E merkure, 01.05.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Ora me fotografinë e diktatorit

E premte, 20.02.2009, 07:46 PM


Alfred Papuçiu

Ora me fotografinë e diktatorit
 
 Ishin ulur të dy buzë liqenit dhe Arbani thithte pa pushim cigaren. Mendja i shkonte tej tek vendi i tij. Kishte shumë kujtime. Kishte dëshirë të shprehte diçka por e mundonte e kaluara e hidhur, si dhe hallet e shumta të jetës. Sidoqoftë ndjente një kënaqësi të veçantë dhe e kishte shprehur disa herë: kishin mbaruar njëherë e përgjithmonë meskinitetet e së kaluarës. Pasi i buzëqeshi shokut të vet, ashtu çiltër si gjithmonë i tha:
 "Nuk më harrohet dita kur morëm vesh se përmendorja e diktatorit ishte rrëzuar. Kishim frikë ta shprehnim gëzimin, pasi akoma na mundonte hija e së kaluarës, frika e atyre që na qëndronin akoma mbi kokë. Ai punonjësi rrodhe i nomenklaturës shihte me mosbesim, ishte skuqur flakë si gjithmonë, kur diçka nuk shkonte ose nuk i pëlqente, megjithatë ishte mësuar, ose më mirë e kishin mësuar ta përmbante veten. Shkova në apartamentin tim. U kujtova se dikush më kishte sjellë para nja një viti, një orë, të punuar në mënyrë artizanale, ku ishte vizatuar fotografia e atij merhumit. E kisha futur diku në raftet e sipërme të dollapit të madh të dhomës së gjumit. Isha i sigurtë se gjatë kohës që kishin bastisur apartamentin tim, punonjësi rodhe i nomenklaturës dhe ata që kishte thirrur ai, patjetër e kishin parë. E dija se përsëri do të vinin në apartament. E kishin bërë zakon për të më sajuar ndonjë shërbim, qoftë edhe një ditë, vetëm e vetëm që të shihnin se çbluaja. Megjithëse kisha patur nevojë për marrëdhënie të ndershme që zgjasin, që i rezistojnë kohës, siç kisha patur me të gjithë kolegët në punët e mëparshme, këtu kjo nuk qe e mundur...
 Më parë të them të drejtën as nuk kisha vënë re se si i vendosja librat, apo ç'librash e shëniesh mbaja,  çfarë kasetash apo videokasetash me muzikë kishin fëmijët e sidomos djali, etj. Sidoqoftë kujtimi i hidhur i asaj dite kur gruaja ishte në spital me vajzën që ishte sëmurë dhe unë kthehem dhe e gjej shtëpinë të përmbysur, sidomos duke qënë në dhé të huaj, nuk më harrohet. Më kujtohet edhe sot e kësaj dite e më ngjethet mishtë dhe nuk do të më hiqet nga mendja deri sa të mbyll sytë. Atë mbrëmje nuk e di se si e mbajta veten  kur e gjeta apartamentin rëmujë dhe flaka jashtë monedhat e vogla të vendeve fqinj ,nga toka dhe nga deti (të vendosura nga ata si dëshmi e ndonjë "tradhtie të madhe" nga ana ime, i paguar gjoja nga dikush, a kushedi çfarë u pillte mendja e mprapshtë), hoqa artikullin me fotografinë e madhe të ministrit të jashtëm të vendit ku kisha bujtur, fotokopjuar me kujdes nga ata, nuk e di përse edhe sot e kësaj dite, si dhe gazeta të tjera me artikuj të çuditshëm. Siç duket për ta patur si dëshmi të ndonjë "bëme" timen ndaj vendit mik. Gjë që as mund të mendohej, pasi unë jetën e vajzës sime ja detyroja mjekëve humanistë të atij vendi mikpritës, këmbënguljes së tyre për ta shëruar apo të paktën për t'i përdorur një terapi bashkëkohore e rezultative. Më vonë, në videokasetat e tim biri së bashku me muzikën moderne gjeta edhe pamje të atij diktatorit, siç duket përsëri dëshmi për të provuar fajësinë time, që "bashkë me muzikën moderne ndodhej edhe ai". Budallallëqe që vetëm atyre mund t'u vinin ndërmend.
  Nuk e di se si më erdhi dhe mendoj se bëra mirë: nuk njoftova autoritetet e vendit, pasi e realizoja se do të gjendej një shkak  nga ana e rrogëtarëve burokratë të kryeqytetit tim, që unë të ikja, siç ndodhi pak më vonë, por të paktën të mos vinte nga unë vetë...Jetova pothuajse pa dëshirë ditë të tëra, pashë shumë pak miq. Hapja një libër, mendoja për gjëra që nuk kishin aspak të bënin me atë që duhej të bëja gjatë ditës. S'ndihesha mirë. Isha si i paralizuar, si i ngrirë. Kisha shumë gjëra për të thënë, por asnjë mik i vërtetë nuk ishte pranë meje. Qëndroja i ulur orë të tëra në zyrën time dhe nuk ndjeja as gëzim, asgjë, vetëm një boshllëk të madh. Ishte diçka e çuditëshme. Përpara njerëzve, vazhdoja të buzëqeshja. Por e kuptova se isha në një tatëpjetë të rrezikshme, që e donin armiqtë e mij, dhe duhej të bëja gjithçka që ishte e mundur si njeri për t'u ngjitur. Sidomos për familjen time...
 Le të kthehem tek ora e madhe e futur diku në raft. E mora dhe e vendosa në mur. E kurdisa dhe e lashë një kohë të shkurtër të punonte.  Nuk pashë ndonjë ndryshim të veçantë tek punonjësi rodhe i nomenklaturës. E shoqja turfullonte kur ne dilnim pa farë sikleti për të shëtitur buzë liqenit Leman, ku harronim hallet, ku diçka na dukej e pastër, e çiltër dhe ku mund të flisnim lirshëm pa patur frikë se njeri na qëndronte si hije. Sa e bukur na dukej jeta, sidomos kur vajza jonë e zgjuar bëhej më mirë nga shëndeti. Gruaja ime, çdo mbrëmje, e vetme përballë Zotit, larg stresit, falej, falej pa pushim dhe me një zell të madh. Ajo besonte dhe beson akoma, bile edhe unë qysh prej një kohe, se ne kemi të gjithë një ëngjëll që na mbron dhe na ndihmon t'i kapërcejmë vështirësitë.
 Pas nja dy ditësh nuk m'u durua më, sidomos kur dëgjoja se makina infernale e komunizmit ishte tërbuar, dhe i ndalova akrepat e orës me figurën e madhe të diktatorit. Për t'i thënë punonjësit rodhe të nomenklaturës se koha e tij kishte përfunduar, se hija e diktatorit tanimë nuk na shtinte më frikën, se mund të mirnim frymë lirisht."
 Arbani thithte me kënaqësi cigaren ndërsa atje tej filluan të ndrisin fishekzaret, sinjal i fillimit të festës kombëtare të vendit mikpritës...

Marrë nga libri „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“ „Toena“, dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora