E shtune, 27.04.2024, 12:50 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Dita Botërore e Popullsisë

E hene, 18.07.2022, 07:42 PM


Dita Botërore e Popullsisë

Në vitin 2050 popullsia pritet të shkojë në 9 miliardë

Rreth 60 për qind (4,7 miliardë) e popullsisë së botës sot jetojnë në Azi, 17 për qind (1,3 miliard) në Afrikë, 10 për qind në Evropë (750 milionë), 8 për qind (650 milionë) në Amerikën Latine

- OKB-ja e zgjodhi këtë ditë, sepse pikërisht më 11 korrik 1987 numri i popullsisë së botës e kaloi kufirin e 5 miliardave.

Nga Albert Z. ZHOLI

11 korriku sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara shënon Ditën Botërore të Popullsisë. Sipas kësaj organizate, në çdo sekondë që kalon bota rritet me 2.6 njerëz çka do të thotë se në një ditë popullsia shtohet me 225 000 njerëz në ditë ose afro 83 milion në vit.

OKB -ja parashikon se numri i njerëzve në botë vitin e ardhshëm do të jetë mbi 7 miliardë, ndërsa deri më 2050 popullsia pritet të shkojë në 9 miliardë. Por krahas këtyre parashikimeve askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë: Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pa masë. Do të nevojitej edhe të paktën një tokë tjetër për të furnizuar njerëzit. OKB-ja vendosi 11 korrikun si ditën e popullsisë së botës për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm, por ekziston vetëm një tokë për të gjithë. Popullsia e botës, e cila aktualisht numëron 7,79 miliardë banorë, mund të tejkalojë shifrën 11 miliardë në fund të shekullit, tregojnë parashikimet bazuar në të dhënat e përditësuara dhe trendet rajonale të rritjes dhe zvogëlimit të popullsive. Çdo vit, 11 korriku shënohet si "Dita Botërore e Popullsisë" me qëllim për të tërhequr vëmendjen mbi problemet që kanë të bëjnë me popullsinë. Kjo ditë shënohet që nga viti 1989, kur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua propozimi i paraqitur nga Programi Zhvillimor i OKB-së (UNDP). Sipas përpilimit të kryer nga Anadolu Agency (AA), bazuar në të dhënat e OKB-së në lidhje me gjendjen aktuale të popullsisë botërore dhe trendet rajonale të rritjes dhe zvogëlimit, popullsia e botës, e cila para dy mijë viteve ishte 300 milionë dhe sot numëron 7,79 miliardë, mund të shkojë në mbi 11 miliardë në fund të këtij shekulli.

Gjersa popullsia botërore ishte 600 milion në vitin 1600, ajo arriti në 1 miliard më 1804, në 2 miliardë më 1927, 3 miliardë më 1961 dhe në 4 miliardë në vitin 1971. Rritja e shpejtë e popullsisë vazhdoi kur në vitin 1987 arriti në 5 miliardë, në vitin 1999 në 6 miliardë dhe në vitin 2011 në 7 miliardë. Veçanërisht me efektin e rritjes së shpejtë të regjistruar pas vitit 1950, popullsia botërore së fundmi është rritur me 1 miliard çdo 12 vjet. Aktualisht, në botë jetojnë 7 miliardë e 795 milionë njerëz. 25,4 për qind e popullsisë është nën 15 vjeç, 23,7 përqind 10-24 vjeç dhe 9,3 përqind janë mbi 65 vjeç. Sipas një raporti të OKB-së të vitit 2019, i cili përfshinte trendet për popullsinë botërore deri në fund të shekullit, popullsia botërore, e cila ishte 5,3 miliardë në vitin 1990 dhe 7,3 miliardë në vitin 2015, parashihet të arrijë në 8,5 miliardë në vitin 2030, 9,7 miliardë në vitin 2050 dhe në 11,2 miliardë në vitin 2100. 

Pjesa më e madhe e popullsisë botërore, në Azi

Rreth 60 për qind (4,7 miliardë) e popullsisë së botës sot jetojnë në Azi, 17 për qind (1,3 miliard) në Afrikë, 10 për qind në Evropë (750 milionë), 8 për qind (650 milionë) në Amerikën Latine dhe Karaibe dhe pjesa tjetër prej 5 për qind (370 milionë) jetojnë në Amerikën e Veriut dhe Oqeani (43 milionë). Kina, me rreth 1,4 miliardë njerëz, dhe India, me një popullsi prej 1,3 miliardë banorë, janë dy vendet më të populluara në botë, ndërsa si kontinent, Azia është më i populluari. Parashikimet tregojnë se India do të tejkalojë popullsinë e Kinës dhe do të bëhet vendi më i populluar në botë në vitin 2027. Vendi me dendësinë më të ulët të popullsisë në gjithë botën është Mongolia, ku 3 milionë njerëz jetojnë në një sipërfaqe prej 1.564.116 kilometrash katrorë.

Pritet tkurrje e popullsisë evropiane, rritje në Afrikë

Popullsia e disa vendeve supozohet se do të ulet me më shumë se 15 për qind deri në vitin 2050, duke përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Hungarinë, Japoninë, Letoninë, Lituaninë, Moldavinë, Rumaninë, Serbinë dhe Ukrainën. Më shumë se gjysma e rritjes globale të popullsisë që do të regjistrohet deri në vitin 2050 në gjithë botën pritet të ndodhë në Afrikë, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane popullsia pritet të dyfishohet deri në vitin 2050. Furnizimi me ushqim dhe veçanërisht mundësia e një vakti të mjaftueshëm për një person është një nga sfidat më të mëdha të mijëvjeçarit të ri, në një moment kur Bota po i afrohet me hapa të shpejtë limitin e 8 miliardë banorëve. Një mision gjithmonë e më i vështirë, por jo i pamundur, sipas rezultateve të një studimi 5 vjeçar të Potsdam Institute for Climate Impakt Research (PIK), një institut kërkimor gjerman, i cili sapo ka botuar studimin e tij në revistën Nature Sustainability.

Në Kinë, popullsia e madhe ka detyruar një shfrytëzim intensiv të tokës bujqësore OKB-së e zgjodhi këtë ditë, sepse pikërisht më 11 korrik 1987 numri i popullsisë së botës e kaloi kufirin e 5 miliardave.

Sipas tyre, aktualisht në planetin tonë vetëm 3.4 miliardë persona kanë mundësinë të ushqehen në mënyrë të balancuar me të paktën 2355 kilo kalori në ditë, pra më shumë se 60% e popullsisë botërore nuk ushqehet siç duhet. Por për hulumtuesit ka ende mundësi për të rritur në mënyrë të ndjeshme këtë mundësi, edhe pse kjo nënkupton një rishikim i aktiviteteve bujqësore të deritanishme. Duke u bazuar tek teoria e 9 limiteve planetare të gjeofizikantit suedez Johan Rockstrom, hulumtuesit kanë përcaktuar që pengesat më të mëdha për të balancuar prodhimtarinë me qëndrueshmërinë në fushën bujqësore janë shfrytëzimi i tokës për kultivime intensive, si dhe fertilizimi dhe ujitja e tepërt që ka vënë në rrezik ciklin e ujit.

Johan Rockstrom, ideuesi i teorisë të 9 limiteve planetare

Zgjidhja? Kthimi në natyrë të tokave të kultivuara në zonat ku më shumë se 5% të specieve janë të rrezikuara, ripyllëzimi i tokave bujqësore aty ku më shumë se 85% e pyllit tropikal është prerë, si dhe zvogëlimi i ndjeshëm i azotit në fertilizuesit. Në terma konkrete, dhe globale, aktivitetet bujqësore duhet të braktisnin tokat tejet të shfrytëzuara në Kinë dhe në Europën qendrore, për t’ u spostuar në veriperëndimin e Shteteve të Bashkuara, ose në Afrikën subsahariane, që kanë ende tokë të pahelmuar nga shfrytëzimi i tepërt.

Ditë, vite dhe dekada

Ditën ndërkombëtare të popullsisë së botës e shpalli Programi zhvillimor i OKB-së, PNUD, në vitin 1989.

Ditë të tilla si kjo e popullsisë së botës, caktohen me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ato synojnë të përkujtojnë disa arritje të bashkësisë së popujve dhe të shërbejnë si shtysë për të menduar dhe vepruar bashkërisht për çështje të mëdha globale. Ditë të tilla përkujtimore ka rreth 70: «Dita e industrializimit të Afrikës», «Dita botërore e lundrimit me anije», «Dita botërore e postës», «Dita botërore e banesave dhe ngulimeve», «Dita botërore e turizmit», «Dita botërore e televizorit». A do të vijë vallë dikur edhe dita botërore e Faceebok-ut?

Lista e temave bëhet edhe më e gjatë po të llogarisim ato për të cilat OKB-ja rezervon vite ose dekada të tëra. Për shembull, tani ne gjendemi në «Vitin e lakuriqit të natës», në «Vitin ndërkombëtar të pyjeve», në «Vitin ndërkombëtar të kimisë», në «Vitin ndërkombëtar të rinisë», i cili vazhdon deri më 11 gusht 2011, dhe në «Vitin ndërkombëtar të njerëzve me prejardhje afrikane».

Veç kësaj njerëzia ndodhet edhe në disa dekada aksionesh, ndër to: «Dekada botërore e alfabetizimit» (2003-2012), «Dekada botërore e arsimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm» (2005-2014) dhe «Dekada e dytë e etnive indigjene të botës».



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora