E premte, 26.04.2024, 10:37 PM (GMT+1)

Editorial

Nuri Dragoi: A ka strategji kombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare?

E enjte, 29.01.2009, 12:15 AM


Nuri Dragoi
Nuri Dragoi
A ka strategji kombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare?

Nga Nuri Dragoi

Çështja shqiptare zë fill në Shqipëri, në bazën e kombit si territor dhe si shtet-formim. Prandaj dhe gjithçka, e mirë apo e keqe, zë fill në shtetin e vogël të kombit shqiptar, në Shqipërinë londineze. Kur punët nuk shkojnë mirë në Shqipëri, kur kemi një politikë të paformuar, një diplomaci të vakët, kur nuk gjejmë dot gjuhën brenda një vendi kaq të vogël, madje dhe për çështje madhore, është e vështirë të shkojnë punët mirë në Kosovë. Dhe, nëse nuk shkojnë punët si duhet në Shqipëri dhe në Kosovë, çfarë mund të pritet për mbarëvajtjen e punëve të shqiptarëve në Maqedoni, Malin e Zi, Greqi e gjetkë?
Sot, kombi shqiptar është në një zgjim të ri, ndaj kërkohet një angazhim më i madh nga politika dhe inteligjenca shqiptare për të pasqyruar të vërtetën historike. Ne duhet të thërrasim dhe, po qe nevoja, të bërtasim, të themi “ja ku jemi”, pasi ka udhëheqës, vende dhe popuj që nuk dinë se jemi dhe ku jemi apo bëjnë sikur nuk dinë. Më ka mbetur në mendje një shprehje e lëshuar nga ish-Ambasadorja amerikane, Marsi Ris, e cila, në një takim, tha se shqiptarët duhet të botojnë sa më shumë libra për identitetin kombëtar, t’i promovojnë ata publikisht dhe të thonë: “Ja ku jemi!” Kjo është e nevojshme se ka shumë vende që nuk e dinë se jeni dhe ku jeni. Më tepër se kaq, nuk ka çfarë të thotë një diplomat i huaj, dashamirës i vendit tonë. Dhe kjo shprehje nuk është e lëshuar ashtu, kuturu. Por është produkt i së vërtetës.
Diplomatja e shtetit më të madh, aleat dhe shpresë e vendit tonë, ka venë re se fqinjët flasin më shumë, shkruajnë më shumë, bërtasin më shumë, duke thënë: “Kjo tokë është e jona!” Thonë kështu për tokën ku banojnë shqiptarët në shekuj e shekuj të shkuar. Këtë thonë grekët për “Vorio-Epirin”, këtë thonë serbët për Mitrovicën, Preshevën e Bujanovcin, madje për tërë Kosovën. Serbët kërkojnë të inventarizohen kishat ortodokse në Kosovë si pasuri kombëtare e Serbisë. Për këtë gjejnë mbështetje deri te Banki Muni. Grekët kërkojnë të inventarizohen kishat në jug të Shqipërisë si pasuri kombëtare e Greqisë. Ndërsa ne heshtim, duke thënë një shprehje sa bajate, po aq dhe të rrezikshme: “E dinë ndërkombëtarët, e di Amerika, e dinë të mëdhenjtë…”.

Ndihmë nuk të jep askush, nëse nuk di ta kërkosh atë

Më shumë se kurrë, tani është koha të bashkohemi në një zë, të mos biem pre e kurtheve të diplomacive që punojnë kundër bashkimit të kombit shqiptar, të mendojmë dhe të veprojmë si një trup i vetëm, si popull dhe si komb, pasi në rrethanat e tanishme vihet re një fenomen që kërkon të menaxhohet mirë. Është koha kur, nga njëra anë, duket se po rritemi si popull, pasi Kosova është duke e konsoliduar pavarësinë, Shqipëria është duke hyrë në NATO dhe marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit kanë përparuar. Por, nga ana tjetër, ende po na kërcënon rreziku që të tkurremi si komb, për shkak të egërsisë diplomatike të vendeve fqinje, të mbështetura nga fuqi të tjera, që i bashkojnë me ta lidhje shpirtërore dhe ato të besimit fetar shekullor. Kjo duket qartë në kërkesat e dy shteteve fqinje, Greqisë dhe Serbisë, të cilat kanë mëse dy shekuj që vazhdojnë të kërkojnë me ngut rrëmbimin e pjesëve nga trupi i kombit tonë, madje duhet thënë se atë çfarë kanë kërkuar, e kanë realizuar.
Besoj se tani jemi të gjithë në një mendje: Nuk do të lejojmë më copëtime të reja të trupit tonë të sakatuar! Shqipëria, si shtet amë, duhet të interesohet për mbarëvajtjet e etnive shqiptare jashtë kufijve aktualë, të ngrejë zërin për më shumë të drejta për ta, të kërkojë që të zbatohet parimi i vetëvendosjes së popujve, pasi shqiptarët, nuk ka arsye pse të mbeten kaq të vetmuar në tërë rruzullin tokësor, me mungesën e së drejtës për bashkim kombëtar. Nuk duhet të ushqejmë mendimin se në BE nuk do të shkojmë të gjithë bashkë, si një komb, por copa-copa, fshat më fshat, aty ku jemi dhe siç jemi, pa kufij e pa identitet. Kështu nuk mund të shkojmë kurrë në BE. Nuk duhet të mendojmë se çdo gjë e ka në dorë Amerika, por ta ndihmojmë Amerikën me kërkesat tona, duke shtruar probleme, duke thirrur për të drejtat tona, me qëllim që ajo, Amerika, të gjejë shkas për të ndërhyrë dhe për t’u interesuar.
Po nuk qau fëmija, nuk i jep gji nëna. Kjo shprehje, filozofi e popujve, ka në themel shumë të vërteta. Duke biseduar, dikur, për heshtjen diplomatike ndaj zhvarrimeve të eshtrave të grave dhe fëmijëve shqiptarë në Kosinë të Përmetit, të cilat merreshin për eshtra të ushtarëve grekë të rënë në Luftën Italo-Greke, po me ish-Ambasadoren amerikane, Ris, dëgjova të artikulohen këto fjalë: Trupi diplomatik nuk mund të ndërhyjë për çdo shqetësim e problem që ka brenda jush. Për të përbën problem dhe tërheqin vëmendjen rastet kur qeveria bën një notë proteste për një ndërhyrje në punët e brendshme nga një shtet tjetër apo kur populli bllokon rrugët, duke protestuar për shkeljen e të drejtave dhe dinjitetit të tij. Atëherë Trupi Diplomatik mund të pyesë: Çfarë ka ngjarë? Dhe mund të jap mendimin e tij, në rrugët e veta diplomatike.

Evropa, ende nuk është e ndërgjegjësuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare

Shqiptarët, në fundshekullin e kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, po përballen me mungesën e pavarësisë politike në hapësirën e tyre etnike. Ata kanë shtetin e tyre që përfshin më pak se gjysmën e popullsisë shqiptare në Ballkan. Hulumtimi për të gjetur rrugët e duhura për çështjen e pazgjidhur shqiptare, i takon politikës dhe, në radhë të parë, politikës brenda Shqipërisë aktuale. Aktualisht, vihen re përpjekje të Evropës për të bërë një korrigjim me rastin e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë eventuale të mbikëqyrur të saj, por nuk do të dëshironim që drejtësia e vonuar të na vijë si një “drejtësi e cunguar”. Shpërbërja e ish Jugosllavisë nxori në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Evropës, e veçanërisht nxori në pah çështjen e pazgjidhur të kombit shqiptar. Çështja shqiptare kërkon një vëmendje më të madhe ndërkombëtare, me përgjegjësi të plotë historike e politike, kërkon vetëndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar për pozitën kombëtare të shqiptarëve sot, dhe për falsifikimin e historisë së tyre nga pushtuesit fqinjë. Por jo gjithçka duhet pritur nga Evropa. Në radhë të parë, edhe pse ajo e di, ne duhet t’i shpjegojmë asaj dhe shteteve të tjerë, jashtë këtij kontinenti, të vërtetën tonë historike, të një kombi që nuk e ka merituar kurrë këtë qëndrim. Duhet pranuar që politika dhe diplomacia jonë nuk ka argumentuar të drejtën tonë për vetëvendosje, të ligjshme politikisht dhe juridikisht. Pasi ne e dimë mirë që kjo Evropë ka përligjur ndryshimin e kufijve me dhunë e genocid në mjediset heterogjene etnike dhe, nga ana tjetër, mohon vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike. Dhe me gjithë pendimin e saj, ende nuk shihen lëvizje të qarta në drejtim të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Duket se ka një mëdyshje në gjykimin dhe vendimin e tyre, mëdyshje e cila diktohet nga presioni i vendeve të interesuara për të mbajtur peng shqiptarët dhe nga të tjerë si Rusia, që vazhdojnë të ndihmojnë skllavëruesit e shqiptarëve me të gjitha forcat dhe mjetet.
Nuk duhet të harrojmë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913, kur u bë dhe ky copëtim i shqiptarëve në 6 pjesë, i cili nuk po korrigjohet ende. Eduard Grej, kryetar i Konferencës së Copëtimit të Shqipërisë, ish-ministër i Jashtëm i Anglisë, pohon për ditët e vendimit të zi për shqiptarët: “Një luftë diplomatike fort e ashpër u zhvillue në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Mbasi u pranua në parim, që të krijohej një shtet shqiptar i pavarur, të dy palët u hëngrën se deri ku do të shtriheshin kufijtë e tij”. Dhe më tej ai vazhdon duke pohuar hapur se, “orvatjet tona kishin për qëllim me gjet një formulë të pranueshme për Austrinë dhe Rusinë. Prandaj hollësinat se ku duhej të kalonte vija e kufirit, nuk kishin shumë rëndësi”.(Tajar Zavalani, ”Historia e Shqipnisë”)
 Po ky person vijon: “Vështirësia për të arritur një marrëveshje lidhur me kufij të veçantë të Shqipërisë ka qenë shumë e madhe. Secili do të kujtojë se sa të vështira dhe sa kritike kanë qenë në ndonjë rast çështjet që kanë dalë për caktimin e kufijve të Shqipërisë. Ato gjetën zgjidhje disa kohë më parë. Tani ne kemi arritur në një marrëveshje për caktimin me disa kushte të kufijve jugorë dhe verilindorë të Shqipërisë, gjë që do të plotësojë caktimin e gjithë kufijve të këtij shteti. Unë e di fare mirë se gjithçka do të bëhet e njohur. Kjo zgjidhje në shumë pika do të jap shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga pikëpamja e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja midis Fuqive të Mëdha dhe, atëherë, ai e ka bërë punën më të rëndësishme në dobi të paqes në Evropë”. (H. Bajrami, L. Rushiti, M. Pirraku, Letër për çështjen e Kosovës, drejtuar institucioneve më të larta ndërkombëtare, 30 nëntor 2007).

Mungon strategjia kombëtare

Çështja shqiptare vazhdon të jetë ende me shumë të panjohura. Ndonëse kanë kaluar 97 vjet nga dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët jetojnë të copëtuar në mbi 6 pjesë. Për më tepër, nuk kemi një strategji kombëtare, e cila të tregoi rrugët e mundshme, se si mund të realizojmë objektivat tona kombëtare. Nuk ka program të qartë, apo siç mund të thuhet ndryshe, programe madhore. Të tillë programe kanë pasur rilindësit tanë, ata që e vunë theksin te identiteti i kombit, te nevoja e pavarësisë dhe shtet-formimit të tij. Ata që i vunë rëndësinë e duhur gjuhës shqipe, nevojës së shtet-formimit dhe bashkimit kombëtar. Ka ardhur koha që të dalin rilindës të rinj dhe të hartojnë plane kombëtare, si të rilindësve të shkuar, natyrisht të një niveli tjetër cilësor e kohor, por të detajuar me etapa, për të cilat duhet punuar seriozisht, me qëllim që të realizohen. Ku janë institutet shqiptare, Akademia e Shkencave, qindra profesorë e doktorë shkencash? Pse nuk ndihen ata? Ku është qeveria, përse nuk i aktivizon dhe t’u kërkojë mendim e llogari për rrugët e zgjidhjes dhe ardhmërinë e kombit shqiptar, pasi të gjithë mbahen në këmbë me të ardhurat që sigurohen nga taksapaguesit shqiptarë.

Vazhdojmë ende të jemi të përçarë në mendim e veprim

Problemi kryesor i këtij copëtimi dhe qëndrimi ende larg bashkimit si komb, qëndron në faktin se ne vazhdojmë të veprojmë jo të bashkuar, secili në mendjen e vet. Kjo vërehet në qëndrimin që mbajnë shqiptarët, në mendimet që shprehin kosovarët, shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi. Këtu duhen parë dhe mangësitë në statusin e Kosovës, i cili edhe sot nuk është përkufizuar qartë. Dhe siç thotë, me të drejtë, akademiku, Esat Stavaleci, kemi një entitet shqiptar në Maqedoni, të pabashkuar; një komunitet shqiptar në Mal të Zi jo fort të emancipuar për shkak të represionit të ushtruar mbi ta dhe mospërfilljes apo mos përfshirjes në strukturat e larta të qeverisjes dhe shkencës. Kemi një Çamëri, pothuajse të harruar; shqiptarë në Turqi të asimiluar; një diplomaci shqiptare, ende të paunifikuar; një politikë kombëtare të paformësuar.
Ky diversitet mendimi, i cili në fakt më tepër ngjason me mos pajtim mendimesh të politikanëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë londineze, ndodh jo vetëm për shkak të mendjemadhësisë, produkt i padijes dhe mungesës së përvojës në politikë e diplomaci, por edhe për shkak se në vendin tonë nuk ka institute të posaçme që të punojnë për të zbatuar një strategji të caktuar kombëtare. Nëse do të kishte institute të tilla, siç ka në gjithë shtetet e tjera, politika dhe diplomacia shqiptare nuk do të ishte kaq diletante, nuk do të bënte gabime trashanike, pasi do të bazohej në konturet që do t’u ofronin këto institucione të specializuara, sipas sektorëve përkatës. Jo vetëm që te ne nuk ka institute të tilla, por dhe në sektorët e politikës së jashtme, në Ministrinë e Jashtme apo ambasada jashtë vendit, nuk dërgohen intelektualë të mirëfilltë, atdhetarë, njohës të politikës ndërkombëtare dhe të gjuhëve të huaja të nevojshme, njerëz me karakter e dinjitet, por shpesh dërgohen persona që i dikton miku dhe shoku, militantizmi dhe rruga, duke bërë që ata jo vetëm të mos e përfaqësojnë shtetin shqiptar si duhet, të mos përcjellin mendimin politik shqiptar, por ta diskreditojnë atë me padijen e tyre dhe me veprimet e një niveli të ulët kulturor e komprometues.
Më duket se të huajt, veçanërisht ata që janë të interesuar për të na dëmtuar, kanë mësuar pikën tonë të dobët: atë të mos bashkimit, të mos pranimit të një drejtuesi të përbashkët. Kështu ka qenë situata dhe shumë shekuj më parë. Ashtu ndodh edhe tani. Përfaqësues të partive të ndryshme, nuk diskutojnë asnjëherë thjesht për të mirën e interesave kombëtare, por për interesat e tyre të ngushta vetjake apo të grupit. Gati 150 vjet më parë, studiuesi gjerman, Fallmerayer, thotë se “ky popull nuk e ka ndjerë kurrë nevojën për të krijuar unitet kombëtar kompakt përballë të huajve. Kudo vihet re etja për liri të shfrenuar personale, nën mbrojtjen e krerëve të fisit... Në vendin e tyre, toska dhe gega, qysh prej kohësh nuk duan të kenë të bëjnë me njëri tjetrin. Kaq jo tolerant është ky popull, ndaj çdo autoriteti, pa prejardhje patriarkale-fisnore, saqë kurrë nuk ka mundur të durojë as mendimin e një kryetari të përgjithshëm, nga vet gjaku i tyre, për gegët e toskët. Shqiptari i bindet vetëm vetes dhe për Perëndimin që kërkon autoritet është, ndoshta, një telash dhe një barrë, por nuk përbën kurrfarë rreziku”.
Studiuesi në fjalë nxjerr në pah trimërinë e shqiptarit, indiferencën e tij ndaj besimit fetar dhe rendjen pas parasë, interesit material. Kjo duket qartë kur thotë: “Shqiptari nuk shkon në luftë për ”ndonjë interes shpirtëror”. Ky popull fanatik i lirisë, duke ndjerë forcën e tij, ashtu si bleta në kohën e shumëzimit, shpërthen jashtë kufijve të atdheut të vet..nuk niset nga asnjë mendim politik për vendin e huaj, por kërkon vetëm pasuri materiale, me qëllim që çdo person i veçantë të mund të jetojë i qetë dhe i pashqetësuar”.
Mungesa e përvojës politike dhe tendenca për të qëndruar larg saj, ka tërhequr vëmendjen e shumë të huajve. Fallemrayer, në librin e tij, shkruan se: “Kur bëjmë fjalë për një strukturë politike të Shqipërisë, duhet të kemi parasysh një turmë më të madhe a më të vogël krerësh të fiseve të rëndësishme, ose më pak të rëndësishme, të cilët mund të llogarisnin për bindje dhe besnikëri të pakushtëzuar, vetëm pjesëtarët e fisit, që i gjunjëzoheshin kreut të tyre, vetëm kur tufani u kalonte pranë dhe, kur atmosfera qetësohej, këta prapë ngrinin krye”.
Këta krerë fisesh tani janë zëvendësuar me kryetarët e partive, të cilët ofrojnë njerëzit e tyre në prag zgjedhjesh pas votimit i lenë ata në fatin e tyre për t’u kujtuar sërish kur interesi apo rreziku u troket në derë.
A mos duhet të vazhdojmë sërish në këtë mënyrë, të mos e gjejmë gjuhën as për interesa madhore të kombit? Fallemerayer, pohon se, kjo mangësi është shoqëruar me pasoja shumë të dëmshme për kombin, pasi “mospërmbajtja brutale dhe krekosja, si në kohët e vjetra dhe në ato të reja, u kanë përgatitur shqiptarëve, më se një herë, skena që janë kopje të gjalla të katastrofës se përgjakshme të Beratit”.

Jo në shërbim të të huajve

Parlamenti diskutoi këto ditë ligjin e dosjeve dhe mirë bëri. Po nuk u tha asnjë fjalë për ata persona që janë venë në shërbim të agjenturave të huaja. Dhe këta nuk janë pak. 150 vjet më parë, studiuesi gjerman, cituar më sipër, duke folur për tradhtinë e Moisiut, i cili i mundur nga Skënderbeu, u bashkua me turqit dhe, pas një viti, erdhi sërish në Shqipëri (1457), ku u prit me nderime dhe iu dhanë tërë postet honorifike dhe pronat e konfiskuara, Fallmerayer, thotë: “Tradhtia te shqiptarët falet shpejt e lehtësisht, si një nga mëkatet që rëndojnë më pak”. Nuk di sa e vërtetë është, por është lakuar një deklaratë e një deputeti serb, para pak më shumë se dy vitesh, sipas të cilit duhet të kufizohen fondet, pasi paguhen miliona euro për agjentët tanë në Shqipëri, të cilët nuk po bëjnë detyrën. Kush janë këta persona që i shërbejnë Serbisë? Janë të papunë apo nëpunës të shtetit? Po në shërbim të Greqisë sa persona janë? Në mos të dekonspirohen, pot ë jetë e mundur që të evidentohen, ata të paktën nuk duhet të mos mbahen në administratën shtetërore, duke mbijetuar me paga që burojnë nga të ardhurat e taksapaguesve të varfër shqiptarë.
Shpesh kur flasim për mbrojtjen e interesave kombëtare, hasim në disa kundërshti, të cilat mbulohen me vellon e globalizmit, të shuarjes së kufijve dhe më gjerë, pa u shfaqur qartë, nëse këto qëndrime janë me të vërtetë nga naiviteti, apo shkak i porosive të dhëna, i një strategjie jo fort të kamufluar, për mos bërjen e kombit shqiptar. Të hedhësh vështrimin në histori, nuk do të thotë se je nacionalist i pandreqshëm, por do të thotë që të jesh vigjilent, të duash vendin tënd, t’i kthehemi vetës sonë, përgjegjësive individuale dhe kolektive, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos e pësojmë përsëri në të ardhmen, duke cunguar kombin, në vend të bashkimit të tij. Nuk kanë vlerë fajësimi i Evropës, as nënshtrimi ndaj saj, por duhet të punojmë shumë dhe seriozisht për konsolidimin kombëtar, me qëllim që të mos na përsëritet e kaluara. Ende nuk është kuptuar si duhet nga politika shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, se pa pasur qëndrime të përbashkëta për çështjet kombëtare, pa funksionuar si një tërësi kombëtare, punët nuk do të na shkojnë si duhet.
Historikisht trojet shqiptare janë copëtuar nga fqinjët me mbështetjen e Fuqive të Evropës, të cilat kanë pasur si synim ta shuajnë Shqipërinë nga harta e kontinentit, edhe pse ajo popullohet nga një prej popujve më të vjetër. Copëtimi i Shqipërisë nuk ka pasur asnjë bazë historike, që të krijonin kushtet e duhura që Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, të përligjnin lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare.
Copëtimi i trojeve shqiptare dhe aneksimi i më tepër se gjysmës së tyre ndodhi nga ana e monarkive fqinje. Me të drejtë studiuesi Esat Stavaleci, përmend faktin që Serbia bëri pastrimin etnik që në luftën ruso-turke (1877-78), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.
Shqiptarët e mbetur pa të drejtë përtej kufijve të Shqipërisë londineze, trajtohen çnjerëzisht. Prania e shqiptarëve në Greqi është shumë e hershme. Ata banojnë në ato troje prej mijëra vjetësh, troje të cilat janë në vazhdimësi të pandërprerë me territorin e Shqipërisë, pavarësisht nga kufijtë që u vendosën në vitin 1913. Çështja çame mbetet e hapur, por e paaktualizuar, as sa duhet dhe as si duhet nga shteti shqiptar. Problemi i pronave të shqiptarëve në Çamëri ka mbetur i pazgjidhur. Të pazgjidhura janë dhe problemi i njohjes të të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve që jetojnë aty. Çështja çame kërkon trajtim politik dhe jo të shërbej për t’u fshehur nga politika për hir të “marrëdhënieve të mira me Greqinë”. Çështja çame mbetet njëra nga pikat kyçe, që mbajnë pezull marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kur dihet se pa u zgjidhur drejt çështja çame, nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Trajtimi i shqiptarëve si pakica kombëtare në Maqedoni dhe Malin e Zi, nuk është i shkëputur nga mosgjetja e gjuhës së përbashkët të udhëheqësve të shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Fitimi i pavarësisë së Maqedonisë, shkëputja e saj nga Federata Jugosllave, mbase është bërë e nxituar pasi kemi të bëjmë me bashkim etnish, kur një të drejtë të tillë nuk e ka fituar ende Kosova, e cila popullohet në masën mbi 90 për qind prej shqiptarëve.

Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike” ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, por duhet pranuar se Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tiparet e theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike, si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë. Ata u trajtuan si “pakica kombëtare”, madje pa i përmendur fare, përveç se në kuadër të “bashkësive” që përbëjnë “shtetin shumetnik”, edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtet – formues. Për këtë shkak Marrëveshja e Ohrit nuk e eliminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni-trajtimin e shqiptarëve si minoritet.
Vetëm duke u çliruar nga koncepti “e dinë të mëdhenjtë”, “puna e shqiptarëve është marrë në dorë nga Amerika” e plotë slogane të tjera, duke punuar me përkushtim me një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik e social brenda vendit, duke nxjerr në drejtim të sektorëve të ekonomisë por dhe të politikës njerëzit më të ditur dhe më të përkushtuar për çështjen kombëtare, në vend të atyre që dinë më shumë hile dhe bërtasin për interesin personal, do të mund ta bëjmë Shqipërinë. Në këtë kuadër të punojmë edhe për një plan më të gjerë kombëtar, në themel të të cilit të jetë qëndrimi i njëjtë dhe pikësynimi  i bashkimit kombëtar, duke ua bërë mirë të qartë komunitetit botëror, edhe pse mund ta dinë, pasi vetëm kështu mund të korrigjohen gabimet e bëra një shekull më parë dhe kombi ynë të fitoj qëndrueshmëri dhe të bëhet faktor stabiliteti e paqeje në rajon.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora