E shtune, 27.04.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Faleminderit

Qerim Vrioni: Gjon Mili - Fotografi i shquar shqiptaro - amerikan

E hene, 16.02.2009, 09:19 PM


Gjon Mili dhe Faik Konica (1927)

GJON MILI -  FOTOGRAFI  I  SHQUAR   SHQIPTARO – AMERIKAN  

Me rastin e 25-vjetorit te vdekjes

Nga Qerim Vrioni                                                   
  
      

Qerim Vrioni

 

25 vjet më pare, më 15 shkurt 1984, në Stamford (Konektikat, SHBA), ndahej nga jeta prej pneumonisë, në gjendje të rënduar psiqike, por me “mbjellje” madhore në fotografi, shqiptaro-amerikani i shquar, Gjon Mili, ai që fotografoi si askush tjetër “vizatimet me dritë”. 2-3 vite më parë, ai kishte pësuar një aksident automobilistik, që i dëmtoi mjaft shëndetin. Shuarjen e Milit, pasqyroi të nesërmen edhe gazeta e madhe “The New York Times” në një shkrim që zinte thuajse një faqe.
      Gjon (i pagëzuar Jani) Mili u lind në Korçë (ndoshta në fshatin Progër) më 28 nëntor 1904, nga dy prindët korçarë. Familja “Çekani” e të ëmës ishte mjaft e njohur në krahinë. Një paraardhës i saj, Konstandin Çekani përmendet si iluminist në Akademinë e Voskopojës. Kur mbushi pesë vjeç, familja e Gjonit shkon në Rumani (Bukuresht), ku e priste i ati, Vasil Mili. Fillimi i jetës rumune për Janin e vogël ishte i vështirë, sapo kish mësuar mirë shqipen, tani i duhej të mësonte dhe rumanishten. Gjithsesi, nis shkollimin të cilin e përfundon në Gjimnazin e njohur “George Lazaru” të kryeqytetit me nota shumë të mira (1923). Pak  muaj më vonë, udhëton drejt SHBA, me ftesë të  ungjit, Koço, për të vazhduar atje studimet e larta. Me të mbritur në Boston, regjistrohet në Institutin Teknologjik të Masashusetsit, ndër më të njohurit në botë, për inxhinier elektrik ndriçimi e, mbas katër vjetësh studimi, ai diplomohet. Menjëherë fillon punën në korporatën e madhe elektrike “Uestinghauz”. Ndërkaq, Jani forcon lidhjet me shqiptarët e hershëm të Bostonit, duke u bërë veprimtar i gjallë i Shoqërisë “Vatra”, ku u zgjodh edhe në kryesinë e degës së qytetit. Madje për disa kohë punon edhe si redaktor në organin e saj, gazetën “Dielli”.
       Kësaj kohe i përket edhe njohja e Janit me eruditin e shquar, Faik Konicën, i cili e nxiti inxhinierin e ri shqiptar t’i drejtohej edhe arteve, kryesisht kinematografisë që ishte tanimë në zhvillim të vrullshëm. Në Boston, Jani, si zakonisht të huajtë, e kish amerikanizuar emrin në John (Xhon), por kjo zgjati deri më 1927, kur me sugjerimin e Konicës, vendosi t’a shkruaj fare shqip, Gjon. Në këtë vit e hasim për herë të fundit emrin John në një foto të “vatranëve” me Konicën më 1927. Këshillën “prindërore” të letrarit të mprehtë, Gjoni e zbatoi duke iu kushtuar kinemasë që në atë kohë ishte pa zë. Ndërkohë ai kishte mësuar shumë mirë dy gjuhë, shqipen dhe anglishten. Madje ai shkruan në gjuhën amtare, dy novela të shkurtra me tema shqiptare, të botuara në “Dielli”(1928) e, më pas edhe në revistën “Studenti shqiptar” (1929) që nxirte Odise Paskali në Torino të Italisë. Ato, dallohen për gjuhë të pastër dhe të pasur shqipe.
     Ai kishte filluar të ndiqte me endje të veçantë kinemanë, duke i shikuar filmat disa herë madje edhe i përpunonte sipas fantazisë së tij, në të njëjën kohë, merrej si amator edhe me fotografi. Në krye të dhjetë viteve punë si inxhinier elektrik ndriçimi, më 1937, Mili takohet me prof.Harold Exherton (Edgerton, 1908-1988), shpikësin e flashit elektronik (drita stroboskopike) me të cilin fotografohej gjatë nëndarjeve shumë të holla të sekondës, çka e tërhoqi mjaft shqiptarin. Atij filloi t’i punoj me shpejtësi fantazia dhe menjëherë vendosi të linte punën në “Uestinghauz” dhe t’i përkushtohej përfundimisht vetëm fotografisë.
     Kështu, takimet me dy njerëz, Faik Konicën, i cili e drejtoi t’u kushtohej arteve dhe me Harold Exhertonin, që i dha dritën stroboskopike, përbëjnë dy momentet kyçe të jetës së Gjon Milit, pa të cilat, ndoshta nuk do kishte “lindur” ky fotografi i madh. Pas realizimit të disa fotove interesante me flashin elektronik, Mili nisi të punoj si fotograf për revistën e ilustruar amerikane “Life”, e cila botohej prej dy vitesh. Në të njëjtën kohë, ai falë edhe profesionit të inxhinierit, bashkëpunon ngusht me prof.Exherton. Madje, ky e vlerëson tepër Milin duke e quajtur “vizionar” dhe duke shtuar se “ai na udhëhoqi”, megjithatë, më pak seç meritonte. Fillon të fotografoj shumë e subjekte të ndryshëm, sport, muzikë, këngëtarë, kërcimtarë, piktorë, por gjithnjë në kërkim të risive në formë dhe përmbajtje, duke krijuar mjaft fotografi të veçanta. Kështu, më 1942, fotografon daljen e një predhe nga gryka e armës me shpejtësi një të miliontën e sekondës, shtypi e quajti “shpikja e shekullit”. Një vit më pas realizon foton shumë të njohur “Lindy Hop”,me kërcimtarët Leon James dhe Willa Mae Ricker, foto e cila “përfaqëson” shpesh herë Milin në botime të ndryshme. Po më 1943, Mili filloj të organizojë në studion e tij të “Rrugës 23” të Nju Jorkut, të famshmet “Jammes session”. Ato ishin takime artistësh dhe njerëzish të kulturës, si poetë, këngëtarë, kërcimtarë, instrumentistë etj. që shpalosnin aty krijimtarinë e tyre, gjatë tyre zhvilloheshin madje dhe diskutime estetizante. Në to mernin pjesë figura me emër të kohës si Duke Ellington, Billy Hollidej, Lester Jung, Gene Krupa etj. Niveli i lartë i bisedave mbi artin dhe kulturën në studion e Milit, bëri që fotografi i madh francez, Henri Cartier-Bresson, ta quante atë, “Athina e Nju Jorkut”.
   
Pikaso duke vizatuar me drite
Pikaso duke vizatuar me drite
Më 1944, Mili i kthehet  “dashurisë së vjetër platonike”, kinemasë. Ai me guxim e besim ne vehte, realizon një film të shkurtër dokumentar mbi muzikë jazz. Filmi i cili zgjat 10 minuta, quhet “Jammin’s the blues”, ai është vlerësuar përherë nga kritika saqë vazhdon të shfaqet edhe kohëve të fundit në festivalet kinematogrfaike ndërkombëtare të muzikës jazz. Në të ndihet dora e sigurt dhe fantasia pjellore fotografit, i cili edhe pse vetëm prej 7 vjetësh merrej me të, krijoi një film, ku shumica e sekuencave përbëjnë foto mjaft të arrira. Në suksesin e filmit të  Milit, ndikoi dashuria e tij  për muzikën jazz si dhe, njohja  e muzikës në përgjithësi, ai ekzekutonte si amator me instrumentin e oboes. Ky film tregon edhe se Mili ishte pa paragjykime racore, të gjithë aktorët ishin me ngjyrë. Dhe kjo në vitin e largët 1944.
      Fotografi të Milit, ndërkaq përdoreshin edhe si ballina të revistës “Life”, e cila në ato kohra arriti tirazhin më të madh, rreth 8 milion kopje. Emri i tij po bëhej kësisoj i njohur në mbarë botën. Kështu, ekspozitën e tij të hapur në Paris në vjeshtë 1946, e përuroi me fjalë të ngrohta filozofi i njohur francez, Zhan Pol Sartre. Në Paris, po atë vit, ndërmjet shumë fotove, realizon edhe atë të këngëtares simbol, Edit Piaf, duke kënduar, që përbën një nga fotot më të goditura të tij me procesin e grafikimit.  Duke mbetur tek portretet, shënojmë se Mili ka fotografuar mjaft figura të njohura të kohës nga shumë fusha si presidenti Truman dhe ministri Molotov, piktorët Pikaso, Brak, Matis, kompozitorin Stravinski, muzikantë si Duk Elington, Pablo Kazals, Frank Sinatra, Zhyljet Greko, Edit Piaf, shkrimtarë si Shon O’Kejsi etj, por në historinë botërore të fotografisë ai nuk përmendet si fotoportretist. Mendoj se ndoshta,  përjashtim këtu është vetëm fotoportreti i fundit i Shon O’Kejsit (1964).  Megjithatë, fotoja “Pikaso duke vizatuar me dritë” (1949), përbën një portret fotografik të një natyre tjetër. Ajo mund të quhet një fotoportret i kompozuar. E menduar mirë na duket përfshirja e saj në kapitullin  “Portraits-a World of people” (Portrete-bota e njerëzve) të botimit “LIFE-The Classic Collection, Neë York, 2008”, dalë në qarkullim në dhjetor të vitit të shkuar. Pjesë e tij është dhe fotoja tjetër e Milit, “Lindy Hop”, e cila bashkë me “Pikaso” futen në 100 fotot më të mira të revistës”Life” përgjatë 60 vjetëve të saj. Këto foto, sugjerohen nga  përpiluesit e tij, si të përshtatëshme për t’u vendosur në banesa apo zyra. Shtojmë këtu se fotoja “Pikaso duke vizatuar me dritë” (b/z) përfshihet në albumin “The Photo Book” (1999), me 500 fotografitë më të zgjedhura nga e gjithë bota.
    Shënojmë këtu, se në një sondazh nga revista amerikane “Popular Photography”(1959) për dhjetë fotografët bashkëkohor më të mirë në botë, ndër fituesit renditej dhe Mili, krahas Kartje-Breson, Alfred Aizenshted (Eisenstaedt), Jusuf Karsh, Riçard Avedon, Ansel Adams etj. Votuan gjithsej 243 kritikë arti, botues, mësues, fotografë, kuratorë etj.
     Fotografitë e shumta që i bëri Mili, piktorit Pikaso, por edhe punëve të tij në pikturë dhe skulpturë, jo vetëm ngjizën miqësinë e gjatë të tyre, por “e detyruan” fotografin t’i përmbledhi ato, më 1970, në albumin “Picasso’s –The Third Dimension” (Përmasa e tretë e Pikasos). Në të ai shpërfaq edhe disa parime interesante vetjake mbi estetikën e arteve pamore. 
     Risi në zbatimin e procesit të stroboskopisë, “copëzimit të lëvizjes”, Mili, shpërfaqi në mjaft foto me temë nga kërcimi, muzika e sporti. Veçohen këtu, fotoja “Nudo duke zbritur shkallët” (1942) dhe “Pas de Bourree” (1947). E para përbën një trajtim “par exelenc” i të njëjtit subjekt pikturuar nga modernisti francez, Marsel Dysham më 1912, por tashmë me gjuhën dhe mjetet e fotografisë. Kjo është nga fotot që e përfaqëson më shpesh Milin në botimet e ndryshme për fotografinë, ndërsa, e dyta, një pattern i gjetur sinusoidal, ishte njëra nga pesë fotot me të cilat  ai u paraqit në Ekspozitën e Madhe “Familja e njeriut”(1955). Ndërkohë, ai, si fotoreporter me kontratë i “Life” (asnjëherë s’ka qënë në stafin e revistës), viziton vende të tjera dhe fotografon njerëz, ngjarje, por edhe arkeologji, skulpturë, pikturë, histori etj.
    Në vitin 1966, Milit i ndodhi një fatkeqësi e pariparushme, diegia e studios së tij të famshme e “Rrugës 23”, ku u shkrumbuan me mijra foto, dhurata si dhe korespondenca e vyer me miqë, ndër to edhe ajo me Pikason. Kjo e hidhëroi pa masë, ndonëse një pjesë e filmave ishin të dubluar në arkivin e revistës. 
   
Nudo duke zbritur
Nudo duke zbritur
Vlen të përmendin se më 1971, Festivali i përdyvjetshëm i fotografisë në Arle të Francës, iu kushtua veprimtarisë  së Gjon Milit, vlerësim i ndjeshëm, por i merituar. Po atë vit, ai kërkoi vizë në ambasadën shqiptare në Paris për të vizituar vendin e “rrënjëve” të tij, gjë që iu refuzua prerë dhe ftohtë nga përfaqësuesit e diktaturës, kjo e pezmatoi thellë. Në të njëjtin vit, Mili viziton Rumanin me të cilën e lidhte fëmijëria e ku kishte dhe të afërm. 
    Duke mos u ndarë përfundimisht nga “Life”, Mili ndjek si fotoreporter, Gjyqin e famshëm të skandalit të Uotergejtit, më 1973, ku realizon mjaft fotografi të goditura, ku vërehet fare mirë gjendja psikologjike e pjesëmarrësve. Në vitin 1980, Shoqata e Grafistëve të Nju Jorkut, botoi albumin-monografi, “Gjon Mili-Photographs&Recollections”, shtypur në Boston. Tekstet dhe fotot janë shkruar e përzgjedhur nga vet Mili. Ky botim, deri tani, përbën përmbledhjen më të plotë të krijimtarisë së tij. Prej vitit 1998, MIT (Instituti Teknologjik i Masashusetsit) organizon Konkursin e fotografisë  “Mili&Edgerton” për studentët, si nderim të dy ish-studentëve të shquar të tij. Emri i Gjon Milit, falë fotografive të tij plot fantazi dhe risi, është bërë mjaft i njohur në botën e fotografisë. Ai përmendet në disa libra për fotografinë (rreth 30 syresh ka shfletuar shkruesi i këtyre rradhëve), por edhe në revista të specializuara të vendeve të ndryshme. Fondi më i madh i fotove të Milit ndodhet në MOMA ( Nju Jork), ku disa janë edhe të ekspozuara.
      Në vendlindje emri i Milit filloi të përfillet vetëm pas 1991, me ardhjen e demokracisë. Kështu, atij iu akordua titulli i lartë, “Artist i Popullit” (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha me dekretin Nr.373 datë 27.11.1992. Ky titull nderon jo vetëm atë, por edhe “binjakët” e tij në Shqipëri, si të barabartë me një emër që ka njohje në botë, çka bashkëkombasit e tij në atdhe, për motive të ndryshme, fatëkeqësisht, nuk e gëzojnë.
      Po rreshtojmë më poshtë pjesë nga disa vlerësime  për Gjon Milin, të shkëputura  nga botime dhe periodikë të shumtë.
   Dennis Stock (1928), fotograf, ish-nxënës i Milit për katër vjet, shkruan për të: ”Mësova gjerat thelbësore të të bërit të eses dhe disiplinës fotografike kur punova si ndihmës pranë fotografit të revistës “LIFE”, Gjon Mili. Ai kërkonte shumë, por ishte dhe bujar”. Susan Kismaric, studiuese e fotografisë në MOMA (Muzeu i Arteve Moderne, Nju Jork), e cila ka qënë ndihmëse e Milit në dy vite thotë: “Gjon Mili ishte tërheqës dhe gjithë mister, i gjatë, i moshuar dhe hijerëndë. Zeri i tij i trashë dhe me theks ishte i jashtëzakonshëm dhe sugjestiv. Përshtypja ime nga John Swarkovski (ish-drejtor i MOMA) ishte se ai mendonte se Gjon Mili, kishte mendje të madhe dhe, që ndoshta, ai ishte më shumë një mendimtar se sa fotograf”. Kompozitori i madh, Igor Stravinski, në një letër e përmend Milin duke thënë : “…portretin tim të mrekullushëm me ngjyra nga Gjon Mili”. Filozofi i njohur francez, Zhan Pol Sartr mendonte se e njihte mirë Milin dhe artin e tij dhe, nga ç‘ka shkruar për të, japim vetëm fjalinë :”Për atë ka një pafundësi mënyrash të fotografuari, siç është pafundësia e gjerave që na rrethojnë”. Martine Franck (1935-2006), fotografe franceze, bashkëshorte e Kartje-Breso, e cila ka punuar pranë Milit në Paris, shprehet : “Punova për të (Milin-shën.im) një seri fotosh që bëri ai për ndikimin e Romës së lashtë në Francën  e Jugut. Ato nuk ishin thjeshtë shkrepje. Çdo gjë ishte ndriçuar dhe kompozuar shumë bukur”. Shpikësi i dritës stroboskopike, Harold Exherton, ve në dukje për Milin :”Ai njohu forcën e dritës strobe dhe për vite na udhëhoqi në këtë fushë në një rrugë me të vërtetë imagjinare. Mili na nxiti ne”. Studiuesja australiane e fotografisë, Sarah McDonald, më 2006, shkruan për Milin ndër të tjera : “Ai nuk ishte
Lindy hop
Lindy hop
shpikësi i flashit stroboskopik, por ai e bëri atë “të vetin”, duke zbuluar një botë të paparë deri atëhere”.  Ndërsa, John Loengard (dt.1934), studiues dhe fotograf, ish-koleg i Milit, shkruan edhe për Milin në një libër për fotografinë: “Ai ishte dinjitoz dhe krenar. Por ai gjithashtu ndihmonte fotografët e rinjë, talentin e të cilëve e admironte”, dhe në një letër vëren se  “…kohët  e fundit kur e shikuar kam punën e tij, ajo paraqitej si diçka për të bërë më të njohur punën e Exhertonit. Kjo ishte gabim”. Dramaturgu i shquar, Artur Miler, në librin autobiografik “Timebends”, dy faqe ja kushton Milit. Shkëpusim prej tij rreshtat : “Ai i adhuronte vallet folklorike dhe çdo javë shkonte poshtë Broduejit për të kërcyer bashkë më një tufë shqiptarësh të tjerë , shumica e të cilëve mezi i arrinin deri tek gjoksi”.
    Gjon Milin, vendlindja e tij sa ishte i gjallë, nuk e përfilli, madje e mohoi, por historia e tij nuk u mbyll me vdekjen fizike. Njohja e veprimtarisë dhe e përkujtimit të jetës së fotografit Gjon Milit, ndër shqiptaro-amerikanët e paktë të njohur në botë, nderon sot  kudo bashkëkombasit e tij. Për të, ndoshta përshtatet shkrimi që vendosën francezët poshtë monumentit të Molierit në Akademinë Franceze, pasi me gjallje s’e kishin përfillur :”Lavdia e tij s’ka nevojë për tonën, e jona ka nevojë për të tijën”. 


     Burime :

1. Mili Gjon – Photografphs & Recollections—New York, 1980
2. Magnum Stories- Edited by  Chris Boot, Phaidon, 2004
3. Adhami Stilian—Kontribute në visarin e përbashkët të popujve- Tiranë, 2003
4. Encyclopedia of Photography—New York,  1984
5. Loengard John- Picturs under Discussion—AMPHOTO- New York, 1987
6. Stock Dennis—Made in USA—CANTZ—New York, 1995
7. The jazz image-Masters of Jazz Photografphy-by Lee Tanner-ABRAMS- New York, 2006
8. Edgerton & Killian—Moments of Vision—MIT, 1985
9. “LIFE-The Classic Collection”—New York, 2008
10. Revista: “Black&White-photography”-nr.61, July 2006
11. Revista: “Lens Work”—nr.68, Jan-Feb 2007
12. Revista: “Focus”—nr.14, December, 2007
13. Gazeta: “Fotografiaart”- Tiranë, nr.4 ,1996
14. Letër  e  fotografit   John  Loengard
15. Letër  e  studiueses  Susan  Kismaric



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora