Mendime
Enver Bytyçi: Pse Edi Rama ishte dje pro dhe sot është kundër Gjykatës Speciale në Hagë?
E marte, 19.07.2022, 08:00 PM
Pse Edi Rama ishte dje pro dhe sot është kundër Gjykatës Speciale në Hagë?
Nga
Enver Bytyçi
Kryeministri
i Shqipërisë, Edi Rama, para një muaji (20 qershor) u shpreh se "do të
pyeste presidentin Biden dhe kryeministrin britanik, Johnson, se pse u ngrit
Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Ndërkaq ai e mbështeti ngritjen e saj në
vitin 2015. Gjatë një vizite në Prishtinë në prani të Hashim Thaçit asokohe
bëri thirrje se Kuvendi i Kosovës duhej ta votonte Gjykatën Speciale të Hagës.
Thaçi, Rama, Kadri Veseli e të tjerë përkrahës
të kësaj gjykate u thanë deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës se
"Nëse parlamenti nuk e voton me dy të tretat ngritjen e Gjykatës Speciale të Hagës për Kosovën, atëherë këtë
vendim do ta merrte Këshilli I Sigurimit dhe në vendimin e këtij Këshilli do të
ndikonte Rusia, duke diktuar nene diskriminuese për të akuzuarit e kësaj
gjykate.
Për
këtë arsye atë kohë Kuvendi i Kosovës votoi ngritjen e Gjykatës Speciale në
Hagë, bëri ndryshimet kushtetuese, si dhe miratoi ligjin përkatës të kësaj
gjykate. Por Edi Rama ka ndërruar
mendje. Sot ka kërkuar inicimin e një iniciative me të cilën të zhbëhet Gjykata
Speciale e Kosovës në Hagë. Ky qëndrim erdhi pasi ai vizitoi të akuzuarit e
kësaj gjykate, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e
parlamentit, Kadri Veseli dhe dy ish-eksponentë tëtjerë të UÇK-së.
Nëse
vemë re kurbën e qëndrimeve të kryeministrit të Shqipërisë ndaj kësaj
çeshtjeje, do të shohim se ai ka ndryshuar sipas temperaturës që shënon
termometri i Hashim Thaçit. Kur Thaçi në vitin 2015 insistoi dhe kërcënoi
deputetët për ta votuar Gjykatën Speciale, Rama ishte përkrah tij. Ndërsa kur
Thaçi donte ta revokonte në parlamentin e Kosovës këtë gjykatë në vjeshtën e
vitit 2017, Rama u lëkund dhe formuloi një qëndrim as mish, as peshk. Më 22
janar 2018 kryeministri Rama i thoshte gazetarit Ilir Babaramo se lëvizja për
zhbërjjen e kësaj gjykate "Është
një lëvizje e orkestruar, e zhvilluar në një terren paqartësie që ka krijuar
konfuzion edhe te partnerët. Kam bindjen se duhet shpjeguar gjithçka me kujdes
dhe me durim dhe patjetër që në fund të ditës". Nga përgjigja e tij duket
se jo vetëm lëvizja e Thaçit, por edhe përgjigja e Ramës ishte konfuze.
Dy
ditë më vonë, më 24 janar 2018, nga Forumi Ekonomik i Davosit, Rama do t'i
përgjigjej kësisoj pyetjes së një gazetari serb: “Unë mendoj që është një
proces i pakthyeshëm, edhe pse mendoj së është e rëndësishme të kesh gjithnjë
një mendje të hapur në lidhje me çfarë është më e mira dhe çfarë mund të
përmirësohet. Kështu që nuk mendoj se ideja dhe gjykata si e tillë është në
ndonjë lloj rreziku dhe nëse ka një debat rreth përmirësimit është një debat i
mirë”.
Cfarë
ka ndryshuar tani, që Edi Rama kërkon zhbërjen e gjykatës?! Objekti i saj është
po ai i përcaktuar në ligjin e vitit 2015! Akuzat janë po ato, me një ndryshim
se kjo gjykatë ka hedhur poshtë akuzat e Dick Martty-it për Shtëpinë e Verdhë
dhe transplantimin e organneve. Pra kjo akuzë nuk ekziston më. Por megjithatë
ekziston Gjykata dhe Prokuroria e Speciale e Kosovës në Hagë. Pse ekzistojnë
këto instrumente të drejtësisë, buxheti i të cilave paguhet nga Bashkimi Europian?!
Sepse nëse nuk ka transplant organesh, janë rreth 200 kundërshtarë politikë në
Kosovë të ekzekutuar dhe të padënuar. Atëherë pse u dashka pyetur presidenti
Biden dhe kryeministri Johnson?! Më tej lind pyetja, pse Edi Rama nuk dëshiron
të pyesë Ursula von der Leyen, kancelarin Scholz, ose presidentin Macron, të
cilët japin paratë për këtë gjykatë?!
Ka
shumë pse. Por pse-ja më e madhe është se Edi Rama kur Hashimi ishte këmbngulës
për ngritjen e kësaj gjykate, edhe ai ishte në mbështetje të Hashimit. Sot që
Thaçi është prapa hekurave, kryeministri shqiptar ndërmerr iniciativa
anti-gjykatë! Të tilla qëndrime nuk janë serioze për një burrë shteti. Por duke
lënë menjanë seriozitetin e tij, më duhet të them se ka shumë më tepër. Edi
Rama i është borxhli Hashim Thaçit, sepse ishte ai që e futi ish-presidnetin e
Kosovës në kurthin e ndryshimit të kufijve. Ndërsa Vuçiq rekrutoi Ramën, Rama
rekrutoi Hashimin. Ndryshimi i kufijve u bë shkaku e sebepi i shkuarjes së
Thaçit në. Kështu pra ka shumë gjasa që Hashimi në takimin me Ramën t'ia ketë
përmendur borxhin dhe t'i ketë kërkuar kthimin e tij. Jo rastësisht Rama hodhi
idenë e zhbërjes së kësaj gjykate pas viizitës së tij në burgun e Hagës.
Por
këtë ide zoti Rama nuk e hodhi atë ditë që u largua nga dera e hekurt që mban
brenda saj ish-mikun e tij president të Kosovës. E hodhi dy javë më vonë. Pse e
vonoi Rama iniciativën? Sepse i duhej të fliste me Aleksandër Vuçiq. Ky duhej
të mos reagonte. Madje duhej ta përkrahte Ramën në këtë inciativë si shenjë
reciprociteti për përkrahjen e Ramës për projektet e Beogradit, si Open Balkan.
Ndaj Rama para se të shtronte nevojën për të pyetur Biden e Johnson, pyeti dhe
rekordoi idetë e aksionit të tij me Aleksandër Vuçiq. Por tashmë është vonë.
Nuk i bën derman as Vuçiq, as i dorëhequri Johnson, as presidenti Biden! Që do
të thotë se Rama po bën një shou të radhës. Një shou që ka për qëllim të
gënjejë edhe njëherë Hashim Thaçin dhe të tërheqë vëmendjen nga skandalet e
përditshme në qeverisjen e tij.