Mendime
Agron Tufa: Në Qafë-Bari shkohet për të vdekur!
E marte, 20.04.2021, 09:25 PM
NË QAFË-BARI SHKOHET PËR TË VDEKUR!
Nga Agron
Tufa
Greva e urisë e ish te burgosurve politikë në
vendin tragjik te vuajtjeve, torturave e vrasjeve makabre ne Qafe Bari, në vendin
e vuajtjeve të rinisë, është një gjest që shpreh kulmin e dëshpërimit dhe
zhgënjimit. Dëshpërim dhe zhgënjim nga liria pa asnjë cilësi njerëzore e 30
viteve të fundit. Një rrugëtim i verbër drejt qorrsokakut postkomunist, të
mbushur me figura personazhesh gjakatarë të ish regjimit diktatorial. Kjo grevë
është gjithashtu dhe një test bash në periudhën kur shoqëria shqiptare është
ndarë më dysh: të rrëzojë diktaturën e ricikluar të etërve apo t’i japë asaj
oksigjen mbijetese përmes militantëve të pushtetit. Ndërkohë në malet e
Qafë-Barit po flijohen të mbijetuarit e fundit të burgjeve të diktaturës. Është
një turp dhe turp i madh, që media, kandidatët për deputetë në parlamentin e
ri, misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe grupet apo shoqatat që kanë në thelbin
e tyre “të drejtat e njeriut” nuk kanë shkuar ende të takojnë grevistët në
kushte të rënda.
Midis grevistëve ka dhe personazhë që përjetuan
terrorin e shtypjes së Revoltës së 22 majit 1984 nga dhuna shtetërore e
personifikuar në togën e policisë së drejtuar nga krimineli Edmond Caja. Midis
tyre ka shumë të dënuar (ridënuar) pas revoltës “për terrorizëm”, si Dush
Martini me shokë dhe të cilëve ende nuk iu është hequr sot e kësaj ditë kjo
nofkë penale e drejtësisë së diktaturës, duke i privuar dhe nga përfitimi I
dëmshpërblimit.
Duket se solidariteti i shoqatave të ish të
përndjekurve politikë është topitur, është mpirë dru, pa pikë ndjeshmërie. Por
nëse ka mbeteur ende nga raca e qytetarëve me vetëdije, nëse ende ka dhimbje e
nder për këta të mbijetuar që i kanë mbijetuar ferrit, nëse pra, nuk duan që të
bëhet përfundimisht vonë, kur në këtë histori të shënohen viktimat e para,
atëherë duhet të nxitojnë sa më shpejt drejt këtij vendi dhimbjesh, plagësh,
gjaku e hidhërimi, për të dhënë një mesazh përkrahje e shprese. Kambana bie,
por veshët ajme, janë të shurdhër.