| E enjte, 28.10.2021, 07:03 PM |
Gazetarët, analistët dhe reporterët, nën presionin e oligarkisë politike dhe krimit
Tablo e zymtë e mediave në Shqipëri
Nga Miklovan
Dodani, Nicë-Francë
Me keqardhje kam
ndjekur problematikat e ngjeshura dhe të rënda me të cilat po ndeshen gazetarët
dhe mediat në Shqipëri. Në Shqipëri media ka pësuar një përkeqësim të
vazhdueshëm në 10 vitet e fundit, duke u bazuar në raportet e organizatave
prestigjoze që vlerësojnë treguesit e saj. Studiues, analistë dhe pedagogë të
gazetarisë veçojnë se raportimi dhe informacioni po kalon ditë të këqija, për
shkak të ndikimit të qeverisë dhe shpeshherë dhe vetë pronarëve, të cilët
priren që përmes përdorimit të medias t’i shërbejnë bizneseve të tjera.
Kërcënimet që vijnë nga bota e krimit ndaj gazetarëve janë shqëtësim serioz
mendojnë analistët, ndërsa veçojnë se propaganda e kryeministrit përmes
televizionit me emrin e tij fabrikon lajmet dhe menjanon filtrin e gazetarit. “Amnesty International” paraqet një tablo të zymtë të mediave në
Shqipëri, ku gazetarët jo vetëm nuk
janë të lirë të shkruajnë të vërtetën, por kërcënohen deri me jetë nga baronët
e krimit të lidhur me segmente politike kriminale. Shqipëria vjet
ishte në vendin e 75-të, ndërsa sivjet radhitet në vendin e 82-të, duke shënuar
një rënie prej 7 vendesh.
Në
raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria humbi 7 vende për lirinë e
medias. Ai nënvizoi se pati sulme ndaj medias si nga qeveria edhe nga krimi i
organizuar në një shkallë të pashëmbullt. “Politikanët e udhëhequr nga
kryeministri Edi Rama i cilësuan gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të
rreme”- thuhej në raport. Por shënjestrimi i medias edhe nga krimi i organizuar
për analistët është rrjedhojë e një strukture që Fatos Lubonja e përkufizon në
këtë mënyrë: “Është pjesë e ndërtesës metaforikisht të pushtetit, ku katin e
parë e ka oligarkia dhe bizneset e pastra dhe të papastra në Shqipëri. Në katin
e dytë janë mediat dhe në katin e tretë është politika. Dhe në bodrum krimi i
organizuar. Mediat janë pjesë e kësaj strukture” - shprehet
analisti Fatos Lubonja.
Viktimat
në këtë mes janë gazetarët, analistët dhe redaktorët. Njihen rastet e qëllimit
me kallashnikov dhe mjete të tjera të arsenalit criminal të shtëpisë së
gazetares së mirënjohur të kronikës së zezë Klodiana Lala, marrjen zvarrë dhe dhunimin
policor ditën për diell të analistit Alfred Lela, kërcënimet e vazhdueshmetë
karteleve të drogës ndaj gazetarit Artan Hoxha, kërcënimet deri me jetë të
gazetarëve të rrjetit televiziv “Syri”, dhuna dhe kërcënimet me jetë ndaj
gazetarit dhe analistit të njohur Dukagjin Hata dhe familjes së tij, një nga
gazetarët e parë të gazetës së parë opozitare në Shqipëri, në fillim të viteve
’90, gazetës “Rilindja Demokratike”, dhunë dhe kërcënime këto të ushtruara nga
prapavija kriminale e oligarkisë politike të “Rilindjes” etj.
Analistët
vërejnë me shqetësim gjuhën fyese të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve si
dhe e cilësojnë gjithnjë e më shumë autoritar dhe arrogant. Kryeministri Edi
Rama, gjatë një fjalimi në forumet e Partisë Socialiste i përgjigjet me pyetje
kritikave se po qeveris me arrogance, duke fyer dhe shantazhuar, me një gjuhë
ironike gazetarëtdhe mediat të cilat I quan “kazanë”!
Shoqëria shqiptare ka nevojë të ruajë të
pastër pavarësinë e pushteteve, por kryesisht atë të “pushtetit të katërt”, që
është pushteti i fjalës së lirë, i shtypit dhe mediave të lira, pa të cilat, pa
gazetarë, fotoreporterë dhe analistë të lirë e dinjitozë, që të ngrihen kundër
çdo interesi klientelist dhe monopolist, nuk mund të ketë një shoqëri të hapur
dhe thellësisht demokratike.
Në sytë e qytetarëve të zakonshëm, media
është po aq e rëndësishme sa qeveria, parlamenti dhe gjyqësori, pasi ata
punojnë në një nivel të së njëjtës rëndësi, duke vepruar si “rojtarë” të së
mirës publike. Ritmi i shpejtë dhe vazhdimisht në rritje i zhvillimit
politik, ekonomik dhe shoqëror në dy dekadat e fundit, jo vetëm që i ka dhënë
të drejtë, por gjithashtu e ka bërë një përgjegjësi të madhe të medias vënien
para përgjegjësisë të klasës politike shqiptare.
Si rezultat i këtij detyrimi, media ka fituar fuqinë për të gjeneruar diskutime
të hapura dhe për të ndihmuar në krijimin e opinionit publik lidhur me proceset
politike. Në fakt, opinioni publik mund të jetë dhe shpeshherë është ndikuar
nga fuqia e medias. Është e qartë që kjo “fuqi e dyfishtë” paraqet si mundësi
ashtu edhe rreziqe për liderët politik. Pavarësisht kësaj, ndërsa teknologjia
moderne ka ecur përpara, mediat janë bërë gjithmonë e më të varura nga burimet
financiare në funksionimin e tyre dhe kjo ka bërë që të ndërpriten në një farë
mënyre urat perfekte të komunikimit të së vërtetës, duke iu mundësuar grupeve
të interesit të bëjnë presione dhe politikës të shantazhojë e të mbajë nën
trysni shtypin dhe mediat e lira.
Këtij tranzcioni nuk po i duket askund fundi,
ndaj vazhdon të prodhojë ngecje të pushteteve, marrje të kompetencave të të
gjitha pushteteve nga pushtetit politik ekzekutiv, por veçanërisht i cënuar ka
qenë, është dhe me sa duket do të vazhdojë të mbetet “pushteti i katërt”,
shtypi dhe mediat e pavaruara, të lira e dinjtoze, të cilën duhet të kenë
vartësi vetëm nga e ndodhura, nga lajmi dhe nga e vërteta.