E shtune, 27.04.2024, 12:45 AM (GMT+1)

Speciale

Isa Mulaj: Plani sekret i “Paja Patakut” me rr’xu shpija!

E shtune, 17.01.2009, 10:16 PM


“Donald Duck’s” sekret plan to destroy houses!

 

An analysis of the scandals of MTPT and the Municipal Assembly of Istog in road infrastructure projects and other related issues

 

Prishtina, 16 January, 2009

 

Abstract

 

At critical stages when the state was being established, it had happened the students of that country studying abroad spared more than half of their scholarships to support it. The modest contribution, however, went to the right place and produced some intended effects. In the new born state of Kosova, despite aggregate uncertainties and unfavorable conditions for economic and social development, priorities in road infrastructure appear to remain paving of local roads and cul-de-sacs to the houses of officials in power and their animal farms at a higher price than of district or regional roads. Such is a case with a project being implemented by some unsrcupulous officials of the Municipal Assembly of Istog with a budget provided by the Ministry of Trasport and Post Telecommunication (MTPT) of Kosova. What economic importance paving local and sidestepping regional roads has, who are winners and lossers of this priority, what lessons can be learned, and what measures should be undertaken? The aim of this article is to analyze some of these problems and to find a better choice. 

Keywords: Municipal Assembly of Istog, road infrastructure, MTPT, “Donald Duck”, Rakosh – Uça cul-de-sac.

 

JEL Classification: D37, H54, H76, L90, N94, R53.

 

 

Plani sekret i “Paja Patakut” me rr’xu shpija!

 

Analizë e skandaleve të MTPT-së dhe K.K. të Istogut në projektet e infrastrukturës rrugore dhe çështje tjera përkatëse

 

Nga Isa Mulaj

 

Përmbledhje

 

Në momentet kritike kur shteti ishte në formim, ka ndodhur që studentët e atij vendi në botën e jashtme të ndajnë më shumë se gjysmën e bursave të tyre për forcimin e tij. Kontributi krejt i vogël,  megjithatë kishte shkuar në vend dhe ka dhënë efektet e synuara. Në shtetin e ri të Kosovës, përkundër rreziqeve të përgjithshme dhe kushteve të pafavorshme për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, përparësia në infrastrukturën rrugore duket se mbetet asfaltimi i rrugicave dhe qorrsokaqeve deri tek WC-të dhe kotecet e pulave të zyrtarëve në pushtet, me çmim shumë më të lartë se i rrugëve regjionale. I tillë është rasti me një projekt që ka filluar të zbatohet nga disa matrapazë të Kuvendit Komunal (K.K.) të Istogut me buxhet të Ministrisë  së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT). Çfarë rëndësie ekonomike ka aslfaltimi i rrugëve lokale dhe anashkalimi i atyre regjionale, kush përfiton dhe humb nga këto përparësi, çfarë mësimesh duhet të nxjerren, dhe çfarë masash duhet të ndërmerren? Ky artikull shtjellon disa nga këto probleme dhe provon të ofroj disa zgjidhje.

Fjalët kyçe: K.K. i Istogut, infrastruktura rrugore, MTPT, “Paja Pataku”, rrugica Rakosh – Uçë.

 

Personat kyç: Fadil Ferati & Co., Agim Haxhiaj, Bedri Hajzeraj, Fatmir Limaj, “Paja Pataku”.

 

 

1. Hyrje dhe metodologjia

 

Qyteza e Istogut shtrihet në përendim të Kosovës. Vlerësohet se i ka afër 7.000 banorë, ndërsa si komunë rreth 65.000. Statusin e komunës e ka fituar pas Luftës së Dytë Botërore. Para asaj kohe i përkiste komunës së Gurrakocit, ose fshatit të sotëm në kuadër të komunës së Istogut. Nga Gurrakoci vjen Kryetari i tanishëm dhe i më shumë se gjashtë viteve rresht të Kuvendit Komunal (K.K.) të Istogut, Fadil Ferati, i cili njëkohësisht ka edhe disa funksionet tjera të shumëfishta, ku në mesin e tyre, dy janë më kryesore: i) zëvendëskryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK); dhe ii) anëtar i Bordit të Agjencionit Kosovar për Privatizim.

Për dallim nga pushteti qendror ku LDK-ja është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në K.K. të Istogut LDK-ja bashkëqeverisë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ky diversitet në strukturën politike ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal ka shkaktuar mospajtime në punët e përbashkëta, sidomos në infrastrukturën rrugore. Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT) udhëhiqet nga PDK-ja, e cila krahas asfaltimit të rrugëve regjionale nepër Kosovë ndan mjete në formë të granteve edhe për komunat. MTPT-ja në kuptimin e gjërë të fjalës nuk e ka për detyrë të përzihet në rrugët lokale, me përjashtim të rasteve kur buxheti i komunave nuk mjafton, atëherë paraqitet si bashkëfinancuese. Buxheti i komunave të Kosovës në përgjithësi është i pamjaftueshëm për infrastrukturën rrugore. Për vitin 2008, buxheti i përgjithshëm i K.K. të Istogut ishte planifikuar të jetë 588.500 euro.[1]

MTPT-ja përmes granteve i ndihmon ato në asfaltimin e rrugëve regjionale sipas përparësisë dhe rëndësisë që kanë për komunat. Mirëpo, ka fakte të bollshme se MTPT-ja shpesh herë i ka anashkaluar kriteret e përparësisë për rrugët regjionale dhe u ka ndarë mjete komunave për asfaltimin e rrugëve të rëndësisë së dytë ose më të vogël. Në disa rajone rurale kjo ndërhyrje është bërë në shenjë lojaliteti ndaj politikanëve duke asfaltuar rrugët e fshatrave të tyre, dhe për mundësi më të madhe të korrupsionit. Me përjashtim të ndonjë lajmi sot për nesër, nuk është ndërmarrë asgjë konkrete për ta ndaluar këtë praktikë shumë të njohur. Rasti që është duke u shqyrtuar në këtë analizë, përkundër kundërthënieve dhe mosmarrëveshjeve politike që i kishte në fillim, është bukur shumë ndryshe. Mësimi kryesor nga ky rast është se, kur janë në pyetje përfitimet e përbashkëta duke abuzuar me mjetet financiare, politikanët me qëndrime diametralisht krejt të kundërta dhe të hasmuar ndërmjet vete, bashkohen dhe nuk u intereson nëse puna në terren rezulton me të meta apo dobia nga projekti i realizuar është fare e vogël që nuk ia vlen barra qiranë.

MTPT-ja nuk ishte befasuar me kërkesën e K.K. të Istogut për shumën prej afër 2 milionë euro, por me projektin e asfaltimit të një rruge lokale që kalon nepër fshatrat Rakosh – Uçë ku do të shpenzohej shuma e mjeteve të cekura. Për gati një vit, K.K. të Istogut i ishte treguar prerazi se nuk do t’i merr mjetet për rrugën në fjalë me arsyetimin se nuk ishte kurrfarë përparësie. Sidoqoftë, në fund të vitit 2008 projekti filloj të zbatohet me mjetet e dhëna nga Ministria.

Kjo analizë mbështetet në shumë burime zyrtare e jo zyrtare. Kam qenë edhe më herët i informuar rreth kundërthënieve ndërmjet Ministrisë dhe K.K. të Istogut për këtë rrugë, ndërsa më vonë edhe i angazhuar drejtëpërdrejt në disa procese të saj siç janë, pyetjet që ia kam bërë Fadil Feratit në debatin e parë me qyetarë kur rastësisht u gjinda në vendin e duhur dhe kohën e duhur, bisedat me zyrtarët tjerë komunal, dhe informatat nga shumë fshatarë që shprehnin mllefin kundër selektivitetit të skajshëm të zyrtarëve komunal në projektet e infrastrukturës rrugore. Më së shumti më ka rastisur të hasi se sa lehtë është të manipulohet me ata fshatarë të gjorë vetëm me fjalë. Nëse jeni zyrtarë komunal, fshatrëve mund t’iu thuani se kjo rrugë do të asfaltohet nesër ose në pranverë, dhe atyre u duket punë e kryer. Në të njëjtën kohë, për projektin e shpallur në tender mund t’iu thuani se ka thënë Fatmir Limaj (ministri i MTPT-së) që nuk do të zbatohet dhe ata besojnë. Në përgjithësi, me disa përjashtime, nëse jeni pushtetar në nivel lokal ose qendror, mund t’i merrni Istogasit me autobusa, iu thoni se po i dërgoni diku për të punuar ose në botën e jashtme, dhe lirisht mund t’i transportoni në kampe të përqendrimit ose ndonjë vend për ekzekutim. Aq është përgjegjësia qytetare e Istogasve të huptë. “Përgjegjësia” e tillë qytetare bazohet në thashethemet e momentit të cilat edhe po të kenë gjasa të jenë të vërteta, nuk llogariten nëse mund të sjellin të mira, zhgënjim ose pasoja.

Më së shumti më ka nevrikosur varshmëria shumë e madhe dhe botëkuptimi i Istogasve të zakonshëm ndaj thashethemeve që kryesisht i marrin në formë gojore, por edhe nga televizioni kur transmeton deklarata të politikanëve. Nuk mendojnë në mënyrë kritike se sa ato deklarime përkojnë me realitetin në terren. Shkaku i një rrethi të tillë të mbyllur në informim mund të jetë numri i kufizuar i televizioneve dhe lajmet me përmbajtje të ngjashme, emisionet me personalitete të kufizuara, propaganda dhe gënjeshtrat e përdorura nga politikanët.

Pos burimeve të shumta, analiza është bazuar në vizitat e shpeshta në terren ku planifikohej dhe tani zbatohet projekti, si dhe rrugët tjera me përparësi më të madhe por të anashkaluara qëllimshëm. Më tutje janë shfrytëzuar fotografitë e Google Earth nga ajri që tregojnë qartë përzgjedhjen selektive të një rruge të ngushtë për t’u asfaltuar. Është diçka që shihet edhe nga aeroplani se kemi të bëjmë e një përzgjedhje të mprapshtë të përparësive në infrastrukturën rrugore. Fotografia e përbashkët e disa fshatrave të rajonit verilindor të komunës së Istogut në lartësi prej 7,62km pastaj është zbërthyer në fotografi të zmadhuara për fshatrat veç e veç, me theks të veçantë tek rrugët. Me këtë rast është ruajtur lartësia e njëjtë nga ajri prej 1,5km për secilën fotografi të rajoneve të ndryshme me qëllim që krahasimi të jetë sa më i mirë dhe objektiv.

Pas fillimit të punimeve ose përgatitjeve të terrenit për asfaltim, rruga Rakosh – Uçë është vizituar edhe një herë me 21 dhjetor 2008 për ta vështruar gjendjen. Natën e vitit të ri rastësisht kam takuar arkitektin ose njeriun kryesor prapa të cilit qëndron projekti. Është fjala për një mik timin të kryqëzuar ose të dyfishtë – ish arsimatri i fizikës dhe kujdestari im i klasës me të cilin kam edhe miqësi familjare të tërthortë. Më përshendeti me fjalët “ku je Paja Patak”. Informata më e fundit në këtë analizë përfshinë bisedën me një zyrtar komunal për të vërtetuar nëse Fadil Feratin e kanë rrahur Klinakët në Gurrakoc me datën 30 dhjetor 2008 rreth një projekti në infrastrukturën e ujësjellësit.

Ndonëse është rast në vete dhe i veçantë, është bërë përpjekje për ta përshkruar ndonjë rast të ngjashëm për krahasim në rajone tjera të Kosovës për të treguar se ku do të investoheshin një shumë e madhe e mjeteve në një rrugë lokale duke i lënë rrugët regjionale si çështje e rëndësisë më të vogël. Që publiku të jetë edhe më shumë në dijeni se çfarë lloj skandali është në pyetje, është supozuar krahasimi i përparësive në infrastrukturën rrugore në disa fshatra të komunës së Durrësit dhe Shijakut në Shqipëri.   

 

 

2.1. Rreth Istogut dhe infrastrukturës së tij rrugore

 

Istogu ishte lavdëruar si komuna që më së miri i ka përmbushur të ashtuquajturat “Standarde për Kosovën” në raport me komunat tjera. Deri në fund të vitit 2007, vlerësohej se kishte bërë përparime të dukshme në ndreqjen e infrastrukturës rrugore. Buxhetin komunal nga të hyrat vetanake e kishte dhe ende e ka shumë të vogël, por kishte përfituar dhe ende përfiton nga organizatat e huaja që veprojnë në Kosovë. Infrastruktura rrugore megjithatë nuk është përmirësuar aq sa është propaganduar dhe si duhet. Kjo vlen sidomos për fshatrat që kishin një rrjet të mirë të rrugëve që K.K. i ka lënë me qëllim pa u asfaltuar, edhe pse nga çdo këndvështrim ato ishin përparësi. Në vend të tyre janë asfaltuar rrugë dytësore ose lokale, dhe kjo ka ndodhur për shkak të grupeve të interesit brenda K.K. dhe jashtë tij.

Istogu më tepër njihet për pozitën e tij të përshtatshme gjeografike, çka i bën shumë vizitorë të mendojnë pozitivisht edhe për infrastrukturën e tij. Ndërtimet private pas luftës në Kosovë 1998-99 i kanë dhënë atij pamjen e një qyteze. Në aspektin ekonomik nuk qëndron ndryshe me komunat tjera të madhësisë së ngjashme. Papunësia është masive dhe varfëria e theksuar. Rajoni si komunë dallohet për shkatërrimin e madh të pyjeve gjeth rënëse dhe atyre halore. Prerjen e jashtëligjshme të pyjeve gjeth rënëse e bëjnë fshatarët për nevojat e tyre për ngrohje dhe shitje. Lëndet drurore të pyjeve gjeth rënëse shumë pak përdoren në industri nga shkaku se janë pakësuar dukshëm. Mungesën e tyre e plotësojnë lëndët e pyjeve halore nga mali i Radushës dhe Moknës, ku janë regjistruar një numër i incidenteve që i kanë shkaktuar serbët nga Serbia.

Edhe pse gjindet afër Pejës në kuadër të së cilës edhe hyn si komunë e qarkut të Pejës, siguria pas luftës në Istog ka qenë shumë më ndryshe. Peja u bë Përendimi i Egër i Kosovës me numrin e madh të vrasjeve që kishin ndodhur për interesa korruptive dhe qërim hesapesh ndërmjet grupeve të interesit. Peja deri vonë radhitej si komuna me numrin më të madh të vrasjeve pas Prishtinës në tregues absolut, dhe e para në Kosovë për nga vrasjet në raport me numrin e popullsisë. Pse Istogu ka pasur numër relativisht shumë më të vogël të vrasjeve jo vetëm se Peja por edhe komunat tjera, nuk është hulumtuar ndonjëherë për t’i treguar shkaqet e përgjithshme. Derisa në Pejë vrasjet ishin qërim hesapesh ndërmjet “mafisë së biznesit” dhe pasojë e reketeve, në komunën e Istogut ato më së shumti kanë ndodhur për ngatërresa tjera që kanë lindur spontanisht. Nuk është se njerëzit e Istogut janë më të “butë” dhe më të “ndershëm” siç i perceptojnë shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të shteteve tjera. Sqarimi është tek inteligjenca e pamjaftueshme e Istogasve për të “përparuar” në qërimin e hesapeve sipas metodës më “natyrale” të Pejës, e që ka gjasa të ndodhë në të ardhmen, si fazë e “domosdoshme” për tranzicion në demokraci. Peja deri diku i plotëson këto kushte, ndërsa Istogu është shumë larg. Kjo vërtetohet me investimet e K.K. të Istogut në infrastrukturën rrugore sipas miqësisë, anashkalimin e qëllimshëm të rrugëve me përparësi të lartë dhe të gatshme për t’u asfaltuar, si dhe me planin sekret të Paja Patakut me rr’xu shpija që është ndër temat kyçe të analizës në këtë artikull. Të gjitha këto kanë kaluar pa rezistencë dhe ankesa nga Istogasit e “huptë” (hutuar). K.K. i Istogut i ka mbuluar këto vepra me raporte të pavërteta ndaj të cilave askush nuk ka reaguar në formën e duhur.

 

 

 3.1. Gjendja e rrugëve të asfaltuara në komunën e Istogut

 

Rrugët regjionale më të mira dhe më standarde mbesin ato që janë asfaltuar para disa dekadave gjatë socializmit vetqeverisës, ku hyn rruga Istog – Gurrakoc – Klinë, dhe Pejë – Banjë – Gurrakoc – Rakosh që shpie në Mitrovicë. Ndër rrugët regjionale të asfaltuara pas luftës 1998-99 vlen të përmendet ajo në relacionin Vrellë – Banjë e asfaltuar para një viti. Rruga Istog – Cerrcë – Vrellë megjithë se duket e fortë dhe me cilësinë e duhur të asfaltit, ka një mangësi të theksuar. Asaj nuk i janë vënë mbrojtëset anash prej betoni dhe i mungojnë kanalizimet përfundi. Sa herë bie shi, rrugët e pa asfaltuara të lagjeve në fshatrat Cerrcë dhe Lubozhdë që lëshohen nga ana veriore sjellin me bollëk llum, rërë dhe gurë duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Nëse fshatarët nuk e heqin materialin e grumbulluar mbi asfalt, gjatë ditëve me diell në komunikacion bëhet pluhur. Ky proces rrezikon dëmtimin e asfaltit sikur para dy dekadave që kishte ndikuar në shkatërrimin e rrugës së asfaltuar. Secili vizitor i rastit, mos të flasim për arkitektët dhe inxhierrët, do ta pyeste veten se për çfarë arsye nuk janë ndërtuar kanalizimet e domosdoshme nën asfalt për rrugicat që sjellin baltën, rërën dhe gurët. Nuk ka pasur ndonjë përgjigje konkrete deri më sot për arsyet e mungesës së atyre kanalizimeve. Duke u bazuar në vlerësimin e përgjithshëm rreth manipulimeve në tendere për asfaltimin e rrugëve me qëllim përfitimi privat siç janë trashësia më e hollë e asfaltit, rruga më e ngushtë se që është planifikuar dhe shpallur në tender, e shumë elemente tjera shoqruese për rrugët sipas standardeve, atëherë mund të supozohet se mjetet e parapara për mënjanimin e mangësive ekzistuese në rrugën Istog – Cerrcë – Vrellë kanë mundur të përfundojnë në xhepa të dikujt. Ky supozim megjithatë duhet të vërtetohet, ose së paku të jipet përgjigje e drejtë për mungesën e kanalizimeve.

Rruga Istog – Dubravë e (ri)asfaltuar para 4 viteve ka filluar të plasaritet dhe të shfaqen gropat. “Kjo rrugë tash vonë është asfaltuar dhe ja, si ka filluar ta lëshoj për shkak të cilësisë së dobët të asfaltit”, po më thoshte shoferi, një zyrtar i K.K. të Istogut gjersa po udhëtoja me të në atë rrugë. Vështirë se kjo rrugë do të qëndroj edhe 4 vite tjera pa pasur nevojë për t’u riasfaltuar.  Vazhdimin e saj prej Dubravës deri te Hani i Sarës në Bellopojë ose në hyrje të magjistrales Pejë – Mitrovicë, me gjatësi më të shkurtë se 2km, më vonë e kishte bërë KFOR-i Spanjoll. Baza e KFOR-it Spanjoll gjindet pikërisht në Dubravë buzë asaj rruge, dhe ai e bëri punën për t’ia lehtësuar së pari vetes qarkullimin.  

Për rrugën Muzhevinë – Llukavc ankohen shumica e qytetarëve se nuk është punuar si duhet dhe është e ngushtë. Fajin kryesor ia hedhin ndërmarrjes e cila e i ka kryer punimet. Është me rëndësi të theksohet se e njëjta ndërmarrje që nuk ka bazë dhe kapacitete për asfalt është kontraktuar për asfaltimin e rrugës Rakosh – Uçë. Pronarët e saj janë nga fshati Uçë.

Edhe për rrugën Istog – Istog i Poshtëm qytetarët ankohen shumë se është lënë më e ngushtë se që ishte dashur të jetë ose planifikuar. Në biseda private ata akuzojnë pushtetin lokal të Istogut se e ka “hangër” një pjesë të asfaltit. Rrugët lokale të asfaltuara për lidhjen e fshatrave janë të ngushta. Për vendbanimet e Istogut i plotësojnë standardet krahasuar me rrugët regjionale në fshatrat Verilindore që mbesin të paasfaltuara edhe pse janë me përparësi më të lartë, kushtojnë më pak, dhe janë të gatshme për t’u asfaltuar. Brenda qyetzës së Istogut, trotuaret janë të rregulluara mirë dhe përgjatë tyre janë mbjellur drunjë. Rruga prej stacionit të autobusëve deri në hyrje të rrugës për Gurrakoc ende i përngjan një terreni ku duket se kanë shpërthyer granatat; asfalti është i çarë dhe në dalje ka gropa.

 

 

 

 

 

3. Asfaltimi i rrugëve kah dera e shtëpisë së pushtetarëve qendror dhe lokal si përparësi: Istogu dhe viset tjera të Kosovës

 

Kur Ibrahim Rugova ishte Kryetar i Kosovës, gjatë mandatit të tij kishte ndikuar, apo pse jo edhe urdhëruar, ish-ministrin e MTPT-së Zef Morina që vinte nga Partia Shqiptare Demokristiane (partner i atëhershëm qeveritar i LDK-së në pushtet) ta bëjë asfaltimin e rrugës Istog – Cerrcë – Vrellë. Cerrca është vendlindja e Ibrahim Rugovës. Duke mos e paragjykuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e asfaltimit të kësaj rruge, kishte edhe dy arsye tjera me ndikim vendimtar. E para, Istogu ishte bastioni kryesor i LDK-së; dhe e dyta, kryeshefi ekzekutiv i atëhershëm dhe nënkryetari i tanishëm i K.K. të Istogut, Haki Rugova, është nga Cerrca.

            Me ardhjen e Fatmir Limajt në krye të MTPT-së, jo rastësisht fillon asfaltimi i rrugëve në Malishevë ose komunën nga vjen vet ministri. Pastaj vazhdohet me rrugët lokale në fshatrat prej nga vijnë politikanët tjerë të PDK-së dhe gratë e tyre. E para është gruaja e Kryeministrit Hashim Thaçi. Ajo vjen nga fshati Studime e Vushtrisë. MTPT-ja dhe K.K. i Vushtrrisë do të përkujdesen për asfaltimin e rrugës në gjatësi prej 5,9km dhe gjerësi 5m kah dera e familjes dhe farefisit të gruas së Hashim Thaçit. Projekti ka kushtuar 457.000€, prej të cilave mbi 80 përqind i kishte siguruar MTPT-ja, mbi 15 përqind K.K. i Vushtrrisë dhe pjesëmarrja e qyetarëve 4,4 përqind.[2] Shuma e mjeteve të pjesëmarrjes së qyetetarëve në tregues monetar ishte 20.000€, ose e sasisë që gruaja e Hashimit ndoshta ka mundur t’i siguroj si bakshish po që se i kishte hallakatur xhepat mirë.

            Në kohën kur ishte Kryeministër, Bajram Kosumi kishte devijuar një fond prej qëllimit të përcaktuar duke e shfrytëzuar atë për asfaltimin e rrugës Kamenicë – Tugjec (fshati i lindjes së Bajram Kosumit), me gjatësi prej 18km. Për shkak se nuk qëndroj shumë në krye të Qeverisë së Kosovës, nuk kishte arritur ta zbuloj i pari praktikën e asfaltimit të rrugëve kah dera e miqëve sikur Hashim Thaçi. Po të vazhdonte mandatin pak më gjatë, ndoshta do të ishim dëshmitar të asfaltimit të rrugës në fshatin Prigodë të Istogut prej nga Bajrami e ka gruan. Asfaltimi i rrugëve në fshatrat e Istogut ndodhë vetëm në rastet kur nga ai fshat vjen ndonjë funksionar i pushtetit qendror dhe/ose lokal. Rruga në fshatin Staradran u aslafltua pasi Adem Grabovci u bë zëvendësministër i MTPT-së dhe vjen nga po ai fshat.   

Klientelizimi dhe nepotizmi si parime themelore në investimet e infrastrukturës rrugore marrin të gjitha format dhe kombinatorikën e mundshme. Shumica e qyetarëve të Istogut që kishin njohuri elementare rreth projekteve të infrastrukturës rrugore të K.K. të Istogut vazhdimisht e theksonin mospajtimin që udhëheqësia e komunës e kishte me MTPT-në. K.K. i Istogut insistonte fuqishëm në asfaltimin e rrugës lokale Rakosh-Uçë dhe për këtë kërkonte mjete nga MTPT-ja. Ministri Limaj kishte vizituar rrugët e Istogut. Kur e dërgojnë në rrugën e Paja Patakut, ministri u kishte deklaruar zyrtarëve komunal: “Kjo nuk qenka rrugë; kjo është rrugë lagjesh. Kjo nuk vie në shprehje hiq”. Më pas ministri kishte shikuar rrugët tjera në gjendje më të mirë, dhe për rrugën Dubravë – Shushicë e Epërme kishte thënë: “Kjo qenka e gatshme dhe e lehtë për ta asfaltuar. Nëse filloni këtu, menjëherë ua jepim mjetet”. Mirëpo, K.K. të Istogut edhe sikur t’i jipeshin milionat për asfaltimin e rrugëve në gjendje më të mirë dhe me përparësi, ishte i vendosur të refuzoj. Synimi i tyre ishte dhe mbeti rruga lokale Rakosh – Uçë me të vetmin shkak; nga Rakoshi është drejtori i drejtoratit të K.K. të Istogut Agim Haxhiaj, ndërsa nga Uça Bedri Hajzeraj, udhëheqës i sektorit Komunal për Çështje të Rinisë dhe Sportit. Sipas burimeve të sigurta, refuzimit kategorik të ministrit Limaj për ndarjen e mjeteve për rrugicën e Paja Patakut, Fadil Ferati i është përgjigjur duke intervenuar tek Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu. Sjediu pastaj ka ushtruar presion tek eprori i tij Hashim Thaçi që ta detyroj Fatmir Limajn t’i ndajë mjetet. Pas këtij intervenimi, MTPT-ja i ka dhënë 1.890.000 euro K.K. të Istogut, për rrugicën e Paja Patakut që vlerësohej se kushton afër 2 milionë euro. Sqarim tjetër për mjetet e dhëna nga Ministria, e cila edhe ashtu nuk e kishte për obligim t’i jepte për rrugët pa përparësi,  nuk ka. Disa shkojnë edhe më larg në spekulime se arsyeja gjindet në vendosshmërinë e një pjese të udhëheqësisë së LDK-së për t’iu nështruar më shumë PDK-së dhe në heshtje e para të bëhet vetëm vegël e së dytës. Por më e arsyeshmja ndër të gjitha dyshohet të jetë përfitimi privat i jashtëligjshëm i një pjese të mjeteve si qëllim i parë dhe i fundit përmes bashkëpunimit të fshehtë. Fakte tjera se kur janë në pyetje këto raporte interesash të ngushta dhe personale në dëm të shtetit dhe demokracisë, ka sa të duash. Më 19 dhjetor 2008 PDK-ja kishte rrëzuar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për Kryetarin e Kosovës, me arsyetimin se përmbajtja e tij duhet të ndryshohet rrënjësisht, ndërkaq opozita e kishte cilësuar projektligjin si jo demokratik, të keq, dhe kishte kërkuar që i njëjti mos të vijë kurrë në Kuvend. Vetëm një ditë pasi PDK-ja kishte kërkuar dhe arritur heqjen nga rendi i ditës të projektligjit, Kryetari Sejdiu kushtëzoj Kryeministrin Thaçi me mosnënshkrimin e projektbuxhetit për vitin 2009. Projektligji (famëkeq sipas vlerësimeve të Kuvendit) për Kryetarin u rikthye në Kuvend me urdhërin e Kryeministrit Thaçi dhe u miratua. Kryetari Sejdiu si shpërblim përmbushi zotimin për kushtëzimin që e kishte bërë – nënshkroj projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2009 – buxhet të cilin nuk e përkrahi Fondi Monetar Ndërkombëtar. Këso marrëveshje kanë ndodhur vazhdimisht. Rasti më i freskët është më 11 janar 2009 kur LDK-ja mbështeti raportin me plot gënjeshtra të Qeverisë për punën një vjeçare. Nuk ia vlen të përmenden rastet e tilla prej se ka ardhur në pushtet ky koalicion sepse do të duhej një libër i tërë për analizën e tyre. 

Ministri Limaj vazhdimisht krekoset nepër media përtej nivelit të arsyeshëm për punën në asfaltimin e rrugëve të Kosovës. Po të bisedoni me shumicën e qytetarëve të Kosovës, ata  mendojnë se të gjitha ministritë e Qeverisë së tanishme janë të shquara për dështime të hatashme, me përjashtim të MTPT-së dhe deri diku Ministrisë së Arsimit për kufizimin e krimit të organizuar në arsimin e lartë privat. Nuk e di se për cilat arritje bëhet fjalë në arsimin e lartë kur termi intelektual në praktikë nuk ekziston. Po të kishte Kosova intelektual, korrupsioni dhe gënjështrat ashiqare nuk do të ishin shndërruar në mënyrën “hyjnore” dhe më të zakonshme të jetës. Për “arritjet” në arsimin e lartë dhe pseudo intelektualët e Kosovës ekziston vetëm një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjet edhe njerëzimi: A ka pasur periudhë më të errët historike për dijen në Kosovë se sot?  

Çfarë pune në të vërtetë ka bërë MTPT-ja nën mandatin e Fatmir Limajt deri më sot dhe si është gjendja me infrastrukturën rrugore? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje në kuptimin e gjërë të fjalës dhe në vija të trasha, është e domosdoshme të merret parasysh gjendja me buxhetin e Kosovës para se të vie në pushtet koalicioni qeveritar PDK-LDK. Në vitin 2007 buxheti i Kosovës kishte trashëguar një suficit (tepricë) të grumbulluar nga vitet paraprake prej 300 milionë euro, ose një shumë sa 40 përqind e buxhetit të përgjithshëm për atë vit. Në fund të vitit 2008 kishte arritur 444 milionë euro. Të kujtojmë se suficiti buxhetor ose mos shpenzimi i mjeteve ka lënë pasoja në shërbimet publike dhe funksionimin e shtetit. Qeveria e re vendosi që shumicën e atyre mjeteve t’i orientoj në infrastrukturën rrugore. Sado që gjendja e këtij sektori me ndikim të tërthortë në ekonomi ishte dhe është vërtetë a pakënaqshme, shpenzimi i madh i mjeteve në këtë sektor gjithsesi linte mangësi në sektorët tjerë. Qeveria mund ta shpezoj jo vetëm suficitin e mbledhur për vite me radhë, por edhe gjysmën e buxhetit të tanishëm në asfaltimin e rrugëve. Pasojat nga kjo përndarje e mjeteve dihen paraprakisht në sektorët tjerë. Përveç kësaj, Qeveria në periudhën janar – shtator 2008 ose për 8 muaj ka shpenzuar 134 milionë euro për investime kapitale (kryesisht rrugë), ndërsa vetëm gjatë muajit dhjetor të të njëjtit vit shpenzoj 135 milionë ose një milion më shumë. A thua pse? Besoj i dini shkaqet dhe nuk ka nevojë të diskutohen këtu.

Deri më tani, MTPT-ja e Fatmir Limajt ka shpenzuar mbi 100 milionë euro në rrugët e Kosovës. Për vitin 2009 ministri deklaroj se janë ndarë diku 115 milionë euro për rrugë, ose 8 përqind e buxhetit të përgjithshëm, ndërkohë për bujqësinë më pak se 1 përqind. Dhe çfarë rezultatesh u arritën me 100 milionë euro në asfaltimin e rrugëve që shumë qytetarëve u ka bërë përshtypje se po punohet shumë? Mandej, sa janë reale vet lavdërimet e Qeverisë së ka asfaltuar 600 km rrugë, dhe emërtimet e opozitës për “Qeverinë e asfaltit”? E tërë kjo krijon përshtypjen se në Kosovë është duke ndodhur një përmirësim i dukshëm i infrastrukturës rrugore. Përveq propagandës në media, gjendja në terren është ndryshe. Çfarë zhvillimi i infrastrukturës është arritur me asfaltimin e rrugëve nepër Malishevë, Studime, Starandran, dhe së fundi me rrugicën e Paja Patakut? Si është gjendja me rrugët kryesore të Kosovës?

Autostrada Merdar – Vërmicë ose prej kufirit me Serbinë deri në pikën kufitare me Shqipërinë, e rëndësisë jetike për Kosovën, është kerkah hiq. Rruga tjetër kryesore Prishtinë – Pejë ku MTPT-ja para 3-4 muajve ka filluar zgjerimin prej Fushë Kosovës deri në aeroportin e Prshtinës, mbetet shumë larg realizimit. Çfarë të mire i kanë sjellur komunikacionit punimet e gjertanishme në këtë rrugë? Në vend të më së shumti një ore e gjysmë sa iu duhej për të shkuar me veturë prej Prishtine në Pejë, tani iu duhen afër 2 orë, dhe kjo për shkakun e tollovisë në komunikacion që ka shkaktuar rruga alternative deri sa vazhdojnë punimet në rrugën kryesore prej daljes së Fushë Kosovës e deri në vendin ku ndahet për në aeroport. Ata që mendojnë se ky është sukses gabojnë. Suksesi matet pasi të përfundoj projekti, i cili me punë intensive nuk ka gjasa të mbaroj deri në verë. Kthimi në gjendje më të keqe se që ishte më herët nuk është sukses por dëm që po bëhet me shpresën se në të ardhmen do të shpaguhet për rrugë më të mirë. Rrugët tjera që lidhin qyetet kryesore si ajo Mitrovicë – Prishtinë, është shumë e vjetëruar dhe e arrnuar në shumë vende. Rrugën Prishtinë – Kaçanik Qeveria planifikon ta renovojë. A mbeti ndonjë rrugë tjetër kryesore nacionale që lidhë qyetet e nuk ka nevojë për renovim? Rruga Pejë – Gjakovë – Prizren? Edhe kjo ka nevojë për renovim dhe zgjerim. Për cilën Qeveri të asfaltit e ka fjalën opozita qeveritare? A nuk gjeti tjetër emër indentifikues opozita për ta përshkruar ashtu si është Qeverinë, ta zëmë, “Qeveria e korrupsionit”,  “kampioni i gënjeshtrave”, “Qeveri e nepotizmit”, “Qeveri e shkatërrimit të funksionalitetit të shtetit”, “Qeveri 100 përqind mercenare”, “Qeveri e (ç)orientimeve të shumëfishta seksuale (parashihen me Kushtetutë)”, “Qeveri e territ informativ dhe elektrik”, “Qeveri e planeve shfarorëse të popullsisë shumicë”, e shumë e shumë emërtime tjera më të drejta? Sa janë reale deklaratat e opozitës për Qeverinë e asfaltit? Ku po i sheh gjithë ato rrugë të asfaltuara opozita gjatë vitit 2008? A udhëton ndonjëherë opozita në relacionin Prishtinë – Pejë, dhe a e ka llogaritur për sa kohë e përshkon këtë rrugë gjatë këtyre ditëve të dimrit dhe një vit më parë?

Rrugët e Kosovës ende janë nën çdo nivel jo vetëm të BE-së por edhe të vendeve në rajon. Së paku këtë mund ta dëshmojnë të gjithë ata që kanë sy. Arsyetimet e Qeverisë se është duke bërë revolucion në këtë drejtim dhe akuzat për gjendjen e mëparshme të rrugëve, janë banale. Lavdërimet e Qeverisë janë të tejfryera dhe nuk qëndrojnë. Krahasuar me mjetet e shpenzuara dhe përparësitë në asfaltimin e rrugëve lokale dhe qorrsokaqeve sipas afërsisë familjare, vet lavdërimet janë më tepër fushatë në funksion të propagandës. Kush i sheh dhe i shfrytëzon më së shumti ato rrugë? Diplomatët ndërkombëtar, bizneset e mëdha apo investitorët e huaj?!   

 

 

4. Problemi i ndërtimeve me dhe pa leje në zhvillimin e infrastrukturës rrugore

 

Në këtë nëntitull së pari futet teza e ndërtimeve pa leje dhe mbindërtimeve në ndërlidhje me infrastrukturën rrugore, sidomos në Prishtinë. Pastaj përshkruhet problemi i rrënimit të ndërtimeve pa leje, me qëllim të ndërlidhjes dhe krahasimit logjik me dy nëntituj në vijim për synimin e Paja Patakut në zgjerimin e rrugës lokale Rakosh-Uçë, ku ai ende mendon t’i bind bashkëfshatarët e tij refuzues për t’ua marrë ngapak tokë dhe eventualisht t’ua rrënoj disa mure të oborrit dhe ndonjë pjesë të shtëpisë. E tërë kjo në një zonë rurale ku nuk ka dhe nuk kërkohet plan urbanistik.

            Ndërtimet e objekteve skaj rrugëve janë hasur si problem me rastin e zgjerimit të rrugës Prishtinë – Aeroport. Problem tjetër më i madh është paraqitur për autostradën Merdar – Vërmicë ku duhet të bëhet shpronësimi i pronave dhe kompenzimi i tyre. Qeveria ka vlerësuar se 40 milionë euro do të duhen për kompenzim. Kosova ende nuk ka ligj të vetin për shpronësim. Duke u bazuar në rregulloren e UNMIK-un nr. 2000/54 mbi Ligjin e Zbatueshëm në Kosovë, shpronësimi mund të bëhet edhe me ligjet e ish-Jugosllavisë dhe të ish-KSAK-së.

            Turrja masive për ndërtime pa leje dhe mbindërtime në qytetin e Prishtinës filloj menjëherë pas gjysmës së dytë të vitit 1999. Shkaqet e kësaj turrje ishin të shumëfishta, më së shumti të mbizotëruara nga shkatërrimi i venbanimeve rurale gjatë luftës dhe fluksi i madh i banorëve në qytete. Duke e vërejtur se Prishtina mund të shndërrohet në një kaos ndërtimesh të egra, kryearkitekti i Drejtorisë për Planifikim, Zhvillim dhe Urbanizëm të Komunës së Prishtinës, Rexhep Luci ndërmori iniciativën e quajtur “Vizioni për Prishtinën 2000-2005”. Atë e prezntoj në një konferencë në Hotelin Grand të Prishtinës me datën 11 shtator 2000. Qëllimi ose vizioni i tij ishte një plan i ri urban për qyetetin. Krahas planit ai kishte lëshuar tri vendime me të cilat kërkonte ndihmë nga Administrata e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në rrënimin e shumicës së ndërtimeve të egra më të dukshme. Pas përfundimit të konferencës, gjatë rrugës për në shtëpi ai ishte vrarë në hyrje të banesës së tij nga persona të paidentifikuar deri më sot, pavarësisht se më herët e kishte informuar policinë e UNMIK-ut disa herë për kërcënime. UNMIK-u në shenjë “respekti” me 27 shator nxori Rregulloren nr. 2000/53 mbi Ndërtimet në Kosovë të cilës ia zgjati emrin “Rregullorja Rexhep Luci mbi Ndërtimet”. Dikush më vonë, me gjasë K.K. i Prishtinës, një rruge te sheshi “Nënë Tereza” ia vë emrin “Rexhep Luci”. Është ajo rruga tek kinemaja e qytetit ABC.

            E meta më serioze tek shqiptarët e sotëm në përgjithësi është se tentojnë të identifikohen ose mburren me emra të personaliteteve historike dhe të tregojnë respekt verbal për ta ose bustet e tyre, ndërkohë që konkretisht veprojnë kundër. Për shmebull, çfarë kuptimi ka busti i Skënderbeut afër ndërtesës së Qeverisë mercenare dhe Kuvendit “captive” të Kosovës? Mos ka qenë Skënderbeu mercenar, gënjështar, mashtues, hajdut? Çka shërben busti i tij aty për politikanët trushpërlarë? Njësoj, për çfarë arsye mbahet busti i Nënë Terezës pak më poshtë? Mos ka qenë edhe Nënë Tereza hajdute sikur pushtetarët tanë dhe ka zbatuar politika ekonomike shfarorëse kundër popullsisë, të atilla që ia tejkalojnë regjimit të Millosheviqit? Mos i ka vjedhur Nënë Tereza të varfërit sikur pushtetarët tanë? Apo, mos ka shkuar Nënë Tereza edhe më larg duke bërë eksperimente me organet trupore të njerëzve (transplantime ilegale të veshkeve) dhe sjelljen e mjekëve serb dhe maqedon për fekondime artificiale me spermë lope e gomari të femrave shqiptare siç bëri pushteti i Kosovës? Çfarë rëndësie ka emërtimi i një rregullorje, një rruge apo 100 tjera me emrin Rexhep Luci kur pas vdekjes së tij ndërtimet pa leje u intensifikuan deri në atë masë që, nëse vazhdojnë edhe për një kohë, mund të shkaktojnë kaos të përgjithshëm në Prishtinë? Kjo qasje e gabuar duhet të ndryshojë radikalisht. Më mirë do të ishte të vazhdohej plani dhe vizioni i Rexhep Lucit se të thuhet “ka qenë njeri i mirë, profesional, me vizion, emrin e tij e mban me krenari kjo rrgullore dhe ajo rrugë, e tjera”, ndërsa të njëjtit njerëz vazhdojnë të veprojnë praktikisht kundër atij plani dhe vizioni. Vlerësime të ngjashme për Rexhep Lucin mund të ofrojnë edhe ata që e kanë vrarë. Nuk u kushton dot gjë.

            Prefekti i tanishëm i Prishtinës, Isa Mustafa para zgjedhjes në këtë post kishte premtuar se Prishtinën do ta bëjë një metropol ose qendër financiare të Evropës juglindore. E ka bërë, ose më mirë të themi i ka ndihmuar të bëhet sepse e gjeti pak a shumë ashtu, qëndër të plehrave dhe ndërtimeve pa leje. Për këto të fundit filloj të reklamohej nepër media se po ndërmerr diçka kundër tyre. Në fakt, intensiteti i atyre ndërtimeve vend e pa vend shtohej. Një termet i fuqisë mesatare rrezikon ta shndërroj një pjesë të mirë të Prishtinës si qytet në gërmadhë për shkak të këtyre ndërtimeve pa kritere. Aq janë shqetësuese përmasat e ndërtimeve të egra dhe mbindërtimet në Prishtinë sa që, edhe pa nevojën e ndonjë tërmeti shkaktojnë rrezik. Me datën 4 dhejtor, një erë (frymë) kishte rrëzuar një mbindërtim në lagjen Ulpiana, në banesën D-9 Hyrja 8. Për fat të mirë, askush nuk kishte qenë aty pranë kur ra mbindërtimi në formë të çatisë prej llamarine dhe hekuri që dëmtoj 7 makina të parkuara në tokë. Gazetat ditore për këtë rast vënin tituj interesant në ballinë si “I rrëzon Zoti, e jo Isa [Mustafa]”, “Era [Fryma] kryen punën e funksionarëve komunal”, e të ngjashëm. Disa qyetetarë të asaj ndërtese ku ra mbindërtimi pa leje, u shprehen: “Aa ku s’ka qëllu Isa Mustafa me të tjerët e Komunës n’ven t’kerreve ku o ra çatia, e me t’i ba papq”.    

Asnjë qytet në Evropën juglindore nuk është më në rrezik se Prishtina nga ndërtimet pa leje dhe mbindërtimet. Ngarkesa shumë e madhe e ka rritur dukshëm problemin e furnizimit me ujë. Gjatë stinës së verës, pjesa më e madhe e Prishtinës ka reduktime të rregullta në furnizimin me ujë, që zgjasin orës 22 deri 6 të mëngjesit. Alarmi për rrezikun e mbetjes së Prishtinës pa furnizim me ujë shpesh herë transmetohet në media, duke dhënë edhe informacione për vlerësimin e rezervave, prej më së shumti 6 muaj e deri më së paku 3 muaj nëse nuk ka reshje të mjaftueshme atmosferike. Edhe këtu si me rastin e rrëzimit të ndërtimeve pa leje po kërkohet ndihma e Zotit, e jo Isa Mustafës. Mbetet të shihet nëse Prishtinasit do të orientohen më shumë kah “hazreti” Isa (Jezusi) i rrejshëm i Prishtinës apo Zoti! Deri më tani, rezultati është 2:0 në favor të Zotit!

Problemi i furnizimit më ujë në Prishtinë që vjen duke u shtuar si pasojë e e mbindërtimeve, rrezikon të shkaktoj epidemi në shkallë të gjërë. Uji është burim jetik për ndërtesat shumëkatëshe, sidomos për kuzhinën dhe banjon si pjesë e banesës. Mund ta merrni me mend se çfarë pasojash mund të ketë mungesa një ditore e ujit në ditët e nxehta të verës për familjet që banojnë në blloqe ndërtesash. Një ekspert i hidrologjisë, i cili dukej se ishte më i spikaturi në Kosovë për këtë lëmi (Sulejman Daka) po më tregonte vërejtje të shumta rreth një ndërtese mbi 40 katëshe që planifikohet të ndërtohet në Prishtinë. Tek po argumentonte vërjetjen e tij për vështirësitë e furnizimit me ujë të gjithë asaj ndërtese në Prishtinën me ujë të pamjaftueshëm për ndërtesat ekzistuese, profesori e përmbylli diskutimin e tij me këtë deklaratë: “Nëse dekada e parë e shekullit 21 mund të cilësohet si luftë për naftë, dekada e dytë do të jetë luftë për ujë”. Një lloj konflikti për ujë është edhe në Istog dhe fshatrat Verilindore të tij, ku hyn edhe fshati i Paja Patakut, që do të diskutohet me vonë në këtë analizë. Kjo ishte arsyeja që në këtë paragraf u parashtrua problemi i furnizimit me ujë si jashtë teme.    

Ngarkesa e madhe e Prishtinës me ndërtime dhe popullsi e ka rënduar shumë edhe komunikacionin. Në ditët normale të punës, kolonat e automjeteve në udhëkryqe me semafore mund t’iu detyrojnë të prisni dy ose më shumë herë dritën e gjëlbërt deri sa të hyni në radhë për të kaluar. Shumica e trotuareve janë vazhdimisht përplot me automjete të parkuara. Këmbësorët kanë vështirësi të përbirojnë ndërmjet veturave të parkuara ngat-a-ngat në trotuare.

 

 

5. Kush dhe çka është Paja Pataku?

 

Termi Paja Patak është në gjuhën serbokroate. Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, televizioni i Beogradit shikohej edhe në Kosovë. Në mesin e shumë emisioneve që transmetonte ai televizion, shqiptarët e Kosovës shikonin filma vizatimor. Ata shqiptarë që kanë preferuar të mvaren më shumë nga filmat vizatimor se nga emisionet tjera të TV Beogradit, kanë vepruar mirë.  E vetmja e metë ishte se shprehjet orgjinale në serbisht “Paja Patak” dhe “cerrtani film” (film i vizatuar) u futen si zhargone në gjuhën e folur shqipe dhe shpesh përdoren edhe sot. Edhe pse më vonë televizioni i Prishtinës filloj transmetimin e filmave vizatimor me atë personazh pataku dhe e përkthej në shqip si “Ros Rosaku”, në opinionin e gjërë mbeti termi “Paja Patak” e më pak “cerrtani film”. Televizioni i Prishtinës në kuadër të filmave vizatimor më së shumti transmetonte “Tomi dhe Xheri”. Ky film në Kosovë deri diku ishte bërë sinonim i filmave vizatimor në përgjithësi.

Paja Pataku është animim i një pataku në filmin e kompanisë Walt Disney nga Holivudi i SHBA-ve. Emrin e vërtetë në origjinal pataku i animuar e ka Donald Duck (Donald Pataku). Krijimin e Patakut të animuar dhe bashkëlidhjen e emrit Donald e kishte bërë themeluesi i kompanisë Walt Disney, Walt Disney. Karakteristikat e Paja Patakut janë shfrytëzuar nga një grup humoristësh nga Kosova të quajtur Stupcat, ku luajnë Vedat Bajrami, Osman Azemi, dhe Mensur Safqiu. Skeçi humoristik i përgatitur nuk është vetëm shfaqje për zbavitjen e shikuesve sa është pasqyrim i realitetit të rrezikshëm që bart përpjekja për rrëzimin e ndërtimeve pa leje.

Le ta kujtojmë edhe një herë atë që u tha më herët – kryearkitekti i K.K. të Prishtinës ishte vrarë në të njëjtën ditë pasi bëri një prezentim të planit kundër ndërtimeve pa leje. Kërcënim i njëjtë i ka përcjellur edhe punëtorët në terren të kontraktuar nga K.K. i Prishtinës për rrënimin e disa objekteve pa leje. Policia e armatosur mirë shpesh herë i ka shoqëruar punëtorët e ngarkuar për rrënime. Problemi megjithatë nuk ka mundur të mënjanohet vetëm me përcjelljen e policisë të rrënuesve në terren. Ndërtuesit pa leje nuk kanë reaguar gjatë rrënimit të objekteve të tyre pa leje, por kanë mbajtur mend personat e angazhuar. E meqenëse Kosova është vend i vogël ku shumica e njohin njëri tjetrin lidhje pas lidhje, ndërtuesit u janë hakmarrur më vonë rrënuesve të kontraktuar nga komuna. Pikërisht për këtë tragjedi Stupcat kanë dalur me një komedi se si ta kryejnë punën – rrënimin e objekteve pa leje – por të maskohen disi që pronarët e ndërtimeve pa leje të mos munden t’i identifikojnë më vonë për hakmarrje.

