E enjte, 22.04.2021, 02:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Lahuta dhe lahutarët në rrezik zhdukjeje në Hot, Grudë, Triesh e Kojë

E shtune, 06.03.2021, 05:12 PM


Lahutari  Gjokë Kalaj nga Gruda-Malësi

Trashëgimia shqiptare

Lahuta dhe lahutarët në rrezik zhdukjeje në Hot, Grudë, Triesh e Kojë

Nga Gjekë Gjonaj

Malësorët  e  Hotit, Grudës, Trieshit e Kojës   janë të njohur për artin  e  veglave muzikore tradicionale. Ata,  përveç  çiftelisë, fyellit, zymareve, defit dhe tupanit   preferonin edhe lahutën.   Dikur    shumicën e rasteve pothuaj çdo familje kishte nga një lahutë të varur në mur. Shtëpia pa lahutë quhej “ shtëpi e lanun”. Ishte turp për  malësorin të mos e kishte  në shtëpi një lahutë dhe një pushkë. Lahuta dhe pushka ishin dy koncepte a dy dukuri , që kanë  ndërmjet tyre lidhje të dyanshme për çdo familje malësore. Lahuta u shërbente  malësorëve   për t’u kënduar  kreshnikëve shqiptarë, nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare,   kurse pushka për t’u mbrojtur nga armiku.

Lahutën e kanë përdorë burrat-lahutarët, të cilët  kur i binin këtij instrumenti   qëndronin këmbëkryq  dhe e mbanin atë  në mënyrë të pjerrët në drejtim të këngës së djathtë , së bashku me harkun. Lahutarët  i  binin dhe i këndonin lahutës në raste të ndryshme gëzimi, në ndeja pas darke , pranë oxhakut,    manifestime të rastit dhe në  gara  e festivale  folklorike vendore, kombëtare e ndërkombëtare.

Burrat  e  Malësisë e përdornin  me ëndje të madhe dhe e dëgjonin me vëmendje   të posaçme    këtë vegël ilire-arbërore shqiptare, e cila sipas specialistëve shqiptarë përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave  kordofone  me hark ( së paku 9.000 vjeçare)  të kontinentit evropian.  Kjo vegël muzikore me shekuj  ka argëtuar, motivuar, inspiruar, promovuar, shoqëruar e ngazëlluar shpirtin  krijues të  kësaj pjesë të popullatës shqiptare në trojet e tyre  etnike,  e cila që nga Kongresi i Berlinit padrejtësisht u shkëputë nga shteti amë – Shqipëria.  Kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe malësinë e trimërinë , i nxiste në luftë  patriotët për të luftuar për atdheun e trojet e tyre. Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë, lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve.

Me lahutë është kënduar Teuta e Genti, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu e Lekë Dukagjini, Nora e Kelmendit, Oso Kuka,  Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Mic Sokoli, Ded Gjo' Luli, Çun Mula, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Galica, Prekë Cali dhe luanët e maleve që ranë gjatë shekujve në betejat për liri.

Secila lahutë  ka nga një histori. Shumë janë të gdhendura bukur. Në kokat e tyre sheh të gdhendura simbole të njohura që hasen në mitologjinë gojore shqiptare e sidomos në Eposin e Kreshnikëve, të tilla janë Orët e malit, Zanat, gjarpri shërues, kreshniku, dielli, hëna me yjet, por edhe koka e dhisë, e cila ndeshet rëndom te ky instrument. Zbukurimi i saj bëhet edhe me portretin e gdhendur të Gjergj Kastriotit dhe e shton krenarinë e dëgjuesve të këngëve epike me historinë e famshme të fitoreve të popullit shqiptar para rreth gjashtë shekujsh. Ajo   zbukurohet edhe me portrete të figurave të tjera të shquara të dy shekujve të fundit, nga Rilindja e deri te UÇK-ja dhe Adem Jashari.

Malësia në periudha të ndryshme historike ka pasur  shumë lahutarë e rapsodë popullorë.  Është gati e pamundur që  të evidentojmë të gjithë  emrat e tyre, sepse mungojnë të dhëna të shkruara. Por, po përmend  disa  prej tyre, duke kërkuar ndjesë ,  respekt e mirëkuptim   për të gjithë të tjerët.

Lahutarë nga   krahina e Hotit  janë:  Gjokë Prëlota Gjelaj ( 1903-1976) , Gjeto Mirashi Gjonaj ( 1909-1972), Llesh Prëla Camaj ( 1920-2020),  Zef Prëtashi Dushaj ( 1933-1999),   Zef Gjoka Gjelaj ( 1935) , Martin Dushaj ( 1937), Pjetër Zefi Gojçaj ( 1937-2008)), Luigj Gjeka Dushaj, Nrekë Marku Dushaj ( 1939) , Nosh Gjoni Lajçaj ( 1941), Gjelosh Nika Junçaj ( 1941), Kolë Toma Dedvukaj ( 1948), Nikollë Ujka Junçaj ( 1950), Marash Ujka Junçaj ( 1950), Gjergj Kola Gjelaj ( 1951),  Gjokë Luca Gojçaj ( 1955), Gjon Dedvukaj ( 1955), Lucë Pjetri Gojçaj ( 1965), Agron Pllumaj ( 1986), Fran Marku dhe  Aleks Gjergji Dushaj ( 2001).

Lahutarët më në zë nga Gruda janë:  Gjokë Kalaj Marash Deda Lulgjuraj, Halil Rrusta Kajoshaj, Gjergj Uci Vulaj,  Dodë Lulgjuraj dhe Hilë Lulgjuraj.

Nga mali i Kojës  me lahutë kanë interpretuar, Kolë Uci Ulaj, Prelë Kola Ulaj,Pjetër Pretashi Ulaj , Kolë Bardhi Krcaj, Prelë Kola Krcaj,   Nosh Kola Krcaj, Dok Marashi Ivanaj dhe  Gjergj Mirashi Marashaj,

Edhe Trieshi dikur ka qenë çerdhe e lahutarëve  e instrumentistëve të tjerë shumë të njohur, si :  Nikollë Gali Lekoçaj, Tomë Nikolla Lekoçaj, Nikollë Sokoli Lekoçaj,  Nikollë Gjoni Lekoçaj,  Gjokë Nikolla Lekoçaj, Zef Gjoni Micakaj, Gjokë Prëla Dedivanaj, Nikollë Lucaj, Fran Lleshi Lucaj, Dodë Prëka Micakaj, Mark Zefi Micakaj Gjelosh ( Losh) Nou Memçaj, Nikollë Nikprelaj, Rrok Zefi Prenkoçaj, Zef Pjetri Lucaj, Pjetër Gjergji Lucaj, Gjergj Pjetri  Lucaj, Tomë Leka Lucaj dhe  Mark Pjetri Lucaj.

Lahuta është një instrument, i cili lidhet ngushtësisht me Eposin Shqiptar dhe, bashkë me mospërdorimin e Eposit, po zhduket edhe vegla muzikore. Specialistët shprehen se faktorët kryesor  që po çojnë në zhdukjen e këtij instrumenti muzikor, i cili është unik dhe më i vjetri në llojin e vet në Evropë, jo vetëm nga Malësia, por  edhe nga të gjitha trevat mbarëshqiptare janë se po tregohet pak vlerësim nga ata që e kanë trashëguar këtë instrument dhe  se blerësit e huaj po tregohen të uritur për ta pasur, për ta blerë këtë instrument muzikor.

Njohësit e mirë të lahutës  shprehen të shqetësuar se në rastet e riprodhimit të këtij instrumenti vihen re elemente të reja, jo sipas traditës sonë kombëtare, por të kopjuara nga kultura e huaj. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi që flet shumë.

Tashmë është faza  kohore e fundit  e njerëzve përgjegjës  të cilët  merren me kulturën muzikore dhe artistike  të shqiptarëve që  institucionet shtetërore të arsimit dhe kulturës në Mal të Zi  ta njohin këtë instrument shqiptar.  Ta  përfshijnë atë në  institucionet  shtetërore  të specializuara  për studimin dhe promovimin e saj. Ta fusin   në koleksionet  tona muzeore.  Ta popullarizojnë këtë vlerë trashëgimie kulturore tek opinioni publik dhe në mënyrë të veçantë te rinia dhe nxënësit. Sepse lahuta për  shqiptarët-malësorë nuk është vetëm argëtim. Është histori, qytetërim, traditë, shije estetike, shpresë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora