Mendime
Gjokë Dabaj: Rama është kombëtarisht i detyruar
E premte, 23.07.2021, 06:57 PM
E. RAMA ËSHTË KOMBËTARISHT I DETYRUAR
Nga
Gjokë Dabaj
…E.
Rama, po them, është kombëtarisht i detyruar të flasë me A. Vuçiqin për krimet
që ka kryer Sërbia në Shqipëri! Por, a po i quan E. Rama Prishtinën dhe
Mitrovicën pjesë të Shqipërisë?!
…A
e quan një qeveritar i Dublinit Belfastin Irlandë apo Angli?! Një qeveritar i
Dublinit, sigurisht që Belfastin nuk do ta quajë kurrë pjesë të Anglisë, sado
që ai Belfast ka disa shekuj nën sundimin e Kurorës Angleze. Një qeveritar i
Dublinit nuk është injorant në aspektin kombëtar. Një irlandez nuk mund të jetë
aq injorant sa, pjesë të atdheut të vet, t’i quajë pjesë të Anglisë dhe nuk
mundet që, mbi bazën e këtij koncepti, të zhvilojë bisedime me përfaqësues të
Mbretërisë së Bashkaur…
…Nëse
E. Rama, në bisedat e tija me A. Vuçiqin, nuk e trajton problemin e krimevet që
Sërbia e sotme ka kryer në Shqipëri, nuk mjafton që ai të quhet injorant. Ai
është më keq se injorant!
Ç’do
me thënë për E. Ramën dhe për të gjithë shqiptarët, të ndërtohet “minishengen”,
ose edhe “makroshengen”, duke harruar të kaluarën?! Shkurt e qartë, kjo do të
nënkuptonte që masakruesit e kombit të E. Ramës dhe të të gjithë ne të
tjerëvet, E. Rama dhe ne, t’i lejojmë të shkelin, pa u ndier fajtorë dhe pa i
brejtur ndërgjegjja, sipër eshtravet të të masakruarvet. Masakruesit e kombit
të E. Ramës!
…Unë
nuk po mund të shprehem ndryshe!.. Më besoni që nuk dua të flas kështu për E.
Ramën, sepse asnjë qeveritar në Republikën e Shqipërisë, mbas vitit 1990, nuk
ka punuar më mirë se E. Rama. Por jam i detyruar!.. Ku po e çon mushka këtë
njeri?! Dhe ku po na çon mushka të gjithë ne që po shkojmë mbas tij?!
…Edhe për Z. Zajevin kam simpati. Por, a flet Z. Zajevi
me A. Vuçiqin për masakrat që kanë kryer bashkëkombasit e A. Vuçiqit në
territorin e Republikës së Maqedonisë Veriore?! Burgun e Idrizovës e ka aty Z.
Zajevi, me gjithë kronikat e tij të zymta e të zeza! Edhe Vakëfin e Benacit e
ka aty! Edhe statistikat e masakravet që kanë kryer sërbët mbi prindët e
shtetasvet të tij, Z. Zajevi duhet t’i marrë me vete, kur të shkojë për
bisedime me cilindo përfaqësues të Sërbisë.
...Paturpësia e atij farë A. Vuçiqit është e
pakonceptueshme dhe e patolerueshme! Si guxon ai sërb të ulet në tryeza
bisedimesh me shqiptarët pa kërkuar falje publike për krimet që bashkëkombasit
e tij kanë kryer mbi kombin e këtyre bashkëbiseduesve?! Sigurisht, fajin nuk e
ka krejt A. Vuçiqi. As Z. Zajevi nuk mund të akuzohet për faj, aq sa po merr
përsipër E. Rama për t’u akuzuar e anatemuar në të gjithë shekujt që do të
vijnë mbas nesh?!
...E. Rama nuk duhet të pranojë të fillohet asnjë seancë
bisedimesh me sërbët, aq më tepër me A. Vuçiqin, pa mbajtur një minut heshtje
për viktimat e krimevet të Sërbisë në Shqipëri! Në Shqipëri, në kuptimin më të
plotë të këtij nocioni gjeografik!
Një minut heshtje! Të ngrihen në këmbë pjesëmarrësit në
bisedime, të rrinë në heshtje në shenjë pendimi e mos‘harrimi dhe të thonë: I
përjetshëm qoftë kujtimi i të vrarëvet dhe të masakruarvet shqiptarë nga armët
dhe nga duart e sërbëvet!
...Pa u përsëritur kjo formulë përshpirtjeje në të gjithë
takimet midis shqiptarëvet dhe sërbëvet, nuk ka katarsis në kombin sërb dhe
rrjedhimisht nuk është i mundshëm kurrfarë “shengeni”!