Vedati luan rolin e policit, Osmani të Paja Patakut ose punëtorit të bagerit për rrënim me emrin Agron, ndërsa Mensuri të pronarit të shtëpisë që me vendimin e komunës është pa leje dhe duhet të rrënohet. Polici e njofton Agronin për planin: “Sot me datën tremdhet tet dy mi e tetë, duke pas parasysh me vendimin e komuns,...një përgjegjsi e madhe do të ndërmarrim sot. Do t’i rrënojmë t’gjitha objektet pa leje, e sidmos kjo vlen për matrapazat dhe hajdutë; që ja prishën bukurinë e qyetit dhe ja nxunën frymën, dhe e keqpërdoren djersën”. Agroni i shqetësuar i ankohet policit se duhet të ketë përforcime shtesë nga frika se kur e rrënojnë shtëpinë e dikujt mund të ketë sulme. “Po tutna se ai pronari i shpisë kur t’um sheh mu, ai nashta nuk um sulmon sot, po ai nesër munet me m’sulmu se ma man men figurën; edhe nesër t’u dalë me ble bukë unë, ai munet me dalë me m’sulmu”. Polici si zgjidhje ia jep një maskë Agronit ta vëjë në fytyrë dhe i tregon se nuk je më Agroni – je Paja Pataki[u]. Polici refuzon vërejtjen e Paja Patakut se maska ka vetëm një sy të hapur, me arsyetimin se me dy sy “e shkatrron krejt” (edhe ndërtimet me leje). Kur shkojnë ta rrënojnë shtëpinë, del pronari nga shtëpia dhe, në bazë të zhargonit dhe sinonimit për filmat vizatimor që janë kultivuar tek një pjesë e madhe e opinionit publik siç u theksua më lartë, i drejtohet shoferit të bagerit me maskë në fytyrë:

-         O cerrtan! Zhdryp, zhdryp! Ka je nisë o Tomixher?

-         Jo, unë nuk jam Tomixheri, unë jam Paja Pataku!

Pasi ia ngrit maskën, pronari fillon ta godasë fytyrës. Polici pastaj inkuadrohet në bisedë gjersa Paja Pataku merr goditje. Pronari me agresivetitin e tij frikëson edhe policin i cili kalon në anën e pronarit në dëm të Paja Patakut.

Polici: Ni sekond! Kush t’ka thanë me hi n’oborr t’huj?

Paja Pataku: O zotni, mu m’kanë thanë ashtë ni plan sekret..

Polici: Çfarë plani?

Pronari: Plan sekret n’shpi teme patak, n’shpi teme patak a?

Polici: Viq pak! A i bon planet sekret policia e shteti, a ti?

Pronari: Tii mor pataku, cerrtani i keq!

            Polici më vonë, pasi shkon pronari dhe pajtohet me të që Paja Pataku në vend të rrënimit të shtëpisë do t’ia paçllais oborrin nga bërllogu, i thotë Paja Patakut se do ta dërgojnë pronarin në Burg të Dubravës (gjindet në Istog). Më tutje polici i tregon Paja Patakut se një herë dështuam por në kuadër të planit strategjik ende nuk kemi dështuar. “Tash shkojmë me opcionin Cipiripi”. Cipiripi është një karakter i animuar serb.     

 

 

6. Plani sekret i Paja Patakut me rr’xu shpija dhe përparësitë e mbprapshta në infrastrukturën rrugore të komunës së istogut

 

"Bëjëni veten dele dhe ujqit do t’iu hanë" -- Benjamin Franklin

Paja Pataku gjithmonë e ka pasur në mendje asfaltimin e rrugës kah dera e shtëpisë së vet si përparësi mbi çdo përparësi ndaj infrastrukturës rrugore të Istogut, Kosovës dhe botës, ani pse shtëpia e tij është vetëm nja 300 metra larg magjistrales Pejë – Mitrovicë. E kam dëgjuar zhurmën dhe ankesat rreth kësaj ideje nga Istogasit gati që një vit. Sharjet kundër Paja Patakut kishin filluar. Në momentin kur po shkruaj, përgojimet dhe mallkimet kanë arritur nivel të paarsyeshëm dhe papranueshëm.  Duke e kuptuar mllefin e shumë Istogasve, kjo analizë është bërë me synimin që Paja Pataku me bashkëpunëtorë të kenë trajtim dhe kualifikim më njerëzor për skandalin e bërë. Prandaj, kjo analizë është një relativizim ose mbrojtje e Paja Patakut, nëse ai do ta kuptoj.

Më datën 09 korrik 2008 në Prishtinë takova mikun tim të nderuar Osman Sadikaj, zëvendësdrejtor i Drejtoratit për Ekonomi dhe Financa të K.K. të Istogut. Në mes të bisedës e pyeta edhe për rrugën Rakosh – Uçë dhe i kërkova arsyet pse Komunës iu ka bërë pikë në zemër të shkoj atje aq larg ta asfaltoj një rrugë lagjesh. Më tregoj diçka dhe nuk i ndërhyja shumë me pyetje shtesë dhe kundër argumente, sepse e kam mik të mirë. Tha se projekti planifikohet të filloj atje, të vazhdoj nepër Uçë, të kthehet për Zhakovë, të kaloj përmes Shushicës së Epërme, dhe të dal në Dubravë e cila është vetëm 3km nga qendra e qytezës së Istogut. Vlerësonte se i tërë ky gjysmë-rreth nuk ka më shumë se 13 km dhe asfaltimi i tij kushtonte 1,3 milionë euro. Ta provojmë a ka pasur të drejtë. Rruga Rakosh – Uçë deri në hyrje të fshatit Zhakovë që është shpallur në tender më vonë, i ka 7km. Rruga Dubravë – Shushicë e Epërme deri në hyrje të fshatit Zhakovë sipas matjeve të bëra nga institucionet komptente i ka 6,4 km. Përgjatë Zhakovës deri në hyrje të fshatit Uçë i ka së paku 2,5 km. Gjithsej ky gjysmë-rreth i ka 15 km, nëse jo më shumë.

Osmani më tutje më informoj se pengesa kryesore për K.K. të Istogut në realizimin e këtij projekti është MTPT-ja e cila po refuzonte dhënien e mjeteve. “Është problem politik”. Çfarë problemi politik mund të jetë shpenzimi i shumë mjeteve pa përparësi në rrugët lokale? Është vetëm problem i paarsyeshmërisë ekonomike. Në pyetjen time se çka iu ka tek K.K. të Istogut të hyjë në atë rrugicë aq larg e nuk fillon më afër Istogut prej Dubravës ku rruga regjionale është më e gatshme për asfaltim, e pastaj mund të vazhdoni nepër Zhakovë, Uçë, Rakosh e të dilni ku të doni, qoftë të futeni teposhtë kah Izraelt (lagje e fshatit Rakosh) dhe të përfundoni në shtete tjera, Osmani u përgjigj duke thënë se “mvaret pak edhe nga participimi (pjesëmarrja) e popullsisë në financim”. Participim? Çfarë participimi kërkohet në rrugët regjionale? Sa ka participuar popullsia në asfaltimin e rrugës regjionale Istog – Cerrcë – Vrellë – Banjë e Pejës? Participimi vie në shprehje vetëm pasi rrugët regjionale të jenë kryer në tërësi, dhe ekziston vullneti i fshatrëve për ndihmë në asfaltimin e ndonjë rruge lokale. Fjala participim për rrugën e Paja Patakut ishte vetëm trillim. Paragrafi në vijim tregon se plani në të vërtetë ishte për departicipim, e jo participim.

Pasi më herët isha informuar rreth refuzimit të fshatarëve, kushërinjë të Paja Patakut, që t’iu rrëzohen disa mure të oborreve dhe shtëpija (kah je nisë kshtu kushëri, me rr’xu shpija a?, Stupcat, 2008), kërkova mendimin e Osmanit se a e ka llogaritur Komuna sa do t’i kushtoj kompenzimi i atyre pronave. Më tha se “këtë problem e dijmë të gjithë por ne do të synojmë ta zgjidhim në mirëkuptim me fshatarët”, duke mos i kompenzuar ata për pronat dhe ndonjë shtëpi që do t’i humbin për zgjerimin e rrugës.

Vetëm pas një jave, respektivisht më datën 17 korrik, isha në Istog për të kërkuar dikë të afërm në shtëpinë e kulturës. Pyeta dikë aty brenda ndërtesës, dhe mora përgjigje se personi që kërkoja nuk gjindet në zyre por është këndej pari dhe sipas të gjitha gjasave është në debatin me qyetarë të organizuar nga K.K. i Istogut. Hyra në sallë dhe, aty ishte. Vendosa të mos ia prish rehatinë. Debati ende nuk kishte filluar. U ula edhe unë dhe po pres. Filloj Fadil Ferati preznetimin e projekteve të realizuara dhe atyre të planifikuara. Kah mesi i prezentimit përmendi planin për asfaltimin e rrugës Rakosh – Uçë – Shushicë – Dubravë. Zhakovën e harroj krejt.[3] Ai i afërmi me të cilin kisha një punë tjetër, po më bënë me shenjë kur filluan pyetjet e pjesëmarrëve të ngrihemi dhe të dalim. Po i tregoj të ketë edhe pak durim, ani pse ai debat i përkiste më shumë të gjithë të pranishmëve se mua. Doja të qëndroja së paku deri sa të më jipej rasti ta pyes Fadil Feratin për projektin e Paja Patakut dhe qëndrova deri në fund të debatit.

E pyeta Fadil Feratin atë që e kisha ndërmend. Ishte një numër i madh pyetjeve të cilat i shoqërova me disa sqarime dhe vërejtje. Pyetja e parë e pashmangshme natyrisht ishte përse K.K. i Istogut po u dashka të filloj punën në rrugicë të papërshtatshme me probleme rreth rreth pronave dhe shtëpijave private, për të dalur në rrugën regjionale të Shushicës ku nuk kërkohet asnjë milimetër shpronësim? I tregova se “ne e dijmë fort mirë nga praktika se me ia shty mexhën dikujt, del e t’vret. Ju po planifikoni jo t’ua shtyni, por t’ua merrni ngapak pronë fshatarëve përgjithmonë. A e keni planifikuar kompenzimin e atyre pronave duke e ditur problemin e ligjit mbi shpronësimin”? E shumë pyetje tjera për të cilat nuk mora përgjigje. Për problemin e shpronësimit më tha se është problem që dihet, por duhet të tejkalohet disi në marrëveshje dhe mirëkuptim me pronarët. A nuk është ky plan sekret kur pronarët ia kanë bërë të qartë prej kohësh kushëririt të tyre (Paja Patakut) se nuk do të lejojnë prekjen e shtëpijave? Për mosmarrëveshjet me Fatmir Limaj rreth këtij projekti tha se me të ka raporte institucionale. Çfarë përgjigje ishte kjo? Për disa pyetje tjera pështjelli diçka që nuk e kuptova, ndërsa la shumëçka pa sqaruar fare. Pyetjeve lidhur me projektin e asaj rruge më së miri do të ishte në gjendje t’i përgjigjej Paja Pataku, i cili gjatë tërë kohës as që e çeli gojën për këtë temë por shikonte disi i dyshimtë.

Pavarësisht kësaj, reporti për takimin e parë me qyetetarë të cilin Komuna e ka postuar në internet, përfundon si vijon: “Poashtu nuk munguan as përgëzime dhe lavdata për punën e Kryetarit dhe Administratës Komunale. Për të gjitha pyetjet e parashtruara, qytetarët muarrën përgjigje nga Kryetari i Komunës si dhe Drejtorët e Drejtorive.”[4] Fare në fund, raporti mbi takimin thotë se qytetarëve u është shpërndarë Raporti i Punës i Qeverisë për periudhën 6 mujore. Kjo është gënjeshtër e kulluar; nuk ka pasur shpërndarje të kurrfarë raporti atë ditë për qytetarët e pranishëm. 

Ka pasur edhe media lokale që e kanë përcjellur atë takim. Nëse e kanë të ruajtur në arkivë takimin e asaj dite, do të ishte mirë të hapet dhe të shihet a i morën në të vërtetë qyetarët të gjitha përgjigjet. Përfaqësuesit e opozitës as që kanë marrë pjesë, me fjalë tjera e kanë bojkotuar takimin. Po ashtu, nuk është e vërtetë se K.K. mori vetëm përgëzime dhe lëvdata për punën e tij. Kishte edhe shumë kritika që tani nuk mund t’i mbaj mend se kush i bëri me emra e mbiemra. Lëvdatën që e përmendi në fillim të fjalës së tij një pjesëmarrës nga fshati më Verilindor i Komunës së Istogut – Syrigonë, e pasoj me një varg ankesash kundër K.K. për lënien pas dore të këtij fshati në infrastrukturën rrugore dhe çështje tjera. Personi ishte një plak diku mbi 70 vjeçar dhe quhej Jonuz Shabani. Mbimerin më duket se e kishte Seferi ose Seferaj. Shabani është emri i babait të tij.

Më kujtohet se u bë edhe një pyetje rreth projektit të Paja Patakut. Atë e bëri një person që më vonë kuptova se quhej Naimi i Isuf Zeq(ë)s nga fshati Mojstir.  Ai i propozoj Fadil Feratit nëse rruga e Paja Patakut kur të vie në dalje të Shushicës së Epërme, t’i kthehet drejtimi në të djathtë aty tek varri i Zymer Imerit, të hyjë për midis fshatit Mojstir, të kaloj nëpër fshatin Sinajë dhe të dalë në Dushkajë. Naimit dukej se i kishte pëlqyer strategjia e Paja Patakut, prandaj po kërkonte ta fus asfaltin në rrugën lokale të Mojstirit përgjatë shtëpijave dhe stallave të bagëtive. Fadil Ferati i tha se “është një propozim që mund të shqyrtohet, pse jo”. Me këtë përgjigje Fadili ose ia ka bërë rrafsh Naimit, ose na ka treguar tërthorazi se ajo që ka thënë gjatë prezentimit për rrugën që do të filloj në Rakosh dhe do të dal në Dubravë, aty për aty ishte gënjeshtër. Dhe vërtetë ashtu ishte dhe doli.

Është interesante si i është pjekur në kokë disa Istogasve për t’a futur asfaltin nepër vendbanime të dendura fshatare ku rrezikohet siguria e fëmijëve dhe bagëtive. Çdo kund në botë së pari preferohet të asfaltohen rrugët regjionale dhe autostradat. Nëse ata që mendojnë të turren vetëm për asfaltin kah dera e shtëpisë së vet, me siguri ose nuk kanë lidhje me infrastrukturën rrugore, ose nuk kanë pa kurrë se si rrugët e gjërësisë më të madhe ndërtohen jashtë vendbanimeve, e autostradat bile edhe në shkretëtira. Pas propozimit të Naimit, po të zgjaste debati më shumë rreth projektit të Paja Patakut, supozoja se mos do dal dikush e të thotë: “A ka mundësi që atë rrugë ta devijojmë dhe të kaloj kah këmbët e gruas sime dhe eventualisht ndërmjet tyre”?!    

 

6.1. Anashkalimi i qëllimshëm i rrugëve me përparësi të lartë

 

"E vetmja gjë e domosdoshme për fitoren e së keqes, është që njerëzit e mirë të rrijnë duarkryq” -- Edmund Burke

 

Shushica e Epërme është fshat në Verilindje të Istogut. Gjatë Perandorisë Osmane fshati ka qenë vendbanim më i njohur se Istogu dhe i përkiste Kazasë së Pejës. Rruga Dubravë – Shushicë – Zhakovë ështe shtruar me zhavor dhe rërë para një çerek shekulli. Ishte punuar me të gjitha standardet e nevojshme për rrugët regjionale. Materiali për shtruarjen e saj ishte siguruar nga fshati Rudesh dhe Shushicë. Në fshatin Shushicë ishte shfrytëzuar materiali i cili gjindej me bollëk tek kerrshi (shkëmbi) i Ram(ë)s dhe shfrytëzuar edhe për rrugë tjera të Komunës së Istogut. Pushteti i atëhershëm komunist i KSAK-së paraprakisht e kishte kompenzuar pronarin e shkëmbit, Dan Demaj, ani pse materiali ishte thjeshtë gurë dhe zhavor që Dani nuk mund ta shfrytëzonte për ndonjë nevojë të tij sepse kishte me bollëk. Pushteti komunist e kompenzoj Danin për materialin e kerrshit të Ramës dhe vendi mbeti pronë private e Danit, më vonë e djalit të tij Ramë Demaj, dhe sot e djemve të Ramës. Ky lloj kompenzimi nga komunistët (shqiptar, serb, të Beogradit, çetnik, quani si të doni) është diametralisht i kundërt me atë që janë duke u përpjekur ta bëjnë demokratët(!) e sotëm shqiptar në ekonominë e tregut(!) nepërmjet planeve sekrete me maska të Paja Patakut, Tomi Xherit, Cipiripit, e shumë “cerrtani” filamve tjerë kundër pronave private me vlerë përgjatë rrugës së Paja Patakut. Socializmi vetqeverisës nuk ka qenë armik kundër pronave private siç është sot ky sistemi i matrapazëve dhe hajdutëve që naivët po e quajnë sistem i demokracisë, ekonomisë së hapur të tregut (çfarë tregu!) i bazuar në pronën private (e biznesi më i madh bëhet vetëm me pronën publike dhe të shtetit).

Pas asfaltimit të rrugës Istog – Cerrcë – Vrellë nga MTPT-ja, ish-ministri Zef Morina kishte deklaruar: “Kjo (rruga Dubravë – Shushicë) tash është në radhë. Qenka e përshtatshme”. Sa ka pasur të drejtë ish-ministri? Në fakt, rruga në fjalë, edhe pse gjatë kohës është amortizuar (kanë dalur gurët, janë shfaqur gropa që janë sanuar dhe rishfaqur e risanuar) ishte në gjendje fizike më të mirë dhe pa pengesa se rruga Istog – Cerrcë – Vrellë. Për nga kostoja, rruga që Zefi thoshte e ka radhën, ishte me më përparësi se rruga që u asfaltua. Rruga e paasfaltuar Dubravë – Shushicë (vazhdon deri në Zhakovë) i ka shumë standarde që ajo për Vrellë nuk i ka. Përpos që e ka bazën e ndërtuar shumë të fortë (diku 50cm të trashë ose më shumë), gati tek secila hyrje e arave dhe pronave private janë ndërtuar kanalizimet me gypa betoni të gjërësisë diku 20cm, edhe pse shumica nuk kishin aq nevojë të vendosen. Rruga deri tek vendi i quajtur udhëkryq në fshatin Shushicë ka pasur gjithsej katër kanalizime nënrrugore me gypa betoni të gjërësisë 1m. Nuk kishte edhe aq nevojë për këto kanalizime të gjëra, pasi sasia e ujit që qarkullonte nepër to nuk ishte e madhe. Pas viteve të varfëra me të reshura atmosferike gjatë dekadës së fundit, sasia e ujit ishte pakësuar dukshëm dhe gjatë stinëve të verës gati se nuk qarkullonte ujë. Njëri prej atyre kanalizimeve, tek udhëkryqi i Shushicës, është mbyllur në tërësi sepse nuk kishte nevojë më për të. Sikur të ekzistonte ndonjë mekanizëm për zhvendosjen e tij, do të duhej të bartej në fshatin Cerrcë dhe përmes një mekanizmi të futej nën asfalt aty afër lagjes Rugova, ku një rrugë e lagjeve që lëshohet në asfalt është duke bërë kërrdi gjatë reshjeve të mëdha të shiut, e tash edhe kur shkrihet bora, duke sjellur mbi asfalt lloj-lloj përbërje të tokës për shkak të mungesës së kanalizimit nën asfalt.

Rrugë tjetër e gatshme për t’u asfaltuar dhe me standarde së paku të ngjashme, por gjithsesi është në gjendje edhe më të mirë se ajo e Shushicës, është rruga Rakosh – Cërkolez. Edhe kjo është anashkaluar. Me standarde të ngjashme është edhe rruga Zhakovë – Rakosh e gjatësisë jo më të madhe se 3km. Në krye të saj e kishte dëmtuar shiu i madh që ra në fillim të dhjetorit 2008, por prap se prap bazën e ka të fortë. Shtrimi i saj ishte bërë gjatë regjimit të Millosheviqit. Millosheviqi si kriminel lufte nuk ka qenë i pamëshirshëm ndaj infrastrukturës rrugore sikur MTPT-ja dhe K.K. i Istogut sot në kushte të paqes dhe “lirisë”.

Të gjitha këto rrugë janë anashkaluar për llogari të rrugicës së Paja Patakut që nuk ka bazë, prandaj edhe kushton afër 2 milionë euro. Me këtë fond do të asfaltoheshin të gjitha rrugët tjera me bazë të fortë që u përmenden. Po të shikohen me arsyeshmëri më të vogël, edhe rruga e papërshtatshme por pa pangesa ndaj vendbanimeve për t’u punuar prej Rakoshit që kalon kah shtëpia e Zeqir milicit (kështu i thonë të gjithë ata që e njohin në Komunën e Istogut dhe viset tjera të Kosovës) dhe përfundon në udhëkryqin e Shushicës tek “ara e lag(ë)t”, mund të jetë me më përparësi se e Paja Patakut. Rruga lokale prej Shushicës së Poshtme kah lagja Salihaj deri në udhëkryqin e Shushicës së Epërme poashtu do të ishte më përparësi. Kjo bile shfrytëzohet më shumë dhe është në gjendje më të mirë se rruga kah shtëpia e Zeqir milicit. Ekziston edhe një rrugë tjetër lokale prej Hanit të Sarës në Bellopojë që kalon nepërmjet Shushicës së Poshtme dhe del në Breg të Hanit të Shushicës së Epërme në rrugën regjionale. Edhe kjo do të ishte më përparësi se ajo e Paja Patakut.   

Zyrtarët e K.K. të Istogut nuk “kënaqen” vetëm me abuzimet dhe keqpërdorimin e përparësive në projektet e infrastrukturën rrugore. Para dy viteve, policia ishte detyruar ta nxjerrë jashtë Fadil Feratin e dehur nga moteli Trofta në Istog pasi ky kishte dashur ta sulmoj kamarierin. Nuk është aspak ofenduese të themi diçka që dihet publikisht dhe më së miri do të ishte sikur këtë fakt ta dëgjoni nga vet numri një i K.K. të Istogut – se Fadil Ferati është alkoolist i madh. Para më së një viti policia përsëri ishte detyruar të intervenoj kundër tij të dehur në Klinë, kësaj radhe fizikisht. Policia kishte filluar ta çpjerdh dajak të dehurin kur ky ishte rrebeluar në një kafene të Klinës duke e rrezikuar sigurinë e të tjerëve me thyerjen e shisheve të birrës. Sikur policia të mos e konstatonte gjatë rrahjes së është kryetari i K.K. të Istogut, i dehuri do të pësonte edhe më keq. Me të kuptuar se kush është, policia më vonë kishte bërë një gabim kur i kërkoj falje. Kërkim falja ishte veprim i papërgjegjshëm i policisë, në kuptimin që mbajtja e rendit publik qenka punë selektive varësisht se kush është kush për nga funksioni pavarësisht llojin e shkeljeve.

Cenimi i qetësisë së të tjerëve duket se është shndërruar në rutinë në mesin e zyrtarëve të lartë të K.K. të Istogut. Janë bërë imun ndaj veprimeve të dëmshme kundër qyetetarëve nepër kafene. Por konflikti i sjelljeve të ngjashme sikur në Pejë – për interesa të biznesit që u përshkrua në nëntitullin 2 të kësaj analize, duket se po e përqafon edhe Fadil Feratin në raport jo me Istogasit e huptë, por Klinakët më të vendosur për llogaridhënie. Të mos harrojmë se Fadil Ferati për nga origjina është nga Peja, respektivisht fshati Jabllanicë e Madhe. Më herët në këtë analizë u sqarua se si zgjidhen mosmarrëveshjet në Pejë. Por në Istog, Pejani Fadil Ferati e kishte vërejtur se nuk ka opozitë (opozitë jo politike) sikur në Pejë, prandaj po e shfrytëzonte pasivitetin e Istogasve të huptë. Ata që kanë analizuar me kujdes veprat e tij, e përshkruajnë si një njeri fjalë butë, por oportunist i egër dhe llaskuc.  

K.K. i Klinës kishte kërkuar dhe arritur një marrëveshje me K.K. të Istogut për furnizim me ujë të pijëshëm. Fadil Ferati u thotë t’i zgjasin gypat deri në Gurrakoc, gjë që Klinakët e bëjnë. Kushedi se për çfarë arsye (në mungesë të ndonjë përfitimi personal), z. Ferati më vonë refuzon t’i përmbahet marrëveshjes. Klinakët si kundërpërgjigje e rrahin fizikisht në Gurrakoc me datën 30.12.2008 ndërmjet orës 2 dhe 3 pasdite. Ky lajm ishte bërë i njohur nga një polic. Mirëpo, në interesimin tim për ta vërtetuar këtë rrahje, një zyrtar i K.K. të Istogut më vonë më tregoj se Fadil Ferati ka qenë në mbledhje natën e Vitit të Ri më 31.12.2008 apo të nesërmen në Istog dhe se nuk “kam vërejtur ndonjë shenjë në fytyrë apo diçka të pazakontë te ai”. Nëse rrahja në të vërtetë ka ndodhur në atë nivel që e ka përmendur polici, atëherë ky është një rast i përgjegjësisë qytetare nga e cila Istogasit e huptë mund të mësojnë shumë se si duhet vepruar ndaj kapadaillëkut, korrupsionit dhe papërgjegjësisë së skajshme të zyrtarëve në pushtet. Në momentin kur qyetarët janë më të përgjegjshëm duke vepruar konkretisht ndaj abuzimeve, gënjeshtrave dhe mashtrimeve të pushtetarëve, më shpejt do të vie deri te ekuilibri i përgjegjësive të ndërsjella dhe raporteve më të drejta pushtet-qyetetar.

Ende me të bëmat e (pa)zakonta të Fadil Feratit. Në bisedë me disa qyetarë nga Mojstiri të cilët po më tregonin për anashkalimin e qëllimshëm të asfaltimit të rrugës Dubravë – Shushicë e Epërme, ndër të tjera më treguan se Fadil Ferati ka refuzuar idenë e një organizate apo fondacioni turk për asfaltimin e kësaj rruge, ku organizata kishte propozuar ose kushtëzuar që rruga ta mbaj emrin Mehmet Akif.  Poeti i vetëm kombëtar i Turqisë, Mehmet Akifi është i biri i një emigranti shqiptar (Tahir Hajredinit) nga Shushica e Epërme.[5] Një refuzim i tillë sui generis dhe i pakuptimtë do të ishte analog sikur K.K. i Përmetit refuzon idenë e asfaltimit të një rruge regjionale në komunën e tij/saj nga një organizatë turke nëse organizata propozon që rruga ta mbajë emrin Sami Frashëri. Sa është Sami Frashëri i rëndësishëm për shqiptarët, po aq është Mehmet Akifi, më përjashtim se i dyti ishte intelektual i kalibrit më të madh se i pari. Në Shqipëri, Kosovë dhe shumë vende të botës ka rrugë që janë ndërtuar në tërësi me fonde vetjake të shtetit, por që mbajnë lloj-lloj emri të huaj. Shumë rrugë kryesore në Kosovë kanë emra si Robert Gajdiku, Garibaldi, rruga e Dubrovnikut, e më herët ka pasur edhe rrugë me emra si Mareshali Tito, Lenin, Kral Millutin, etj. Vendet në zhvillim kanë themeluar agjencione të posaçme vetëm për t’i tërhequr investimet e huaja. Në shumë pushimore të Evropës, pushteti komunal kishte vënë shenjat e rrugëve edhe në gjuhën ruse kur investitorët Rus kishin investuar atje.[6] Biznesi i huaj megjithatë nuk është diçka që i përket popullsisë lokale, për dallim nga rruga që mbetet ndërsa investitori i huaj nuk përfiton asgjë nga ajo. Mos Fadil Ferati planifikon që disa rrugë të Istogut t’i emëroj me emrat Miliq Kërsta, Ral Vuliq, Gollustena (selia e dreqit sipas mitologjisë së Istogut me rrethinë) e të ngjashëm, apo edhe të pederëve të UNMIK-ut si Steven Schook të cilin Fadili e shpalli “qyetar nderi të Istogut”, ani pse Schook-u ishte shkarkuar nga detyra për sjellje agresive dhe abuzime të detyrës. Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) me seli në Prishtinë, ishte shprehur se me rastin e Schook-ut ishte bërë një gabim teknik kur u shpall qytetar nderi i Istogut. Ai (Schook-u) është dashur të shpallet qyetar nderi i një objekti në Istog – Burgut të Dubravës, kishte deklaruar drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së.

            Kur e përmendëm incidentin në motelin Trofta, vlen të theksohet se shumica e llaskucëve të K.K. të Istogut rregullisht dëfrehen aty me ushqim dhe pije. Ndoshta nuk është aspak e rastësishme pse qyetetarët e Kosovës e mbajnë mirë mend reklamën në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) “privatizimi është sukses”. Në këtë reklamë shfaqej moteli Trofta në Istog. Me një ndërmarrje, ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) synonte t’i bind qytetarët që kurrë nuk do të binden (as bota nuk do të bindet) se privatizimi në Kosovë është ngjarje e suksesshme. Trofta është bërë ngjarje e suksesshme jo për shkak të privatizimit, por pjesërsisht për shkak të monopolit në ushqimin e peshkut, e më shumë për shkak se klientë të saj janë llaskucët e K.K. të Istogut me fuqi blerëse më të madhe. Paramendoni vetëm Fadil Ferati sa i bënë shërbim motelit Trofta me konsumimin e alkoolit!   

Fadil Ferati thuajse e kryer misionin e tij në Istog. Tani është në proces të kalimit në Prishtinë dhe të merret me LDK-në, Qeverinë, ndërmarrjet publike, e shumë veprimtari tjera. Istogun do ta lë së shpejti. Se çka do të ndodhë në Istog pas ardhjes së tij të “plotë” në Prishtinë, kërkohet pak kohë për vlerësim. Mund të supozohet se RTK-ja më kurrë nuk do ta reklamoj motelin Trofta si ngjarje të suksesshme të privatizimit. Motelit Trofta do t’i mungoj shumë Fadil Ferati. Se cila do të jetë ndërmarrja në Prishtinë që do t’ia merr primatin motelit Trofta të Istogut për t’u reklamuar në RTK si ngjarje e suksesshme e privatizimit, do të varet pasi Fadil Ferati të vendoset në Prishtinë dhe restoranin që do ta vizitoj. Përpos këtij ndryshimi të pritur, policia e Istogut do të ketë më pak punë ndërsa ajo e Prishtinës më shumë. Qytetarët e Prishtinës ndoshta duhet ta ruajnë pak më shumë prapanicën. Nuk ka rrezik nga Fadil Ferati në këtë drejtim, por nga prirja e tij për t’i shpallur qytetar nderi ata që mund t’iu abuzojnë.  

 

 

6.2. Përzgjedhja e tenderuesit, fillimi i punimeve dhe gjendja e rrugicës së Paja Patakut

 

"Në Gjermani, Nazistët së pari erdhën kundër komunistëve dhe unë nuk bëra zë sepse nuk isha komunist. Pastaj erdhën kundër Çifutëve dhe unë nuk bëra zë sepse nuk isha Çifut. Pastaj erdhën kundër sindikalistëve dhe unë nuk bëra zë sepse nuk isha sindikalist. Pastaj erdhën kundër Katolikëve dhe unë nuk bëra zë sepse isha Protestant. Në fund ata erdhën kundër meje, dhe deri në këtë kohë nuk kishte mbetur askush që të flas për mua"-- Martin Niemoeller

 

Tenderi për asfaltimin e rrugës së Paja Patakut ishte shpallur në gazetën e PDK-së Infopress me datën 2 tetor 2008, faqe 40. Afati i fundit për tenderim ishte 21 tetori. Shkruante për rrugën “Rakosh – Uçë – Zhakovë, L = 6987m (K.K. Istog)”. Me këtë edhe një herë ishin hedhur poshtë pohimet e Fadil Feratit & Co. dhe shumë qytetarëve të Istogut se rruga do të filloj në Rakosh, do të vie nepër Shushicë, do të vazhdoj përgjatë Burgut të Dubravës dhe KFOR-it Spanjoll, e të dal te stallat e Dubravës, apo do të futet nepër Mojstir kah shtëpia e Naimit të Isuf Zeqës, të kaloj nepër Sinajë e të kthehet për në Dushkajë apo Rudesh, e shumë alternativa tjera.

Sado që me shpalljen e tenderit ishin eliminuar dilemat se rruga do të kaloj këndej ose andej, tashethemet dhe teoritë e konspiracionit nga shumë Istogas të huptë vazhdonin dhe nuk kishte kush t’i bind se kjo ishte punë e kryer. “I kish thanë filani..”, detyrohem menjëherë të intervenoj dhe t’ua zë fjalën në fyt duke iu thënë “i ka thanë”. Vazhdojnë tjerët me thashetheme që i kishin dëgjuar: “Jo po Fatmir Lima(j) ia u ka kput, e iu ka thanë se kjo rrugë lagjesh s’vjen n’shprehje hiq”. “Iu ka thanë”, ndërhyra unë. Tjetri filloj: “mu m’ka thanë filani..”, “ty t’ka thanë”, ia ndërpresë menjëherë bisedën! Duke e vërejtur se nuk po i lë të flasin, njëri po më drejtohet, e bashkëbiseduesit tjerë e përkrahen, “çka ki bre njeri, a bon me na lanë veq të nxerrim fjalën pej goje qysh duhet”? “Çka ki o budallë! M’tha, i ka thanë ky ktina, m’ka thanë filani që punon me filanin, i kish thanë dikush! Veç thash e t’thëna! Kqyr ktu (nxora shpalljen e tenderit në gazetën Infopress). Kjo ashtë pune e kryme, e ju çani drrasa jo m’ka thanë, jo i kish thanë”.

Disa që ishin pak më të kthjellët, kërkuan shkruarjen e një ankese që do t’i drejtohej MTPT-së dhe K.K. të Istogut. Fillova ta shkruaj ankesën dhe planifikoja ta dërgoja edhe në Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) dhe agjencione tjera si, Agjencioni Kundër Korrupsionit dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. E dija se Ombudspersoni i Kosovës është pa krye (udhëheqës) dhe nuk mendoja ta dërgoj ankesën me kërkesë të shumë qytetarëve, aktivistëve dhe subjekteve tjera nga komuna e Istogut për diskriminimin që po iu bëhej. Por, nuk hasa në përkrahje të tyre, ishin shumë të dezorganizuar, frikacakë të skajshëm për të vepruar, dhe më e keqja ndër të gjitha, më duhej t’ua nxjerrë fjalët me dana për informatat e duhura që më nevojiteshin. Të dhënat edhe më elementare të duhura e kisha problem t’i siguroj me javë. Sidoqoftë, një ankesë të shkurtë që e përgatita, ia dërgova ministrit Limaj me postë elektronike me datën 19 tetor 2008, ose dy ditë para se të mbyllet afati i konkursit për tender. Ende jam duke e pritur ndonjë përgjigje nga ministri Limaj. Ja përmbajtja e ankesës që ia kam dërguar (adresat dhe emrat janë fshirë):        

 

Duke u bazuar në të drejtën palëve të interesuara për ankesë të shpallur në Njoftimin për Kontratë – Punë nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit me datën 2 tetor 2008, Ne, Kryesia e Aktivit të fshatit Shushicë e Epërme parashtrojmë këtë

 

ANKESË KUNDËR DHE KËRKESË PËR ANULIMIN E TENDERIT

 

të shpallur nga MTPT-ja me datën 2 tetor në gazetën ditore të Kosovës Infopress për Ndërtimin e rrugës: Rakosh – Uçë – Zhakovë, L = 6987m (K.K. Istog). Ankesa kundër tenderit të shpallur për ndrtimin e rrugës në fjalë bazohet në argumentet si vijon:

1)      Rruga nuk është rrugë normale por rrugicë shumë e ngushtë që kalon nepër disa lagje të fshatrave Rakosh dhe Uçë; dhe

2)      K.K. i Istogut qëllimisht anashkalon prioritetet e ndërtimit të infrastrukturës rrugore në relacionin Dubravë – Shushicë e Epërme ose Dushkajë – Shushicë e Epërme, ku rruga është thuajse e gatshme për t’u asfaltuar prej më se një çerek shekulli, dhe në vend të saj don të bëjë bartjen e mjeteve të premtuara/dhëna nga MTPT për inrastrukturën rrugore të Istogut në një rrugicë përafërisht të njëjtë me gjatësi por me çmim gati trefish më të lartë.

 

Argumente se rruga Dubravë – Shushicë e Epërme ka qenë dhe është prioritet

 

  • Rruga është rrugë regjionale e shtruar me zhavor dhe rërë para 25 viteve;
  • Trashësia e bazës ose themelit të kësaj rruge është së paku 50cm;
  • Rruga është e gjatë përafërsisht 6km dhe asfaltimi i saj llogaritet të kushtojë ndërmjet 500 000 dhe 600 000 euro;
  • Rruga është mesatarisht 8m e gjërë, që do të thotë hapësirë e mjaftueshme për aslalt të rrugës regjionale në gjerësi prej 6m;
  • Rruga i ka të gjitha kanalizimet e nevojshme të rregulluara me gypa betoni. Kërkohet vetëm një rirregullim i atyre kanalizimeve kur të filloj asfaltimi;
  • Prej fillimit e deri në fund nuk ka nevojë të merret asnjë milimetër tokë ose hapësirë tokësore të çfarëdo pronësie qoftë pasi rruga është mjaft e gjërë;
  • Rruga i lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë fshatrat Dubravë, Sinajë, Mojstir, Shushicë e Epërme, Zhakovë, e deri diku edhe Shushicë e Poshtme, me mundësi të lidhjeve tjera me fshtrat në Veri-Lindje të Istogut siç janë Uçë, Cerkolez, Syrigonë nëse vazhdohet rruga prej fshatit Shushicë e Epërme në drejtim të këtyre fshatrave;
  • Rruga e është e zhvendosur jashtë vendbanimeve të dendura dhe përgjatë saj thuajse nuk ka shtëpia, me çka i mundësohet asaj të jetë rrugë regjionale me të gjitha standardet e pranuara;
  • Disa ndërmarrje ndërtimore shprehen se do të ishin në gjendje ta asfaltojnë këtë rrugë për një periudhë më pak se një muaj.

 

Argumente se rrugica Rakosh-Uçë-Zhakovë nuk është kurrfarë prioriteti por klientelizëm dhe abuzim i buxhetit:

 

  • Rrugica është e gjatë përafërsisht 7km (siç është shënuar në tender) dhe K.K. i Istogut llogaritë se për asfaltimin e saj nevojiten 2 milionë euro ose tri herë më shumë se rruga regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme në gjatësi prej 6.4km;
  • Rrugica është shumë e ngushtë, nuk ka bazë me zhavor si ajo Dubravë – Shushicë e Epërme, dhe në shumë vende është vështirë të bëhet kalimi i dy veturave në dy drejtimet;
  • Përgjatë rrugicës ka shumë shtëpija dhe zgjerimi i saj për ta bërë rrugë normale ose lokale të asfaltuar është e pamundur po të mos rrëzohen disa mure, shtëpia dhe t’u merret toka fshatarëve në emër të eksproprijimit/shpronësimit, me çka rriten dukshëm shpenzimet e ndërtimit të kësaj rrugice;
  • Jo vetëm që ka probleme në tërë Kosovën për shpronësime në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por në rastin e fshatit Rakosh dhe Uçë fshatarët janë shprehur qartë se nuk do të lejojnë K.K. të Istogut t’ua rrëzoj asnjë muri apo t’ua merr ndonjë pjesë tokë në emër të ndërtimit të rrugës;
  • Ka dyshime serioze se ky projekt është duke u shtytur nga disa përfaqësues të atyre fshatrave në K.K. të Istogut për interesat e tyre personale dhe familjare për ta pasur “asfaltin të dera” e shtëpive të tyre;
  • Rrugica gjindet përgjatë një rajoni ku mbizotëron bujqësia dhe blegtoria, ka shumë stalla të bagëtive, dhe më pak qarkullojnë veturat se automjetet bujqësore;
  • Në pjesën më të madhe, rrugica në anë e saj të majtë (nëse shikohet në drejtimin nga fshati Rakosh për në fshatin Uçë) ka një lumë të vogël si përroskë çka e bënë të pamundur zgjerimin e rrugës. Shtyerja e lumit në anën e majtë i dëmton tokat private të fshatarëve. Ngrirja në beton e shtratit të lumit është projekt shumë i kushtueshëm;
  • Përegjatë lumit dhe rrugës ka shumë drunjë çka i sjell punë të mundishme të kontraktuarit në realizimin e punëve (gërmimet për heqjen e rrënjëve);
  • Rruga nuk lidh asnjë fshat tjetër me përjashtim të disa lagjeve të fshatrave Rakosh, Uçë dhe pjesërisht Zhakovë;
  • Për shkak të këtyre karakteristikave, projekti i ndërtimit të rrugicës Rakosh-Uçë – Zhakovë ka gjasa të merr shumë kohë, minimumi një vit. Po të njëjtat ndërmarrje ndërtimore që janë shprehur të interesuara për rrugën regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme nëse kjo tenderohet, kanë deklaruar se nuk janë në gjendje të konkurrojnë në tender për atë rrugicë edhepse e ka çmimin tre fish më të lartë, për shkak se siç thonë ata, është një punë që nuk mund të llogaritet lehtë se sa do të kushtojë, sa do të zgjasë, dhe me çfarë të papriturash mund të përballen gjatë punës. 

 

Propozime

 

  • Të shpallet anulimi i tenderit, nëse nuk është bërë deri më tani, për asfaltimin e rrugicës Rakosh – Uçë – Zhakovë të publikuar në gazetën Infopress me datën 2 tetor 2008, faqe 40. Afati i fundit për tenderim ështe 21 tetor;
  • Që MTPT ose KRPP (varësisht se kush i shqyrton ankesat) në kompetencën e saj të shqyrtoj me procedurë të përshpejtuar alternativën e asfaltimit të rrugës regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme, ose Dushkajë – Sinajë – Mojstir – Shushicë e Epërme. Supozimi ynë fillestar është se opcioni i dytë mund ta shkurtoj rrugën Shushicë e Epërme – Istog por gjatësia e rrugës për t’u asfaltuar është më e gjatë, plus, kërkohen punë shtesë në krijimin e rrugës së re, pra kushton më shtrenjtë;
  • K.K. i Istogut planifikon t’i shpenzoj rreth 2 milionë euro për asfaltimin e një rruge lokale në gjatësi prej 7km. Shumica dërmuese e atyre mjeteve thuhet se vijnë nga MTPT-ja. Asfaltimi i rrugës regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme në gjatësi diku 6 vlerësohet se kushton ndërmjet 500.000 dhe 600.000 euro. Së këndejmi me mjetet e MTPT-së mund të asfaltohet gati e njëjta gjatësi e rrugës por i mbesin 1,4 – 1,5 milionë euro për asfaltimin e rrugëve tjera;
  • Asfaltimi i rrugës regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme vlerësohet se mund të bëhet për një periudhë më të shkurtë se një muaj, ndërsa i asaj lokale Rakosh – Uçë – Zhakovë nuk dihet sa mund të zgjas, por duke u bazuar në terrenin e papërshtatshëm dhe probleme tjera, supozohet se mund të zgjasë deri në një vit dhe në fund nuk do të mbetet pa defekte dhe probleme.

 

Rezultatet e pritura

 

  • Me anulimin e tenderit të rrugës lokale Rakosh – Uçë – Zhakovë dhe shpalljen në vend të saj të tenderit për rrugën regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme, MTPT-ja dëshmon se kriteri bazë i ndërtimit të infrastrukturës rrugore është arsyeshmëria ekonomike, e jo klientelizmi, nepotizmi dhe grupet e interesit siç dëshiron K.K. i Istogut;
  • Rruga regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme i lidhë më mirë fashtrat Zhakovë dhe Uçë me Istog. Rakoshi është i lidhur me Istog përmes rrugës Istog - Mitrovicë dhe rrugica Rakosh – Uçë – Zhakovë nuk lidhë asgjë pos lagjeve. Rruga regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme lidhë edhe fshatrat Mojstir dhe Shushicë e Poshtme;
  • MTPT-ja nuk ka se si të mburret me punën e saj nëse shpenzon 2 milionë euro në një rrugicë 7km. Është punë që nuk shihet aq. MTPT-ja mund të mburret nëse me ato mjete së pari asfalton një rrugë regjionale 6km e pas saj edhe 10km apo më shumë të tjera. Në vend se MTPT-ja nesër t’ua tregoj rezultatin opinionit se me 2 milionë euro janë asfaltuar 7km rrugicë, më mirë do të ishte të mburret me 15 ose 20km rrugë regjionale të asfaltuara;
  • Rruga regjionale Dubravë – Shushicë e Epërme do t’u ndihmonte shumë banorëve të asaj ane edhe në veprimtari ekonomike meqenëse popullata për dallim nga disa fshatra tjera të Kosovës që i kanë braktisur zonat rurale, është e përkushtuar të jetojë atje dhe asfaltimi i rrugës vetëm sa do përmirësonte kualitetin e jetës.

 

 

Pjesa tjetër e ankesës ku tregoheshin emrat e personave dhe subjekteve që parashtojnë këtë ankesë është fshirë. Ka edhe diçka që mund të thuhet për rrugën e Paja Patakut.  Ajo fillon nepër venbanime të dendura të lagjes Haxhiaj ku gjindet edhe shtëpia e z. Agim Haxhiaj, drejtorit të Drejtoratit Komunal të Istogut për Arsim. Përgjatë rrugës në anën e majtë gjindet lumi, e skaj tij drunjët. Rrugica vazhdon nepër vendbanime të dendura në fshatin Uçë tek Bajraktart (lagjja Hajzeraj) ku gjindet shtëpia e zyrtarit tjetër të K.K. të Istogut, Bedri Hajzeraj. Nga Bajraktar(ë)t më herët vinte edhe Ferat Hajzeraj, kryetari i parë i degës së LDK-së në Istog.  Në pjesën e fundit të fshatit Uçë (tek Resulantët, lagjja Alidemaj), rruga nuk ka ku të shkoj më pasi has në bjeshkë. Vetëm traktorët me zinxhirë mund të shkojnë përjpetë, dhe natyrisht, kalimtarët dhe gomarët! Kush do të vazhdojë, kujdes kur shkoni tek Gollustena (nga serbishtja = muri i zhveshur). Sipas mitologjisë së Uçës dhe Istogut, tek Gollustena (shkëmbinjë në malet e Uçës) rrijnë dreqërit. Shprehjet “dreqi i Gollustenës”, “vendi ku rrijnë dreqërit” janë të njohura edhe tek fëmijët e Uçës dhe fshatrave përreth. Sa qëndrojnë konstatimet ose gënjeshtrat e ministrit Limaj dhe zëvendësministrit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza për rolin e shpenzimeve enorme, por të domosdoshme, në infrastrukturën rrugore se nxisin zhvillimin ekonomik në shumë mënyra? Cilët tregtarë do të qarkullojnë prej fillimit të rrugës së Paja Patakut dhe ku mund të dalin? Apo, cilët turistë do të udhëtojnë nepër atë rrugë dhe ku do të shkojnë? Në Gollustenë me u shashtris prej dreqit! Fonomeni i Gollustenës ende nuk është aq mitologjik siç mund të mendoj dikush sa është real për shumicën e Istogasve. Raportohet për shumë njerëz që janë habitur (çmendur) ose kanë përfunduar me të meta mendore pas vizitës së Gollustenës. Një serb i Zhakovës ishte habitur. Mulla Sulejmani si hoxhë i njohur nga Muzhevina përfundoj i habitur gjersa po shkruante hajmali për shërimin e njerëzve të habitur. Thuhet se mulla Sulejmanin e kanë “mundur ata të Gollustenës” (dreqërit) kur ky kishte arritur t’i grumbulloj dreqërit që u kishin hyrë në trup (!) të habiturve, por nuk kishte arritur t’i shpërndaj ose humb farën. As të habiturit nga të cilët hoxha i grumbulloj dreqërit nuk u shëruan. Nuk dihet si ka ndikuar Gollustena tek Xhafer Tali që ishte habitur dhe më pastaj kishte bërë masakër duke e prerë kunatën shtatëzënë me thikë, djalin 10 vjeçar të vëllaut duke ia hequr kokën me sëpatë, dhe vajzën 7-8 vjeçare të vëllaut me metodë të njëjtë. Sidoqoftë, Gellustena meriton të dekodohet me hulumtim shkencor, ashtu që Istogasve t’u hiqet frika. Nuk është se shumica e Istogasve besojnë në mitologjinë për Gollustenën, por ekziston një fakt dhe ngjarje e vërtetë që i ka tmerruar shumë njerëz dhe i ka shtyer të besojnë se atje me të vërtetë ekzistojnë dreqërit. Kjo lidhet me masakrimin që i kishte një djalë babait të vet. Beqir Zymeri nga fshati Uçë kishte qenë duke ardhur prej bjeshkës së Vojdollit së bashku me djalin e tij Shabanin dhe me një qerre po bartnin sanë. Kur vijnë tek Gollustena, Shabani ia heq kokën babait të tij Beqirit. Në pyetjen e fshatarëve të tronditur Shabanit “çka i ke ba babës kshtu more?”, ai përgjigjet: “Kur erdhëm ktu, dolën do njerëz prej qeti kerrshi, m’thanë hiqja kryet babës, unë e nxerra thikën e ja hjeka”! Kjo ngjarje sipas dëshmitarëve ende të gjallë ka ndodhur “kur u ra partizani”, që përkon me vitet 1945-47.  Më vonë, është hapur rrugë alternative për ta evituar epiqendrën e Gollustenës.

Paja Pataku nuk e ka pasur ndërmend kurrë ta asfaltoj rrugën deri në Gollustenë. Mirëpo, ai nuk mund të kaloj nepër Zhakovë dhe të dal në Shushicë me fondin e dhënë nga MTPT-ja. Në tender është shpallur Rakosh – Uçë – Zhakovë, që mund të kuptohet deri në hyrje të fshatit Zhakovë e jo më tutje. Vendi i quajtur Kodra e Zhakovës është terren i papërshtatshëm kodrinor dhe i pakalueshëm për automjete në kohë shiu dhe bore. Nëse kaloni andej pari si këmbësorë gjatë ditëve të nxehta të verës, mund të “notoni” në pluhur. Pas shiut, iu duhen “çizme fashiste” për të dalur nga balta e gjallë që ngjitet si llak. Për asfaltimin e kësaj rrugice duhet buxhet i madh për gërmim, rrafshim, largim/bartje të dheut, sjellje të zhavorit, e pse jo, para së gjithash duhen edhe nerva të forta që Paja Pataku mund t’i ketë, por vetëm si “cerrtani film”! Paja Pataku nuk ka gjasa të vie deri këtu me 2 milionë euro.

Herën e fundit, rruga e Paja Patakut është vizituar me datën 21 dhjetor ose pas fillimit të punimeve. Dhe ja gjendja e saj:

-         në fillim kishte filluar zgjerimi i rrugës;

-         tek lagjja Haxhiaj, lumi është skaj rrugës në anën e majtë. Shiu i madh që ra në fillim të dhjetorit, e që shkaktoj përmbytje në vise tjera të Kosovës dhe Shqipërisë, e kishte thelluar shtratin e lumit. Kjo e papritur natyrore duhet ta ketë çrregulluar planin e Paja Patakut për murosjen e shtratit të lumit nga ana e djathtë përgjatë rrugës në gjatësi prej 400 metra. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë plan konkret dhe detaj me matje për murosjen e shtratit të lumit, edhe pse ideatori kryesor i këtij projekti është fizicient. Në anën e majtë të lumit të ngushtë gjinden drunjë të trashë. Në anën e djathtë rruga nuk mund të zgjerohet pa i rrëzuar disa shtëpia. Nga disa prej atyre në fshatrat e anashkaluara, jam informuar se “ata” kanë menduar ta fusin tërë atë pjesë të lumit në ombrellë të betonit dhe një pjesë e rrugës së asfaltuar të kaloj mbi të. Nëse Paja Pataku ende e ka në mendje këtë synim, do të jetë një çmim marramendës.

-         Pas shiut të rrufeshëm, Zoti lëshoj borën duke ia prishuar edhe më shumë planet e zyrtarëve të K.K. për rrugën e Paja Patakut. Punimet u ndalën dhe tash duhet pritur shkrierjen e borës, e ndoshta rënien e ndonjë tjetër dhe shkrierjen e saj, për të pa efektin në lum dhe vendet ku është gërmuar rruga për zgjerim.

-         Prej vendit ku rruga largohet nga lumi, gjendja ishte kështu: Mbi lagjen Balaj e përpjetë deri në hyrje të shkollës fillore të Uçës ishte bërë gërmimi ose zgjerimi i rrugës nga ana e djathtë. Ana e djathtë kishte mbetur si muri në latësi deri në 1m, për shkak se arat mbi rrugë janë terren i pjerrtë. Shiu kishte shkapërderdhur dheun dhe kishte krijuar një rrjedhje të ujit që shkonte teposhtë përgjatë rrugës. Tash duhet të presim shkrierjen e borës së madhe dhe efektin që do ta ketë në atë pjesë. Në një vend gërmimi në anën e djathtë të rrugës arrinte në lartësi 3-4m me gjatësi diku 20m. Ishte me përbërje shkëmbore dhe të dheut. E tërë kjo pjesë duhet të mvishet me beton ose të vëhet rrjetë e metalit për ta mbrojtur komunikacionin. Më tutje në tokën e gërmuar nga ana e djathtë duke shkuar deri te shkolla, vëreheshin rrënjët e dardhave ujce apo pejane. Këto e rrezikojnë plasaritjen e asfaltit. Më të dukshme ishin rrënjët e qarrit në rrugë, jo larg shkollës. Edhe këtu duhet të presim shkrierjen e borës dhe efektet e saj. Pjesa tjetër ose më e madhe rrugës prej shkollës (bile shumë pas saj në drejtim të Rakoshit)  e tutje, mbetet ende e paprekur ose nuk është punuar gjë.

-         Tek Bajraktart (lagjja Hajzeraj) përsëri lumi ia zë rrugën rrugës, por kësaj radhe nga ana e djathtë në gjatësi prej përafërsisht 60-70m. Në anën a majtë “fatkeqësisht” ka shtëpia dhe mure.

-         Për prona tjera private ku nuk ka ndërtime skaj rrugës, aty dihet si bëhet zgjerimi i rrugës – me plan sekret!  

 

Ndërmarrja Granit nga Istogu që ka bërë shumë asfaltime dhe për momentin është duke asfaltuar rrugën në Prigodë, u kishte deklaruar shumë njerëzve të shqetësuar nga fshatrat e diskriminuara se “këtë rrugë (Dubravë – Shushicë) nuk e kisha lëshuar (d.m.th. e kisha asfaltuar) për më së shumti 600.000 euro. E atje (në rrugën e Paja Patakut) nuk hi kurrë edhe pse e ka çmimin shumë më të lartë. Ka probleme atje me prona, shtëpija, lumi, e shumë tjera. Këndej (Dubravë – Shushicë) s’ka shtëpija, lum, përroska, drunjë; veq një shtresë zall (rërë) përmbi edhe veç ec me asfalt”. Jam interesuar të mësoj nëse kjo ndërmarrje ka konkurruar në tender për rrugën e Paja Patakut, por sot e kësaj dite nuk kam mundur ta siguroj këtë informatë. Sipas të gjitha gjasave, nuk ka konkurruar dhe e ka mbajtur fjalën. Tenderin e kishte fituar një ndërmarrje nga fshati Uçë, e cila ka blerë ndrmarrjen shoqërore Standard nga Istogu gjatë privatizimit. Kjo ndërmarrje bazë të asfaltit nuk ka. Gjithsejt thuhet se i ka 1 bager, 2 kamiona, 4 shofera dhe si ndërmarrje janë të dobët në kryerjen e punëve. Ndërmarrja ka një marrëveshje me një firmë nga Ferizaj dhe kështu disi të kryhet puna në një rrugë të ndërlikuar siç është kjo e Paja Patakut. Edhe vet Paja Pataku tash së voni e ka pranuar se punët nuk po shkojnë si duhet, se janë të pakënaqur me punën që po e bënë ndërmarrja e përzgjedhur, etj. 

Gjatë ditës së 31 dhjetorit 2008 isha në Istog. Aty në qendër të Istogut takova djalin e hallës sime Hafizin, arsimtar i gjuhës dhe leterësisë shqipe në shkollën e mesme. Pasi u përshendetëm, më ftoj për kafe. “Ku po hyjmë”? “Po ja këtu, qenkan kafenetë radhë”, iu përgjigja. Më propozoj të shkojmë në motelin Trofta, 150m larg, ku një kafe kushton 1 euro, ndërsa në kafenetë në qendër 50 dhe 80 cent. U nisëm, shkuam dhe porositëm nga një kafe. Nuk vonoj shumë dhe ja, erdhi ish-kujdestari im i klasës, arsimtari i fizikës dhe tash drejtori i drejtoratit të K.K. të Istogut për arsim. Përshendeti dhëndrrin e tij dhe djalin e hallës sime Hafizin dhe m’u drejtua: “Ku je Paja Patak”! Filloj të ankohet pak rreth skandalit që kisha filluar t’ia bëjë publik. I ofrova shkurtimisht argumentet e mia. Ai tha se kjo “është bindje e juaj”. Merre me mend se çfarë mendimi i mykët: Skandali që shihet prej aeroplanit dhe NASA-s ai e quan “bindje e juaj”?!! Ta përdorja atë veprimin e Stupcave “çka ke lyp ktu n’borr t’huj” e supozoja se si do të reagonte Hafizi e më pastaj edhe përgjigjen time “ka ardhë ky far Pataku me rr’xu shpinë”! Nuk e zgjatëm më shumë pasi ai e kishte drejtimin në vend tjetër të restoranit ku shkoj Bedri Hajzeraj më të cilin hyri së bashku në restoran por erdhi të na përshendes neve.  

Para se të përfundojmë këtë nëntitull, edhe diçka rreth përparësive në infrastrukturën rrugore. Në fillim të nëntorit 2008 Adem Grabovci, Idriz Blakaj (kryetar i degës së PDK-së në Istog dhe këshilltar i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi) dhe dy inxhinier të komunikacionit vizitojnë rrugën Dubravë – Shushicë. Në Breg të Hanit në Shushicë, Idriz Blakaj (përkrahësi më fortë i asfaltimit të kësaj rruge) kishte kërkuar nga Adem Grabovci asfaltimin e rrugës deri në Cerkolez. Z. Grabovci i kishte thënë se “nëse ti thua, ne do ta shtrojmë këtë rrugë 9 metra të gjërë”. Qyetarët tani thonë se ky është projekt tjetër dhe s’ka lidhje me vazhdmimësinë e projektit të Paja Patakut që do të mbetet diku në baltën e Uçës ose në hyrje të Zhakovës.  Më tregonin edhe me telefon se ka thanë Adem Grabovci mbasi po thua ti (për Idriz Blakajn) ne këtë rrugë do ta asfaltojmë 9m të gjërë. Po po, ua ktheja përgjigjen. Nëse ti thua, jo 9 por 90m të gjërë do ta asfaltojnë atë rrugë për aterimin e bombarduesve strategjik B-52 Stratofortress! A po mendoni ju se këto projekte ideore realizohen nga paratë e letrës të përfituar nga drunjët e bungut të Starasellës apo hormoçit (bredhit) të Radushës?!

Të dy inxhinierët u kishin treguar disa qyetetarëve të mbledhur në Breg të Hanit se opcionet e shumta ideore për futjen apo devijimin e rrugës nepër Mojstir te varri i Zymer Imerit apo më poshtë aty tek Zekajt, janë të paarsyeshme. Rruga nepër atë terren kushton shumë pasi punimet duhet të fillojnë nga zero dhe mund të ketë probleme me prona. Këndej është me bazë të fortë dhe pa pengesa. Këtë arsyeshmëri e kanë ditur të gjithë me përjashtim të atyre që mendonin se rruga regjionale duhet të anashkalohet në llogari të futjes së asfaltit nepër oborret e tyre dhe stallat e bagëtive. Në emsionin e përgatitur por ende të patransmetuar Jeta në Istog, Fadil Ferati iu paska përgjigjur dikujt se asfaltimi i rrugës Dubravë – Shushicë është në plan. Ajo ka qenë në plan që 25 vite dhe është matur e ç’matur dhjetëra herë. Në plan mund të jetë edhe asfaltimi i rrugës Istog – Mokën dhe Istog – Nizhni Novgorod! Ka mjaft Istogas të huptë që besojnë në këto bestytni siç kanë besuar deri më sot. Palni është plan. Plan mund të bëhet për çdo gjë.

 

 

6.3. Problemet e natyrës tjetër: Uji i pijshëm

 

Prej se ekziston K.K. i Istogut pas luftës 1998-99, nuk ka investuar as një cent të vetëm në Shushicë të Epërme, fshati i cili ka votuar kryesisht vetëm për LDK-në ose partinë në pushtet lokal. Banorët e këtij fshati dhe të Mojstirit shprehnin habinë se “kur na duhet të nxjerrim dokumente zyrtare, na thonë: Shumë bukur. Na i sjell të gjitha faturat e rrymës dhe tatimit në pronë si dëshmi se keni paguar edhe centin e fundit deri më tani, ndërsa ata tërë mjetet e mbledhura për vite me radhë i çojnë nepër qorrsokaqe sipas qejfit e rrugën këtu ngjitur me Istog e lëjnë pa u asfaltuar”. Por ky nuk është diskriminimi i vetëm i qëllimshëm, i paskrupullt dhe kokëfortë i K.K. të Istogut.

   Kur një donator zbatonte projektin e shpërndarjes së rrjetit të ujit të pijëshëm nepër shumë fshatra të pjesës Verilindore (Shushicë e Epërme, Shushicë e Poshtme, Zhakovë, Rakosh, dhe pak në Uçë), përfaqësuesit e Rakoshit në bashkëpunim me zyrtarët e K.K. të Istogut (edhe pse nuk ishte projekt i tyre fare) ishin ngritur për të penguar shpërndarjen e këtij rrjeti nepër shtëpijat e fshatit Shushicë e Epërme dhe bënin çmos që ajo shpërndarje së pari duhet të bëhet në Rakosh që gjindet përfundi Shushicës së Epërme. Rrjeti i ujësjellësit në Shushicë deri tek oborri i shumicës së shtëpijave ështe ndërtuar para 20 viteve (tash 25). Uji mund të futej brenda nga këto familje kur të donin. Nga investimi i donatorit në ujësjellës, Shushica e Epërme në krahasim me fshatrat tjera ka përfituar më së paku. Ujësjellësi nga ky fshat për në fshatrat tjera është dashur të ndërtohet në tërësi (sepse nuk kishte) pas luftës. Gjatësia më e madhe është për në Rakosh, përfaqësuesit e të cilit u ngriten kundër furnizimit me ujë të pijshëm në bazë (Shushicë) dhe kërkonin së pari të bëhet furnizimi i Rakoshit. Kjo hipokrizi në gjuhën popullore njihet si “me ja turbullu dikujt ujin lartë nga poshtë”. “T’Rakoshit e do hajna t’komunës ken t’u na lanë pa ujë”, ankohen edhe sot banorët e Shushicës së Epërme”. Normal që u lëjnë edhe pa kokë; vetëm votoni ju për ta, paguani për ta, e ata jo vetëm le t’i shtrojnë rrugët deri tek WC-të e tyre por le t’ua thithin gjakun juve me pam(b)uk, sqaronte njëri nga Banja e Pejës.  Sikur ta vrisnit Fadil Feratin, a e dini sa vendi i punës lirohet në Istog, AKM, KEK, etj. Nëse veprohet ngjashëm edhe me shumë politikanë tjerë që i mbajnë nga 7-8 pozita e nuk bëjnë asgjë konkrete në asnjërën prej tyre, paramendoni sa shpejtë do të rritej punësimi në Kosovë, shtoj ai. Ky mendim bizar i tij ma mbylli gojën dhe më bëri te mendoj tërë natën për një analizë se çka do të ndodhte me papunësinë dhe sa do të rritej punësimi po të veprohej ashtu.

Turbullimi i ujit nga poshtë-lartë ende vazhdon. Kujdestari i reduktimeve në bazë – Shushicë e Epërme quhet Avdyl (mbimeri më duket Ferataj) nga fshati Uçë. Ai përkujdeset për reduktimet intensive me ujë të pijëshëm në Shushicë gjatë stinës së verës. Shumë banorë të Shushicës shprehnin habinë se si ky njeri vjen nga Uça për t’ua ndalur ujin dhe ta lëshoj për Uçë dhe fshatra tjera. Ka edhe asi budallenjë që thoshin: “Na ka thanë Avdyli, po duhet me ja u nal juve se s’po ka sa duhet, e po duhet me prit deri sa t’mushen bazenet, se n’Rakosh s’po ka”. A e ke pa ti që ka mungesë të ujit nepër bazene, dhe a e ke vërtetu se n’Rakosh nuk po shkon ujë prej Shushicës, ishte pyetja ime? Jo po Avdyli vet na ka thanë qishtu, pasonte përgjigja. M’ka thanë, i kam thanë, i thash, m’tha, m’the, t’kam thanë, Avdyli iu kish thanë juve, e ju i keni thanë dreqit, e dreqi i ka thanë t’birit, përfundova bisedën me disa banorë të fshatit Shushicë.

Kur gjatë verës temperatura në Prishtinë arrinte deri në 40 gradë, dhe për t’i ikur sado pak pasojave të ndotjes së madhe, gjatë vikendit me disa shokë shkonim për shëtitje nepër bjeshkët e Istogut deri afër Moknës (më larg ishte rrezik të shkonim). Për shkaqe objektive, emrat e disave po i kodoj si vijon: Gauntlet, Stinger, dhe Rubezh-Me. Gauntlet edhe më herët ishte i irrituar me reduktimet e ujit. “Shpesh herë kur më ndalet uji në banjo duke bërë dush, bëhem aq nervoz sa që më hidhet mendja të dal ashtu lakuriq dhe me shkumë, t’i marrë veglat e nevojshme, e të shkoj të përroska e Palit e ta shkatërroj grypin e ujësjellësit”. Tek përroska e Palit para disa viteve kishte ndodhur një shembje e madhe e dheut që dëmtoj rëndë ujësjellësin. Gypi prej plastike i ujësjellësit tani qëndron i varur në litarë të trashë çeliku. Meqenëse është në vend të hapur ose mbi tokë, mund të jetë cak i motorr sharrës, sëpatës, armëve automatike dhe formave tjera të sabotimit. Një sabotim i tillë do të ndikonte së pari në ujin e pijëshëm për Burgun e Dubravës dhe do t’ua ndërpriste furnizimin të gjitha fshatrave tjera që varen nga ky ujësjellës. Një ide tjetër më pak tragjike dhe si korrigjim i asaj që i shkonte mendja ta zbatonte Gauntlet, e dëgjova nga Stinger. “Jo, se ashtu shkatojmë kaos të madh në një rajon të madh dhe marrim në qafë shumë njerëz të pafajshëm. Do të shkojmë tek shakti (puseta) që gjindet tek qarret rrugës për në Rakosh. Vetëm po e kthejmë tërë sasinë e ujit nga drejtimi për Rakosh dhe po e fusim në Livadh të Verdhë (gjelbërt). Kështu ia kthejmë “borxhin” Paja Patakut (tani kishin dëgjuar për të) dhe e bëjmë Livadhin e Verdhë edhe më të verdhë me ujë të kualitetit unikat në Kosovë”. Hahaha, qeshte Rubezh-Me gjersa shtoj se ai shakt (pusetë) është pa mbulojë dhe i hapur në çdo moment për realizimin e kësaj ideje.

A ishin dhe janë reduktimet me ujë të pijëshëm në Shushicë dhe ndoshta në fshatrat tjera gjatë verës pasojë e thatësisë dhe/ose sasisë së pamjaftueshme të ujit? Disa herë kemi vizituar burimet e ujit nepër bjeshkët e Shushicës. Në burime nuk vërehet ndonjë pakësim gjatë verës që të shkaktojë reduktime artificiale aq të mëdha në Shushicë. Gypi i ujëmbledhësit të burimeve të ujit nga bjeshka ishte plot si gjatë verës ashtu edhe gjatë dimrit. Përjashtim bënë vetëm teprica e ujit gjatë reshjeve të mëdha. Përndryshe, ujë të mjaftueshëm ka pasur gjatë stinës së verës. Dihet se nevojat për ujë dhe shpenzimi i tij janë shumë më të mëdha gjatë verës se në stinët tjera. Pra, problemi i reduktimeve është se dikush shpenzonte më shumë, e dikush në bazë duhej të kishte reduktime të paarsyeshme.     

     

 

7. Rast i (pa)krahasueshëm me rrugicën e Paja Patakut

 

Ndonëse është rast shumë i veçantë, për ata që nuk e kanë pa gjendjen e infrastrukturës rrugore në rajonin e fshatrave Verilindore të komunës së Istogut, mjafton vetëm një përshkrim i shkurtë se si do të zgjidhej përparësia e asfaltimit të rrugëve në ndonjë komunë tjetër. Për shembull, K.K. i Fushë Kosovës zgjedh ta asfaltojë një rrugë që fillon diku në një rrugë loakle të Sllatinës, vazhdon për në Dobrevë, dhe thotë se do të dalë diku në Bresje afër Fushë Kosovës. Kjo do të ishte përparësia ndaj drejtimit tjetër me terren më të mirë që do të fillonte prej Bresjes dhe të vazhdonte për në Miradi (magjistralja për në Pejë), e pastaj mund të futet në qorrsokaqe të Sllatinës. Rast megjithatë i pakrahueshëm. Paja Pataku mbetet unikat.

Në Shqipëri, rasti i projektit të Paja Patakut ndoshta do të mund të zbatohej në disa fshatra të Shijakut dhe Durrësit. Supozojmë rrugën regjionale që kalon përmes fshatrave Sukth, Katund i Ri, Qerret, dhe Shinovlak. Rruga Sukth – Katund i Ri do të ishte në gjendje sikur ajo Dubravë – Shushicë, ndërsa Shinovlak – Qerret sikur rruga e Paja Patakut Rakosh – Uçë. Udhëheqësia komunale e Shijakut apo Durrësit vendos të filloj asfaltimin e rrugës Shinvolak – Qerret, i thotë opinionit të gjërë (e gënjen) dhe këtë e bënë publike me raporte zyrtare të shkruara të komunës, se do të vazhdojmë për Katund të Ri, Sukth dhe të dalim tek ish-SMT-ja (stacioni i maknave dhe traktorëve) në rrugën Tiranë Durrës. Nuk bënë të fillohet së pari në Sukth dhe Katund të Ri ku rruga është e gatshme për asflatim dhe nuk ka nevojë të zgjerohet, por fillohet në Shinovlak shkaku se një apo dy zyrtarë të pushtetit lokal e kanë shtëpinë atje, pavarësisht se rruga atje është shumë e ngushtë, kërkohet plan sekret për rrëzimin e shtëpijave, dhe deri në Qerret kushton tre fish më shtrenjtë se rruga Sukth – Katund i Ri. Problemet tjera (lumi, arat e pjerrëta, ndikimi i reshjeve atmosferike) nuk mund të imagjinohen për krahasim me rrugicën e Paja Patakut.  Në fund, kryetari i bashkisë së Shijakut do të dal e refuzoj idenë e një organizate turke për asfaltimin e rrugës Sukth – Katund i Ri nëse rruga do ta mbaj emrin Sami Frashëri (nën supozimin se babai i Sami Frashërit ishte nga Katundi i Ri).

      

 

8. Përfundimi, mësimet dhe veprimet në të ardhmen

 

Shumë njerëz bëhen abuziv varësisht nga niveli i pasivitetit dhe injorancës së të tjerëve. Më tragjikja ndër të gjitha mbetet “aftësia” për të thithur gënjështra dhe thashetheme, dhe iluzioni se me to është duke u ndërtuar shtet dhe shoqëri demokratike. Së këndejmi të gjitha institucionet shtetërore të rendit dhe ligjit në Kosovë janë të rëndësisë së dytë. Shumica e ekzistencës së tyre shkaktojnë vetëm probleme. Në pikëpamje torike, asnjë institucion shtetëror ekzistues dhe ato që planifikohen të themelohen, nuk do të ishte më i dobishëm se krijimi i një Agjencioni Kundër Gënjeshtrave.   

Skandali i MTPT-së dhe K.K. të Istogut si dhe i shumë komunave tjera në projektet e infrastrukturës rrugore, tregon se tek shqiptarët e Kosovës nuk ekziston kurrfarë vizioni dhe plani konkret për ndërtimin dhe funksionimin e një shteti normal. Fajet janë të dyanshme. Së pari është popullsia (edhe pse vetëm 40% e elektoratit kanë votuar) që të drejtën e votës gabimisht e vlerëson si domosdoshmëri për t’ia dhënë dikujt, qofshin ata politikanë keqpërdorues të pushtetit, paraprakisht të njohur për votuesit. Së dyti janë pushtetarët që mendojnë se me ardhjen në pushtet, për orekset e tyre personale, familjare dhe klienteliste, duhet t’i mbysin popullsinë në shenjë “respekti”. Për Millosheviqin dhe Hitlerin kanë votuar më shumë elektorat se për udhëheqësinë e tanishme të Kosovës. Millosheviqi dhe Hitleri keqpërdornin pushtetin kundër popullsive të huaja, ndërsa pushteti i Kosovës kundër popullit të vet. Në të dy rastet kemi të bëjmë me keqpërdorimin e pushtetit ndaj të cilit popullsia mban përgjegjësinë më të madhe.

Si në rastin e Istogut, ashtu edhe në tërë Kosovën çohet shumë pluhur për kinse revolucionin në infrastrukturën rrugore. Flitet për 600 apo më shumë kilometra rrugë të asfaltuara. Mund të jetë e vërtetë kjo gjatësi por duhet aftësi e madhe hetuese për t’i gjetur se ku  gjinden. Në këtë analizë u sqarua se gjithë ato rrugë të asfaltuara kalojnë kah dera e pushtetarëve në nivelin qendror dhe lokal, ndërkohë rrugët regjionale dhe nacionale mbesin larg të qenit me standarde normale. MTPT-ja ka shpenzuar mbi 100 milionë euro për gjendjen e rrugëve që e kemi sot. Planifikon t’i shpenzoj edhe 115 milionë euro. Kur dominojnë përparësitë e karakterit klientelist, nepotist dhe të korrupsionit, mund ta merrni me mend sa do të ndikojnë edhe këto mjete në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Ka keqpërdorime dhe korrupsion në Kosovë të nivelit shumë më të lartë se rasti i prezentuar në këtë analizë. Megjithatë, rasti i Paja Patakut është pak më specifik. Analiza është zgjeruar edhe në tema tjera me të vetmin shkak – që të kuptohet më mirë se si është duke funksionuar sistemi i qeverisjes së mbprapshtë ose keqpërdorimi i tatimpaguesve të varfër të Kosovës. Kjo ishte dashur t’i brengos shumë edhe qytetarët e Prishtinës, tatimet e të cilëve përfundojnë në asfaltimin e rrugicave dhe qorrsokaqeve nepër zonat rurale të Kosovës dhe vet tatimpaguesve u rëndohet jeta me infrastrukturë të papërshtatshme në Prishtinë.

Dukuria e favorizimit përmes nepotizmit dhe klientelizmit në njërën anë, dhe diskriminimit të qëllimshëm në anën tjetër, është unikate në Kosovë. Në shtetet tjera, korrupsioni ndodh në forma të fshehura, ndërsa në Kosovë preferohet të jetë mënyrë e zakonshme dhe ndoshta më normale e jetës.  Aq është i pakuptimtë dhe banal fenomeni i klientelizmit dhe nepotizmit sa që, nëse dikujt i thuani se 3*2 = 6 e jo 20 siç po mendoni ju, mund t’iu thotë se “ky është mendim i juaji, se unë kam pasur respekt të madh për juve”, e budallallëqe të ngjashme. Çka ka të bëjë respekti ose afërsia ndaj një personi me veprat e dëmshme kur këto të fundit analizohen si dukuri të veçanta, pavarësisht se kush qëndron prapa? Pse respekti duhet të shndërrohet automatikisht në urrejtje nëse dikush flet për skandalin që shihet edhe nga aeroplani? Çka kanë mësuar shqiptarët e Kosovës gjatë historisë në këtë drejtim? Absolutisht asgjë.

Në shtetet demokratike, llogaridhënia e pushtetit ndaj popullsisë është aq e madhe sa që për një gënjështër shkarkohet edhe udhëheqësi i shtetit. Ka ndodhur kjo me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler. Për shkak se gënjeu rreth amrëve të shkatërrimit masiv të Irakut, u detyrua të jep dorëheqje ose më mirë të themi e shkarkuan. Sa herë na kanë gënjyer pushtetarët tanë në nivel qendror dhe lokal deri më sot? Sa prej tyre u shkarkuan nga detyra për gënjështra, e mos të flasim për skandalet që shihen nga hapësira? Toni Bleri si udhëheqës i shkathtë që e kthej ndikimin e Britaisë në botë i cili kishte rënë ndjeshëm gjatë viteve ’90-ta të shekullit të kaluar, megjithatë nuk i bëri ndonjë dëm aq të madh Britanisë por akuzohej pjesërisht për dëm në një shtet tjetër, e më së shumti se ka gënjyer. Pushteti jonë jo vetëm që gënjën ditë e natë dhe keqpërdor pozitën për interesa familjare dhe klienteliste, por edhe shitet kapadai sikur shteti të ishte ekskluzivisht i rezervuar për të bërë eksperimente me popullsinë si me kafshë.

Si do të rrjedh projekti i filluar i Paja Patakut? Në fillim ka hasur në disa të papritura nga Zoti i cili lëshoj shiun, e pastaj borën duke shkaktuar disa deformime në lumë dhe vendet ku ka filluar zgjerimi i rrugës. Kjo e papritur mund ta rrisë çmimin e projektit sipas planeve paraprake për murosjen e 400m rrugë përgjatë lumit apo edhe betonimin e tërë asaj pjese dhe vënien e asfaltit mbi të. Tek plani sekret për rrëzimin e shtëpijave, Paja Pataku me gjasë do të veproj kështu: Do t’i kompenzoj ose korruptoj disa kushërinjë të tij, dhe të njëjtit do t’i përdorë si përvojë qoftë vet apo në bashkëpunim me ta kundër pronarëve tjerë për t’i bindur se këta bënë lëshime pa kompenzim, prandaj do të ishte mirë që edhe ju të përcjellni shembullin e tyre për të mirën e “përgjithshme”.  

“Gjithmonë kungulli mbi ujë nuk shkon”, thotë një fjalë e urtë popullore shqipe. Shkëndijat e para të përgjegjësisë qytetare ndaj abuzimeve të pushtetit kanë filluar të shfaqen dhe duhet të vazhdohen. Ato janë hasur në Klinë kundër kryetarit të K.K. të Istogut. Të mendosh se me fjalë dhe thashetheme ndryshohen sjelljet e pushtetarëve, është gabim. Vetëm veprimet konkrete jepin fryte. Nëse dikush mendon se unë “po i grahi” e të tjerët le të akuzojnë dhe flasin çka të dojnë, atëherë edhe të tjerët “duhet t’i grahin kundër tij”, e pastaj le të flitet. Nëse në Istog dhe vise tjera të Kosovës ende nuk ka hyrë ajo faza e ndërlidhjes së drejtpërdrejtë në mes të asaj që thuhet ose premtohet dhe çka veprohet. Më së afërmi në këtë ndërlidhje është plani i Gauntlet. Le të veproj Gauntlet sipas planit. Nëse dikush në pushtet mund të investoj milionat e tatimpaguasve në asfalt kah dera e shtëpisë së tij me faktin se thjeshtë mundet, atëherë edhe Gauntlet duhet ta zbatoj planin e tij sepse mundet. Plani i Stinger jep vetëm rezultate të përkohshme dhe nuk preferohet. Nuk ka nevojë për këtë plan nëse Gauntlet vepron. Institucionet e Kosovës si ai i drejtësisë, janë vetëm pengesë e ndërtimit të shoqërisë demokratike. Gauntlet është zgjidhja me pasoja por që sjell rezultate më të mira.  



[1] Shih më tepër raportin e punës së K.K. të Istogut që gjindet në adresën e internetit http://www.komuna-istog.org/repository/docs/Njoftim_nga_Kryetari,_____tubimi_publik_me_qytetare,17.07.2008.pdf

[2] Shih më shumë “Përurohet rruga Vushtrri-Studime e epërme”, 08.08.2008, gjindet në faqen e internetit  http://www.kk-vushtrri.org.

[3] Raporti i punës së K.K. të Istogut që gjindet në adresën e internetit http://www.komuna-istog.org/repository/docs/Njoftim_nga_Kryetari,_____tubimi_publik_me_qytetare,17.07.2008.pdf, është edhe më konfuz. Shiko paragrafin e dytë në faqe 4 të raportit ku thuhet “projekti për asfaltimin e rrugës Rakosh–Uçë dhe Zhakovë– Shushicë- Dubravë”, dhe vetëm katër rreshta më poshtë thuhet “asfaltimi i rrugës Rakosh-Uçë-Shushicë..”.

[4] K.K. i Istogut (2008), “Mbahet takimi i I-rë me qytetarë”, 17.07.2008, Istog, gjindet në faqen e internetit në adresën http://www.komuna-istog.org/istog/?cid=1,14,113, faqja është vizituar me datën 15.12.2008.  

[5] Për më tepër rreth Mehmet Akifit, familjen, origjinën, jetën dhe veprat e tij, shih Yayinevi, Gonca (2000[2006]), Fletët, Logos-A, Shkup, përkthyer nga Mithat Hoxha, 642 faqe. 

[6] Stiglitz, Joseph (2002: 153), Globalization and Its Discontents, Penguin Books, London.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora