Kulturë
Jusuf Buxhovi: Epistemologjia e diktaturës
E merkure, 15.03.2023, 07:08 PM
EPISTEMOLOGJIA E DIKTATURËS
-Besnik
Mustafaj: “Fajtori”, novela. Botoi “Onufri”, Tiranë, 2022.
Nga
Jusuf BUXHOVI
Proza
më e re e shkrimtarit Besnik Mustafaj do të mbetet e shënuar për dy momente
prosedeale. Së pari, për shfaqjen e
shkrimtarit, me emër e mbiemër (Besnik Mustafaj, diplomat) - si personazh. Dhe së dyti, për tri novela,
që ndonëse të ndara, formësojnë triptikun e
epistemologjisë së diktaturës në përmasat që deri më tani nuk janë parë
në prozën tonë të kësaj natyre.
Momenti
i parë, pra shfaqja e shkrimtarit në rolin e personazhit (diplomat në Paris)
thyen konvencat e rrëfimit në vetën e parë, apo në vetën e tretë. Në novelën e
parë “Fajtori” dhe në të dytën “O tempora!”, ambasadori Besnik Mustafaj kthehet
në bartës të konstruimit të ngjarjes.
Në
rastin e parë, tek rrëfimi i një emigranti nga Shkupi në Paris (Hamza Sinani),
si kronist, ambasadori Besnik Mustafaj, merr përsipër shpalimin e një intrige
jetësore e kthyer në politike, siç ishte ajo e miqësisë së Hamza Sinanit me
akademikun maqedonas Hristovski, më vonë ambasador i Maqedonisë në Francë, nga
dosjet e policisë jugosllave, e shëndurruar në një konstrukt prej nga Hamza
Sinani kthehet në “një armik” të Jugosllavisë titiste. E gjitha do të mbetej ad
acta po që se pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit
maqedonas, nuk do të promovohet në “patriot”,
pra në kundërshtarë të regjimit jugosllav, paçka se nuk ka qenë i tillë. Ndaj
Hamza Sinani nuk do pajtohet me atë epitet të shpifur për nevoja të politikës
ditore dikur dhe tash, gjëqë do të kërkojë "shpëtim" nga
"ndërhyrja" e shkrimtarit!
Ndërsa
në rastin e dytë, në novelën “O tempora!”, gjithnjë si ambasador i Shqipërisë
në Francë, ballafaqohet me dramën e intelektualit Zenel Meça, i burgosur
politik (i akuzuar si spiun francez), që si përkthyes i njohur nga
frëngjishtja, sjell të përkthyera në shqipe disa nga veprat madhore të letërsisë
franceze. Drama e Zenel Meçës, nuk ka gjithaqë të bëjë me burgun prej dymbëdhjetë vitesh dhe internimit të rëndë. Përkundrazi, ajo
shfaqet tek vitet e tranzicionit ( mbi tridhjet sosh), që nuk e lirojnë as nga paranoja e frikës dhe
as që e kthejnë në “njeri të lirë”. Përkundarzi, Zenel Meça, ka probleme të
mëdha me “lirinë e papërdurshme”, me “lirinë e pavlerë”, me vetminë e
papërballueshme dhe të tjerat e atij
lëmshi deri në atë masë sa të kërkojë azil në Francë, për të vdekur atje!
Është
kjo njëra ndër ironitë më të faktuara të kësaj natyre në letrat tona, ku
viktima e diktaturës nuk ia del të lirohet nga ndrydhja e shpirtit, në
rrethanat e reja, që doemos kërkojnë përshtatje shpesh edhe të pandershme, ku
shpesh viktimizimi konvertohet në “heroizëm”, kthehet në një pasaportë për
përfitime të pamerituara. Gjendja e re dhe pamundësia të lidhet me të, neveria
që i sjell ajo, Zenel Meçës i kthehen në një pasthirrmë shpëtimi ndaj një
gjendje të pakthyeshme, siç ishte ajo e
rinisë dhe edukimit të lirë në
Paris, gjatë kohës kur i ati ishte ambasador i parë i Mbretërisë Shqiptare në
Francë.
Ndonëse
“rrëfimet” e Hamza Sinanit nga Maqedonia (si shtetas francez) dhe ato të Zenel
Meçës nga Tirana locohen në Paris, ku ambasadori Besnik Mustafaj merr përsipër
rrëfimin e Sinanit “ta kthejë në një
histori”, ndërsa rastin e Zenel Muços ta përcjell në raport me këmbënguljen e
përkthyesit shqiptar që përballë autoriteve franceze të nxjerr të vërtetën se
nuk ishte agjent francez, siç ishte dënuar në Tiranë, megjithatë, dramat e tyre
kthehen në Maqedoni dhe në Shqipëri. E para, gjatë përndjekjes politike të
shqiptarëve kur ata angazhoheshin për barazi dhe identitet kombëtar dhe se në
mungsë të saj shumëkush kërkon shpëtim në emigrim. Ndërsa e dyta, në gulagun
shqiptar, ku doktrina ideologjike kishte kthyer në armiq çdo gjë, çdo vlerë të
brendshme dhe të jashtme, pa kursyer edhe çrrënjosjen e dinjitetit njerëzor
deri te përmasat e paparashikueshme!
Dioptria
e shkrimtarit këtu (ambasadorit Besnik Mustafaj), nxjerr në pah qëndrime që
bien ndesh me konvencat e njohura
shoqërore dhe politike në botën
shqiptare, kur në njërën anë paradigma e diskursit “të mërgatës së qyqes”,
saora anbllok kthehet në “patriotizëm
dhe atdhedashuri”, dhe në tjetrën anë, pasqyron absurditetin e abrakadabrës
shpirtërore shqiptare në rrethanat
e tranzicionit, me ç’rast ndërrohen edhe
pozicionet midis viktimës dhe xhelatit e anastjellatas! Të dy këta personazhe
ngrejnë çështje të ndërlikuara të
moralit të pamoralshëm brenda një shoqërie e cila ndryshimet nuk i sheh
si mundësi çlirimi të konvertohe në liri të plotë me gjithë korpusin e vlerave
që përfshin ajo, por në një mundësi për përfitime ndër më të ultat, e ku dalin
në pah anët më të liga njerëzore! Këtu dhe te këto çështje, me një filigranizmëm
të jashtëzakonshëm, shkrimtari nxjerr në
pah përmasat e psikomatikës së
diktaturës shqiptare, ndër më të egrat e kohës.
Meqë
pasoja pa shkak nuk qëndron siç nuk mund të ketë shkak pa pasoja, por që letrarisht këto raporte qoftë edhe të zhdrejta
mund të shfrytëzohen për pasqyrimin e dramave të brendshme të përmasave të
thella, këtë e arsyeton novela e fundit “Fabrika për prodhim armiqsh”, si një
lajtmotiv i asaj që mund të quhet edhe triptik.
Edhe
te kjo novelë, ndryshe nga diskurset e trajtimit të temave të tilla nga sfodi i
diktaturës dhe tranzuicionit të papërfunduar,
të shumtën bardh-zi dhe me prirjet skajshmërisht
diskredituese-përfituese, shkrimtari, këtë herë, jo si Besnik Mustafaj, por si
rrëfyes i natyrshëm, nga brenda, kapë trekëndëshin më të ndërlikuar të
institucionit ideologjik të diktaturës: sigurimin e shtetitit me mekanizmin e
inkuizicionit, inkuizicionistët si dhe
viktimat e shumta. Në të vërtetë, raportet midis Abdi Golemit – drejtues i Sigurimit
të Shtetit, të birit Dashnorit (Dashos) dhe bashkëshortës, janë raporte tejet
makabre brenda për brenda një familje, ku i ati, Abdi Golemi, jashtë çdo kodi moral, njerëzor dhe prindor
madje, ku mbrojtja meçdokusht e fëmijës është çështje gjenetike, për të fshehur
një skenar të të infiltrimit të tij në
“radhët e diversantëve”, të brin, bashkë me të ëmën, e dërgon në një kamp pune,
ku qëndron katër vjet. Kthimi i familjes në normalitet, pas kryerjes së
misionit dhe shpalljes “hero”, në të
vëretetë i hap udhën dramës që ndërtohet brenda për brenda mospajtimit të të birit me të atin, dramë
kjo që do të kthehet në një armiqësi të
përhershme midis tyre, po edhe armiqësisë
së të birit me diktaturën dhe mekanizmat e saj jo mbi baza ideologjike
po të metodologjisë së shkeljes së të gjitha parimeve njerëzore, ku
sakrifikohet edhe familja për qëllime të tilla të sistemit!
Ndonse
novela ka titull sugjestiv (Fabrika për prodhim armiqsh), me çka shpjegohet
karakteri i një shoqërie të tillë që për ta forcuar diktaturën dhe për ta
mbajtur atë prodhon armiq të përhershëm
edhe nga radhët e veta, megjithatë, shkrimtari përqendrohet pikërisht te
pasojat që nxjerrin në pah dramën e
thellë brenda për brenda mekanizmave të diktaturës, ku konfliki babë-bir merr
përmasat më çnjerëzore, deri në atë masë sa i biri dëshiron gjenetikisht të mos jetë i lidhur me
babën. Ndërsa i ati, kur sheh prirjen e të birit kundër diktaturës dhe
mekanizmave të saj, pra kur e sheh se mund t’i kthehet në “kob”, kërkon
mbrojtje duke e shpallur të të çmendur!
Shpalljen e të birit “të çmendur” e bën që ta mbrojë vetën nga kafshimi i
pashmangshëm i sigurimit të shtetit. Nga ana tjetër, çertifikata mjekësore si i
çmendur me të cilën do të pajiset, për t’u mbrojtur nga burgosja, Dashoja e di
se është për mbrojtjen e të atit prej
të birit dhe armiqësive të tij ndaj regjimit, ngaqë mekanizmi i sigurimit të
shtetit që drejton ai, është orvellian, përfshinë të gjithë, madje edhe
bartësit e tij, siç do të ndodhë në të vërtetë, me fatkeqësinë e kurdisur të
komunikacionit ku ai humb jetën bashkë me shoferin.
Eleminimi
i tillë i të etë, Dashon do ta lirojë
nga ndjenja e ndërgjegjes së papastër për shkak të tij në krye të një mekanizmi
vrastar, siç do ta lirojë edhe nga “certifikata e të çmendurit”, për t’iu kthye
sado kudo jetës së “njeriut të lirë”.
Por,
pikërisht kthimi i përkohshëm në
realite dhe ndjesia e lirisë pa damkën e
të çmendurit, do t’i kthehet në kob, kur
do të burgoset me aktakuzën e “armikut ideologjik”. Këtë akuzë të pritshme edhe
do ta pranojë pa kurrëfarë kundërshtimi.
Madje edhe si satisfakcion që
shpirtërisht kishte qenë i privuar prej shfaqjes së saj nga “mburoja” e të
atit, por që e gjitha do t’i përmbyset me atë që hetuesi do t’ia thotë troç se
fatkeqësia e komunikaconit kishte qenë e kurdisur nga vetë sigurimi i shtetit,
që “heroi” i gjallë të mbrohej nga “tradhtia” e të birit, që doemos do të
burgosej!
Dashoja,
pra me ato që do t’i thuhen nga hetuesi:
“Ti, bastard i ndyrë, vrave babain tënd, heroin tonë. Këtë nuk ta falim kurrë”,
nga i vrari duhet të kthehet në vrasës!
Me çka, letërsia jonë, për herë të parë pasqyron kompleksin e "Edipit ideologjik"!