Mendime
Enver Bytyçi: Edi Rama miku më i dobishëm i shekullit për Serbinë!
E shtune, 06.11.2021, 08:17 PM
Edi Rama miku më i dobishëm i shekullit për Serbinë!
Nga
Enver Bytyçi
Njerëzit,
familjet, fshatrat, qytetet, shtetet kanë miqtë e tyre. Secili entitet përpiqet
që ta zgjerojë miqësinë dhe rrethin miqësor, me qëllim që përmes kësaj të
përfitojë prosperitet dhe zhvillim, të përballojë sukseshëm sfidat dhe
pengesat, kçanrizat dhe konfliktet! Të bësh miq është një zotësi e natyrshme.
Ndërsa të bësh miq nga radhët e armiqve, kjo është zotësi e panatyrshme, e
jashtëzakonshme! Kështu ka ndodhur në rastin e Edi Ramës dhe miqësisë së
pakufishme të tij me Beogradin!
Mbrëmë
presidenti i Serbisë, si për të bërë karshillëk ndaj shqiptarëve që mbrohen
prej tij, ka postuar një fotografi nga Beogradi! Në fokus është kryeministri i
Shqipërisë. Madje vetë presidenti serb është kthyer skiç për shkak se fotografi
ka shkrepur prapa shinës së tij. Duhej Edi Rama në tavolinë përballë Aleksandër
Vuçiq e në krah të kryeministrit malazez si dhe të zh. kryeministrit maqedonas
të ekspozohej si "Mbreti i tavolinës", si "miku më i dobishëm i
të gjitha kohërave për Serbinë"! Duhej që ai të shfaqej në ballin e
oxhakut!
Edhe
tradita serbe, jo vetëm ajo shqiptare, e respekton mikun. Sidomos mikun e
dobishëm, në këtë rast mikun më të dobishëm të mundshëm. I mundshëm apo i
pamundshëm Edi Rama tashmë është miku më i dobishëm i presidentit të Serbisë.
Edhe sikur Aleksandër Vuçiq të mos arrijë asnjë sukses në jetën e vet politike,
miqësia me kryeministrin e Shqipërisë është e mjaftueshme për ta shënuar atë në
histori. I tillë ka mbetur p.sh Nikolla Pashiq për shkak të miqësisë së
jashtëzakonshme me Esat Pashë Toptanin. Edhe zoti Rama e ka garantuar
përjetësimin e emrit të tij me buste, monumente dhe emra rrugësh kryesore në
Beograd! Në fund të fundit kjo është edhe ambicja e tij.
Edi
Rama është miku i shekullit i Beogradit! I respektuar po aq sa Vladimir Putin!
Madje më shumë sesa ai në pikëpamje të afërsisë shpirtërore me liderët e
Serbisë. I nderuar dhe i relaksuar si askund si askush tjetër në botë. Vera e
kuqe e prodhimit serb është simbolika që duket dhe e shënon Vuçiq në statusin e
tij. Por për miqtë specialë ka edhe shërbime të tjera të veçanta, unike në
traditën e Serbisë, sidomos të qeverisë së saj. Ne na kujtohet Ivica Daçiq në
samite ndërkombëtare i shoqëruar me eskorta të zogjkave nga Serbia, me qëllim
që të rekrutonin liderët afrikanë për t'iu kundërvënë Kosovës. Nëse ata nuk e
bënin këtë me çeqe bankare, do ta bënin me më shumë para sesa me para!
Prandaj
dhe miqësia speciale, pra miku më i dobishëm, në këtë rast Edi Rama, jo vetëm
respektohet, por edhe relaksohet me sauna, masazhe dhe shërbime të tjera të paparashikueshme
në ndonjë vend tjetër. Edhe vetë sulltanët e Portës së Lartë do ia kishin zili
mikut më të dobishëm shqiptar të Serbisë me këto shërbime dhe me këtë respekt
të jashtëzakonshëm që i bëhet në Beograd!
Por
ajo që e shton kuriozitetin tonë ka të bëjë me atë, se çfarë fiton Shqipëria e
çfarë fitojnë shqiptarët në Ballkan nga kjo miqësi midis Aleksandër Vuçiq dhe
mikut më të dobishëm të tij në histori, Edi Ramës! Po përmend vetëm disa
pasoja!
Shaip
Kamberi është deputet shqiptar në parlamentin e Serbisë. Ai prej kohësh flet e
kërkon respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Tash
presidenti i Serbisë do t'i thotë "Ti e di se kur e ke mirë me Zotin (Edi
Ramën) nuk ka nevojë ta respektosh hoxhën ose priftin"! D.m.th se Beogradit
as që ia ndjen se çfarë do të thotë Shaip Kamberi e çfarë nevojash ka Lugina!
Ose
nëse Albin Kurti, Vjosa Osmani a dikush tjetër ankohet dhe proteston për
prezencën e Serbisë në Kosovë, atëherë Aleksandër Vuçiq do t'i thotë opinionit
dhe ndërkombëtarëve: - Çfarë kanë ata në Prishtinëe që bërtasin?! Ne i kemi
punët shumë mirë me Shqipërinë! Pyeteni Edi Ramën dhe do jua dëshmojë sesa
miqësorë jemi ne serbët!!!
Dashuria
për mikun më të dobishëm të Beogradit, pra për Edi Ramën, kthehet kësisoj në
aventurë, diversion dhe agresion jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër
Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Serbia bëhet fillimisht
protektor i zhvillimeve ekonomike në territoret tona. Pastaj ngreh këmbën
zvarrë dhe ia hap rrugën edhe Rusisë. Dhe prej varësisë ekonomike kundrejt
Beogradit e Moskës fillojnë varësitë e tjera. Kësisoj Edi Rama nuk është vetëm
miku më i mirë dhe më i dobishëm i Beogradit, është dhe kumbaroja e investimit
ruso-serb në rajon. Ky është misioni i vërtet i Open Balkan!