë për vete shumë adhurues të këngës popullore me decenie të tëra , çka është rast shumë i rrallë në historikun e këngëtarëve të tjerë . Popullariteti i tij ndër masa të gjëra popullore , qëndron tek veprimtaria e tij e shumëllojshme pesëdhjetëvjeçare në fushën e artit poetiko – muzikor me karakter popullor . Ai shumë herët filloi të thurë edhe vetë këngë me motive të ndryshme që përshkonin jetën e tij .
 Zëri i tij tingëllues , i ngrohtë dhe i fisnikëruar  me melizmatikë të këndshme , sidomos për veshin e dashamirëve të këngës sonë qytetare , duke na shoqëruar vite të tëra nëpërmes të valëve të Radio Prishtinës , disqeve të gramafonit , audio – kasetave, video – kasetave dhe koncerteve të shumta publike , bëri që adhuruesit e këngës sonë ta duan, ta çmojnë dhe ta nderojnë figurën e Qamilit të Vogël, si këngëtar, duke e ngritur deri në piedestal me epitete më të çmuara .
 Ai përhapi këngët tona popullore në çdo mes dhe në çdo rreth shoqëror . Si solist dhe së bashku me grupe të ndryshme këngëtarësh , afirmoi këngën tonë , jo vetëm në Kosovë dhe në viset e banuara me shqiptarë , por edhe më gjerë në Evropë, Azi, Amerikë e gjetiu , ku u mirëprit dhe u përshëndet ngrohtësisht kudo para publikut, duke e çmuar si një mbret të vërtetë të këngës shqiptare.
 Qamili Vogël është i njohur edhe për kontributin që ka dhënë në formimin , afirmimin dhe aftësimin e këngëtarëve tjerë popullor dhe me formimin e grupeve muzikore me gjithë përcjellje instrumentale.
 Më 1967 , në Gjakovë formon grupin e njohur të këngëtarëve dhe muzikantëve popullor burimor “YMER RIZA”, i cili e kultivoi më tej sidomos këngën tonë qytetare, në rend të parë atë gjakovare, pastaj shkodrane, tiranase, elbasanase etj.
 Qamili Vogël është këngëtari i parë kosovar që u interesua dhe u angazhua për botimin dhe incizimin e këngëve popullore shqiptare në disqe gramafoni , libra, audio-kaseta, video- kaseta, koncerte publike dhe mënyra të tjera të afirmimit të këngës dhe vlerave të mirëfillta kombëtare.
 Ai në regjinë e vet private incizoi shumë disqe e audio – kaseta me këngë dhe këngëtarë të ndryshëm kosovarë . Më 1967 u bë producent dhe përfaqësues ekzekutiv në shtëpinë diskografike “JUGOTON” të Zagrebit (Kroaci) , duke i dhënë kontribut të madh zhvillimit të diskografisë popullore shqiptare . Në këtë shtëpi diskografike , Qamili Vogël, përveç veprave të veta muzikore, afirmoi dhe plasoi këngë të reja , këngëtarë e grupe të reja muzikore nga të gjitha trevat e Kosovës, siç janë: Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli,Kumrije Buçaj, Vjollcë Buçaj, Shpresa Berisha, Nezafete Shala, Zylë Krasniqi,Remzie Osmani, Shaban Baksi, Selajdin Miftari, Riza Spanca, Abdurrahman Sfirca, Ramë Thaqi, Ismet Demaj, Fatmir Makolli, Qazim Beha, Sali Berisha, Nikollë Nikprelaj e shumë të tjerë.
 Qamili Vogël , nuk ishte vetëm këngëtar popullor , por ai ishte edhe poet dhe kompozitor laik popullor , punëtor i palodhshëm i cili tërë jetën ia kushtoi këngës dhe përhapjes së saj në popull . Në regji të vet private , botoi njëmbëdhjetë tufëza me këngë popullore nga krijimtaria e tij dhe thesari popullor.

 Veprat e tij të botuara në formë të tufëzave apo blejve janë:

1. “Bylbyli në Çabrat” – Prishtinë , 1957, 1961.
2. “Me sharkinë e Ymer Rizës” – Prishtinë, 1959,1961.
3. “Lulet e beharit” – Prishtinë, 1963.
4. “Tre hasjanë” – Prishtinë, 1963.
5. “Flaka e zemrës” – Prishtinë, 1963.
6. “Këndojnë bylbylat” – Prishtinë, 1973.
7. “Fyelli i bariut” – Prishtinë, 1973.
8. “Lule gjaku” – Prishtinë, 1975.
9. “Valët e kohës” – Prishtinë, 1975.
10. “Këngë krenare” – Prishtinë, 1978 dhe
11. “Lulëkuqe të dashurisë” – Prishtinë, 1978.

Qamili Vogël, të gjitha botimet e veta ua shpërndante gratis dashamirëve besnik të këngës popullore shqiptare. Nuk përtonte , as nuk kursente kohë e mund për të shkuar me shpenzimet e veta nëpër shkolla në fshatra të Kosovës e më gjerë, për t’ ua shpërndarë nxënësve dhe arsimtarëve , sepse ishte i vetëdijshëm se brezi i ri është ai i cili do ta trashëgonte këngën tonë popullore .
 Në anën tjetër , Qamili Vogël botoi 9 disqe gramafoni me këngë të veta dhe rreth 20 audio- kaseta me këngë e valle të trevave tona , si dhe disa video- kaseta. Në këto përmbledhje botimesh, përveç këngëve burimore popullore , tingëllojnë edhe këngët e Qamilit me motive të dashurisë së zjarrtë djaloshare, disa prej të cilave shprehin ndjenjat e miqësisë dhe të nostalgjisë ndaj vendlindjes , mandej këngë për fatin tragjik të individëve, në veçanti te të rinjve .
 Qamili Vogël vdiq në moshën relativisht të re , po sa i mbushi të gjashtëdhjetë e tetat , pikërisht më datën 4 Nëntor të vitit 1991, në Prishtinë, kur ne dashamirët e këngës së tij , pritnim akoma vepra të reja prej tij .
 Ai mbylli sytë përgjithmonë me të vetmen dëshirë: - Që ta shohë Kosovën e lirë dhe të pavarur, që t’ ia dhurojë këngët që i vlonin në gji gjatë tërë jetës së tij ! Por, këtë dëshirë nuk e deshi fati që ta përjetonte .
Ai, vdiq duke na e lënë amanetin e tij, neve brezave të rinj:
”Ta duam këngën, ta kultivojmë atë në çdo mes dhe ta këndojmë me dashuri, pa e çoroditur asnjëherë dhe që Kosova – kurrë të mos mbetet pa këngë!”
Qamili, vërtetë vdiq, por toka e zezë e rrëmbeu atë prej nesh vetëm fizikisht . Ajo ka fuqi që ta kalbë vetëm trupin e këngëtarit, por kurrë nuk ka fuqi t’ ia kalbë zërin, këngën dhe veprat e tij ! Ato do të jetojnë me ne dhe pas nesh, brez pas brezi.
Ne këngëtarët e rinj dhe dashamirët e këngës së tij, zotohemi se amanetin e tij do ta  çojmë në vend dhe se kënga e tij do të jetojë ndër zemrat tona !
Shëmbëlltyra  e tij do të jetë udhërrëfyese për ne, se si duhet kultivuar e krijuar kënga jonë krenare !
Për figurën e tij madhështore si këngëtar dhe krijues i këngës, populli i thuri epitete shumë të forta , si: “Qamili Vogël – këngëtar i madh”, “Mësues i këngës”,”Shkollë e këngës”, “Ambasador i këngës shqiptare”, “Shpirt i këngës”,”Pionier i këngës”,”Veteran i këngës”, “Legjendë e këngës”,”Bardi i këngës”, e shumë e shumë epitete të tjera.
 Kënga dhe vepra e Qamilit të Vogël do të jetojë, aq sa të jetojë gjuha e ëmbël e Nënës Shqiptare !



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora