Mendime
Enver Bytyçi: Pse është i pamundur një koalicion Rama-Basha ose Basha-Rama?
E diele, 18.04.2021, 01:16 PM
Pse është i pamundur një koalicion Rama-Basha ose Basha-Rama?
Nga
Enver Bytyçi
Edi
Rama dje i kërkoi kreut të opozitës, zotit Basha, që pas 25 prillit të bëhen
bashkë e të qeverisin Shqipërinë, siç tha ai, se këtë "e kërkojnë
shqiptarët". Në fakt shqiptarët
kërkojnë ndryshimin, jo vazhdimësinë e qeverisjes Rama. Ndryshimin e kërkon edhe
SHBA dhe Europa. Por kjo lëvizje e kryeministrit në detyrë të vendit tonë
kërkon përgjigjen e dy pyetjeve:
1)
Pse Edi Rama e kërkoi në dhjetë ditëshin e fundit të fushatës elektorale
bashkëpunimin dhe koalicionin qeverisës me opozitën?
Aq
më tepër kur ai për tetë vite e dhunoi atë, e përçudnoi, e rrahu me shkop gome
dhe e plagosi me gaz lotsjellës, duke marrë në duart e veta jo vetëm timonin,
por edhe tepsinë e florinjtë të buxhetit dhe taksave të shqiptarëve?! Kjo
lëvizje e Ramës shpjegohet me disa arsye:
Së
pari, ai nuk mund t'i fitojë zgjedhjet. Madje nuk do të mund të dalë as parti e
parë. Në këto kushte varka e shpëtimit për të do të ishte një koalicion
qeverisës PD-PS. Duke dështuar në kërkesën për të marrë presidencën, tani
kërkon një lloj garancie për të shpëtuar lëkurën e tij. Kjo do të thotë se ai
nuk ka problem humbjen, problemi i tij është ndëshkimi që i vjen nga kjo
humbje.
Së
dyti, në variantin më pak të dobishëm, nëse debati vazhdon, Rama synon që të
rikrijojë tek të pakënaqurit opinionin se "Të dy janë njësoj"! Kjo
taktikë për ta degraduar opozitën dhe liderin e saj para elektoratit është e
njohur. Por Lulzim Basha e ka tashmë një përvojë politike të mjaftueshme për të
kuptuar lojën e rrezikshme e djallëzore të kryeministrit në detyrë. Prandaj ai
duhet që sot t'i japë një përgjigje të prerë kërkesës së kreut të ekzekutivit
dhe pas ditës së sotme të mos merret me të. Le të bëjë monolog Rama.
Monologu
i tij doli i pasuksesshëm në fushatë, ndaj kërkon të hapë një temë dialogu.
2.
Pse kreu i opozitës, Lulzim Basha, nuk mund të bëjë koalicion me Edi Ramën?
Sepse ai ka krijuar një koalicion parazgjedhor.
Sovrani
do të votojë për njërën ose tjetrën palë dhe e sigurt është që opozita do të
jetë fituese bindëse e zgjedhjeve të 25 prillit. Kolaicioni me LSI-në është
tashmë një realitet. Do të ishte absurde që dikush të mendojë atë që nuk mund
të bëhet, shkeljën e marrëveshjes së qeverisjes nga ana e Lulzim Bashës!
Sepse
Lulzim Basha ka nënshkruar disa marrëveshje me grupet e interesit. Do të shkelë
ai mbi marrëveshjen për teatrin?! Apo do të "shesë" heronjtë e
Unazës?! Kujt mund t'i shkojë mendja se Basha do të hedhë në kosh marrëveshjen
me ish-të persekutuarit politikë, me shoqatën e bisnesit të vogël dhe me grupe
të tjera interesi, deri te ajo me shoqatat e grupeve të margjinalizuara?! Do të
heqë dorë Basha nga koncepti i 9 përqind të taksës së sheshtë, me të cilin Rama
tallet! Apo nga premtimi për heqjen e taksës Rama të naftës?! Do të heqë dorë
nga premtimet e tjera, deri te naftëtarët dhe minatorët?! Eshtë e pamundur!
Dikush
mund të thotë se Rama mund t'i pranojë kushtet e Bashës?! Më mirë se kushdo në
këtë vend është Lulzim Basha ai që e njeh pabesinë e Edi Ramës. Nëse ka njeri
të lënduar nga pabesia e tij, ky është pikërisht lideri i opozitës. Por edhe
sikur të kishte garanci në realizimin e programit të Bashës, një koalicion me
Edi Ramën dhe Rilindjen e tij është i pamundur!
3.
Lulzim Basha ka premtuar ndryshimin, jo vazhdimin e qeverisjes së korruptuar
dhe inkriminuar të Edi Ramës. Ndryshimi vjen duke përmbysur regjimin autokratik
të Ramës dhe jo duke qeverisur po me Ramën. Ndryshim do të thotë integrim në BE
sipas konceptit të Bashës dhe jo largim në drejtim të paditur në Lindje, siç
bën Rama!
Ndryshim
do të thotë shtet ligjor të së drejtës dhe jo shtet të oligarkëve politikë,
financiarë, ligjzbatues e mediatikë! Ndryshim do të thotë qeverisje pa
korrupsion dhe jo justifikim në rastin më të mirë dhe vazhdimësi në
korrupsionin e rilindjes në rastin më të keq!
Detyra
e Lulzim Bashës është të ndëshkojë ata që kanë shkelur ligjet dhe janë zhytur
në korrupsion të paparë. Eshtë që të çojë para drejtësisë të gjitha aferat që
ai i ka denoncuar në këto tetë vite. Eshtë që të ndëshkojë fajtorët e
kanabizimit të vendit! Asnjë shkelje ligjore nuk duhet e nuk mund të mbetet e
pandëshkueshme.
Ndryshe
nuk do të vijë ndryshimi e nuk mund të kthehet shpresa për qytetarët shqiptarë.
Nuk do të përfundojë as tranzicioni. Nuk mundet që këto premtime të bëhen
realitet në një koalicion me Edi Ramën dhe Rilindjen, edhe nëse kreu i opozitës
në këtë koalicion do të kishte postin e kryeministrit!
Për
të gjitha këto që u përmendën më lart, rezulton se hilacaku Rama e hodhi idenë
e koalicionit të madh qeverisës me qëllim që të çoroditë opinionin dhe votuesit
e 25 prillit. Ndaj përgjigja është dhe mbetet një: Asnjë lloj koalicioni dhe
bashkëpunimi me Edi Ramën. Bashkëpunim e konsensus me opozitën e datës 26
prillit për reformat që i duhen vendit dhe integrimin europian. Nuk ka ndonjë
formulë tjetër që e bën ndryshimin e madh, të cilin e kërkojnë dhe e presin me
shumë shpresë qytetarët shqiptarë!
Në
diskursin e këtij opsioni Rama, mediet dhe njerëzit mediatikë pranë qeverisë
përmendin si shembull koalicionin e madh në Gjermani. Por kur ky koalicion u
arrit në Gjermani më 2005-ën, kancelari Schroeder ishte humbës i zgjedhjeve.
Edhe Rama do jetë humbës si ish-kancelari gjerman. Por Schroder dhe SPD nuk
qenë zhytur në korrupsion. Nuk ndodhën në qeverisjen e tij tetë vjeçare
skandale të përditshme, si këto që kanë ndodhur me qeverinë e rilindjes. Nuk
pati dallime në programet e të dy partive CDU/CSU-SPD, siç ka në Shqipëri.
Opozita nuk ishte detyruar të dilte nga parlamenti e të digjte mandatet.
Qeveria e mëparshme nuk kishte përdorur të gjitha njetet e dhunës kundër
opozitës.
Ndaj
të bësh këtë krahasim do të thotë të krahasosh të pakrahasueshmen. Duhet të
vijë civilizimi dhe demokracia gjermane në Shqipëri e atëherë mund të ketë një
koalicion të madh, nëse këtë e diktojnë qytetarët. Në Gjermani SPD bashkë me
Grynen dhe Partinë e Majtë mund të bënin shumicën në vitin 2005. Por SPD nuk
pranoi të marrë në koalicion ish-komunistët e Gjermanisë Lindore, sepse i
shihte si ekstremistë të qendrës së majtë. Ndaj ndodhi koalicioni i madh. Edi
Rama nuk është si SPD gjermane. Ai bën koalicion me kriminelë, mjafton që të
garantojë pushtetin e tij!