Mendime
Idriz Zeqiraj: Raporti i KE njësh me opozitën e Kosovës!
E shtune, 06.11.2021, 07:49 PM
RAPORTI I KE NJËSH ME OPOZITËN E KOSOVËS!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Shefi
i Bashkimit Evropian, (BE-së), Borell, doli bllof, me akuzën për ndërhyrjen e
Policisë Speciale në Veriun e Mitrovicës. Me qortimin për Policinë e Kosovës,
ai u vu në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve ordinierë, të cilët "u
zunë me pelë për dore", në makro-kontrabandën që bënin veriorët me jugorët
shqiptarë. Një përkrahje zyrtare e dhënë nga shefi Borell, shumëfishoi sjelljen
rrugaçërore e kriminale të serbëve në veri, të cilët zbatonin urdhërat e
presidentit Vuçiq, për rezistencë të dhunëshme. Edhe mbështjetja e opozitarëve
partiakë ishte, çuditërisht, e bollshme dhe në një linjë me Serbinë!
BE-ja
bënë thirrje të përsëritura, për bërjen e menjëhershme të Vettingut
gjithëpërfshirës në drejtësi. Madje, sjell si model Vettingun e Edvin Ramës në
Shqipëri! Realisht, se si rezultoi Vettingu i Ramës, kishte parashikuar,
saktësisht, Prof. Dr. Sali Berisha dhe opozita shqiptare. Largo, me
seleksionim, kundërshtarët politikë, me motivacionin fiktiv, për përformancë të
dobët profesionale ose "gjetjet" e sajuara korruptive. Përndryshe,
asgjë nuk ka ndryshuar në "drejtësinë" shqiptare edhe pas Vettingut.
Të gjitha gjyqet i fitojnë ata që paguajnë në rrugë korruptive. Janë shumë
mijëra prona që kanë humbur dhe po humbasin shqiptarët e Kosovës, me veprimet
korruptive e kriminale të drejtësisë shqiptare!
E
bëmë këtë parantezë, sa për t`i treguar BE-së, të rekomandojë një tjetër model
Vettingu botëror dhe jo atë të hoshtaplerit, mashtruesit Edvin Rama, i cili
rrënoi demokracinë plurale në Shqipëri dhe intrigon me ndërkombëtarët, për
denigrimin, deri në shkatërrim, të kundërshtarëve politikë. Me keqardhje,
ndërkombëtarët i kanë dhënë dhe vazhdojnë t`i japin mbështetje të bollshme, në
misionin e tij errëtak, për pasurimin vetjak dhe të miqëve të tij oligarkë e
kriminelë shqiptarë.
Vettingu në Kosovë i
domosdoshëm dhe tërësor
Raporti
i Këshillit të Evropës, (KE), për Kosovën 2021, i cili është njëjtësuar me
opozitën vendore, porositë diçka tjetër për Vettingun, ndryshe nga BE. Lidhur
me Vettingun, "KE konstatoi se rivlerësimi i plotë dhe i njëhershëm i të
gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, paraqet një burim shqetësimi serioz"!
Për
këtë ka mospajtime në Kosovë: "Si presidente e vendit nuk pajtohem fare me
këtë konstatim. Në fakt, mungesa e Vettingut do të ishte shqetësim serioz e jo
përmbushja e këtij procesi", - reagon presidentja Vjosë Osmani.
PRONTO-mafia
ka mobilizuar argatët e saj në drejtësi: "Nuk i përgjigjemi qeverisë
aktuale për Vettingun, pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve!" Një sjellje e
tillë fletë shumë, sepse këta argatë, të cilët e kanë sjellur
"drejtësinë" në Kosovë, në degradimin e sotëm mjeran, janë nën
pushtetin e ish-pushtetarëve, ende të fuqishëm. Qëndrimi kontradiktor i KE, në
raport me BE-në, po i favorizon sabotuesit e Vettingut, prokurorët dhe
gjyqtarët, të cilët, deri me tani, nuk kanë treguar as seriozitet dhe as
gadishmëri bashkëpinimi me Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me organizimin e
Vettingut!
Sllogani
alarmues i LVV se "Një njeriu s`i nënshtrohet një popull", i
ekspozuar anekënd Kosovës, në hapësirat murale të dukshme, mbetet gjithnjë
shqetësues, qoftë edhe tani, kur - ai njeri - është i neutralizuar dhe larg
Kosovës. Strukturat mafioze të krimit dhe të hajnisë zyrtare, kanë depërtuar në
çdo qelizë të shoqërisë sonë. Rrjedhimisht, edhe në sistemin e drejtësisë, duke
e bllokuar atë tërësisht.
Premtimet e bujëshme,
veprimet e ngadalshme, dëmtojnë LVV
LVV
kishte premtuar në zhbllokimin e kësaj situate fatale për shoqërinë. Konstatimi
i krimeve dhe të makro-hajnive, për dy dekada radhazi, kryesisht, nga
partitë-banda të PAN-it, kishte pritshmëri të veprimit të shpejtë në opinion,
që LVV do ta bëjë hapin e duhur, duke i vënë para përgjegjësisë kriminelët dhe
hajdutët. Por, kjo as nuk ndodhi dhe as nuk po ndodhë! Madje, sfidimi i i
kriminelëve dhe i hajnave është i organizuar, gjë që largon shpresën, për të
realizuar premtimet, në një të ardhme të afërt. Dhe, kjo ka zvetnuar besimin në
LVV, pse nuk u jep goditjen meritore mujëshorëve, përgjakës dhe rrënues të
Kosovës tonë.
Opinioni
është praktik, kërkon zgjidhje, pa hyrë në pengesat faktike, sepse luftimi i
krimit dhe të kriminelëve, qofshin të natyrës vrastare apo ekonomike, bëhet
përmes prokurorëve dhe gjyqtarëve. Andaj, LVV, përkatësisht, qeveria aktuale,
ngulmon në Vettingun e thellë, për hapjen rrugë të drejtësisë. Fundja, të
plotësohet edhe kushti i sabotuesëve të drejtësisë, të djeshëm dhe të sotëm, duke
u bërë pjesë e monitorimit të Vettingut edhe ndërkombëtarët.
Por,
paraprakisht, duhet të bindën ndërkombëtarët se Kosova është përgjakur dhe
vjedhur, madje, jo vetëm nga Serbia fashizoide, por, edhe nga bastardët
vendorë, hafije të Serbisë, në praninë e UNMIK-ut burokratik e sihirxhinj.
Thënë troç, krimet janë parë, janë evidentuar, por janë heshtur sirtareve të
policisë. Kjo heshtje e fshehje 20 vjeçare, po dëshmohet edhe në procesin
aktual, kundër disa të akuzuarëve në Hagë, për krime të luftës. Këtë habi po e
shprehin edhe lukunia e avoketërve, zhvatës të miliona eurove të
taksa-paguesëve të lodhur kosovarë! Por, gjithnjë, duke i parë si krime
të vjetëruara, që nuk mund të freskohen e dëshmohen pas dy dekadave!
Megjithatë, kjo bie ndesh me maksimën juridike se "krimit nuk i skadon
afati!"
Për
fund, LVV ka fituar bindshëm mandatin qeverisës, pikërisht, në saje të këtyre
premtimeve, sa të nevojshme, aq edhe akute, për t`u plotësuar. Krerët e saj
duhet "ta ulin hundën", të pranojnë se bandat e krimit në Kosovë,
janë krijuar gjatë luftës, janë forcuar dhe kanë vepruar e veprojnë përtej dy
dekadave radhazi. Ato nuk mund të luftohen dhe, aq më pak të mundën, pa ndihmën
e ndërkombëtarëve.
LPK-istët
e djeshëm, majtistët e sotëm PAN-istë, duhet t`i lënë përrallisjet se "ne
e çliruam Kosovën, ndërsa ndërlkombëtarët vetëm na mbështetën!" Liria e
Kosovës është vepër ekskluzive e ndërkombëtarëve, me "Apaçët"
bombardues të saj. Qershori i vitit 1999, e gjeti Kosovën të shkretuar, të
mundur, pa shpresë qendrese dhe çlirimi, me forcat vetanake të Kosovës.
Përlavdërimet tjera, janë bruçkulla, pallavra. Megjithatë, kjo, assesi, nuk e
zvetnon luftën heroike të luftëtarëve shqiptarë, edhe pse në raport të forcave
të barabarta me armikun. Shpallja e pavarësisë të Kosovës, më 2008, duhej të
ishte plotore, të paktën, në kufinjtë e saj të 1912-ës. Mjerisht, u bënë lojëra
të pista, fort zhgënjyese. Dhe, jemi këtu ku jemi!
BE të mos favorizojë
Serbinë, në kërkesat çmendurake!
Disa
bastardë, për krimet e bëra gjatë dhe pas luftës, ndaj bashkëkombasëve të tyre,
të shantazhuar nga Serbia, filluan pazaret konspirative, të cilat rezultuan me
nënshkrimin e marrëveshjeve për Demarkacionin, Asociacionin, faljen e 24
hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, prona të qytetarëve vendorë dhe pasuri
shoqërore. Dhe, tani, ndërkombëtarët, pasi realizuan faljen e 8.200 hektarëve
tokë Malit të Zi, duan ta realizojnë Asociacionin, duke e bërë Serbinë hisedare
në Kosovë. Dhe, krijimi i një "Republika Srbska" brenda Kosovës, në
perspektivë të shkëputjes dhe të bashkimit me Serbinë.
Ata,
ndërkombëtarët, stopuan ndërtimin e auto-rrugës që ndërlidhë tri shtetet
fqinjë: Kosovën, Malin e Zi, Shqipërinë,
përkatësisht, Deçan-Plavë-Guci-Malësi e Mbishkodrës-Bregdeti Adriatik, një
arterie sa interesante, aq edhe dobiprurëse, për të tri shtetet e cituara.
Vazhdimi i ndërtimit kushtëzohet me zbatimin e një Marrëveshje, të bërë
dhunshëm, nga një president i shantazhuar, në përpjekjen e tij të dështuar, për
të shpëtuar nga akuza e rëndë të krimeve të luftës.
E
keqja e madhe e Kosovës është se asaj i mungon Institucioni i Përgjegjësisë,
qoftë shtetërore dhe partiake, e cila do ta pamundësonte livadhisjen e tipit
Hashim, i cili "lozi koçe" me të gjitha institucionet e vendit dhe
vet popullin e Kosovës, duke ua lënë "këmbët e arushës në dorë",
qeverive pasuese!
Habitë
fakti se si ndërkombëtarët gatuan çorbën "Bosnjë" dhe, tani, një
pishpirik bandit, Dodik, tallet me ata dhe kërcënon Evropën dhe botën, me
Serbinë dhe Rusinë! Ky shembull tipik dhe unik, është mjaftueshëm bindës, se
bota demokratike, përkatësisht, SHBA me aleatët e saj, shtetet e Quintit, duhet
ta stopojnë Serbinë, në aventurat e saj të rrezikshme në Ballkan.
Janë
ekstrem të papranueshme thirrjet e fundit të përfaqësuesës evropiane, Viola von
Cramon dhe të ambasadorit gjerman Joern Rohde, për zbatimin e Marrëveshjes për
"pronat" e Manastirit të Deçanit. Në këtë rast veprohet sikur
problemi i pronës kishtare, të jetë në pre histori dhe jo në dekadën e fundit
të shekullit të kaluar!? Personalisht, jam dëshmitar okular, kur në
hapësirën-qendër, brenda 12 hektarëshit, ishte pushimore pionierësh nga e
gjithë Kosova, sipas një grafiku për shfrytëzim. Dhe, ne, nga shkollat e
Istogut, bënim eskurzione të organizuara. Ajo ishte pronë shtetërore dhe nuk
kishte asnjë qasje kisha serbe.
Referimi
se ratifikimin e Marrëveshjes në fjalë, e ka bërë Gjykata Kushtetuese e
Kosovës, është cinik dhe hiç valid. Në rastin konkret, nuk ka funksionuar asnjë
segment i drejtësisë. Përkundrazi, drejtësia ishte e kapur nga individët dhe
bandat, të cilat vrisnin e vidhnin shpengueshëm, sepse nuk guxonte kush t`i
zbulonte, hetonte dhe ndëshkonte. Fundja, asnjë epoke, asnjë shteti nuk i kanë
munguar banditët dhe tradhtarët. Atëherë, pse të jetë imune, përjashtuese
Kosova.
Mandati i afatizuar i
Gjykatës Speciale, është kriminal
Hashim
Thaçi, dikur kryeministër, më vonë president, ka deklaruar se Gjykata Speciale
është themeluar, për arsye të vrasjeve të dëshmitarëve në Kosovë. Ndërkohë që,
dëshmitari, ndoshta i fundit, është vrarë dhe kallur në veturën e tij, në
shkurtin e këtij moti, mandati i kësaj Gjykate kufizohet deri në mbylljen e
vitit 2000!?
Çfarë
logjike sakatosëse dhe idioteske, e kufizon, në kohë, mandatin e kësaj Gjykate,
si e vetmja shpresë, për ta shpëtuar popullin e Kosovës, nga banditër e banda
vrastare e hajnore?! Është skajmërisht e habitshme, se si bota demokratike, pas
atij intervenimi ushtarak, ndërhyrjes humanitare hyjnore, për ta shpëtuar një
popull, në prag të shfarosjes, tani, shpërfaqë talljen dhe cinizmin grotesk,
duke reduktuar në hiç, një drejtësi për viktimat, sa të pafajshme, aq edhe
numerike në Kosovë!
Pozitë
dhe opozitë duhet të jenë njësh, në mendime dhe veprime, për t`i emërtuar
fajtorët përgjegjës, qofshin individ apo grupe, arsyen e shkeljeve të rënda
ligjore, penalizimin e tyre, duke pranuar se Gjykata Kushtetuese dhe vet
Parlamenti i Kosovës, u janë nënshtruar individëve dhe grupeve prepotente,
mujëshore, në marrjen e vendimeve fatale për Kosovën.
Për
ta konfirmuar këtë të vërtetë sipërore, të ftohen SHBA dhe shtetet e Quintit,
t`i bëjnë analizat përkatëse, në ç`rrethana imponuese janë nënshkruar
Marrëveshjet dhe janë ratifikuar nga Gjykata e Parlamenti, për Demarkacionin,
Asociacionin, "pronësia" e Manastirit të Deçanit,
"zgjedhja" banditeske e Hashimit president e deri tek pagesa e
lobimit për ndarjen e Kosovës!!!