E shtune, 27.04.2024, 02:00 AM (GMT+1)

Mendime

Miklovan Dodani: Tablo e zymtë e mediave në Shqipëri

E enjte, 28.10.2021, 07:03 PM


Gazetarët, analistët dhe reporterët, nën presionin e oligarkisë politike dhe krimit

Tablo e zymtë e mediave në Shqipëri

Nga Miklovan Dodani, Nicë-Francë

Me keqardhje kam ndjekur problematikat e ngjeshura dhe të rënda me të cilat po ndeshen gazetarët dhe mediat në Shqipëri. Në Shqipëri media ka pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm në 10 vitet e fundit, duke u bazuar në raportet e organizatave prestigjoze që vlerësojnë treguesit e saj. Studiues, analistë dhe pedagogë të gazetarisë veçojnë se raportimi dhe informacioni po kalon ditë të këqija, për shkak të ndikimit të qeverisë dhe shpeshherë dhe vetë pronarëve, të cilët priren që përmes përdorimit të medias t’i shërbejnë bizneseve të tjera. Kërcënimet që vijnë nga bota e krimit ndaj gazetarëve janë shqëtësim serioz mendojnë analistët, ndërsa veçojnë se propaganda e kryeministrit përmes televizionit me emrin e tij fabrikon lajmet dhe menjanon filtrin e gazetarit. “Amnesty International” paraqet një tablo të zymtë të mediave në Shqipëri, ku gazetarët jo vetëm nuk janë të lirë të shkruajnë të vërtetën, por kërcënohen deri me jetë nga baronët e krimit të lidhur me segmente politike kriminale. Shqipëria vjet ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të, duke shënuar një rënie prej 7 vendesh.

Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria humbi 7 vende për lirinë e medias. Ai nënvizoi se pati sulme ndaj medias si nga qeveria edhe nga krimi i organizuar në një shkallë të pashëmbullt. “Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama i cilësuan gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme”- thuhej në raport. Por shënjestrimi i medias edhe nga krimi i organizuar për analistët është rrjedhojë e një strukture që Fatos Lubonja e përkufizon në këtë mënyrë: “Është pjesë e ndërtesës metaforikisht të pushtetit, ku katin e parë e ka oligarkia dhe bizneset e pastra dhe të papastra në Shqipëri. Në katin e dytë janë mediat dhe në katin e tretë është politika. Dhe në bodrum krimi i organizuar. Mediat janë pjesë e kësaj strukture” - shprehet analisti Fatos Lubonja.

Viktimat në këtë mes janë gazetarët, analistët dhe redaktorët. Njihen rastet e qëllimit me kallashnikov dhe mjete të tjera të arsenalit criminal të shtëpisë së gazetares së mirënjohur të kronikës së zezë Klodiana Lala, marrjen zvarrë dhe dhunimin policor ditën për diell të analistit Alfred Lela, kërcënimet e vazhdueshmetë karteleve të drogës ndaj gazetarit Artan Hoxha, kërcënimet deri me jetë të gazetarëve të rrjetit televiziv “Syri”, dhuna dhe kërcënimet me jetë ndaj gazetarit dhe analistit të njohur Dukagjin Hata dhe familjes së tij, një nga gazetarët e parë të gazetës së parë opozitare në Shqipëri, në fillim të viteve ’90, gazetës “Rilindja Demokratike”, dhunë dhe kërcënime këto të ushtruara nga prapavija kriminale e oligarkisë politike të “Rilindjes” etj.

Analistët vërejnë me shqetësim gjuhën fyese të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve si dhe e cilësojnë gjithnjë e më shumë autoritar dhe arrogant. Kryeministri Edi Rama, gjatë një fjalimi në forumet e Partisë Socialiste i përgjigjet me pyetje kritikave se po qeveris me arrogance, duke fyer dhe shantazhuar, me një gjuhë ironike gazetarëtdhe mediat të cilat I quan “kazanë”!

Shoqëria shqiptare ka nevojë të ruajë të pastër pavarësinë e pushteteve, por kryesisht atë të “pushtetit të katërt”, që është pushteti i fjalës së lirë, i shtypit dhe mediave të lira, pa të cilat, pa gazetarë, fotoreporterë dhe analistë të lirë e dinjitozë, që të ngrihen kundër çdo interesi klientelist dhe monopolist, nuk mund të ketë një shoqëri të hapur dhe thellësisht demokratike.

Në sytë e qytetarëve të zakonshëm, media është po aq e rëndësishme sa qeveria, parlamenti dhe gjyqësori, pasi ata punojnë në një nivel të së njëjtës rëndësi, duke vepruar si “rojtarë” të së mirës publike. Ritmi i shpejtë dhe vazhdimisht në rritje i zhvillimit politik, ekonomik dhe shoqëror në dy dekadat e fundit, jo vetëm që i ka dhënë të drejtë, por gjithashtu e ka bërë një përgjegjësi të madhe të medias vënien para përgjegjësisë të klasës politike shqiptare.
Si rezultat i këtij detyrimi, media ka fituar fuqinë për të gjeneruar diskutime të hapura dhe për të ndihmuar në krijimin e opinionit publik lidhur me proceset politike. Në fakt, opinioni publik mund të jetë dhe shpeshherë është ndikuar nga fuqia e medias. Është e qartë që kjo “fuqi e dyfishtë” paraqet si mundësi ashtu edhe rreziqe për liderët politik. Pavarësisht kësaj, ndërsa teknologjia moderne ka ecur përpara, mediat janë bërë gjithmonë e më të varura nga burimet financiare në funksionimin e tyre dhe kjo ka bërë që të ndërpriten në një farë mënyre urat perfekte të komunikimit të së vërtetës, duke iu mundësuar grupeve të interesit të bëjnë presione dhe politikës të shantazhojë e të mbajë nën trysni shtypin dhe mediat e lira.

Këtij tranzcioni nuk po i duket askund fundi, ndaj vazhdon të prodhojë ngecje të pushteteve, marrje të kompetencave të të gjitha pushteteve nga pushtetit politik ekzekutiv, por veçanërisht i cënuar ka qenë, është dhe me sa duket do të vazhdojë të mbetet “pushteti i katërt”, shtypi dhe mediat e pavaruara, të lira e dinjtoze, të cilën duhet të kenë vartësi vetëm nga e ndodhura, nga lajmi dhe nga e vërteta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora