E diele, 28.04.2024, 02:22 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tomor Osmani: Humanisti Marin Barleti

E diele, 08.02.2009, 06:05 PM


Marin Barleti
Humanisti Marin Barleti
 
Nga Prof. Dr. Tomor Osmani
 

Ndër humanistët e parë shqiptarë që i përket një periudhe tepër të largët 500-vjeçare, qe Marin Barleti. Mendohet se lindi në Shkodër në vitin 1460, kur ky qytet ishte nën zotërimin e venedikasve, të cilët e kishin pushtuar që më 1396 dhe vdiq rreth viteve 1512-1513, 495 vjet më parë. Për jetën e tij ka tepër pak të dhëna. Dimë vetëm se ka qenë prift katolik nga Shkodra. Diçka për jetën e Barletit nxjerrim vetëm nga vepra e tij. Ka pasur mendime nga Jorga, F.Pall dhe ndonjë tjetër, duke u mbështetur te emri Barleti se ai nuk është nga vendi ynë, duke mohuar origjinën e tij shqiptare dhe duke e konsideruar italian apo kroat. Ata nuk e kanë vlerësuar konsideratën e tij te vepra ”Rrethimi i Shkodrës” (1504) që thotë hapur se Shkodrën e ka si atdhe të vet. Gjithashtu, prof. E. Çabej e shpjegon origjinën e emrit Barleti, duke e lidhur me një emër familjeje shqiptare që ndodhet në Shqipërinë e Veriut.

Marin Barleti jetoi në periudhën e luftërave legjendare që bëri populli ynë kundër pushtuesit. Kjo luftë diktohej nga domosdoshmëria e mbrojtjes së lirisë së vendit dhe e gjithë zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të arritur deri në atë kohë. Edhe Barleti qe dëshmitar dhe pjesëtar i rezistencës kundër hordhive osmane në Shkodër.

Por me interes nga vepra e tij është edhe një dëshmi me shumë vlerë për historinë e shkrimit dhe të letërsisë shqiptare. Në veprën “Rrethimi i Shkodrës”, duke e përshkruar këtë qytet të djegur dhe të shkatërruar prej barbarëve, shkruan: “Në këtë mënyrë u zhdukën edhe ato pak shkrime që mbeteshin nga vjetërsia e saj”. Autori vazhdon edhe më tej: “Po na patën ra në dorë disa shkrime më tepër fragmente se sa t’i quash anale, në të cilat flitej më shumë për meremetimin që i bënë këtij qyteti stërgjyshërit tanë se sa për ndërtimin e tij. Ishte shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me të motrën e vet të quajtur Fa qenë themeluesit e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa”. Një problem mbetet për t’u sqaruar përfundimisht se cila është kjo gjuhë popullore që bën fjalë Barleti ynë. Mendimi i përgjithshëm pranon se gjuha popullore për të cilën bën fjalë Marin Barleti është shqipja. E nëse kjo mbetet e pranueshme, atëherë kjo do të ishte një dëshmi për ekzistencën e një letërsie shqipe më të vjetër se ajo e Buzukut.

Pasi ra Shkodra në dorë të turqve në rrethimin e saj të dytë, më 1478, Barleti bashkë me bashkatdhetarë të tjerë emigroi në Venedik dhe pastaj në Romë ku ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane, të cilat ndikuan në formimin e tij dhe e frymëzuan për të shkruar veprat e tij, mjaft voluminoze dhe shumë të rëndësishme jo vetëm për kohën, por edhe më vonë. Ai i vuri vetes, si dëshmitar okular, por edhe me të dhënat e kujtimet e shokëve dhe miqve të tij, si dhe të literaturës që shfrytëzoi, të përshkruajë trimëritë, bëmat e shqiptarëve në të kaluarën e lavdishme, por edhe të pasqyrojë gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar në kohën kur jetoi Barleti ynë.

Barleti shkroi tri vepra jo në shqip, por në latinisht. Kjo tregonte se Barleti ishte njeri me kulturë dhe me arsimin e nevojshëm për të shkruar vepra të tilla me karakter historik.

Vepra e parë e Marin Barletit është “Rrethimi i Shkodrës”, botuar në Venedik në 1504. Është vepra e parë e historiografisë shqiptare. Kjo vepër është e ndarë në tre libra apo krerë. Si meshtar shkodran të cilën e shënon vetë ai, veprën ia kushton dukës së Venedikut princit Leonard Loredanit. Në parathënie Barleti sqaron pse e nisi të shkruajë një vepër të tillë. Ai këtu do të përshkruajë rrethimin e Shkodrës nga Sulltan Murati, i cili i dërmoi luftëtarët shkodranë, duke kryer një rrethim të tmerrshëm. Po këtu do të tregojë edhe origjinën e turqve, emrat e sulltanëve deri në pushtimin e Kostandinopojës, në 1453.

Në dy librat e tjerë Barleti përshkruan përpjekjet e Sulltan Mehmetit për të pushtuar Shkodrën, në rrethimin e parë, në 1474 dhe në rrethimin e dytë, në 1478. E mbyll veprën duke theksuar se shkodranët me një mendje morën vendim të braktisin atdheun se sa të duronin zgjedhën e rrezikshmërinë e tmerrshme të barbarit.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj vepre është përshkrimi i atyre ngjarjeve që autori i ka jetuar dhe që ka marrë pjesë.

Vepra është përkthyer në gjuhën shqipe prej origjinalit latinisht në shqip nga prof. Henrik Lacaj, pajisur me një parathënie studimore nga prof. Aleks Buda.

Vepra e dytë dhe më e rëndësishmja që ka shkruar historiani Marin Barletit është “Historia e Skënderbeut”(Titulli i plotë: Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princit të epirotëve), që e bëri të njohur autorin gjithandej në Evropë. Vepra është shkruar në latinisht dhe botuar në Romë rreth viteve 1508-1510. “Historia e Skënderbeut” e Barletit pati një jehonë të madhe në Evropë. Këtë e dëshmojnë përkthimet e saj në disa gjuhë të kontinentit tonë, si në: gjermanisht, italisht, portugalisht, polonisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht, por edhe në shqip nga prof. Stefan Prifti, të shoqëruar me një hyrje të gjatë me karakter edhe kjo studimor. Prof. Stefan Prifti, përkthyesi i botimit të parë të kësaj vepre (1964), në botimin e dytë (1967) autori i bëri disa ndreqje botimit të parë, duke e ripunuar, si dhe duke e pajisur tekstin me shënime, veçanërisht me ngjarjet historike, me personat, me toponimet etj., si dhe duke bërë disa shtesa e plotësime, lidhur me origjinën, influencën dhe idetë e Marin Barletit.

Barleti si historian nuk është përqendruar vetëm në fakte historike, duke i paraqitur ngjarjet kronologjikisht, por për t’i dhënë ato me një stil tërheqës që të rrëmben për pasionin dhe kulturën e veçantë. “Me latinishten e tij elegante, shkruan Fan Noli në veprën e tij “Historia e Skënderbeut”, dhe stilin e tij të kujdesur fitoi këndonjës an’e mb’anë botës dhe e bëri të pa vdekur kujtimin e Skënderbeut në Evropë”. Autori kërkon të jetë sa më i vërtetë që “ta mbështesë veprën me të dhëna të padyshimta”. Kështu, si në botimin e veprës “Rrethimi i Shkodrës” edhe këtu, përveç burimeve historike ka shfrytëzuar edhe të dhënat e bashkëqytetarëve dhe bashkatdhetarëve të tij, por gjithnjë duke i kontrolluar, mbasi jo gjithnjë i beson, si dhe në kujtimet e tij. Pra, Barleti, me këto fakte që paraqet, kërkon që të jetë i besueshëm dhe objektiv tek lexuesi. Një burim që e ka ndihmuar Barletin për të shkruar “Historinë e Skënderbeut” ka qenë edhe Pjetër Engjëlli, i vëllai i Pal Engjëllit, kryepeshkop i Durrësit dhe hartuesi i “Formulës së Pagëzimit” (1462) në gjuhën shqipe. Ishte patriotizmi i Barletit për të hedhur në letër atë të kaluar të lavdishme të popullit shqiptar kundër hordhive osmane, për të përjetësuar heroin legjendar, udhëheqësin trim të shqiptarëve, Skënderbeun, që për autorin ishte si një perëndi i lirisë dhe këtij luftëtari, siç është theksuar, Barleti është përpjekur t’i ngrejë një “monument letrar”. Barleti kishte një shqetësim se ngjarjet mund të harrohen dhe figura e Skënderbeut mund të zbehej nga koha, pse, siç shkruan ai, “Epiri vdiq, bashkë me kryetrimin”.

Vepra ka 13 libra apo 13 krerë. Kësaj radhe veprën ia kushton të nipit të Skënderbeut që kishte emigruar në Napoli, princit shumë të ndritur të epirotëve, kastriotasit Don Ferante.

Vepra hapet me dërgimin e Skënderbeut si peng, bashkë me vëllezërit e tij në oborrin e Sulltanit në Stamboll. Për këtë u pikëllua jo vetëm shtëpia e Kastriotëve, por edhe i gjithë populli. Dhe Marin Barleti me gojën e një shqiptari shkruan: “Dhe dikush nga populli, duke i uruar djalit (Skënderbeut) jetë të gjatë dhe moshë burrërore, tha se Murati me Gjergjin kish për të rritur armikun dhe zjarrin e shtëpisë së vet”. E mbyll veprën me varrimin e Skënderbeut në kishën e madhe të Shën Kollit të Lezhës me një madhështi të paparë.

Vepra përveç vlerave historike, për ato fakte që edhe sot mund të shfrytëzohen, ka interes të veçantë edhe për onomastikën, ndonëse materiali nuk është i pasur. Autori shumë nga toponimet i ka kthyer në latinisht, megjithatë, qoftë ato pak toponime që i ka lënë pa i përkthyer, qoftë emrat e shqiptarëve, i ka shkruar, duke përshtatur alfabetin latin, por jo pa luhatje.

Prof. Mahir Domi e çmonte shumë këtë vepër të humanistit Marin Barleti, e cila, sipas tij, mund të quhet “si një epope në prozë për entuziazmin, frymën epike që e përshkon, madhështinë me të cilën paraqitet aty figura e Skënderbeut, përpjesëtimet që u jepen ngjarjeve ai kërkon me anë të mjeteve të ndryshme letrare, të vërë në dukje heroizmin e bashkatdhetarëve, të ngrejë lart heroin e tij, që të shërbejnë ata si shembull për të tjerët”.

Barleti ishte njeri optimist, vlerësonte njeriun si humanist që ishte dhe lirinë e tij, të cilat i vlerësonte dhe i çmonte dhe janë pasqyruar qartë në gjithë veprën e humanistit tonë. Pavarësisht nga ndonjë e metë dhe pasaktësi, përsëri ajo është një burim shumë i rëndësishëm dhe me shumë vlerë për historinë e Skënderbeut, për kulturën tonë, por edhe atë evropiane.

Vepra e tretë titullohet “Shkurtim i jetës së papëve… dhe i perandorëve romakë, Romë, 1553”. Ajo nuk lidhje me historinë e Shqipërisë, përveç një kushtese drejtuar Pal Engjëllit.

Marin Barleti në historinë e kulturës shqiptare mbetet një shkrimtar dhe historian i shquar, përfaqësues i humanizmit të shekujve XV-XVI dhe një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë së vjetër shqiptare. Ishte njeri me talent, përfaqësonte mendimin përparimtar të kohës, atë që e bëri të njohur heroin tonë Skënderbeun në opinionin evropian dhe më tej. Vepra e tij edhe mbas kaq shekujsh ruan vlerat në atë përmasa që jepte dija e kohës, Prandaj Marin Barleti mund të përfshihet me dinjitet në panteonin emrave të mëdhenj të traditës që ka nxjerrë vendi ynë dhe kultura jonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora