E premte, 26.04.2024, 09:03 AM (GMT+1)

Faleminderit

Rita Saliu: ''Prizreni është loti i njomë në syrin tim''

E shtune, 07.03.2009, 05:43 PM


Elmira Muja
Elmira Muja
Në vend të një portreti për nënën, poeten dhe aktivisten e komunitetit shqiptar në SHBA.

Shkruar nga Elmira Muja

E kam takuar Rita Saliun disa vjet më parë në Washington, në një takim pune të organizuar nga NAAC në senat dhe Kongresin Amerikan.
 Më pas takimet tona u bënë më të shpeshta në aktivitete të ndryshme të karakterit kombëtar. Prezenca e saj dhe e bashkëshortit më zgjuan kureshtjen për të ditur më shumë rreth kësaj gruaje, të kësaj gruaje që vazhdimisht sakrifikon dhe është gjithmonë e rilindur.
E pyeta për Prizrenin, qytetin ku dhe unë ndaj shumë kujtime.
Prizreni është loti i njomë në syrin tim.- Kështu mu përgjigj Rita. Imagjinata më solli në lotin e saj kalanë, rrugicat e kalldrëmta që ruajnë historinë shekullore të atij qyteti, mëngjeset e bardha dhe muzgun e purpurt.
 E lindur në Prizren në qytetin e Lidhjes Shqiptare, ku copëza të rrëfimeve të shkëputura ruhen ende në memorjen e kombit në sajë të një dëshmie të treguar dhe të ruajtur në rrënjët e një lisi të moçëm i quajtur Marash.
Copëza rrëfimesh të mbushura me jetë njerëzish, që kanë bërë histori, janë futur thellë në ndërgjegjen e kujtesës së saj. Prania e saj që fëmijë në odën e gjyshit Hysen Kryeziu, nuk do të mundëte ta ndryshojë kahun dhe përmbajten e këtyre rrëfimeve, duke lënë tek ajo kujtimet të veçanta, të lidhura e të ndërlidhura, me personazhe heroike, vende dhe luftrat e të parëve për liri dhe pavarësi, për një Shqipëri të bashkuar.
E rritur në një familje intelektuale dhe fisnike, ku nga gjyshi dhe babai mësoi për vendet fatkqija të Arbërit në kufirin e ndarjes së botës Shqiptare. Përpjekjet shekullore për bashkim mbarëkombëtar ndërthurur me figura të mëdha të historisë sonë kombëtare forcuan më tej ndjenjën kombëtare.
Shkollën fillore dhe gjimnazin i përfundon në Prizren. Gjatë viteve të gjimnazit fillon të shkruajë poezi. Poezia e parë është shkruar në vitin e parë të gjimnazit, dhe e titulluar “Mërgimi”, plagë që kurrë nuk e kishte dëshiruar. Janë kujtimet që sjellin të gjalla momente mbresëlënëse.
“Ishin vitet e para në gjimnaz ku, në një orë letrare në shkollën e lartë pedagogjike u mbajt një konkurs poezie me studentët e shkollës së lartë, më thotë gjatë bisedës Rita. Gjithnjë jam emocionuar me temat e trajtuara në orët e mësimit që kishin të bënin me emrat apo të thënat nga simbolet e mërgimtarëve tanë me emër si duke filluar me poetët tanë të Rilindjes, Ndre Mjedën, Asdrenin….e deri tek Noli, Konica etj. Më lindi nga brendësia e shpirtit ndjenja e poezisë për mërgimin. Për koinçidencë të jetës sime shumë vite më pas emigrova në Boston.
Studimet e larta i fillon në Universitetin e Prishtinës në fakultetin filozofik në degën e letërsis Shqipe dhe asaj Ruse. Janë vitet, ku ndërgjegja kombëtare zgjoi mijra studentë shqiptarë në protesta të fuqishme, kohë e thirrur pranvera studentore.
Një jetë studentore e ngarkuar me vrullin e ndjenjës kombëtare e humane. Pjesëmarrëse në të gjitha aktivitetet studentore, më pas njohja me studentin e fakultetit të makinerisë, Adem Saliu. Të dy ishin studente, ai vinte nga Dibra e madhe dhe i takonte një familje, dhë që fëmijë kishte mësuar se virtyti është gurra ku nderi buron.
Kjo lidhje, tashmë ishte shpresa për dritën, ishte dashuria që përcjellin përpjekjet dhe zemrën për bashkim. Te Ademi, ajo ushqehej me idealet e larta të atdhe-dashurisë, duke ndërtuar vizionin për një të ardhme më të ndritur të kombit shqiptar. Dashuria e përbashkët për ndjenjën kombëtare e bëri edhe më të vulosur bashkimin e tyre. Zemrat janë të forta kur ato rrahin në përgjigje të idealeve madhore. Të dy ishin të bindur se të vdesësh për një ideal është absolutisht fisnikëri. Të dy shpresonin për ditë më të bukura. Për ta shpresa ishtë e rëndësishme sepse, ajo e bëri momentin më pak të vështirë për ta duruar. Ata, gjithnjë besuan se e nesërmja do të jetë më e mirë
                        Pas diplomimit në universitet, sfida të tjera në jetën e mësuesit, dëshira e flaktë për të punuar në fshatrat e largëta, për të qenë më afër në jetët e njerëzve, për ta prekur palcën e popullit të saj, janë një tjetër dëshmi se atë çfarë ajo ka fituar nga arritja e qëllimeve, nuk është aq e rëndësishme se çfarë është bërë duke arritur qëllimet e saj.                                                                                                              Dashuria e saj me Ademin kurorëzohet me martesë më 1980 në Iliridë, në qytetin e Strugës, aty ku buron Drini i Zi. Gëzimi i parë në jetën e ciftit të ri ishte, lindja e djalit të parë, Drilonit.                                                                                                                                          Por fati nuk e deshi që lumturia të vazhdonte pikërisht në qytetin ku filloi.  Vendossja në Prishtinë dhe kalimi i Ademit në minierë, do të rrisin më shumë përgjegjësinë prindërore. Janë vërtetë vitet më të trishtueshme për të gjithë shqiptarët, ku bashkëshorti i saj Ademi, ballafaqohet me të papritura me jetët e minatorëve të Trepçës, ndërsa për Ritën, një profesioni i ri fillon, nënpunëse në mbrojtjen e të drejtave të autorëve. Lindja e djalit të dytë Leartit, shoqërohet me gëzim dhe trishtim. Ekzistonte frika për lindje, helmime dhe më pas mundime të pafund.
Edhe lindja e Gramosit, djalit të tretë, do të shtojë vuajtjet e familjes.Spitalet e uzurpuara do të bëjnë të mundur që me ndihmën e miqve gjakovarë, të marrin rrugën drejt Gjakovës duke kaluar në disa peripeci të rënda.
Tre djemtë Driloni, Learti dhe Gramosi janë zinxhirët e artë që do të fuqizojnë dashurinë dhe harmoninë familjare.
Emrat e tyre janë një dëshmi e qartë e mallit për Shqipërinë që ishte aq pranë, por dhe aq larg. Një ëndërr e pakapëshme, një dashuri e pafund.                                    
Pas disa viteve të dhuruara Kosovës së dashur prapë shpërngulje. Tani  në SHBA, gjithnjë me kokën mbrapa ngarkuar,me mall, lot, dhe ofshama.

                                           ***************

Malli e pikëllimi bëhen simbolikë tjetër e gjithë atyre dhimbjeve që rënduan shpirtërisht dhe fizikisht mbi jetën e Rita Saliut.
Tani pjesa e saj në mërgim është totalisht e lidhur me çështjen kombëtare dhe atë humane, inspirim i cili buron nga e shenjta Nënë Tereza. E mbushur me sensin e krenarisë për mëmëdheun, ashtu sikurse nëna ka lindur fëmijën, toka amtare ka lindur bijë dhe bija që do të kujdesen për të.
Rita Saliu është e kudogjendur. Ajo nuk do të mungojë në asnjë aktivitet, ku në qendër të tyre janë Atdheu dhe refren kanë çështjen kombëtare. Ajo nuk pushon, duke përdorur të gjitha mënyrat në sensibilizimin e opinionit amerikan për çështjen e Kosovës. Shtëpia e saj në Ëooncscket, Rhode Island ka qenë vatra e mikpritjes për shumë e shumë personalitete e delegacione të jetës politike në Kosovë. Jeta e saj është ndarë më dysh. Ajo qëndron ndërmjet Kosovës dhe Amerikës, e bindur që dicka, të paktën nga shpirti i saj do ti japë Atdheut në lëngim.  Ajo është dëshmitare e masakrës së Drenicës më 1998. Drenica është një histori më vete me shumë e shumë rrëfime dramatikë të njerëzve të saj. Dëshmitë e saja të marra nga Drenica kanë tronditur opinionin amerikan. Akti i saj i guximshëm, bëri të mundur që ti shpëtojë ndonjë eliminimi të mundshëm dhe ti rezistojë torturave të panumërta në tunelet e aeroportit të Beogradit. Guximi i saj tregoi atë që kurajo është shkalla në të cilën (ngrihen) ngjiten të gjitha virtytet njerëzore.

Historia jonë shpësh e përseritur, më shumë se kurrë ka nevojë të ushqehet me kujtesën dëshmitarëve të saj, ku një nga ato është edhe Rita Saliu. Pra një jetë mërgimi për sensibilizimin e luftës, situatës së vështirë politike dhe ekonomike të popullit të Kosovës, deri tek udhëtimet e saj me gazetarë amerikanë në tmerrin e luftës.                                                                                                                             Janë me dhjetra intervista të dhëna në Radio dhe TV në Rhode Island si dhe në të përditëshmen Rhode Island Journal. Ngjarjet e Kosovës më 1999 do të jënë për Rita Saliun dhe familjen e saj një tronditje tjetër, duke shtuar më shumë përgjegjësitë se diçka duhet bërë.
Familja Saliu do të bëhet strehë e mbi 50 refugjatëve të ardhur nga Kosova. Ata do të ndajnë së bashku lotë dhimbjeje dhe dashurie, mbresa e kujtime, të cilat ruhen ende të gjalla në memorjen e tyre. Më pas, në ditën e parë, bashkë me trupat e NATOS Rita e shoqëruar me nje grup gazetarësh të Providence Jurnal. futen në Kosovë,
Nënat e Drenicës dhe të Deçanit e presin bijën, motrën e tyre, ku ajo do të jetë pranë tyre dy herë në vit, duke ndarë me to jo vetëm kujtimet e së shkuarës, por çdo gëzim të tyrin. Rita Saliu mendon se bujaria nuk është si një detyrë, por si një privilegj që jo të gjithë e gëzojnë. Aksioma e saj është Asnjë person nuk është kurrë i nderuar për atë që ai mërr. Nderimi është shpërblimi për atë që ai e ka dhënë. Tek shpirtrat bujarë çdo detyrë është fisnikëri.
                                                        
                                                            ********

Çdo familje ka një histori që rrefen vetveten, që transmetohet në brezat e saj. Historia e saj rritet në vite, ndryshon, disa pjesë të saj formohen, të tjerat zhduken. Edhe pse me anë të ndryshme e së njejtës histori, ajo është historia mbi të cilën familja krijon identitetin e saj.                                                                    
Familja  Saliu është një familje e vërtetë, sepse lidhja që mban familjen e vërtetë nuk është ajo e gjakut, por e respektit dhe gëzimit në jetën e secilit.
 Ajo është bërë më e fortë nga ritet dhe zakonet që ata si prindër ndihmojnë që fëmijët e tyre ti krijojnë ato, nga kujtimet që ata tregojnë dhe nga mendimet që ndajnë me to, nga angazhimi i kohës, kujdesit dhe dashurisë që ata tregojnë te çdo njëri, dhe nga shpresa që ata kanë për të ardhmen.  Tre djemtë, Driloni, Learti dhe Gramosi janë dëshmia se prindërit mund të japin vetëm këshilla të mira, ose ti vendosin ato në rrugë të mbarë, por përfundimisht, formimi i karakterit të tyre është në duart e tyre.
Tre djem të edukuar, të tre në profesione të ndryshm, Driloni: Drejtor regjional për çështjet e Diabet Sanofi Aventis në Neë York, Learti: Asistant V.P. Bank of Amerika Commercial Credit Analist, Providence, Rhode Island dhe Gramosi, Student i vitit të parë në programin e Farmacisë, Boston MA, gëzojnë respektin e  kolegëve dhe të të gjithë shoqërisë ku ata bëjnë pjesë.

                                                              ******
Jeta në mërgim është një start i ri në krijimtarinë poetike të Rita Saliut.
Duke qenë vetë dëshmitare e shumë ngjarjeve trishtuese në Kosovë, vargjet e poezisë së Rita Saliut pikturojnë kohën e dhunëshme barbare, vuajtjet dhe shpresën. Gjuha mbi të cilën ndërtohen poezitë e saj është fjala e çiltër brënda së cilës ndërtohet metafora e shumëkuptimshmërisë së fjalës, brënda së cilës fshihet misteri i misionit të vargut. Brënda vargut të këtyre vargjeve ofshama e dhimbjes vjen e shumëngjyrshme, ashtu sic na ka  përcjellë ajo për shumë vite fatin tonë.
Janë një numër i madh në poezi dhe prozë të botuara në shtypin shqiptar, që nga  Pioneri e deri te të gjitha gazetat kombëtare të ditëve tona, Rilindja, Bota Sot, Iliria Post, Illyria Shqitaro-Amerikane. Në shumë raste e nderuar me shperblime e mirënjohje të shumëta,
Kombi është krispa e lirisë që po ndërtojnë ëndrrat e bardha të shpresës e që doemos brënda ka dhimbje. Është shpresa për dritën që kërkon flijime, flijime që përcjellin përpjekjet për bashkim mbarëkombëtar.
Poezitë, siç thotë dhe vetë Rita, janë një kandil i pa shuar, përmes gjakut të engjëjve të gjakosur të atdheut.  Nga gjaku ku u ngrit rrezja e dritës e cila si shkëndijë po përhapet drejt horizonteve për ta ndricuar qiellin e atdheut. Vargu poetik hyri si dritë drejt një fillimi të ri, të cilën gjatë e ëndëruam. Është simbolika e dashurisë e cila bart në vetvete mesazhin e shpresës së ringjallur, ngjall ngrohtësi, bardhësi, dhe fal dashuri.

Por cfarë mendon Rita Saliu për rolin e gruas në shoqërinë kosovare? Ajo shton: Sot femrën Kosovare e gjejmë të angazhuar në gjithë sferat e shoqërise si rezultat i ngritjes profesionale, aftësise intelektuale, punës dhe determinimin e sajë në ndryshimin cilësor të shoqërise. Pjesmarrja e femrës Kosovare në shoqëri si një përqindje apo një çels, regulle të imagjinuar, kalkulimi politik është fenomen i papranuar dhe joreal.
Për të gjithë veprimtarinë e saj në shërbim të çështjes kombëtare Rita Saliu ka marrë mirënjohje duke filluar që nga Qeveria e përkohëshme e Kosovës më 1996, nga presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova dhe më pas nga presidenti Fatmir Sejdiu. Edhe bashkia e qytetit të Woonscket në Rhode Island e ka nderuar me çertifikatë mirënjohjeje. Organizata e gruas shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” e ka nderuar me titullin “Nëna e vitit”, shumë e shumë mirënjohje të tjera nga komuna dhe  organizata të ndryshme në Kosovësi dhe mjaft të tjera nga diaspora shqiptare në botë. Duke u ndarë nga kjo grua fisnike mësova se, çfarë ne bëjmë për vetveten vdes bashkë me ne. Ajo çfarë bëjmë për të tjerët është e pavdekëshme.

Me dhurata per femijet e familjes Gashi ne Drenice
Me dhurata per femijet e familjes Gashi ne Drenice

Gramosi ne diplomim
Gramosi ne diplomim

Me Motrat Qiriazi ne nje mbremje
Me Motrat Qiriazi ne nje mbremje

Me ambasadorin Walker
Me ambasadorin Walker

Me presidentin e Kosoves, Fatmir Sejdiu
Me presidentin e Kosoves, Fatmir Sejdiu

Ne nje aktivitet ne Ny,  me konsullin e Shqiperise ne NY, Z.Albert Jerasi dhe bashkeshorten e tij
Ne nje aktivitet ne Ny, me konsullin e Shqiperise ne NY, Z.Albert Jerasi dhe bashkeshorten e tij

Prishtine, 17 shkurt 2008
Prishtine, 17 shkurt 2008

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora