Mendime
Enver Bytyçi: Abazoviçët ndër ne shqiptarët shtohen çdo ditë!
E marte, 07.09.2021, 07:24 PM
Abazoviçët ndër ne shqiptarët shtohen çdo ditë!
Nga
Enver Bytyçi
Dje
në Cetinjë të Malit të Zi u përplasën dy palë: Kisha Ortodokse e Serbisë e
dirigjuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nga njëra anë dhe qytetarët
malazezë të përkrahur nga presidenti i këtij vendi, Milo Gjukanoviç. Shkak
ishte shugurimi i kreut të kishës ortodokse të Malit të Zi. Në shugurimin e tij
ishte i pranishëm patriarku serb, Porifije dhe krahas këtij dukej i lumtur
shqiptari i serbizuar, Dritan Abazoviç.
Në
parantezë dua të kujtoj një bisedë të një shqiptari të Kosovës me kreun e
doganës në Morin, Sh. Qenami, në vitin 1980. Kreu i doganës pasi pa në
pasaportë se mbiemri i shqiptarit që po vizitonte Shqipërinë mbaronte me
prapashtesën "viç", e pyeti atë: - Pse nuk e hiqni këtë prapashtesën
viç? Dhe shqiptari iu përgjigj: - Unë jam gati ta heq, por lopa pjell prapë
viça të tjerë!
Ngjarja
e djeshme në Cetinjë ma kujtoi këtë sekuencë të një bisede të para 41 viteve,
të dëgjuar me veshët e mi, por njëkohësisht më bëri të besoj se ne shqiptarët
jemi të dënuar në ardhmërinë tonë prej politikanëve tanë. Abazoviçi mori pjesë
në një ceremoni ku këndohej kënga e rikthimit të ushtrisë serbe në Kosovë.
Këndohej prej vetë peshkopëve ortodoksë serbë. Kryepeshkopi dhe peshkopët, të
cilët kënduan këngën e ushtrimit të dhunës në Kosovë, janë dëshmuar bashkë me
sinodin e tyre si pararoja e terrorizmit serb kundër shqiptarëve, boshnjakëve
dhe kroatëve. Me atë këngë Kisha Serbe rivendikoi territorin e shtetit të Malit
të Zi, zv.kryeministër i të cilit është Abazoviçi. Drejtpërdrejt rivendikoi
territorin e Kosovës. Dhe më e turpshmja ndër këto angazhime të tij ishte
deklarata e tij se "Milo Gjukanoviç përkrahu terrorizmin në Cetinjë"!
E
kisha thënë para pak muajsh, kur Abazoviç u takua me Edi Ramën, se ky politikan
malazez nuk është në linjën e interesave të shqiptarëve. Thjesht është një
demagog e mashtrues, si Edi Rama! Ndërsa dje ai e dëshmoi vetë këtë pozicion të
tij anti-shqiptar, anti-malazez e pro-serb, për pasojë edhe pro-rus. Por
Abazoviçi i djeshëm nuk është i vetmi. I pari Abazoviç ndër elitën e politikës
shqiptare në këto tri dekada është Edi Ramoviç. Si kryetar i Bashkisë së
Tiranës dhe si kryeministër i Shqipërisë, por edhe në rininë e tij, Edi Rama më
shumë ushqeu urrejtje për "malokët" e malësisë së Shqipërisë dhe ata
të Kosovës, sesa për Serbinë dhe serbët terroristë e kriminelë vrasës të
shqiptarëve! Prej vitesh është bërë palë me Serbinë kundër Kosovës dhe
shqiptarëve dhe vazhdon të këmbngulë në realizimin e projekteve të Serbisë së
Madhe. Madje bën thirrje që të falen kriminelët serbë që masakruan shqiptarët!
Ngjarjet
e djeshme në Mal të Zi dëshmuan se Serbia është në sulm për ta zhbërë
shtetësinë e këtij vendi. Qëndrimet e Beogradit ndaj Kosovës na dëshmojnë se
qeveria e presidenti i Serbisë duan e luftojnë me çdo mjet e në ëdo formë për
zhbërjen e shtetësisë së Kosovës. Nxitja që presidenti i Serbisë i bën
udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Dodik, për shkëputje, është gjithashtu në
kuadër të projektit të shkatërrimit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Në krah
të tij për realizimin e këtyre projekteve Vuçiç prej vitesh ka Abazoviçin numër
një të shqiptarëve, kryeministrin Edi Ramoviç. Ramoviçi e mbështeti fillimisht
Beogradin në inciativën e krijimit të Jugosllavisë së Re me shtetet
ish-jugosllave plus Shqipërinë e minus Slloveninë dhe Kroacinë. Ramoviçi e
mbaështeti projektin e ndarjes së Kosovës. Ramoviçi mbështet tani rikrijimin e
Jugosllavisë të formatit që përmenda më lart, por të kamufluar me emërtime të
tilla si "Minishengen" ose "Open Balkan"!
Edi
Rama rekrutoi në këto misione edhe Abazoviçin tjetër, ish-presidentin e
Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë që zanafilla e këtyre abazoviçëve lidhet me
rekrutimin e hershëm nga ana e sigurimit serb të këshilltarit kryesor të Edi
Ramës, Baton Haxhiu. U rekrutua gjithashtu një abazoviç tjetër ndër shqiptarët
e Maqedonisë, Ali Ahmeti! Këta Abazoviçë morën si detyrë të parë e themelore
rehabilitimin e Serbisë si "shtet normal" e madje "modern"
e "model" për shtetet e tjera të rajonit. Ata rehabilituan kriminelin
e luftrave në ish-Jugosllavi, Aleksandër Vuçiç. E kurorëzuan atë si lider të
integrimeve rajonale, në fakt të integrimeve të shteteve të Ballkanit
Perindimor në Perandorinë serbe të Aleksandrit! Më pas u përkushtuan në
realizimin e projektit të Milosheviçit për krijimin e Serbisë së Madhe me
territore të Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Dhe në fund këta
duan që ta nxjerrin Serbinë në Detin Adriatik.
Për
ta realizuar këtë objektiv, Abazoviçët shqiptarë morën detyrën dhe vijuan
misionin e përçarjes së politikës shqiptare. Kërkuan për këtë edhe ndihmën e
lobeve serbe e ruse në Europë e SHBA, si dhe kontributin e George Soros. Deri
diku ia kanë arritur kësaj, ta përçajnë politikën shqiptare. Por fatmirësisht
akoma nuk kanë mundur të shkatërrojnë plotësisht harmoninë e politikës në
Kosovë sa i përket qëndrimeve të saj ndaj Serbisë.
Historikisht
Serbia i ka konsideruar si armiq të saj shqiptarët dhe kroatët. Por ndërsa te
kroatët nuk gjeti dhe nuk ka as sot ndonjë bashkëpunëtor të saj, në Shqipëri,
sidomos në Shqipëri, por edhe te shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe
Malit të Zi Beogradi ka tashmë si bashkëpunëtorë jo një apo pesë abazoviçë, sa
përmenda më lart, por ka shumë më tepër se kaq. Disa rrinë fshehur e përgatiten
për një skalion të dytë ose të tretë. Ndërsa disa i shohim ëdo ditë aktivë në
ekranet televizive tek mburren me shërbimet që ia bëjnë Serbisë e Beogradit.
Kjo është arsyeja kryesore pse ne shqiptarët jemi kombi më i prapambetur i
Ballkanit. Aq më tepër që abazoviçët gjejnë mbështetje publike dhe elektorale
te vetë ne shqiptarët!