E diele, 25.07.2021, 02:44 PM (GMT+1)

Faleminderit

Harilla Goga: Doktori që dha jetën mes mokrarëve

E enjte, 05.02.2009, 07:19 PM


Doktori që dha jetën mes mokrarëve

Nga Harilla Goga
 
Ishte vitet ’50, kur spitali i qytetit të Korçës priste të sëmurë nga gjithë krahinat përreth, pra edhe nga Mokra e largët. Mbremje vonë, një makinë e rastit sjell aty një të sëmurë të fashuar krejt. Nuk dihej nëse ishte djalë, burrë, grua, apo njeri i moshuar. Dihej vetëm se njeriu i fashuar ishte në gjëndje të rënde dhe luftonte me vdekjen dhe vinte nga fshati Podgozhan i Mokrës. Doktori i spitalit dhe mjeku i diplomuar jashtë shtetit, i mirënjohuri Spiro Polena, i cili do të trajtonte të sëmurin, urdhëroi futjen shpejt të tij në sallën e operacioni dhe vijoi punën me të…
Pas dy orë ndërhyrjesh të suksesshme, Doktor Polena dha urdhërin e dytë që ta çonin të sëmurin në një dhomë më vete. Stafi i tij ndihmës nuk po kuptonte përse doktori nuk po shprehte, si përherë, kënaqësinë e tij për punë e bërë, faktin që i sëmuri kapërceu vdekjen pikërisht nga aftësia dhe duart e tij të arta…..Përkundrazi, Doktor Polena kishte marrë një pamje serioze, sikur donte të thoshte kritika apo bënte vrejtje për stafin. Pas pak, ai ftoi stafin në dhomën e tij të mjekut. Ndezi një cigare dhe me pamje akoma dhe më të çuditur, pyeti: KUSH e ka mjekuar dhe fashuar kaq mrekullisht të sëmurin para se të vinte në spital? Askush nuk iu përgjegj pasi asnjeri nuk e dinte …dhe kjo nuk duhej të kishte më rëndësi…
Djali mokrar niset në Tiranë/Familja Buzo kishte një pasuri jo të vogël në Strugë të Maqedonisë. Atje bënte hije dhe një shtepi e madhe dykatëshe përfshi edhe një bibliotekë me tituj librash në gjuhë të ndryshme. Më i vogli i shtëpisë quhej Spiro, me sy bojqielli dhe biond. Prandaj dhe shpesh familjaret dhe shokët e tij i thoshin se “kishte zbritur nga nordikët”. Por, lumturia familjare nuk do të zgjaste shumë. Në periudhën që koincidon me pavarësimin dhe forminin e shtetit të ri shqiptar, një zjarr i madh ra në atë shtepi dhe dogji gjithçka veç mureve…
Babai i Spiros u kthye në Mokër, aty ku kishin jetuar njerëzit e tij brez pas brezi, pikërisht në fshatin Trebinjë. Por, edhe aty varfëria i ndoqi nga pas…
Djaloshi Spiro, tashme rreth 16 vjeç, mori rrugër e kurbetit ashtu siç patën bërë prindërit dhe gjyshërit e tij, para dhe pas periudhës otomane. Por, këtë herë, “emigranti” Spiro, emigronte brenda vendit, në Tiranë, kryeqyteti i Mbretërisë së Shqipërisë. Ai kishte dëgjuar për “çuditë” në Tiranë si psh rrugë të gjera si në Paris, godina dhe pallate si në Romë, klube dite dhe nate, etj. “Do të shkoj për kismet” - i kishte thënë babait të tij, tashmë i varfëruar krejt.
I pafuqi, babai nuk mund ta ndalonte, megjithëse Spiroja ishte i vogël në moshë dhe dukej tepër i imët fizikisht. 
Shegert ishte profesioni i tij i parë në Tiranë, në shërbim të familjes të një mjeku francez që punonte në spitalin e madh të Tiranës. Me kalimin e kohës, mjeku francez e mori djalin e vogël edhe në spital të bëntë ndonjë punë për të fituar diçka më shumë.
Por, nuk ndodhi ashtu siç francezi kishte parashikuar. Shegerti Spiro, shpejt do të shndërrohej në ndihmës infermier. Ai po “vidhte” hap pas hapi zanatin e doktorit francez…tashme djali kishte mësuar edhe frengjisht.
Puna vazhdoi në spital dhe Spiroja do të quhej infermier i parë. Në këtë pozicion, ai u njoh edhe me mjekë të tjerë që admironin pasionin e tij dhe dëshirën e flaktë për tu bërë mjek “pa lexuar”. Puna e solli që Spiroja të ishte në kontakt edhe me një mjek tjetër, këtë radhë amerikan, prej të cilit mësoi shpejt të fliste anglisht.
Kështu përreth 4 vjet, djali “emigrant” ishte shndërruar ndër infermierët më të mirë të spitalit, fliste frengjisht dhe anglisht. Por, diçka e mungonte. Çdo mbremje gjumi e zinte duke endërruar kthimin në Mokër. Diçka e magjishme e tërhiqte shumë…nuk e kuptonte dhe shpjegime nuk mund të bënte, por zemra i rrihte fort sa herë kujtonte jo vetëm familjen por gjithe mokrarët që i njihte ose jo. As vajzat tironse, nuk e tërhiqnin më.
Vendimi u mor shpejt dhe, Spiroja, tashmë doktor i padiplomuar, kthehet në vendlindje.
Ky ishte doktori që kishte fashuar njeriun e sëmurë në spitalin e Korçës dhe që habiti kaq shumë Doktorin e Madh Spiro Polena  20 vjet më vonë.
Mes njerëzve dhe të sëmurëve sa sa në familje…/Mokra mbarë, që nga çlirimi i vendit dhe deri në fillim të viteve ’60 kishte vetëm një infermier, kishte vetëm një mjek, kishte vetëm një doktor – Doktor Spiro Buzo, i cili, me çantën e tij të veçantë mbushur me medikamentet e nevojshme, shkonte shtëpi më shtëpi, ngjitej malit dhe zbriste qytetit për të kryer punën e ngarkuar me një ndërgjegje, e përkushtueshmëri të paparë.
Ishte fillimi i vitit 1945. “Spiro, merri medikamentet në Pogradec dhe, me të ardhurat që do të marrësh nga kurimi i të sëmurëve, do të sigurosh jetën tënde dhe të familjes” – i kishte thënë ditën e parë të fillimit të punës përgjegjësi i Shëndetësisë në Pogradec..
Pra, Doktor Spiroja kishte dy mundësi për të marrë të ardhura: e para duke shitur medikamentet dhe, e dyta, duke marrë bakshish prej tyre. Asnjera prej tyre nuk funksionoi. Asnjëherë ai burrë nuk mori para për medikamentet!! Asnjëherë, ai burrë-doktor - që kishte dëgjuar për Betimin e Hipokratit, por anjëherë lexuar dhe bërë atë si mjekët e tjerë të diplomuar – nuk kërkoi (por refuzoi gjithmonë) ato çfarë ata njerëz të thjeshtë, punëtorë dhe patriotë mokrarë u munduan më kot ti jepnin, apo fusnin në xhep. Gruaja tij fisnike kurrë nuk u ankua njëherë përse burri i saj nuk kalonte veçse ndonjë natë në javë në shtepi, pranë saj dhe fëmiljve. Ajo dinte vetëm një gjë: burri i saj ishte diku, atje ku të sëmurët e thërrisnin, ishte në një shtëpi mokrare, ishte atje ku duhej dhe atje ku Doktori ndjehej mirë: mes njërëzve duke u shërbyer për më shumë se 25 vjet.
Kthehej dhe nuk kthehej në familje. Kur qëllonte të ishte mes fëmiljve, ai i merrte me radhë dhe i përkëdhelte duke u kënduar edhe zanatin e tij. “Të bëheni të zotë të vetes…të dini dhe të kujdeseni për njerëzit si nena ndaj fëmiles së vetë..”, - ishte refreni që përsëriste më shpesh.
Por, gjerat nuk mund të ishin “vaj” në familje. Nëna e fëmijve, megjithëse kishte pranuar vendimin e burrit të saj, kërkonte të ushqente fëmijtë dhe të rriste pak mirëqënien. Ajo, sapo niste një bisedë të tillë doktori i thoshte: si tu marr atyre që nuk kanë? Nuk të mjafton që ata shërohen dhe unë, të gjithë ne, marrim bekimin e Zotit? Nuk mjafton që ata më mbajnë atje, fle dhe ushqehem bashkë me ta? Kjo është detyra ime. Ky është fati im dhe yni”. Deklaronte ai fjalën në formë betimi.
Eshtë e vështirë të gjesh një njeri të tillë kaq human, mik, shok me të gjithë, i palodhur e gojëmbël dhe, mbi të gjitha, të ndjehej i lumtur vetëm kur shërbente shërohej i sëmuri
Burri i madh, Doktor Spiro Buzi i Mokrës heroike punoi gjatë dhe jetoi gjatë, afër 100 vjet. Shumë u lodh, por shpirti i tij ishte përherë plot mbushur me dashuri për njerëzit, dinjitet krenari për mokrarët. Në këtë mënyrë ai diti ta ushqente shpirtin shpesh më mirë se stomakun duke e vënë vetën në pavdekësi, pasi jeton në mendjen dhe zemrën e njerëzve që u shërbeu dhe i deshi dhe e deshën kaq shumë, në zemrën e Mokrës mbarë.  
Në mbyllje: Tani që shkruaj keto radhë për këtë burrë dhe mjek të madh, krahasoj atë dhe veprën e tij me mjekët e shumtë të Shqipërisë moderne….dhe…më vjen keq..duket sikur shumë nga “këta” janë tjetër brum...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora