E diele, 28.04.2024, 01:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Ismail Kadare, Tregimet dhe novelat në ditarin e një shkrimtari

E shtune, 29.11.2008, 12:41 PM


Ismail KADARE

 

Tregimet dhe novelat në ditarin e një shkrimtari

 

Në vëllimin 9 të opusit të veprës së Ismail Kadaresë, i sapobotuar, janë përfshirë 19 tregime dhe novela të shkrimtarit,  shkruar midis viteve 1981 dhe 2008, në Tiranë dhe në Paris. Një pjesë e tyre janë nxjerrë nga librat “Emblema e dikurshme”,  “Gjakftohtësia” dhe “Koha e shkrimeve”, të botuara përpara rënies së komunizmit. Të tjerat nga botime të ndryshme të  mëvonshme. Tregimi “Leximi i Hamletit”, si edhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantet në pasditen e  dhjetorit”, të shkruara kohët e fundit, i pari në vitin 2004, në Paris, dhe dy të tjerat në verën e vitit 2008 në Malin e  Robit, Durrës, botohen për herë të parë në këtë opus. Mes këtyre tregimeve, krejt i panjohur është dhe tregimi i vitit 1981  me titullin “Për të harruar një grua”, të cilin po e sjellim për lexuesin bashkë me këtë veshtrim kritik të Persida  Asllanit mbi këtë vëllim me tregime e novella.

 

Nga Persida Asllani

 

Ndodh gjithnjë e më shpesh që tregimet dhe novelat e një shkrimtari t’i lexojmë të gru puara në një përmbledhje të vetme.  Kështu na humbin nga sytë ritmet e shkrimit të tyre, ritme që japin e marrin pa pushim me pjesën tjetër të veprës e në  shtrirje të gjatë kohore. Në fakt, një përmbledhje me tregime do t’i ngjasonte më tepër leximit të një ditari, nëse  shkrimtarit do t’ia kishte ënda të shënonte kohën e tyre të shkrimit. Emra njerëzish e vendesh, ndodhi të vogla personale  dhe ngjarje që vërtiten në vorbulla të mëdha historish, lidhje dashurore, gjaku dhe tejhistorike shkasin nga një fletë në  tjetrën, të ndara mes tyre nga titulli i gjithsecilës dhe nga data e poshtëshënuar për ditën apo stinën e përfundimit. Por,  ndërsa ngjarjet që ndjekin në mënyrë rastësore njëra-tjetrën në një ditar, janë shpesh peng i një date, muaji apo viti, në  këtë përmbledhje tregimesh e novelash të Ismail Kadaresë, struktura na vjen e përmbysur. Një datë, shpesh një stinë dhe  viti i shkrimit të këtyre pjesëve, përmbyll si me një kumt të dytë, të heshtur, leximin dhe rileximin e tyre. Mars 1981, 28  maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Fqinjërimi në një  hapësirë teksti të përmbyllur si ajo e botimit të veprës së plotë të shkrimtarit, sado e pamotivueshme dhe e paqëllimtë,  sado e pafajshme dhe rastësore, i ngërthen ato së bashku në rezonancën thuajse muzikore të emrave, të vendeve, të kohëve,  të fjalëve, të trilleve, të alegorive dhe simbolikave që rishfaqen ose ripërtërihen nga një tregim a novelë në tjetrën.  Dhe, pavarësisht se për ndokënd kjo lidhje mund të tingëllojë artificiale, le të kujtojmë fjalët e një prej zërave  tregimtarë të kësaj përmbledhjeje teksa arsyeton se “po ta merrje kështu, vetë akti i të shkruarit ishte i stisur, pra,  artificial”. Madje, se e gjithë letërsia na qenkësh, tek e fundit, “ca shenja e shenjëza mbi letër, mbi të cilat njeriu  rrinte me orë të tëra seriozisht, si i lajthitur”. Kështu, pra, këto nëntëmbëdhjetë tregime e novela janë pjesë e pandashme  e atyrë orëve të panumërta “serioziteti”. Sepse çdo krijim letrar, pavarësisht synimeve të tij, nuk mund të vijë në botë  veçse përmes asaj krisjeje të pazakontë në koren e përditshmërisë, së përsëritshmes, të njëtrajtësimit, prej së cilës ikën  si prej një jete a atdheu të pamundshëm. Sepse arti lind duke mohuar ekuilibrat iluzivë të botës, sjell mëdyshjen aty ku  ngjan e pamundur të dyshosh, shton dritëhijet në gjirin e të vetëmjaftueshmes, krijon një fjalë të re aty ku gjuha beson se  është e përsosur. Nëse këto nëntëmbëdhjetë tregime e novela mundën të kumtojnë çka qe e pashqiptueshme, të shkruajnë çka  është e pashkrueshme, të kujtojnë me ngulm të pakujtueshmen, të endin fjalën nga heshtimi pjellor i gjuhës, do të thotë se  ato janë pikërisht pjella të po asaj krisjeje nga ikën drejt nesh, me padurimin e të ikurit nga djepi apo nga varri, edhe  romanet e mëdha të Ismail Kadaresë. Bija të së njëjtës gjendje, si prej një lajthitjeje fatlume, këto simotra romanore, me  ritmin e shpejtë të rrëfimit, me zhvendosjen e ritmuar të skenave, me skicimin e shkathët të personazheve, vizllojnë më  vete larminë e tematikave të parapëlqyera të autorit pikërisht si një album shkrimor, ku do të ruheshin gjurmët e tundimeve  krijuese përgjatë shumë vitesh. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris,  Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Midis këtyre datave shkasin nga stina në stinë, si nga një fletë në tjetrën, figura dhe  ngjarje mitologjike, mite të një epoke që ngjiten drejt epokash të ardhme; personazhe të një Perandorie Osmane të shumë- kohshme, fermane që lëvizin përzishëm drejt skajeve më të largëta; shpresa, mëdyshje dhe intriga të një Shqipërie  komuniste; përmbysje, kriza dhe sfida të qenies njerëzore, ashtu të pakohë e të pazakontë siç e bën forca e saj e jetës, e  vdekjes, e dashurisë. Mes këtyre datave pulson ngulmimi i shkrimtarit për t’u përballur me daljen nga kujtesa qoftë të  historisë së jetës së një kombi ashtu dhe të grimcave luksoze të një çasti, të gjestit të pakthyeshëm, të tingëllimit të  zërave, të dritësimit të vështrimeve, të brishtësisë së dashurive të përjetshme. Sepse, tek e fundit, Ismail Kadare ka  dashur që të ndodhë pikërisht kështu: që miti i Prometeut të mos këputet te fluturimi i përjetshëm i shkabës drejt hyut  rebel, por të vijojë nëpër bashkëkohësinë tonë, me kumte të shumëfishta, të lexueshme dhe të nënlexueshme, pikërisht siç i  ka hije një kumti olimpik, hyjnor pikërisht sepse është bërë, më në fund, shkrimor; që Sfinksi të nxirrej prej enigmës së  pazgjidhshme të mitit dhe të përgjohej në ankthin e natës së tij të errët, natës së dyshimit dhe të vërtetave të  pakumtueshme të një tiranie; që Agamemnonin ta ndiqnim përtej jetës së tij tokësore, nëpër qerthullin dantesk të një  eksperimenti letrar të pashoq, nga elipsa në elipsë, inkursion kohor në pikëpjekjen e njerëzores me matafiziken. Sepse për  shkrimtarin, rishkrimi dhe rileximi i vazhdueshëm i historisë është një domosdoshmëri etike: për të shestuar rrugëtimin nga  e ardhmja, duhej ndërmarrë mundimshëm udha e përkundërt, duhet përftuar e shkuara historike gjithnjë e më thellë, më e  pakapshme, deri në ankthet dhe pasionet e padëshmuara. Letërsia, duke dëshmuar të padëshmueshmen historike, humanizon  historinë, ua kthen atë njerëzve nga sferat e paqarta të harresës. Dhe pikërisht atëherë, e tashmja dhe e shkuara ngjasojnë  me njëra-tjetrën, gërshetojnë të vërtetat dhe faktet për të mbërritur te thelbi metafizik i së tashmes së përjetshme, aty  ku Prometeu dhe Agamemnoni bëhen lehtësisht bashkëkohës të një ish-komunisti në një qytezë të humbur të një vendi të vogël;  aty ku nga varri i hapur i Skënderbeut zbardhon balada e kosovarit J. G.; aty ku pengu i pezullt i një regjence “danson” me  shënimet e ankthshme nga kapiteneria e një porti në bregun përkundruall të Adriatikut. Ashtu si në fletët e një ditari,  larmia e këtij grumbulli ndodhish, personazhesh, rrugëtimesh, arkitekturash e tematikash, gjakon të mbetet e shënuar, e  mbërthyer në ritmin përzgjedhës të shkrimit, në atë çka e bën të jetë e vetme, e papërsëritshme, e pse jo, e njerëzueshme.  Përmes shkrimit të një tregimi a novele, ato u përzgjodhën për të qenë çastet dhe, njëkohësisht, thelbet që nuk duhen të  humbasin, u përzgjodhën për të qenë piketat e çmuara në shumësinë kaotike të ngjarjeve, jetëve, përjetimeve të përditshme.  Këtu, lexuesi do të gjejë të renditura kronologjikisht nëntëmbëdhjetë tregime e novela, shkruar midis viteve 1980 dhe 2008,  kryesisht mes Tiranës dhe Parisit. Shumicën prej tyre ka gjasë t’i ketë hasur më parë në vëllime të ndryshme si para ashtu  dhe pas komunizmit, ndërkohë që me këtë përmbledhje ka, pa dyshim, luksin të bëhet lexuesi i parë i tri pjesëve krejt të  reja dhe origjinale: i tregimit “Leximi i Hamletit” dhe i novelave “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantet në  pasditen e dhjetorit”; këto të fundit përfunduar vetëm pak muaj më parë, buzë Adriatikut. Kjo afërsi në kohë, si dhe datimi  këmbëngulës e bujar i të gjitha pjesëve, të sjellin ndër mend një prej grishjeve të famshme të shkrimtarit, në një çast kyç  për të gjithë së bashku, titullin “Ftesë në studio”. Kësaj here Kadare na fton të lexojmë apo të rilexojmë disa nga titujt  më pikantë të artit të tij tregimor, si për shembull, “Prometheu”, “Baladë për vdekjen e J. G”, “Përçmimi”, “Ëndrra  mashtruese”, “Përpara banjës”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, “Shënime nga kapiteneria e portit”. Vështirë ta kesh lexuar një  herë e të të ketë ikur nga mendja parada e trishtë dhe e ankthshme e të ikurve nga Arbëria e pushtuar: lotëria e pikëlluar  e syve të tyre, braktisja përfundimtare e shpresës, zbarkimi i arkave me libra, i titujve të fisnikërisë, i kambanave të  kishave; gjurma e pushtimit të ri në sytë e fëmijëve dhe në ashtin e gjuhës, sikundërse emrat e dyfishtë të sundimtarëve.  Personazhi i përsosur i Haxhi Miletit, teksa shtyhet në brendësi të Ballkanit të dyzuar, dyzohet tragjikisht edhe vetë, mes  errëtimit të ferexheve dhe syve të zbuluar, të papërballueshëm, të grave të pambuluara të këtij krahu të skajshëm të  perandorisë. Kufoma e tij e pakuptimtë, si prej gruaje të mbuluar me rizën e zezë, është vetëm një prej sprovave të arta ku  gjendet pa pushim lexuesi i vëmendshëm i Kadaresë. Na ka qëlluar, pa dyshim, t’i kthehemi me mendje ferrit ciklik të  Agamemnon Atridit, vrarë prej së shoqes, ditën e parë të kthimit nga fushata e Trojës, tregim antologjik i rrallë, ku  struktura shkrimore dikton ritmet e leximit dhe pragjet e simbolit. Madje, nëpër thuajse të njëjtët rrathë kemi ndjekur  edhe ferrin komunist të ish-komunistit Aleko Balla, personazhit emblematik të novelës “Përçmimi”. Ndërkaq, të shkruara në  vite dhe kohë të ndryshme, pjesët e këtij albumi u ngjajnë hera-herës fletëve të shkëputura pa dashje nga tërësia e një  romani. Ndërsa shkrimi romanor i ngjan krijimit të një bote, plotërisë së një universi, tregimet mund ta ndalin hapin  përfundimisht në një çast, në një befje, në një kujtim. Dhe kalojmë atëherë si pa e kuptuar në korridoret e gjera të botës,  me copëza albumi ndër duar. Romanet dhe tregimet plotësojnë kështu ritmet e leximit të njëritjetrit, nga “Rrethimi” te  munxadhënësit, nga “Kamarja e Turpit” te “Sjellësi i fatkeqësive”, nga “Pallati i Ëndrrave” te “Vjedhja e gjumit  mbretëror”, nga “Kronikë në gur” e “Çështje të marrëzisë” te tregimi “Leximi i Hamletit”, nga “Ura me tri harqe” dhe “Dosja  H”, te “Raporti i fshehtë”, ose anasjelltas, dhe sërish nga romani “Çështje të marrëzisë” te novela “Bisedë për brilantet  në pasditen e dhjetorit”, shkruar veç pak muaj më parë. Nëse kohët dhe epokat mes tyre ndryshojnë, siç ndryshon portreti  mes atit dhe birit, kjo s’është veçse frymëmarrja e gjatë e së njëjtës ndjesi, së njëjtës enigmë, ngjarjeje, thelbi. Fytyrë  e shumëfishtë e kohës, që, si qenie e gjallë, frymon dhe zhvendos pjellat e saj nga një epokë në tjetrën, duke u nxjerrë në  pah brenda hapësirës së letërsisë, zanafillën dhe fundin, jetën dhe vdekjen, kuptimin dhe dyshimin e ekzistencës. Në  kronotopinë e pacak të Kadaresë nuk ka prehje kurrë, as në gjumë, as në vdekje, as në ëndërr. Ikën zemërligsht, nga  kryeqyteti i perandorisë drejt zemrës së periferisë së largme, edhe Tuz efendiu, një prej personazheve më të reja të  osmano-topisë kadareane, i ngërthyer nga pamundësia e një misioni të “midistë”, të paemërtueshëm, të pashqiptueshëm. I  lidhur deri në vdekje me qëllimin e pamundshëm për të gjetur atë gjësend që do të rimbushte boshllëkun brerës të varrit të  zbrazur të Gjergj Kastriotit; zhvendoset nga bujtina në bujtinë, nga biseda në bisedë, nga fjala në fjalë, për të kapur  thelbin e kësaj daljeje të pabestë, të të pabesit, nga vdekja. Dhe, meqenëse trazimi i ligjësive të ndara shkakton gjithnjë  zhbërje e rrënim, asgjë të pazakontë atëherë për lexuesin e Kadaresë, teksa Tuz efendiu, hartuesi i “raportit” përfundimtar  mbi këtë “dyvarrí” të padurueshme, që druhej ligsht “kur mungonte i vdekuri”, do të vritet në praggjumë si në pragvdekje,  krejt i pakuptimtë e i palavdishëm, simbolikisht, pranë kufirit të vjetër të shtetit… Dhe personazhet vazhdojnë të enden  nga një vend në tjetrin, nga një ngjarje në tjetrën. Rendje e ethshme si drejt dritës, për të rihyrë ndoshta sërish në  tregimin e radhës dhe për të dalë vrik nga novela e ardhshme. Dalëngadalë, gjatë leximeve ato bëhen si njerëzit e shtëpisë,  që ua njohim fytyrat, fjalët, huqet. Ky familjaritet vlen për këdo, edhe për vetë atë që rrëfen. Lexuesi i Kadaresë e  ndien, për shembull, se te “Leximi i Hamletit” është ritakuar befas dhe po çmallet me zërin e djaloshit dhjetëvjeçar që i  tregonte kronikën e qytetit të tij të gurtë para shumë vjetësh apo rrëfente çështjet e papërmbledhshme të marrëzisë më  2004-ën. Janë të gjithë aty, së bashku, burra, gra e fëmijë, gurë, rrugë e shtëpi, dekrete, kujtime, enigma dhe marrëzi.  Por bota në tregimin e fundit ndahet befas në dy lloje shtëpish: disa janë perandorake e disa të tjera mbretërore. Së  shpejti, në qytetin e gurtë do të shfaqen ato republikanet. Trajta dhe pesha e gurëve nuk qenkësh e njëllojtë. Trillet e  fantazmave po ashtu. Ndoshta të njëjtit trill i është gjegjur edhe vetë autori, teksa i mban të gjitha këto shënim, i  shndërron, pra, në të shënueshme në fletën e ditarit të tij që mban datën: qershor 2004, Paris. Ndërkaq, një nga shtegtimet  më mbresëlënëse vjen në novelën e fundit, me titullin enigmatik “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”. Mund të  ngjasë që njerëzit t’u përngjasojnë fantazmave më shumë se ato vetë mes tyre. Burra e gra të “midistë”, ikur prej  humbellash internimesh reale e potenciale, që shfaqen apo trokasin befas përmes një telefonate, një rrëfimi, një fjale, dhe  ikin sërish, të përkorë, në heshtjen e natës. “Janë mbretërorë - përsiatet rrëfimtari - është e natyrshme të mos bëjnë  zhurmë e të mos bien në sy”. Por, përtej rishfaqjes së tyre disi të mënjanshme, në predemokracinë shqiptare, si “në  larginë”, përtej ndjesisë së butë të fajit, që, për çudi, prej asaj pasdreke nuk ndahet, përtej kujtimit tundues të  brilanteve të shuara dhe shkëlqimit të ftohtë të atyre që do të vijnë, kumbon shtegtimi i dyfishtë i një gjuhe dyfish të  vdekur, ikje dhe ardhje nga një botë tjetër, nga romane të mëparshme dhe nga njerëz tashmë të vdekur. Kthimi i pamundshëm i  latinishtes i ngjan kthimit tragjik të Doruntinës dhe Kostandinit, i ngjan baladës së rikthimit nga varri, nga vdekja, për  një kumt të ri në botën e këndejme, e cila, thjesht për një tekë gjuhësore u quajtkësh e të gjallëve. Dhe latinishtja  rivjen, në gjurmën e gjallë të njerëzve të vdekur, si një “gjuhë e ftohur, (…), sillte shpirtësinë e fundit të një brezi  njerëzor që po shuhej”. Lufta e gjuhëve. Kështu quhet sot në gjuhën shkencore mishmashi i kacafytjeve gjuhësore në gjirin e  njerëzimit. Këtë luftë, Kadare na e ka treguar disa herë në botën e tij romanore. Por ajo nuk është më shenjë e  bashkëpërkitjeve dhe huazimeve, por luftë për jetë a vdekje mes botëve që identifikojnë. Mjafton të kujtojmë romanin e  fundit “Çështje të marrëzisë” dhe të shohim se si latinishtja dhe frëngjishtja kacafyten për vdekje me rusishten, gjuhën e  re që shtronte mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në një sistem të ri mendor. Rikthimi i latinishtes në pragrënien e  komunizmit shqiptar, pulsimi i saj mes sentencave ambulante të shtypit, risjell në novelë vizllimin e dyfishtë të jetës,  ashtu siç ndodh gjithmonë, mes keqkuptimit dhe shpresës, mes tragjizmit dhe ironisë, si në mjegull: falë kësaj gjuhe të  vdekur “që rrihte të bënte të pamundurën, të nxirrte pakëz frymë nga morti i saj”. Ishte kumti që rikthehej nga varri për  të ribërë, me verbin, jetën; shpresa e vdekur për të rigjetur të vdekurit; shkëlqimi si prej brilanti i një gjuhe që, ashtu  si trokitja e fantazmës, rreket të thotë diçka më shumë se vdekja e saj dhe e njerëzve që dikur e folën. Sepse gjuha është  shtëpiza e qenies. Pa dyshim që Heidegeri e pati ndier se si strehohej në të thelbi i kuptimit të botës. Kjo përfytyrë  ndryshon fare pak nga përshkrimi i një qyteti të gurtë që ruan mishin e butë të jetës në nënshtresat e tij. Pa dyshim që  Kadare, e bashkë me të edhe ne, e ka ndier se si ndryshonte kuptimi i botës sa herë që me mishin e butë të gjuhës, nga  brezaret e heshtura të shekujve, zinin trup fjalë të reja, copëza gjuhe si pjesëza brilantesh, që duken e zhduken, pulsarë  të rinj, në hapësirën e pacak të shkrimit. Ato shfaqen pikërisht aty, ku lufta dhe flirti me gjuhën, me pamundësinë e  kumtit, bëhen të domosdoshme. Në prozën e tij, ato janë emblemat e krijimit dhe flijimit. Vetëm në këto nëntëmbëdhjetë  tregime e novela vijnë jo pak, por rreth pesëdhjetë të tilla, si grimca të një gjuhe tjetër, që dritëson sa herë që  shkrimtarit i duhet të kthjellojë kuptimin e thellë të gjërave. Po të lexosh veç disa prej tyre, si për shembull:  humbellat, munxët dhe munxadhënësit, terratisur, bashkëgotas, darkëtarë, parambrëmje, yllnajat, gjithnajë, shkularakë,  fundbotë, lotëri, eshtëri, kinseri, ndezë, hapësirshëm, përhishëm, sipërfunde qelish, vështirshëm, ëndërrshkrues, (i  dyshuar) për tjetërmendje, qiellzana, të kushtrimosh, llumnajë, i midistë, syujs, fshehtathella, zymtane, mbushulli,  dyvarrí, thirravajë, larginë, pluhurizë, thirravajshëm, shpirtësi, dritësim etj., e ke tashmë të qartë se përse gjatë  leximit të veprës së Ismail Kadaresë të ndodh të mbash herë pas here frymën, rrjedhën e fjalëve e të ngjarjeve, ritmin e  leximit, si për të përgjuar harmoninë e re që lind mes teje dhe gjuhës, mes teje dhe veprës, mes teje dhe botës. Në rastin  e botimit të një përmbledhjeje, këto çaste të rralla shkrimi dhe leximi, rezonojnë mes tyre dhe nesh të endura në fillin e  brishtë të datave, vendeve, stinëve dhe viteve, si për të na dëshmuar ekzistencën e pamohueshme të ditarit të fshehtë të  një shkrimtari, brendashkruar veprës. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë,  Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Përmes romaneve, trilogjive, tregimeve dhe novelave, kumbojnë kështu dilemat,  sfidat, dashuritë dhe trillet e Ismail Kadaresë. Ditari vazhdon… Dhe siç ndodh shpesh me (ri)botimin e tij, një ftesë e re  në studio troket tashmë te ju.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora