E enjte, 16.07.2020, 06:47 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Tetë çmime "Oskar" për "The Millionaire"

E hene, 02.03.2009, 05:58 PM


Aktori më i mirë Sean Penn, aktorja më e mirë Kate Winslet

Në Los Anxhelos triumfoi India. Djaloshi nga Mumbai ia doli mbanë. "The Millionaire", përralla origjinale në stilin Bollivud e drejtuar nga regjisori anglez Danny Boyle, mori tetë "Oskar" si filmi më i mirë, duke lënë pas prodhimet e mëdha amerikane "Frost/Nixon" i Ron Howard dhe "The curious case of Benjamin Button" i David Fincher. Filmi anglez i përshtatur në Indi, ka bërë bujë në të gjithë botën, duke dominuar në këtë edicion të 2009-ës. Ai ka kushtuar 15 milionë dollarë, ndërsa të ardhurat kanë arritur në 150 milionë dollarë. Filmi, që tregon jetën e një djaloshi të lindur në lagjet e varfra indiane, ka fituar gjithsej tetë statuja të arta: filmi dhe regjia më e mirë (më pas skenari jo origjinal, fotografia, montazhi, kënga, muzika dhe kolona zanore më e mirë).

Producenti: Një udhëtim i mrekullueshëm

Producenti Christian Colson në skenën e "Kodak Theatre", së bashku me aktorët, ka kujtuar se si ky film është fryt i një mrekullie të vogël: "Ishte një udhëtim i mrekullueshëm, që filloi pa yje, pa para, por vetëm me një skenar të mrekullueshëm dhe një regjisor gjeni". Ka qenë pikërisht Boyle, (ish-djaloshi anglez "punk", që u bë i famshëm me filmin "Trainspotting"), ylli i mbrëmjes, i cili fluturonte nga gëzimi kur mori statujën si regjisori më i mirë.

Aktorët më të mirë: Sean Penn dhe Kate Winslet

Surprizat kanë qenë të shumta në natën e gjatë të yjeve. Sean Penn është vlerësuar për të dytën herë në karrierën e tij si aktori më i mirë, ndërsa mes aktoreve ka arritur të dominojë Kate Winslet me filmin "The reader" i regjisorit Stephen Daldry. Penn, protagonisti kryesor në filmin e Gus Van Sant, e ka interpretuar shkëlqyeshëm rolin e liderit të lëvizjes homoseksuale amerikane. Harvey Milk, politikani i parë amerikan i deklaruar homoseksual, u vra në vitin 1978. Gjithashtu filmi "Milk" ka fituar statujën e artë për skenarin më të mirë origjinal. Winslet, fituese e dy çmimeve "Golden Globe", ka fituar "Oskarin" e saj të parë për interpretimin e ish-gardianes naziste Hannah Schmitz, personazh të cilën aktorja e personifikon nga 30 deri në 60 vjeçe. "Kisha një vit që e ëndërroja këtë moment. Në vend të statujës mbaja në duar një shishe shampoje dhe në të njëjtën kohë përgatisja fjalimin tim të falënderimit", është shprehur e emocionuar aktorja angleze.

Çmimet e tjera

Mallëngjyes ka qenë momenti i dhënies së çmimit si aktori më i mirë jo protagonist të ndjerit Heath Ledger. Çmimin për interpretimin e Joker në filmin "The Dark Knight" e kanë marrë familjarët e aktorit australian, i cili humbi jetën një vit më parë.

Shumë e emocionuar ka qenë edhe Penelope Cruz për çmimin si aktorja më e mirë jo protagoniste në filmin e Woody Allen "Vicky Cristina Barcelona". Edhe pse është shumë e kërkuar në Hollivud, aktorja spanjolle nuk kishte marrë kurrë më parë një çmim zyrtar. Shumë i zhgënjyer këtë vit ka mbetur regjisori David Fincher me filmin e tij "The curious case of Benjamin Button", interpretuar nga aktori Brad Pitt. Filmi që kishte ardhur në mbrëmjen e "Oskarëve" me 13 kandidatura, mori vetëm tri çmime të vogla: për skenografinë, trukimin dhe efektet speciale. Mes çmimeve "teknike", "The Dark Knight" fitoi çmimin për montazhin më të mirë zanor, ndërsa "The Duchess" për kostumet më të mira. Çmimin për filmin më të mirë vizatimor e mori "Wall-E", ndërsa "Oskari" për filmin e huaj më të mirë i shkoi filmit japonez "Departures". Çmimi humanitar "Jean Hersholt" (Jean Hersholt Humanitarian Award), një kategori e veçantë e "Oskarit" iu dha një personazhi që është dalluar në botën sociale, Jerry Lewis: "Gjatë gjithë jetës sime kam menduar të bëj diçka të mirë, por e gjithë kjo nuk është bërë për të marrë një çmim. Gjithsesi, ky çmim më prek në zemër dhe falënderoj të gjithë Akademinë", është shprehur aktori.


Të gjitha çmimet "Oskar"

Çmimet për aktorët protagonistë iu dhanë Sean Penn dhe Kate Winslet


Lista e të gjitha çmimeve të edicionit të 81 "Academy Awards":


Filmi më i mirë: "The Millionaire"

Regjisori më i mirë: Danny Boyle ("The Millionaire")

Aktori më i mirë: Sean Penn ("Milk")

Aktorja më e mirë: Kate Winslet ("The Reader")

Aktori më i mirë jo protagonist: Heath Ledger ("The Dark Knight")

Aktorja më e mirë jo protagoniste: Penelope Cruz ("Vicky Cristina Barcelona")

Filmi më i mirë i huaj: "Departures" (Japoni)

Skenari më i mirë: Dustin Lance Black ("Milk")

Skenari më i mirë jo origjinal: Simon Beaufoy ("The Millionaire")

Fotografia më e mirë: Anthony Dod Mantle ("The Millionaire")

Montazhi më i mirë: Chris Dickens ("The Millionaie")

Skenografia më e mirë: D. G. Burt dhe Victor J. Zolfo ("The curious case of Benjamin Button")

Kostumet më të mira: Michael O‘Connor ("The Duchess")

Truku më i mirë: Greg Cannom ("The curious case of Benjamin Button")

Kolona zanore më e mirë: A.R. Rahman ("The Millionaire")

Kënga origjinale më e mirë: "Jai Hò" ("The Millionaire")

Montazhi më i mirë zanor: Richard King ("The Dark Knight")

Muzika më e mirë: Ian Tapp, Richard Pryke dhe Resul Pookutty ("The Millionaire")

Efektet më të mira speciale: Eric Barba, Steve Preeg, Burt Dalton dhe Craig Barron ("The curious case of Benjamin Button")

Filmi më i mirë vizatimor: "Wall-È"

Dokumentari më i mirë: "Man on wire"

Dokumentari më i mirë me metrazh të shkurtër: "Smile Pinki"

Filmi më i mirë vizatimor me metrazh të shkurtër: "La maison en petits cubes"

Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër: "Spielzeugland (Toyland)".

Çmimi "Jean Hersholt": Jerry Lewis



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora