Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: E vërteta e Reçakut - Barbarizëm serb dhe Krim Kundër Njerëzimit
E hene, 16.01.2023, 08:00 PM
E VËRTETA E REÇAKUT: BARBARIZËM SERB DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT
Nga
Frank Shkreli
Presidentja
e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani: "Të
kthehemi në Reçak e në çdo vend tjetër ku barbaria serbe la gjurmë tmerri, ta
themi me zë të lartë se këtu kanë ndodhur krime kundër njerëzimit, siç e tha
ambasadori Walker para njëzet e katër vjetësh; ta dëshmojmë të Vërtetën e
Reçakut e të gjithë Kosovës, sepse vetëm e Vërteta ndihmon në ndërtimin e një
të ardhmeje të bazuar në paqe." (15 Janar, 2023)
Kryeministri
i Republikës së Kosovës, Albin Kurti: “Reçaku
është një nga dëshmitë kryesore që na kujton rrënjët dhe çmimin e lirisë sonë.
Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, nderojmë 45 shqiptarët civil të masakruar
nga forcat e Serbisë. Ne përkulemi para
vuajtjes e sakrificës së njerëzve tanë. Shteti ynë demokratik, nuk i amniston
kriminelët dhe nuk i harron krimet e luftës. Populli ynë i është gjithmonë
mirënjohës e falënderues Ambasadorit William Walker, për rolin e kontributin e
punës së tij për të vërtetën dhe Kosovën.” (15 Janar, 2023)
24-vjetë
më parë, me 15 Janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, jo më
larg se 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe të diktatorit terrorist
të Serbisë, Millosheviçit, vranë 45 persona civil shqiptarë të pafajshëm. Dje,
të dielen (15 Janar, 2023) në atë fshat u mblodhën një numër i madh qytetarësh,
në një tubim përkujtimor në nderim të viktimave, udhëheqsit më të lartë të
Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti,
si dhe Ambasadori William Walker, i cili 24 vjetë më parë i kumtoi botës lajmin
e zi të masakrës në Reçak të 45 shqiptarëve. Kosova shënoi 24-vjetorin e këtij
krimi kundër njerëzimit, përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila
konsiderohet si pikëkthesa kryesore e ngjarjeve të mëvonshme në
Kosovë, sulmet ushtarake të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe
industriale serbe, përfshir kryeqytetin e Sebisë, Beogradin. Ajo ishte një
ndërhyrje që më në fund, detyroi largimin e forcave terroriste ushtarake
dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë, kështu, fund luftës në
Kosovë.
Ishte
ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misionit
Verifikues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, (OSBE) ai,
i cili në atë kohë, zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi
barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte
në Kosovë, si të donte dhe kur të donte, pa asnjë ndëshkim.
Ambasadori
amerikan Uoker ka thënë në të kaluarën se, ato që ai ka parë me sytë e tij
në Reçak janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së
vërtetës që ka ndodhur aty. Të vërtetën, që ai i kumtoi botës, në atë
kohë, se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë -- kishin
kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit ndaj popullsisë
shqiptare të Kosovës. Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të
vrarë në Reçak, Ambasadori amerikan e ka dënuar masakrën si një “barbarizëm të
pabesueshëm”, ndërsa i ka cilësuar vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim
kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane “Nju Jork Tajms”
se, ”nuk dëshironte të hezitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtpërdrejtë,
forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre”.
Deklarata
e ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, në atë kohë,
por shkaktoi reagime të ashpra, sidomos, në Shtetet e Bashkuara dhe
në Europë. Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton ka reaguar atëherë ndaj
deklaratës së ambasadorit Uolker duke thënë se: “Masakra e Reçakut, ishte një
akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte
popullin e Kosovës”.
Ndërsa
ministri i Jashtëm i Gjermanisë gjatë shpërthimit të krizës në Kosovë, Joschka
Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë, pas zbulimit të
masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker, se: “Ata që janë përgjegjës për këtë
akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë
masakrimin brutal dhe vrasjen e popullsisë civile”.
Masakra
e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e
forcave terroriste serbe kundër popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre
viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar. Por, më në fund ka
qenë deklarata e ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar okular i
masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si
rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve perëndimore
karshi gjendjes në Kosovë dhe njëkohësisht, shërbeu si një katalist për
ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova. Gazeta e
kryeqytetit amerikan, Uashington Post, shkruante në prill të vitit 1999 se pas
një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në kryeqendrën e
NATO-s në Bruksel, shihet qartë se masakra e Reçakut transformoi politikën e
Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë. Masakra e
Reçakut, sipas gazetës “Uashington Post”, bindi qeverinë amerikane dhe
aleatët e saj në NATO se, politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të
ndryshohej fund e krye.
Politika
amerikane ndaj Kosovës, deri atëherë, bazohej në atë që njihet si
“Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata
e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviçit më 24 Dhjetor 1992,
vija e kuqe, e që ishte një telegram shumë i shkurtër dhe pa
stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga “Uashington Post”, të
ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që
shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të
gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda
Serbisë”. Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i
Departamentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit
Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcënim në letër.
Ishte pra masakra e Reçakut dhe dëshmia e një
ambasadori amerikan, mbi këtë tragjedi, tragjedinë që kishte parë në
atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi, më në fund, ndërgjegjen e Shteteve
të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë, e cila bëri
që paralajmërimi kërcënues i administratës së Xhorxh Bushit të parë, me rastin
e Krishtlindjeve të vitit 1992, më në fund të zbatohej.
Si
përfundim, më 13 tetor 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e
Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte
planifikimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Shpesh mendoj me
vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqësues
tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam
Uoker, si Shef i Misionit Verifikues i Organizatës për
Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike
të Kosovës dhe me të VËRTETËN e Reçakut? A do kishte pasur një përfaqësues
tjetër fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka
kishte ndodhur në Reçak. Ose çfarë do të kishte ndodhur në qoftë se
ambasadori Uoker nuk do të kishte shkuar fare për të parë vetë me
sytë e tij tragjedinë në Reçak. Unë besoj se, si rrejdhim, do të kishte
pasur masakra të tjera si ajo e Reçakut, anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do
të dinte gjë për to, sot e kësaj dite. Ambasadori Uoker kollaj mund të
kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në
Vjenë, duke informuar OSBE-në se, ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një
tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’. Dhe me aq
ai e kishte kryer detyrën e vet.
Por
jo! Ai si diplomat i regjur e me përvojë, e ka ditur se një raport i tillë
nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e
gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak, duke e bërë
kështu më të besueshme deklaratën e vet mbi masakrën që kishte parë në atë
fshat.
Andaj
në këtë 24-pëvjetor të atij krimi të shëmtuar nga forcat kriminele serbe,
të kujtojmë, natyrisht, me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë
të Reçakut në solidaritet me familjet e tyre, por njëkohësisht, të mos
harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i
cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës,
e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me barbarizmat
që po bënte Serbia, me dekada në Kosovë, kundër shqiptarëve dhe më në
fund, bëri që NATO të vendoste që të ndërhynte për t’i ndaluar masakrat serbe
kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë sulme ajrore kundër Serbisë dhe forcave të
saja në Kosovë.
Të
rënëve, Zoti u faltë paqën, familjeve të dëshmorëve, Zoti u dhashtë forcë!
Ndrësa mikut tonë, Ambasadorit Uilliam Uoker -- i cili për shumicën e
shqiptarëve kudo, ka lenë gjurmë të thella dhe vulë të pashlyeshme në historinë
e Kosovës dhe të mbarë Kombit shqiptar -- Zoti i faltë jetë të gjatë dhe shëndet,
ashtuqë të dëshmojë të VËRTETËN e Reçakut për një kohë të gjatë!
Rroftë
ndër shekuj, Kosova e pavarur, e lirë dhe demokratike!
Fotot
nga tubimi përkujtimor janë marrë nga portali i Presidentes së Republikës së
Kosovës, Vjosa Osmani, ku mund të shikoni edhe foto të tjera nga ky përvjetor
përkujtimor