E premte, 26.04.2024, 08:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Robert Martiko: Festa e të vjellave

E shtune, 28.02.2009, 08:53 PM


Robert Martiko
Robert Martiko
Robert MARTIKO

FESTA E TE VJELLAVE*

Mbi të gjitha, filluan të mungonin dhëmbët e arta. Qe koha kur timonieri im filloi të kalonte kriza të forta. Çdo mëngjes, porsa ngrihej nga gjumi, u bërtiste si i tërbuar qafir - malçikëve apo bojave të policisë sekrete, për të mbledhur me çdo kusht flori ose valutë të huaj. Jepte urdhër për të vrarë e burgosur sa më shumë njerëz, që kishin farefis qoftë edhe të largët, në Egjipt, Madagaskar, Ugandë, Mozambik a Tanzani, në vijim për t’u plaçkitur dollarët. Për të thënë të vërtetën, vrau shumë edhe nga xhanxhavitët apo jeniçerët e tij të dashur.
Gëzohesha edhe unë jashtë mase, në lidhje me këto spastrime, kryesisht për plaçkitjen e valutës apo grumbullimin e dhëmbëve të të vrarëve… Pasi Gbong Gongu im, ma kishte bërë të qartë, hapur. Nëpërmjet dollarëve të konfiskuar dhe dhëmbëve të artë të viktimave, poezitë apo shkrimet e mia, të dlira, do t’i bënte të njohura në gjithë botën. Siç shkruaj edhe më lart, timonieri nuk trashëgonte asnjë pasuri nga e ëma, përveç ç?rapes së saj blu, koloniale, të mbushur deri në një të gjashtën me qindarka që paraqisnin koka mbretërish e mbretëreshash nga Madagaskari. Nuk mund të mos shqyrtohej si një koleksion me vlerë, mjaft i çuditshëm!…
Kur nëna e Gbong Gongut qe me qejf, zbrazte çorapen mbi një xham të trashë tavoline të rëndë, të ndërtuar me dru suedez. Bënin gjithë atë zhurmë qindarkat e saj të imta... Qe koha kur sahanlëpirësit lëshonin britma të forta habie e admirimi. Sipas rastit, përpiqesha të dallohesha ose jo. Varej kryekëput nga cilësia e admiruesve. Me bishtin e syrit, kurrë nuk mungoja të përgjoja, në çdo hap, humorin paranojak të timonierit.
Gbong Gongu më theksonte se i jepte rëndësi të jashtëzakonëshme librit të tij autobiografik, të cilin ia kisha propozuar unë.
E kullandrisa brenda një viti.

Ditën që i dhashë dorën e fundit ishte e enjte. Mesditë... Te shefi im u paraqita të premten. Në mbremje u kujdesa të bëja një banjë me ujë të vakët: marrë nga përroi Simba, i turbulluar, që rrjedh përbri kasolles sonë. U krodha deri në grykë në një fuçi të zbrazur rumi “Ylli i Kuq”. Ia kisha lipur Gbong Gongut. Ky u dha urdhër ndërtuesve të tribunave dhe këta ma dhuruan. Gruaja ime, Furaha, më lau kokën e shplau supet me kujdes. Ujin ma hodhi nëpërmjet një gavete të shpuar, kolonizatorësh gjermanë... Kur më ndihmonte të fshihesha, nëna ime Sanaa, Arti apo Lufta e Klasave, u ngrit çalë - çalë nga rrogozi e m’u hodh në qafë. Më puthi e lumtur në ballë.
Kur ditën tjetër u paraqita para komandantit tonë të nderuar, ky nuk u besonte syve. Në jo më shumë se tri - katër minuta, mblodhi rreth vehtes gjithë këshilltarët e tij të zgjedhur: të Politbyrosë. Përbënin kokat më të mençura të tribusë. Pas një muaji dhanë mendim. Meqënëse rastiste të organizohej Kongresi i Katërt i Partisë së Lupit, (Punës), Gbong Gongu ua fali vonesën. Gjetën vetëm disa gabime të vogla, ideologjike... të parëndësishme, sipas shefit. Më kot u merrte mendimin. Qe personi që i vinte vulën gjithçkaje vetë. Qeshë në gjëndje t’i koregjoja menjëherë gabimet. Nënkuptoj, kaluan edhe tre muaj e gjashtë ditë të tjera.
Kur pa të mbaruar veprën, Gbong Gongu, nuk mund ta merrni me mend çfarë gëzimi të madh ndjeu në shpirt ai njeri i dlirë...
I pari ai dhe unë pas tij, të dy, filluam të hidheshim përpjetë nga gëzimi. Gjithë furi iu vërsulëm njeri - tjetrit në qafë. Putheshim e përqafoheshim si majmunë të dashuruar. Kërcenim e hidheshim mbi divanë si një lloj antilope me brirë të gjata e quajtur impala. Kujdesesha se mos padashur e godisnin brirët e mia. Brohorisnim me gjithë fuqinë e mushkërive tona për Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin, Maon, Ho Shi Minin, Kim Ir Senin, Fidelin... disa minuta rresht, njësoj si nëpër mitingje me zezakët.
Prisja Gbong Gongun të zgjidhte i pari emrat e timonierëve të mësipërm... Vetëm në një rast u nxitova, duke shtuar në listë Pol Potin. Për dy - tre sekonda më ngriu gjaku, por me sa u duk në vijim, nuk pata asnjë problem. Madje, një vit më vonë, shefi im urdhëroi t’ia sillnin të pikturuar portretin e tij, për ta shtuar në koleksionin e madh të sallonit. Ishte një vepër e denjë e portretistit të famshëm të tribusë me emrin Maçkukambu. Nuk di çfarë të them, ndoshta unë u bëra shkak. Pas një viti bëra një poemë, ku kërkoja ngritjen e gijotinës së Robespierit francez në qëndrën e kryevendin tonë të quajtur Tarána. Në përngjashmëri me Pol Potin, kërkoja shfarosjen në masë të vëllezërve e bashkatdhetarëve të mi.
Meqënëse në kohën e dorëzimit të biografisë së timonierit, filloi të binte një shi i ngrohtë, tropikal, të dy vërshuam me një frymë, nga bangalóu-i ku gjendeshim, drejt e në shi. E kuptova menjëherë, që timonieri i kuq nuk përmbahej dot nga dëshira e flaktë të luante e qeshte me mua në ato çaste të lumtura. Kjo qe arsyeja që e lashë vehten të më rrëzonte në një parcelë me ca lule të bukura, të importuara nga Afrika e Jugut, të quajtura Maui ose Protea Mbretërore, kokëmëdha, të kultivuara me kujdes nga kryekopshtari i Bllokut të Udhëheqjes, marksisti Kidiebubi me origjinë nga Senegali. Pastaj timonieri filloi të më qëllonte me baltë e pleh të freskët nga parcela. Nga respekti i pakufishëm që ndieja, kuptohet, nuk mund të guxoja kurrësesi, ta godisja dhe unë. Sytë i mbaja të mbyllur fort. Qeshja papushim, me gjithë zemër, gojëhapur...
Derisa ndjeva papritur një shije të keqe.
Ndërkohë Gbobg Gongu nuk pushonte së bërtituri, duke përsëritur se ne të dy do të ngjallnim interes të jashtëzakonshëm nëpërmjet librave tanë të botuar në Europë. Përsëriste me mburrje se edhe ai qe shkrimtar, madje, i madh, shumë i madh. - “Patjetër!”... - përpiqesha të shtoja unë, edhe pse me gojën plot. Nejse, shkrimtar i thënçin... Bërtiste me sa kishte në kokë, duke theksuar se jeta e lumtur në tribu, në radhë të parë duhej propaganduar për të frymëzuar gjithë grupet marksiste - leniniste, gjithnjë e më shumë triumfatore e fitimtare të pandalshme, të shpërndara në gjithë botën!... Duke filluar nga Franca, ku dikur shefit tim i qe dhënë rasti për të filluar të studjonte.
Sipas tij, nuk qe e mundur të mos gjendej në çdo qytet kapitalist të Europës Plakë, të paktën një librari nostalgjike me lexues të etur për të mësuar hyneret apo mambo - xhambot e Stalinit, Maos, Fidel Kastros, Pol Potit apo vetë Gbong Gongut.
Ndërkohë, unë kisha ndaluar plotësisht të qeshja. Herë herë vetëm tentoja të ngërdhishesha. Villja papushim mbi orkidetë apo Proteat Reale, për shkak të një jashtëqitje me origjinë të panjohur, e cila, siç shkruaj më lart, papritur më kishte mbushur gojën.
Plot.
Ç’të bëja! Dihet, fauna e zhunglës është e shumëllojshme... Në të tilla raste është krejt e pamundur të përcaktohet kafsha fajtore, fjala vjen, për ta kapur, robëruar e në vijim, shpallur armike të betuar të idealeve të shenjta të marksizëm - leninzmit apo tribusë…
Kur më pa në atë gjendje të vajtueshme Gbong Gongu, nuk mund ta merrni dot me mend se çfarë të qeshura të forta e mbërthyen. Zakonisht, i ngadaltë në mendim, me sa u duk atë radhë, e mori me mend arsyen, jashtëqitjen në fjalë... brenda në gojën time. (Siç shkruaj edhe më lart, për mua edhe sot, kafsha fajtore e zhunglës është me origjinë krejt të panjohur). Timonieri i kuq filloi të buçiste e të jepte shenja vetëshpartallimi nga të qeshurit. Për një çast ndjeva frikë për të. Gjëmonte më fort nga bubullimat e shtërngatës tropikale. Edhe ato të uruara kishin disa minuta që godisnin si topat e komandantit gjerman, të mirënjohur në anët tona, fon Letou-Vorbek pa pushim e nuk dëgjonin të pushonin. Në të vërtetë, kishin kaluar dhjetë ditë plot pa rënë shi. Kishin të drejtë të trondisnin dheun, sëbashku me të qeshurat shtazarake të Gbong Gongut.
Sa për jashtëqitjen, duhej të qe taze. Tepër e freskët...
Edhe vetë kryekuzhinieri i nderuar, Vekesa, për t’u gjendur sa më parë pranë nesh, braktisi atë ditë gjithë kazanët e tenxheret me blozë. Pata përshtypjen sikur u dëgjuan të rr?kulliseshin me zhurmë menjëherë, pas daljes së tij nga kuzhina... Shërbëtorët, zezakët dhe gjithë banorët e bllokut, sa hap e mbyll sytë, edhe ata lanë punët. Na u gjendën afër, pa përjashtim, me kuç e me maç. Qeshnin edhe ata me lotë. I dalloja të na rrethonin plot dashuri, sëbashku me xhanxhavitët, bojat e qafir - malçikët, që nuk na ndaheshin kurrë. Asistonin në shfaqje, madje, edhe byroistët. Zgërdhiheshin edhe ata sëbashku me bubullimat e vetëtimat. Ndërkohë, edhe pse në atë gjendje të mjeruar, e parashikoja për bukuri që një ditë prej ditësh, këtyre të fundit do t’u binin prapa kokës...
Aq shumë u gajas nga të qeshurit Gbong Gongu, saqë ra përmbys në një shez - long të blerë në Antananarivo. Me sa u duk, harroi të ulej përsëmbari. U rrëzuan të dy sëbashku me zhurmë. Sa të hapje e të mbyllje sytë, rendën si shigjeta zulush ta ndihmonin gorrillat e tij të parë, si dhe dy doktorë personalë, që në tribu i thërrasim doktorë - magjistarë. Për fat, rezultoi që nuk kishte pësur asgjë nga rënia. Si ateist i betuar, lavdërova pa humbur kohë Perëndinë - Merimangë apo ndryshe Ananansin.
Ky më ra ndër mend i pari...
Kur timonieri im u ul e mori frymë thellë në një kolltuk të gjerë plastik, filloi të qeshte akoma më me tërbim. Porsa ndjeu të përqendrohej... Pak. Sigurisht, nuk mund të krahasohej kurrësesi ky lloj shpërthimi gjigant me të qeshurën lilipute, që lidhej me nënën e tij: kur shtrembëronte padashur emrin e Patris Lumumbës, në Lununda. Nëse e mbani mend...
Për të thënë të vërtetën, unë u përpoqa shumë të mos villja. Gabimisht mendova në fillim, për politesë, të mos i prishja qejfin, duke ripërcjellur të vjellat në stomak... Më mirë që organizmi nuk ma pranoi një gjë të tillë. U tregua më i ndershëm nga unë. Me timonierin tim u lidhëm shumë më tepër shpirtërisht nga ajo ditë... Budalla, me plot kuptimin e fjalës, u tregova nja dy herë, kur ushqimin dhe sekrecionet, sëbashku me jashtëqitjen në fjalë, tentova t’i rikapërdija. Të tretën nuk munda. Sinqerisht, nuk mundesha kurrësesi të përmbahesha.
Pa do të kisha bërë ç’është e mundur.
Nga ajo ditë Gbong Gongu, për shkak të kësaj ngarje të jashtëzakonshme, e harroi pothuajse krejt të ëmën e tij nëpër biseda. Kur qe në qejf, me anëtarët e rinj të Politbyrosë, ngaqë të vjetrit i vriste me copëzim gjymtyrësh, nuk kishin tjetër bisedë. Një e dy përmendnin mua. Të gjithë, pa përjashtim, binin përmbys nga të qeshurit. Kujt i shkonte ndër mend të provonte të bënte të kundërtën! Të guxonte të devijonte, sado pak…
Politikisht!...
Ndërkohë që unë, si një lloj harabeli i vogël, i njohur në tribu me emrin sqep - papagalli, me zemrën mal, fluturoja i lumtur në qiellin e shtatë... Nuk mund ta merrni me mend se sa herë në ditë e falënderoja fatin që timonieri im nuk u dëmtua ditën kur u përplas pas shez - longut të blerë në Madagaskari. Po të kishte vdekur a mbetur i paralizuar, qafir - malçikët do të më kishin vrarë patjetër me gurë. Ose mund të më varnin në qafë ndonjë kamerdare xhipsi kinez, tip Xing Fu, të mbushur me naftë. E në vijim, të më vinin zjarrin si agjent i fshehtë: anglo - amerikan, ndoshta persian, nuk di ç’të them. Deri më sot, në saje të karakterit tim të rrallë, në vija të përgjithshme, nuk më ka dalë pothuajse asgjë keq në jetë...
Në këtë mënyrë, të bashkuar me një miqësi të sinqertë, Gbong Gongu, sa herë binte fjala rreth ditës së jashtëqitjes së panjohur, nuk pushonte së përsërituri se ne kishim miq të shumtë, të cilët interesoheshin natë e ditë për mbarëvajtejet dhe sukseset tona. Pikërisht në këtë mënyrë, prej librit tim, të mbushur me gënjeshtra rreth heroizmit të rrallë të Gbong Gongut, filloi lindja ime si shkrimtar ose ndryshe, perëndimi i Zarathustrës… siç shkruan Niçja i Madh, në mënyrë figurative, në lidhje me supermenin e tij të famshëm, të ofruar për imitim masiv:..
Diçka dinte edhe ky.
………………………………………………………………………………...

Ndieja aq shumë nevojë, në fazën e parë, të mosnjohjes me Gbong Gongun... Mendoja se do të më duheshin të bëja përpjekje titanike, për t’u afruar e në vijim, të bëja pjesë plotësisht në rrethin e tij. Kjo do të thotë të jesh njeri me vullnet. T’i vësh vehtes një qëllim të caktuar në jetë. Dhe ta arrish atë me çdo kusht! Krenohem në këtë pikë… Madje, kur e mendoj thellë, nuk më vjen keq as për Ditën e të Vjellave, të lidhur me jashtëqitjen e kafshës së panjohur, e cila u bë për karierën time një lloj mane e vërtetë, mistike e hedhur me bujari nga vetë Djalli…
Artistit i duhet të sakrifikohet në emër të artit!...
Sa për dijeni: ende pa rënë Muri i Berlinit, Ditën e të Vjellave e kisha shënuar në bllokun tim, personal. E kremtoja çdo vit si festë përkujtimore. Binte në prill, dy javë pas ekuinoksit pranveror... Për drekët e jubileve, madje, i lejoja vehtes të haja banane të lyer pak në majë me një lloj sheqeri të trashë e pak esmer, si rëra e një shpelle të njohur në tribu me emrin Kava e Milingonave të Kuqe. Kalemxhinjtë e shkathët të Gbong Gongut qenë përkujdesur ta importonin nga Kuba. E blinim me racion, një kilogram në muaj për një familje të përbërë prej dhjetë - pesëmbëdhjetë vetësh...

*Fragment nga novela “NJE ÇMIM PER SHKRIMTARIN E VDELJES ”
(Historia e një sahanlëpirësi të zgjedhur)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora