Kulturë
Bashkim Saliasi: Vjeshta në vargje
E enjte, 16.03.2023, 07:50 PM
VJESHTA NË VARGJE
Udhëtim në mrekullinë e ngjyrave të vjeshtës
Nga Bashkim
Saliasi
Këto ditë të ftohta të Janarit 2023, më erdhi në dorë
dorëshkrimi i poetit, shkrimtarit dhe publicistit Kadri Tarelli, të cilin e
lexova me ëndje dhe m’u krijua një ndjesi kënaqësie, sikur po udhëtoja e
përkundesha në një varkë të mbushur me perla, të nxjerra nga fundi i detit Jon.
Nuk u çudita, që poeti vjen me këtë vëllim të dytë, pas tre vitesh, kur për
herë të parë më kishte dhuruar librin me poezi; “Kohë në vargje” në moshën
shtatëdhjetëvjeçare, kurse tani pasi është rritur edhe ca më shumë, përsëri nuk
u befasova, mbasi vazhdimisht lexoj poezitë e tij në botimet elektronike dhe
gazetën ‘Telegraf”.
Ai tani vetëm se i ka mbledhur në librin e dytë me poezi,
të titulluar “Vjeshta në vargje”, kështu që tashmë me vargje po udhëtoj me
autorin nëpër udhët e vjeshtës. E kam njohur dhe lexuar herët krijimtarinë e
shkrimtarit Kadri Tarelli në gjininë e publicistikës, artikujve kritikë dhe
poezisë. Jam njohur dhe kam shkruar për veprat e tij; “Misionar në udhën e
dijes”, publicistikë, botuar në vitin 2013, “Kur lexoj një libër” (kritika
letrare, opinione, intervista, reportazhe), botimin me poezi, “Koha në vargje”,
botuar në vitin 2020 dhe tani së fundi, libri “Vjeshta në vargje”.
Lexuesi do të ketë mundësi të kënaqet me lirika të bukura
të larmishme, mbirë si lulet në lëndinë, ku spikat dashuria e madhe për
njerëzit, për detin, plazhin e Currilave, apo dhe kur u drejtohet stinëve të
vitit, natyrës, nipit e mbesave, si thesare më të çmuara të jetës. Mes tyre do
të gjejmë edhe poezi epike, fabula, elegji, histori, ku ka shumë atdhetari. Një
titull paksa interesant, por më duket se autori titullin e librit e lidh me
moshën e tij, ku shpreh ndjenja mirësie dhe dashurie për jetën dhe të bukurën,
sepse vjeshta ngahera është e begatë me lloj-lloj frutash dhe ngjyrash, me
dasma e gëzime, ku zemra e poetit gjen frymëzimin dhe na sjell në vargje jetën
që na rrethon. Poeti vjen para lexuesit me vargje mjaft të goditura, si në
formë dhe përmbajtje, ku që në faqet e para ndihet vokacioni, ngjyrimi, ritmi
në fjali, duke i qëndruar besnik stilit klasik të vjershërimit, me lirikat e
tij, që shprehin dashuri dhe ngjallin shpresë për jetën.
Vargjet e poetit Kadri Tarelli janë një ndjenjë e
fuqishme për dashurinë, që e frymëzojnë të shpreh ndjenja të thella
mbresëlënëse për thesaret e shpirtit, siç janë nipi dhe mbesat, që i do dhe e
duan aq shumë. Libri hapet me poezinë “Dea dhe Dioni”, kushtuar mbesës dhe
nipit. Vargjet rrjedhin si refreni i një kënge me vija melodike, që të joshin
dhe nuk të lejojnë t’i lëshosh nga dora. Ja si shprehet poeti në poezinë “Dea
dhe Dioni”. Mbes’ e nip, Dea, Dioni, / nektar lulesh, dritë dielli, / lumturisht
këngë këndoni, frymë jete zbritur nga qielli. Poezia “Dea dhe
Dioni”. Në këto vargje dashuria për nipat dhe mbesat rrjedh natyrshëm si në
një pentagram me nota muzikore dhe vijë melodike me nota të arta, që ngjallin
shpresë dhe dashuri për jetën. Të dashurosh, do të thotë të prekësh, të
përkëdhelësh, të puthësh, të marrësh dhe të japësh, por dhe të presësh, dhe të
duash, për të marrë atë çfarë kërkon.
Vëllimi poetik “Vjeshta në vargje” është shpirti krijues
i autorit pa sforcime dhe me fjalë të zgjedhura. Ajo që e dallon stilin e të
shkruarit të poezisë së poetit është fjala dhe brendia e saj, ku shprehet
dashuria njerëzore, të cilën poeti e përzgjedh dhe stilizon bukur, siç bën
bujku, që përzgjedh tokën dhe farën e shëndetshme, për të dhënë bimë me shumë
prodhimtari e cilësi të mirë. Ai përdor dhe e përzgjedh bukur dhe ëmbël fjalën
shqipe që të josh dhe rrit krenarinë dhe admirimin. E përbuz fjalën e huaj dhe
të panevojshme, si ne prozë, aq më shumë në poezi. Një vlerë e shtuar për këtë
autor. Te ky vëllim ashtu si dhe te vëllimi i parë, të bie në sy pjekuria
letrare, ku shfaqet thelbi i bukurisë vjershëtore, i shpirtmadhësisë dhe
dashurisë së pastër që shpreh mirësi, dashuri, shpresë dhe mirëkuptim për të
tashmen dhe të ardhmen, sepse më pëlqen ta vendos në thonjëza: “Dashuria e
pastër, e vërtetë e sinqertë dhe e përjetshme, lind e shuhet vetëm një herë”. Muza e poetit Kadri Tarelli nuk lë mënjanë
qytetin e tij, Durrësin, bregdetin, plazhin, Currilat dhe sidomos vjeshtën.
Libri “Vjeshta në Vargje” hedh vështrimin në horizont, në bregdetin e tij të
bukur ku autori gjen frymëzim. Ai me mjaftë dashuri dhe me një muzikalitet të
bukur shprehet për nipërit dhe mbesat, që po rriten larg atdheut të tyre në
Itali, por përsëri “kokën” e kanë në atdhe te vendlindja e gjyshërve dhe
prindërve të tyre.
Në krijimtarinë e tij poetike, burojnë idetë dashurore me
një strukturë të thellë artistike, që zgjon refleksione të ndryshme
fiziologjike. Sa natyrshëm vjen poezia: “Flokët kaçurrela, ngjyer bojë ari,/
më djersiti dimri, më ftohu behari,/ pas teje po ngrij, si akull janari./ si
purtekë dridhem, po digjem nga zjarri”. Me pas: “Era tund balluket, si
kallinjt’ e grurit,/ fustani me lule mbi kupën e gjurit,/ naze përmbi naze, si
thëllëz’ e gurit,/ këngës ç’po ja thua hipur majë murit”. Bukuria fiton
lartësi në ngjitje majë mali; “Trupin shtat selvi, si shtiz flamuri./mjerë
unë i mjeri, belaja më zuri,/kush më qan hallë, guri apo druri,/meraku për ty,
në dyshek më vuri./Ma jep dorën tënde, që ta shkundim diellin,/ta ngjyrosim
detin, blu edhe qiellin./me kollan mëndafshi ta mbërthejmë belin,/ mbi kurorë
floku, të art kordelin”.
Në poezinë e Tarellit, kemi të bëjmë me subjekte që
shtrihen në shtigjet e jetës së përditshme, përfshi edhe histori. Figurat
letrare të përdorura në poezinë e mësipërme janë metaforë, e gërshetuar me
krahasimin, të cilat i japin poezisë ngjyra, muzikalitet dhe “tinitrinë”,
sikundër shprehet miku ynë, poeti Dhimitër Xhoga (Guri i Naimit).
Kryesorja është se, Kadriu, di çfarë na tregon në rrugën e mbarë të
vjershërimit, di çfarë n’a thotë dashurisht, dhe atë që na e përcjell, e sjell
të freskët si aromë trëndafili erëmirë, që kur e lexon të jep shpesh
drithërima, të bën për vete dhe të tregon udhën e mirësisë. Poezitë e autorit
Kadri Tarelli dallohen për larminë e
formës, të përmbajtjes dhe të drejtimit. Lëvrimi i fjalës së bukur shqipe, me
ndjenjën e dashurisë për njerëzit, natyrën dhe gjithçka që na rrethon, vë në
lëvizje mendimin dhe veprimtarinë krijuese të poetit. Jam i mendimit se
krijimtaria e Kadriut mbështetet në folklorin e pasur të gjuhës shqipe dhe në
tabanin popullor.
Çdo poezi e librit “Vjeshtë në vargje”, përcjell një
mesazh poetik sa njerëzor aq edhe qytetar e shoqëror. Poezitë e këtij vëllimi,
janë kompozime të gjalla të autorit të dala nga shpirti poetik i tij. Edhe në
poezitë kushtuar natyrës, dallon dashuria për njerëzit, detin, plazhin, për
stinët e vitit, diellin, hënën, lumin, manaferrat dhe gjithçka e bukur, që
ngacmojnë mendjen e poetit. Ja si shprehet poeti në vargjet; “Thinjur sot,
pasqyrë e detit,/ bregun rreh valë mërzitur,/ mëngjes, heshtur jeta qytetit,/
fshehin retë syrin e ndritur”. Po kështu mrekullohemi me thjeshtesinë e
fjalës dhe vargut: “Poezia Plazhi Currilës”. Mbi kurriz të kodra
-vilës/ tretet shikimi mbi det./mbetur bosh plazhi Curilës,/ dy-tre varka lënë
shkret”. Po kështu edhe te poezia – “Deti zhubravitur”, -“Deti
pasqyrë e zhubravitur,/ nuk di pse sot trishtuar!,/ rrudhur ftohur duke
pritur”. I fuqishëm vjen zëri i poetit kur merr dhe mendon: Është
murtaja “Covid” që ka paralizuar jetën, ku gjithkush ndihet si i burgosur në
shtëpinë e vet, për këtë mbyllje njerëzore, që trazoi gjithë jetën në mbarë
rruzullin tokësor. Në poezinë “Durrësi në ngujim”,“Drama vuajtjesh
dhe ngadhënjimi, ke provuar qyteti im./ pranvera e ftohtë erdhi, si murgu
veshur në udhëtim./ drurët, rrugët, kafenetë, piktura në qiell pa
ngjyrë,/kodtragjik, pa firmë e vulë, në portretin pa fytyrë”.
Madhërisht i këndon vjeshtës, në poezinë “Erë
vjeshte”, ku stinët përcjellin njëra-tjetrën dhe pse me dhimbje i mban
lidhur dashuria: “Gjeth i zverdhur dimrin ndjell,/ ftohtë, shi, rënkon
mërzia. /vjeshta stinët i përcjell,/ ngroht’ i mban veç dashuria”. Cilësia
dhe intuita krijuese e poetit Kadri
Tarelli, dallon në elegancën dhe bukurinë muzikore, në vargjet që ai
thur për të dashurit e tij, që kanë lënë plagë apo ndjesi te forta, bie fjala
te poezia kushtuar vëllezërve Sefer
Tarelli dhe Hytbi Tarelli. Që në
strofën e parë dhe deri tek e fundit në çdo varg mbërthen dashuria dhe dhimbja
për vëllezërit e tij.
Ja si shprehet poeti te poezia kushtuar vëllait të tij
Sefer Tarelli: “Shkove vëlla, na le
hidhur,/ mbyte zemrën në trishtim./ Rrudhet fjala, nyje lidhur,/ s’shuhet
dhimbja në ngushëllim. Ike agronom Seferi, ike/ Gjete vend te perëndia,/ Dritës
zjarrin, nuk e fike,/ndez qiri përjetësia”. Etj.
Te poezia kushtuar vëllait Hytbi Tarelli, ka një varg që përmbledh të gjithë
brendinë: “Në kujtesë gëdhendur portretin”, Ndërsa për mësuesin shprehet
me madhështi: “Ti mësues përherë i ri./ Të nderojnë si profetin,/ Brezat në
përjetësi”. Shpirti krijues dhe dashamirës shprehet dhe te poezia kushtuar
mësuesit hero, atentatorin Haki Taha, ku
nëpërmjet vargjeve bën thirrje për bashkimin e kombit shqiptar: “Veç një
emër, e veç një besë,/ Jeta s’vlen nën sundim. Këmbë hasmi të mos mbesë,/ Kombi
thërret në bashkim”. Në vargjet e poezisë kushtuar shkrimtarit dhe poetit
vlonjat, Viron Kona, Kadriu si mjeshtër i fjalës artistike dhe mik i mirë,
skalit në vargje portretin e tij dhe tregon jo vetëm për cilësit e mira të
mikut nga Vlora, por na jep dhe një mesazh kuptim-plot, për figurën e
shkrimtarit si njeri me zemër të madhe, që e do jetën dhe respekton miqtë e
shokët, në ditë të mira dhe të vështira të jetës së tyre.
Ja disa vargje: “Shkrimtar, poet, studiues e
lajmëtar,/I njohur ndër fëmijë, të rinj e pleq”./ I thjeshtë, mësues,
veprimtar, e misionar. Fjalë urtë, thua, vallë botën ndreq”. Po të tilla
vlerësime do të gjejmë edhe në poezinë kushtuar mikut të tij, shkrimtarit
Shpend Topollaj dhe shkrimtares Vilheme Vranari - Haxhiraj, nga Kanina e
Vlorës, ku skalit me penën e tij të artë portretin poetik të miqve të mirë, që
nuk dinë të mburren, por ngahera vijnë para lexuesit qetë dhe pa bujë, me
studimet dhe krijimet e tyre artistike, me një penë të ndritur, që zënë një
vend të rëndësishëm, në rrethin e krijuesve durrsak dhe vlonjat. “Shpendi
ynë, penë artë,/ Detin bojë, qiellin pa fund./ Mal në letra, shkëmb i lartë,
/Dallgë e jetës të përkund”. Më pas për poeten dhe studiuesen nga Vlora: Në
krijime, burim pena,/ Në kuvende mjaltë goja. / librat roje në bedena,/ përmbi
shkrime tretur boja…etj. Një vend të rëndësishëm zenë poezitë përshkruese të
natyrës së bukur shqiptare, në të cilat autori reflekton dhe shpreh ndjesitë
dhe frymëzimin e tij në letër si: “Bisedë me detin”, “Mjegull në Currila”,
“Mos e kërko hënën”, “Deti zhubravitur”, “Natyrë dimri”, “Erë vjeshte”,
“Thinjur sot, Pasqyrë e detit”, “Në Mat pas kuvendit”, “Kaninë e bukur Kaninë”,
“Bregu dhe vala”, etj.
Nuk është rastësi për mua te vendos në parafund të
shkrimit tim, disa vargje, ku ka shumë atdhetari, dhimbje, ndjeshmëri
shqiptarie, shprese dhe pritshëmri. Mjafton ta lexoni këto pak vargje që thonë
shumë: Çamëri, perla e Epiri, Trup
e shpirt ngulur në gur, Si Feniks, ngrihu prej hirit, Vendos
krahun në flamur! Poezia, “Çamëri dhe Dardani, u prenë….!
Librin kaq të bukur “Vjeshta në vargje”, autori e mbyll
me fjalët magjike kushtuar poetit vlonjat Ali Asllani. Metafora dhe sarkazma,
që Kadriu përdor në vargjet e kësaj poezie, shigjeton pushtetarët të çdo kohe,
të cilët në ditët para votimeve, nuk lënë gur pa lëvizur, derisa zënë atë të
shkretë karrige. Më pas harrojnë çfarë kanë premtuar dhe fryhen e mburren, duke
u hequr si baballarët e kombit. Sa janë në ato zyra, nuk lënë gjë pa bërë dhe
abuzuar me besimin që u jep populli, për t’i shërbyer atij dhe jo për të
mbushur xhepat e tyre: Poezia, “Ali Asllani, porosit”! Hamë pimë
dhe rrëmbejmë, Nuk kursejmë çfarë të gjejmë. Mos u
lodhni të na shani: Porosit Ali Asllani” .
Duke përfunduar, edhe pse nuk jam specialist i letërsisë,
por më pëlqen krijimtaria dhe letërsia, si lexues i rregullt i saj do
këshilloja ta merrni librin “Vjeshta në vargje”, për t’u shtyrë ta lexoni
librin deri në faqen e fundit, pa u lodhur dhe pa u mërzitur. Madje mundet ta
mbani në çantë, në xhep si doracak, për ta shfletuar në kafene, në udhëtim me
autobus, tren, apo avion. Mbase mund ta mbani edhe në bibliotekë apo në
tavolinën e punës tuaj, këtë libër me vlerë artistike dhe çlodhës të
shkrimtarit e poetit Kadri Tarelli. I
bindur se kur të ndiheni të lodhur, mos përtoni, zgjasni dorën dhe pasi të keni
marrë në dorë librin “Vjeshtë në vargje”, udhëtoni në magjinë e ngjyrave të
vjeshtës, duke lexuar lirikat e bukura, sepse do largoni lodhjen e do të
ndiheni të çliruar. Provojeni dhe do e shikoni se nuk do të ndiheni të
zhgënjyer... Urime miku im KadriTarelli, në botime të tjera të radhës. Pena
jote mos pastë ndalesë…
Bashkim Saliasi
Tiranë, 22. 01. 2023