E enjte, 31.10.2024, 11:55 PM (GMT)

Mendime

Monsinjor Rrok Mirdita: Të hapen dosjet për të mos harruar

E hene, 29.12.2008, 12:19 PM


Intervistë e Monsinjor Rrok Mirditës për ALSAT në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin

“Më kujtohet në kohën e Presidentit Regan, kur ai emëroi një gjykatës të njohur, u bë problem për disa artikuj të tij kur ai si jurist i ri kishte shkruar në disa revista, të cilat kishin pasur një shije jo të mirë për shkak se atje janë shumë të ndjeshme çështjet raciale. Për shkak të këtyre artikujve një njeri që kishte të gjitha kualitetet, u refuzua të aprovohej nga Senati”.

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrës, Monsinjor Rrok Mirdita, mbështet hapjen e dosjeve gjatë një interviste për ALSAT me gazetaren Eni Vasili. Ai thotë se tani është koha që gjërat të vendosen në vendin që u takon

Çfarë ndodhi me shqiptarët që pas viteve ‘60 u larguan me dhunë nga Zoti?

Unë po citoj një thënie të Papa Leonit të madh, një ndër më të mëdhenjtë në historinë e Kishës kur ai u drejtohej të krishterëve në gjuhën latine me thënien: “Njihe o i krishterë dinjitetin tënd”. Zoti është bërë njeri, për t’i bërë të mundur njeriut që të njohë Zotin më mirë, më afër. Dashuria e pafundme e Zotit që nuk ka kursyer as birin e vet dhe na e dërgoi sikurse një njeri, te jetë një vëlla yni që ta kemi më afër ta dëgjojmë nga goja e tij gjithçka që na zbulon mbi misterin e pashqyrtueshëm që është përmbi Zotin, sepse truri ynë është tepër i vogël për të mbuluar pafundësinë e Zotit. Sigurisht, ndalimi i besimit ose qitja jashtë, braktisja prej një familje është një gjë jashtëzakonisht tragjike. Në qoftë se kjo bëhet nga një vend, nga një komb është edhe më tragjike, edhe nëse kjo ndodh me një dekret ose me Kushtetutë sikurse ka ndodhur nëse nuk jam gabim në ’67-ën në Shqipëri, atëherë është tragjedia më e madhe për një popull. Sigurisht në qoftë se një popull dëshiron të keqen ose në qoftë se ekziston një rrugë që e çon një popull në një të pa të ardhme absolute është ajo ku njeriu braktis Zotin. Unë gjithmonë u kam thënë njerëzve në rolin tim si predikator, gjatë përkujdesjes sime për shumë vite në SHBA në se dikush ka dyshime se çfarë ndodh me një njeri, me një familje, me një komb kur i qet jashtë Zotin të shkojnë në Shqipëri të shohin. Atje do ta prekin, nuk ka nevojë për teori të shfletojnë libra apo traktate teologjike apo filozofike. Sigurisht kjo ka qenë tragjedia më e madhe që ka mujt me i ndodh një populli që me ligj të përjashtohet Zoti në mënyrë publike, sepse brendapërbrenda njerëzve është e pamundur që besimin dikush ta eliminojë.

A solli kjo në atë kohë më tepër dhunë, padrejtësi, mëkat?

Më kujtohet një thënie e Dostojevskit në “Krim dhe dënim”, nëse nuk gaboj ku thotë: “Nëse nuk ka Zot, sikurse peshku i madh ha të voglin dhe askujt nuk i bie ndërmend, është një gjë e natyrshme në natyrën e kësaj kafshe”. Pra nëse nuk ka Zot gjithçka është e lejume, as ka mëkat, as ka përgjegjësi, pra edhe vrasjet edhe persekutimet, kur kemi përjashtuar Zotin, kur e kemi qitur jashtë besimit tonë dhe kur nuk ekziston më një fuqi e mbinatyrshme që është Zoti, atëherë kjo është krejtësisht normale. Nuk ka më një autoritet ku ne do përgjigjemi nëse kemi bërë mirë apo keq dhe në këtë kuptim kjo patjetër është reflektuar edhe në shoqërinë tonë, sepse pa dashur të bëhem ai që duhet të vlerësoj apo të bëj kritikat, unë e kuptoj mirë situatën që ka dominuar për vite me radhë. Mund të kenë qëndrime të ndryshme për sa i përket besimit fesë, megjithatë, të besosh në Zot është e drejta më thelbësore e njeriut. Në Shqipëri fatkeqësisht ka ndodhur kjo. Ne nuk jemi në gjendje të japim gjykime të sakta, por jam më se i bindur që shumë pasoja të cilat i përjetojmë edhe sot, janë për shkak të atyre viteve kur gjenerata të tëra janë formuar me një frymë dhe shpirt antifetar dhe kjo është imponuar me forcë, janë përdorur të gjitha mjetet.

Aktualisht ka një debat të gjerë për hapjen e dosjeve. Keni një qëndrim për këtë çështje?

Unë uroj që e gjithë kjo të mos degradojë në diçka që nuk i shërben kësaj shoqërie dhe këtij momenti ku kemi arritur tani, por sidoqoftë të vërtetës nuk duhet t’i ikim asnjëherë. Kjo e vërtetë duhet të zbardhet edhe pse ata njerëz që kanë qenë viktima e meritojnë një sodisfaksion, minimumi moral, që shoqëria më në fund përmes institucioneve zyrtare e ka njohur atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Gjithmonë jo për një hakmarrje, jo për t’i hapur derën spekulimeve, apo përçarjeve në shoqëri. Unë mendoj se është e domosdoshme, nëse me të vërtetë përqendrohet tek njerëzit që pretendohet ose që janë në instancat e larta të pushtetit. Unë kam jetuar për një kohë të gjatë në SHBA dhe ishte vendi i parë ku unë vërtet kam takuar një shoqëri ku demokracia nuk është vetëm në letër, dhe më kujtohet në kohën e Presidentit Regan, kur ai emëroi një gjykatës të njohur, u bë problem për disa artikuj të tij kur ai si jurist i ri kishte shkruar në disa revista, të cilat kishin pasur një shije jo të mirë për shkak se atje janë shumë të ndjeshme çështjet raciale. Për shkak të këtyre artikujve një njeri që kishte të gjitha kualitetet, u refuzua të aprovohej nga Senati.

Pra, ju jeni dakord?

Absolutisht nuk jam për atë që njerëzit të cilët për rrethana që dihen apo nuk dihen, me entuziazëm më tepër a më pak, por që kanë qenë në poste të tilla dhe që ndonjëherë kanë kapërcyer edhe ligjet e asaj kohe të gëzojnë të njëjtat poste edhe sot në liri, kjo nuk do të ndodhte në asnjë vend demokratik. Jam që të ndahet shapi nga sheqeri, sepse shpeshherë bëhen edhe spekulime dhe insinuata të ndryshme dhe përfshihet dikush që s’ka dhe përjashtohet dikush që ka të bëjë.

Mendoni se 18 vite më pas shoqëria shqiptare ka arritur të pastrohet sa duhet nga periudha komuniste?

Të them sa duhet, nuk e di, nuk jam i sigurt. Që ka bërë me siguri që po. Një gjë që është nga bindja, ajo që thonë “Fal, por mos harro”. Mendoj që të gjithë ne nuk duhet të ushqejmë kurrfarë ndjenje urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Besimi nuk lejon që të urresh atë tjetrin, por të duash edhe armikun. Por që të harrohen sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë, atëherë është rreziku që ato mund të përsëriten, jo në të njëjtën formë. Mendoj që populli shqiptar ka provuar më tepër se asnjë komb tjetër në Evropë, një lloj degradimi të personalitetit më dhunë. Prandaj t’i vendosim gjërat aty ku u përket të qëndrojnë dhe duke pasur në vëmendje që të mos biem në të njëjtat gracka.
 
 ***
 
Zef Simoni: Komunistët të kërkojnë falje për krimet

Nga Erald Kapri

Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shkodrës kërkon hapjen e dosjeve

“Duhet ecur para dhe kështu ecet kur nuk njihet e vërteta”

Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shkodrës, Zef Simoni, reagoi dje duke kërkuar hapjen e dosjeve të periudhës komuniste në Shqipëri. Në moshën 80-vjeçare, Zef Simoni, një nga të përndjekurit e sistemit komunist tha dje se shqiptarët ende nuk janë përballur me të vërtetën. Kreu u Kishës Katolike në Shkodër u shpreh se vendi nuk mund të ecë para në rast se nuk njihet e vërteta, që sipas tij, ende po vonon të dalë. Ai bëri thirrje edhe për falje dhe vuri në dukje se komunistët nuk e kanë bërë një gjë të tillë ende. Sipas tij, është e patolerueshme që në zyrat e shtetit mund të shohësh zyrtarë të së kaluarës komuniste. “Duhet ecur para dhe kështu ecet kur nuk njihet e vërteta”, - tha Ipeshkvi i Shkodrës, Zef Simoni. I persekutuar me vite në sistemin komunist, prifti katolik e sheh atë periudhë më të egrën që ka njohur vendi. Sipas tij, shqiptarët mbijetuan 5 shekuj nga pushtimi turk, por sistemi komunist dhunoi shumë herë më shumë shqiptarët seç arriti të bëjë perandoria otomane në Shqipëri. Ipeshkvi Zef Simoni e sheh sistemin komunist në Shqipëri si një pushtim. “Shqipëria ka pasur dy pushtime. Ne kemi vuajtur prej turkut 500 vjet dhe pastaj 50 vjet me komunizmin”, - tha ai. Kreu i Kishës Katolike të Shkodës kujtoi edhe krimet që sistemi komunist kreu mbi klerin katolik. Kleri katolik shihej nga sistemi komunist si sfidë për pushtetin absolut. Duke parë që tradicionalisht kleri ishte një nga tempujt e kulturës dhe dijes, diktatori Enver Hoxha vuri në vend të parë të persekutimit klerin katolik. Sipas dokumenteve të zbuluara së fundmi, në udhëzimet e tij, diktatori Hoxha theksonte se kleri katolik në veçanti duhej zhdukur me të gjitha mënyrat. Dija, kultura që kishte kleri katolik u pa si sfiduese nga Hoxha, i cili torturoi dhe vrau me qindra priftërinj shqiptarë. Një pjesë të së vërtetës që kërkon të zbulohet është shkruar edhe në librin e At Zef Pëllumbit, “Rrno për me tregue”. Deklarata e Ipeshkvit të Kishës Katolike të Shkodrës erdhi pas miratimit nga Kuvendi të ligjit për pastërtinë e figurave, ose siç njihet ndryshe si ligji i dosjeve. Aktualisht ky ligj u miratua dhe pritet të nisë funksionimin e tij për përjashtimin nga administrata dhe politika mbetjet e komunizmit. Ligji do të detyrojë administratorët e sistemit të vjetër që të ketë pozita vendimmarrëse në sistemin demokratik. I kontestuar nga ndërkombëtarët, ky ligj u miratua me votat e mazhorancës dhe pritet që të përmbyllë procesin e lustracionit që nuk u mbyll dot përfundimisht në Shqipëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora