E shtune, 27.04.2024, 02:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Bahri Myftari: Djaj të lumtur - Gjenerali shkon me pushime

E hene, 01.12.2008, 04:57 AM


Bahri Myftari

 

Djaj të lumtur

 

GJENERALI  SHKON  ME  PUSHIME

 

            Fund korriku. Që nga ajo ditë kur u dha ai alarm i frikshëm, i befasishëm dhe pa kurrfarë shpjegimi e që bëri të dilnin prej strehimit dhjetëra e dhjetëra tanke, nuk mendohej e veprohej më, me gjasë si në luftë, sikundër ishin zhvilluar stërvitjet e shumta, por krejt ndryshe; kishte filluar lufta dhe nga ajo natë e gjithë trupa ishte në luftë!

            Një vend mik, orë më parë, ishte pushtuar nga njëra prej fuqive ushtarake më të mëdha të botës, ishte pushtuar prej bllokut të famshëm ushtarak të Lindjes. Si gjithmonë politika e shtetit tonë veproi shpejt dhe me guximin e saj karakteristik. Ajo denoncoi aktin e kryer dhe prishi të gjitha marrëveshjet me atë krah ushtarak, ish- “shok armësh” deri në atë çast, por të kthyer në... Këtu mund të renditeshin me dhjetëra epitete, duke filluar me epitetin fashist dhe deri tek ai, disi përkëdhelës, “ushtri pushtuese”!

            Brigadën e tankeve, më e madhja e llojit të vet, pasi gjëmoi dhe tmerroi botën qark atë natë, e zuri dita e re të dislokuar rreth e rreth aeroportit më të madh të vendit. Ekuipazhet, të përbërë prej katër vetash, shoferit, artiljerit, mbushësit dhe komandantit, si kurrë ndonjëherë, ishin në lartësinë e detyrës. Mesazhe të shkurtra, të rrepta, të nisura e të mbyllura në fjalën luftë, kumbonin në kufjet e tyre gati për çdo minutë. U dëgjua edhe vetë zëri i gjeneralit të brigadës. Kishte siguri ai zë. Ai u foli oficerëve si oficer e, pastaj, iu drejtua ushtarëve: “Bijtë e mi, tha, ne jemi bashkë, jemi bashkë dhe...”

            E gjithë trupa, dikush me zë e dikush heshtazi, u betua se jo vetëm ajo fuqi botërore e shpallur tashmë pushtuese, por edhe tjetra, rivalja e saj, perëndimorja, që çuditërisht heshtte, vetëm heshtte, pra, nëse që të dyja do të ndërmerrnin një sulm të përbashkët, s’do të mundnin kurrë të uleshin të gjalla në fushën e aeroportit, por do të binin mbi pistë si copa trupash njerëzorë, ose si copa të metalta të makinerisë së tyre.

            ...Mirëpo, korriku iku, iku dhe gjysma e gushtit dhe lufta s’po dukej! Nga situata e fundit që iu dha trupës, komanda nuk mbeti fort e kënaqur. Munguan manovrat e sakta e, mbi të gjitha, u shfaq plogështia në lëvizje. Tanket, të maskuara e të fshehura nën gjelbërimin e bollshëm të stinës, nën lisa të mëdhenj, nën shelgje dhe nën arra ende të pa shkundura, të sillnin  në mend ca pleq të lodhur, të drobitur që përpiqeshin të përballonin vapën në hije. Domosdo, kjo gjendje  duhej ndryshuar. Rënia e gatishmërisë tronditi komandën dhe më tej. Filluan manovra nga qielli dhe toka, ditën dhe natën. U hap zjarr disa herë me mitraloza të rëndë dhe projektorët i binin qielli kryq e tërthor. Diçka lëvizi, por më shumë iu besua propagandës. U shtuan orët e saj, u shtuan komunikatat, urdhëresat, deklaratat, lektorët; oficerë të shtabit dhe të ministrisë organizonin tashmë takime e biseda paradite dhe pasdite. Kërkohej dramaciteti i dhënë  në krye të herës, ai dramacitet i dhënë në alarmin e madh. Vështirë, shumë vështirë! Edhe te lektorët pati rrëshqitje, pati lajthitje. Një oficer i Ministrisë së Mbrojtjes, s’dihet se përse, por tha faqe ushtarëve se ushtarët pushtues në kryeqytetin e vendit mik ishin familjarizuar me qytetarët... familjarizimi ngjit po me aq lehtësi, sikur është për keq, sikur është për mirë... Disa oficerë shprehën një adhurim të madh për lojën e golfit. Ç’ ne për një lojë të tillë?! Kur për të nuk kishte as traditë, as përhapje. Dihej se loja e golfit ishte e përzemërt në Perëndim. Kjo tingëlloi si mesazh i tyre dhe u lexua si një mësim që i jepej politikës dhe vetë forcave të armatosura se ç’ drejtim duhej të merrnin sot e tutje. Si për çudi, si... oficeri i Ministrisë së Mbrojtjes si dhe oficerët e ngjarjes së dytë patën të njëjtin fat: nuk u panë më. Ai “mesazh” nuk u kalua lehtë. Shpërthyen mallkime, denoncime e akuza edhe ndaj bllokut tjetër ushtarak të krahut Perëndimor. Në një nga këto takime komandanti i tankut 43, ushtari i vitit të fundit, Mikel Mati, i kërkoi leje komandantit të kompanisë, kapitenit Filip Muça. Kapiteni sepse e pa me mëdyshje. Mikel Mati këtë punën e lejes po e kthente në kërkesë të përditshme, afërsisht në të njëjtën orë. “Nuk t’u shërua kjo e shkretë kokë?” i tha kapiteni... “edhe kokë ariu të ishte!”

            Ushtari e kaloi me të qeshur. Për të rëndësi kishte futja e lejes në xhep. E fitoi lejen dhe me të shpejtë shkoi drejt tankut që komandonte. Hapi kapakun e kupolës. Hyri brenda dhe zuri të përgatiste periskopin. Periskopi është nga familja e dylbive. Domosdo, është më i saktë në figurë, më i fuqishëm në distancë, dhe, me një dallim të madh:  për të vrojtuar objektin e dëshiruar me dylbitë duhet të nxjerrësh, të paktën, o gjoksin o kokën, ndërsa me periskopin nuk është fare e nevojshme një sakrificë e tillë. Me periskopin, me aftësinë që vjen nga pasqyrat dhe rregullat teknike, e sheh për bukuri objektin, pa dalë vetë në pah. Ja, tamam, sikundër po vepronte tani Mikel Mati. I futur në tank, krejt i padukshëm, drejtoi periskopin për nga shtëpia dykatëshe. Shtëpi e bukur! Një hardhi rrushi i rrinte si kurorë përsipër, kurse fasada përballë të qetësonte me ngjyrën e saj të kaltër. Nuk ishte më tepër se 300 metra larg, por s’kishte rëndësi. Ushtari i vjetër peshoi lehtë mbi mbështetësen e periskopit. U përqendrua. Periskopi i famshëm ia pruri ushtarit të vjetër pamjet e shtëpisë mu aty, përpara syve. Kërkoi dhomën me ballkon. E përshkoi një valë e tërë emocionesh. Sapo u shfaq objekti drithërues. Kishte mbërritur çasti i magjishëm. Një studente mbetëse e vitit të dytë, sapo ia nisi ritit të saj të përditshëm. Zhvishej më nge e me qejf deri në krejt lakuriq... Pastaj zinte të vishte e të zhvishte radhazi të brendshmet, ngjyrat e të cilave ushtari do t’i numëronte lehtësisht sikur edhe në mes të natës ta zgjoje. Kur vajza mbaronte këtë sfilatë për vete, hynte në dhomë një femër tjetër, me një portret si prej mashkulli. Por vetëm kaq, pasi, kur zhvishej, format e saj femërore ishin të mrekullueshme po aq sa ato të studentes! Femra me portret mashkulli, me sa dinte ushtari, ishte drejtuese e sektorit të perimeve të fermës. Sakaq, të dyja vajzat përqafoheshin, putheshin. Më pas, krejt lakuriq, hidheshin në krevatin që ishte në një vijë me ballkonin, nëpërmjet të cilit, periskopi i komanduar mjeshtërisht prej ushtarit, e binte skenën e dashurisë e të hardallosjes aq pranë, sa të dukej e mundur ta kapje me dorë. Ushtari e humbte. Në këto momente mbërthej prej një zjarrllëku ngacmues deri në mekje, derisa i thahej pështyma. Skenat erotike që shfaqeshin aty, zor se i gjeje edhe në ekranin më të perfeksionuar në këtë lloj.

            Pas dhjetë minutash, vajzat zhdukeshin. Ushtari i vjetër qëndronte si i ngrirë. Ndërkaq vajzat shfaqeshin përsëri në ballkon. Të lara, të shpëlara, të mbështjella me peshqirë të mëdhenj, ngacmoheshin e qeshnin si të kishin në mend një të tretë...

            Edhe të nesërmen, po në të njëjtën orë, kur trupa e tankistëve përgatitej të bënte një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, ushtari i vjetër kërkoi leje, ose, më saktë, përsëriti kërkesën e njohur. Komandanti i kompanisë jo vetëm që e kundërshtoi, por i bëri një shenjë, a thua se Mikel Mati kishte lajthitur, kishte rrjedhur! I çmendur  je,  i tha plot mllef kapiteni. Nuk e sheh se kush po flet!

            Zotëria, që sapo nisi bisedën, ishte ndër oficerët madhorë më të famshëm të ushtrisë. Foli për situatën luftarake... Luftë e quajti fund e krye gjendjen, madje shtoi rreptë: “Lufta është hapur si ndaj Lindjes ashtu dhe Perëndimit. Por nuk ka vend për panik. Politika dhe ushtria po punon strategjinë e re të mbrojtjes së vendit dhe tani një aleat tjetër i madh është me ne: populli!” Fundi i takimit nuk u shpërblye me duartrokitje, por me premtime, me zotime, me një patetizëm që nuk tingëlloi aspak i tepërt. Kapiten Filip Muça, foli në emër të kompanisë së vet. Tha fjalët më të mira për ushtarët e tij; për qëndresën dhe sakrificën e tyre, për shërbimin 24 orë në 24 orë.

            Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ia miratoi të gjitha çka tha, ashtu sikundër veproi edhe gjenerali i brigadës, komandanti. Ndërkohë që oficerët madhorë u larguan dhe, kur kapiteni i kompanisë ende nuk ishte qetësuar prej fjalës që kishte mbajtur, vuri re se mungonte ushtari i vjetër Mikel Mati. I erdhi rëndë nga kjo sjellje. Për oficerin e karrierës mosbindja nuk shkonte shumë më larg se tradhtia. U vu ta kërkonte. E kërkoi në sheshin e stërvitjes, në qendër të kompanisë. Nuk e pa kurrkund. U nis për te ledhi i arrave, aty ku ishin rreshtuar tanket. Në krye ishte tanku 43. U ngjit në kupolë e, më pas, hyri brenda. Ndërkaq u ballafaqua me ushtarin. Ky u shtang, nuk mundi të bënte lëvizje tjetër veçse të largonte paksa shikimin prej periskopit. Kapiteni e shtyu dhe nisi ta bënte vetë veprimin. Ja shtëpia dykatëshe e ja në brendësi dy femrat që...Kapiteni shau nëpër dhëmbë dhe prishi pozicionin e periskopit. Nuk i foli ushtarit, madje as sytë nuk ia hodhi. Duke zbritur prej tankut 43, aty për aty, mori një vendim. Zuri të kontrollonte tanket që kishte nën komandë. Vuri duart në kokë! U tmerrua! Të gjitha tanket e kontrolluara i kishin drejtuar periskopët nga shtëpia dykatëshe.

            Të gjithë, të gjithë, me përjashtim të tankut të fundit. Komandanti i tij, një ushtar i përmendur për llupësi, që kurrë nuk ishte mjaftuar me racionin që i takonte. Ai nuk e kishte drejtuar periskopin për nga shtëpia dykatëshe, por për nga mensa fushore e punëtorëve të fermës.

            Mendoi të mblidhte kompaninë, por ndërroi mendje. Nuk kishte kurajë. I vinte turp prej vetes. E përfytyroi një nga një të gjithë efektivin. I urreu nga i pari deri tek i fundit. Ç’ kishte bërë ai për kaq kohë me ta?! Nëse kishte oficer që pati shërbyer 24 orë në 24 orë, ai ishte. Ditë plot tension dhe net krejt pa gjumë. S’ishte vetëm shaka thënia, se ai, kapiteni, mund të thoshte me siguri se sa ishte numri i yjeve në qiellin mbi kompaninë e tij. Dhe ja, ja shpërblimi! Nuk mund ta fshihte atë çka i panë sytë. Dy ditë kërkoi të takonte gjeneralin. Ishte në detyrim të detyrës raportimi, ishte në nderin e oficerit hapja e zemrës eprorit.

            Gjenerali duhej ta dinte të vërtetën. Kapiteni do të priste çdo lloj mase e dënimi, edhe nëse do t’i kërkohej të jepte dorëheqjen. Më në fund takimi u realizua, por për çudi të kapitenit, gjenerali s’po i kushtonte kurrfarë vëmendje. Ai po jepte e merrte me telefonin. Bile në një çast ai kërceu prej gëzimit, gjë që nuk ia fshehu kapitenit. I kishin aprovuar lejen. Një javë më parë kishte martuar të bijën me djalin e njërit prej udhëheqësve më të lartë të shtetit. Çift i mrekullueshëm! thoshte gjenerali. Dhe ja, bashkërisht, si familje, edhe me çiftin e ri, do të shkonte për pushime në një nga plazhet më të bukur të Mesdheut. Ashtu, plot gëzim e përcolli kapitenin deri te shkallët. Kapiteni nuk po kuptonte kurrgjë. Kur doli në oborr sikur i ftillua. Gjenerali shkonte për pushime! Iu morën mendtë. Një thartirë i erdhi prej stomakut dhe gati e la pa frymë. Nxitoi. Po digjej prej urinës.. atje, pas një trungu, zuri të urinonte. Sikur u çlirua. Urina binte mbi një vandak me letra. Ai i ra me shkelm. Bizhdilet e gjethet u shpërndanë. Ishte një vandak me komunikatën e fundit.

            Kapiteni mundi të lexojë se ç’ shkruhej në to. Fjala ishte për strategjinë e re të mbrojtjes, tipar kryesor i së cilës  do të ishte: populli ushtar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora