| E enjte, 03.08.2023, 07:50 PM |
Botimet FISHTA, 2023. Së afërmi promovimi
NË
KËRKIM TË VETES...
Mirdita,
miniera dhe (e)migrimi, trinomi letrar i këtij libri
NGA
NDUE DEDAJ
Mirditasit
dinin të rrëfenin këndshëm nëpër sofra, aq më mirë sot në kohë moderne kur
rrëfimet e tyre nisin e hidhen në letër. Por kur qëllon që talenti i fshehur i
dikujt zë e shpërfaqet, atëherë tejkalohen rrëfimet e zakonshme dhe natyrshëm
shkohet drejt letërsisë memuaristike e artistike. Pra, thënë në mënyrë të
figurshme, kur ai që shkruan heq emrat e njerëzve konkretë dhe i zëvëndëson ata
me personazhe letrare, duke ngritur një subjekt artistik mbi një episod
jetësor. Kështu na duket se ka ndodhur dhe me autorin e këtij libri, Gjon Ndoj,
që profesioni i inxhinierit të mineraleve, sa ç’e mban “larg” të shkruarit
letrar në dukje, aq dhe e lidh me këtë zeje, pasi i ka dhënë mundësinë të prekë
një realitet minierash në pamjen e tij jo të zakontë. Por ajo që e ka mundësuar
këtë libër interesant është në radhë të parë mbruajtja e autorit me traditën
dokësore mirditore, si një bir i denjë i kullës së tij në Simon të Mirditës.
Kultura unike, autentike e kullës ka lënë gjurmë të thella tek ai.
Dheu
i lindjes është kredoja e tij shkrimore: “Nuk ka se si të mos tingëllojë e
bukur toka që e ke prekur për herë të parë, atje ku ke mësuar të belbëzosh
gjuhën tënde të nanës. Bukuritë natyrore të vendlindjes, kujtimet e bukura të
futura përgjithnjë në shpirtin tend, pse jo dhe vuajtjet me të cilat je kalitur
për t’i sfiduar vështirësitë e jetës, kanë në vetvete një aftësi të çuditshme,
të të mbajnë zgjuar, si në ëndërr, për të qenë gjithnjë në kërkim të vetes.
Atje është nana, njeriu që për ty nuk njeh mplakje, por vazhdon ta mbajë
oxhakun të ndezur dhe çerdhën akoma të ngrehur”.
Autori
vetë përpiqet të shpjegojë prirjen dhe prurjen e tij letrare, kur thotë se të
shkruarit “është më të vërtetë një terapi. Nuk ka gjë më të bukur në botë sesa
të mbyllesh për pak kohë të gjitha “vrimat” që të sjellin energji negative dhe
mund të të lëndojnë për një kohë të gjatë dhe të nisësh të shkruash. Kësisoj të
shkruarit ngjan me një udhëtim të bukur. Me penë e mendje përpiqesh të hysh
kudo, ku ka jetë, ngjarje dhe zhvillime, duke futur në punë imagjinatën…”
Autori
i ka bërë një skanër punës në miniera, duke trajtuar ndër të parët mbase
keqshfrytëzimin nga qeveria të punëtorëve të dënuar, që punonin në minierat e
Mirditës dhe e gjitha kjo në emër të realizimit të planit të shtetit me shkop.
“Profesioni që vret” është një prozë rrënqethëse, një reportazh i kujtesës, ku
minatorët e dënuar shpreheshin se ata ishin vetëm një “proces verbal”, në rast
se iu vinte vdekja në galeri nga ndonjë aksident. Në këtë rrëfim ai sjell një
dukuri të rrallë, zjarrin në frontin e mineralit, që u bë rrezik për aksidentin
me djegie nga llava e “ndezur” e mineralit, ku humbën jetën tre minatorë të
rinj të dënuar, ndër ta dhe Arturi, që kishte thënë se ne jemi veçse një
“proces – verbal”, pak a shumë versioni i njohur i të dënuarve që thoshin se
jemi veçse një numër për shtetin. Rrëfimë të tilla tronditëse, sipas autorit
“kanë për qëllim që të ia heqin atë cipën që i ka mbuluar prej kaq vitesh”
ndodhitë e minierës - burg.
Po
ashtu ai sjell histori të letrarizuara, ku spikat në mënyrë të veçantë
udhëpërshkrimi nëpër Greqi si emigrant në mesin e viteve ’90, ku të duket se je
duke lexuar një roman ngjethës. Kjo në njëfarë mënyre është publicistika e tij
letrare, me kujtime nga e kaluara e afërt.
Bie
në sy forca përshkruese, ku gjithçka e regjistruar në kujtesë tashmë hidhet në
letër me elegancë: “Të ftohtit dhe shiu i imët me erë të fortë e bënin
udhëtimin tepër të vështirë. Edhe zogjtë nuk i rezistonin të ftohtit. Herë pas
herë shikoja zogj që mbasi përshkonin një trajektore të shkurtër, bënin një si
pikiadë dhe binin në shkurrnajë. Si të mos mjaftonte gjithë ai stërmundim prej
rrugës së gjatë dhe motit të keq, një tufë qenësh stani, trupmëdhenj dhe
agresivë, desh më mbytën. Instiktivisht,
u vërvita çadrën, e cila kur u hap, i trembi. Ajo shprehja ulu ndenjun se nuk
të hanë qentë, nuk vlente atë ditë...”
Tjetër
janë tregimet, që autori i ka krijuar nisur nga ndodhi, që dëgjoheshin dikur në
male. Ato janë fabula sa ekzotike, aq dhe tradicionale, që fokusohen te
vyrtitet e mirditasit, nderi, mikpritja etj. Sendërtuesi i tyre shkruan: “E kam
pasion dhe kënaqësi të përfshihem i tëri në atë çfarë tregoj. Qysh i vogël kam
patur një sens humori gazmor. Gjithashtu pëlqeja të dëgjoja bisedat
karakteristike të Mirditës. Kam pas fatin që në shtëpinë time vinin burra nga
fise dhe shtëpia të dëgjuar për të kuvenduar me gjyshin etj”.
Gjoni
vetë e thotë diku se është në kërkim të vetes, kësaj here si autor. Me këtë
libër dhe me ato që shkruan në vijimësi në rrjetet sociale, mund të thuhet se e
ka gjetur veten në lëmin e të shkruarit. Përdor mirë përshkrimin, detajin,
dialogun, priret nga shtjellimi i fabulave groteske, si te “Cubnia e Maleve”,
“Rojtari i kishës”, “Edhe miza kërkon çoban” etj., që karakterizohen nga
ironia, humori, imagjinata etj. Maturimi në shkrimtari dihet që kërkon të
ushtruar pa rreshtur prej profesionisti, duke e ballafaquar hap pas hapi
veprimtarinë tënde krijuese me përvojën e të tjerëve. Kështu nis e përvijohet
stili autorial, fraza e ngjeshur, nënteksti, shmangia e zgjatjeve dhe e fjalëve
të huaja të panevojshme etj.