E merkure, 22.09.2021, 06:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Musa Jupolli: Dashuria si përkushtim

E hene, 01.03.2021, 09:18 PM


Dashuria si përkushtim

Koha mitike, hapësira shtegtimi, rizgjimi dhe kodi i shkrimtares Angjelina Marku

Nga Musa Jupolli, shkrimtar, Francë

Bota imagjinare rikthyer në botën e reales, imagjinata dhe realja në bashkëbisedim, në kundërshtim, në pajtim, në luftë të ashpër, me një synim, me një ideal, me një botë që kërkon jo vetëm logjikën, por edhe filozofinë e përjetimit, përshkon romanin më të ri të Angjelina Markut “Shtyje hënën”. Pra vepra ka kuptim vetëm atëherë kur i pranojmë të gjitha këto “kacafytje”, jetën në udhëtim shekujsh dhe deri më sot. Udhëtimi është i gjatë… «mos më thuaj se dheu të ka prishur kujtesën tënde të mprehtë, sepse nuk të besoj»…lexohet në roman fantazia e autores dhe në ndihmë i vjen zëri i arsyes … «mos më thuaj se nuk e njeh ngjyrën e zërit tim» …

Imagjinata e autores përputhet me dheun e lindjes, me kujtimet që nuk shlyhen, me historinë, të pashtershmen dashuri dhe i gjithë kuptimi i jetës që janë frymëzim, por japin edhe mesazhe për të demaskuar të keqen.

Struktura e romanit

Krijuesja vjen me këtë roman duke përshkruar nëpërmjet fantazisë historinë e vendlindjes ku ka shpirtin dhe tokën, shqiponjën dhe dashurinë si përkushtim. «Jeta dhe Vdekja kanë një kuptim, ose të madhërojnë ose të shëmtojnë!». Dashuria dhe lindja kanë një synim, ndaj ballafaqimet të shpien në valë që përjetohen, në shpirtra që ndihen, në pikësynime dhe ideale që murosen. Eufemizmi dhe etika e njeriut, po mbi të gjitha «heroina» e romanit pa dashje që të jetë e para ngadhënjen, krejt e rilindur. Për të udhëhequr shpirtrat e njerëzimit të mirë, po e «përkëdhelte pleqëria», pak ndryshim nga autorja ku thotë: «po e vriste pleqëria!». Pse Ela gjendet mbi varrin e të dashurës së Serafinit? Lexuesin do ta vendosë në një «dilemë» të madhe! Pse dashuria ka rrjedhën që nuk pritet, as edhe nuk mendohet pa një imagjinatë që e ndryshon ndjenja, apo filli i një «flijimi» me një «zog» perëndie, që nuk ka datë që e përcakton lindjen e tij, të cilën e quajmë Shqiponjë! Misteri i gjithë kësaj ideje na ndjek në romanin e Zonjës Marku.

Ç’do të thotë autorja me këtë fjali të shkurtër sa një jetë e ëndrrave që vetëm mund t`i parafytyrojmë: «Ata njohin vetëm një botë, botën e së bukurës!» Cilët: Tea me Serafinin, apo Ela me dashurinë që i zbriti si zog nga qielli? Monologu i Dr. Serafinit, kryepersonazhi i faqeve të para dhe gjithë imagjinata e këtij njeriu janë diçka e re në letrat shqipe, pra në romanin e Angjelinës, ku ndeshim kuptimin, filozofinë e një mjeku që përbën bazën e romanit! Shqiponja tek pllaka e të dashurës së tij që po bënte roje përmbi varrin e saj … lexuesi do të jetë i një mendimi me ecurinë apo kundërshtimin? Këtë le ta thotë mendja e tyre, le ta thotë edhe kritika, se kemi të bëjmë tashmë me një stil të vetin të Angjelina Markut.

Çelësi i Angjelina Markut, Kodi i ri!

Helena, kjo Hyjneshë e bukur si Helena e Trojës, shqiponjë qielli kokëlartë! Kjo shqiponjë zbret edhe në tokë kur e thërret koha! Guximi i shqiponjës: «Kam lindur Shqiponjë e jo sorrë», ndaj shqiponja nuk jepet. Nëna e saj ka ardhur mu nga qielli në lindjen e Helenës së bukur si dielli! «Jam simbol i popullit tim», është aludim i dashurisë për Atdheun nga shkrimtarja. Aty ku ideali ndeshet me shëmtinë, rezistenca është e pamëshirshme! Lufta ka kuptim vetëm atëherë kur thirret për liri, përndryshe shëmtia bëhet udhëtare e të ligave dhe e dëshpëron shqiponjën e qiellit!

Kundërshtimi

«Mishi dhe gjaku i tharë». Tragjeditë nuk vijnë rastësisht. Personazhe të tilla janë mjeshtër. Përmes këtyre personazheve, krijohen dramat, zaten dramat i quajmë «greke» kur ato janë shqiptare, janë mitologjia jonë qysh nga koha e lashtë e njeriut në trojet e Arbërisë, në besimin e përvjedhur edhe sot, e ndieshme si temë, e domosdoshme për të ardhmen e kulturës dhe historisë sonë. Refuzimi dhe pranimi i tyre janë në dilemë, se edhe ne i kemi, apo janë mitologjia jonë qysh nga koha e lashtë e njeriut në ato troje të Arbërisë! Helena e romanit, është ajo antike, ajo e ditëve tona. E lindur në kohën kur tokës i erdhi drita nga Helena, dritë nga qielli dhe hëna, ajo e para, ajo e sotmja, ajo e nesërmja, ajo e betimit, nimfë mali me bukurinë e magjishme të natyrës, zaten nuk ka tjetër shpjegim veçse shpirti i saj përputhet me atë çka kemi dëgjuar nga mitologjia pellazgo-ilire. Këtë e gjejmë në mënyrën më të bukur dhe më të dashur në romanin e Angjelinës!

Kthesa

Shqiponjat, lisat, rrënjët, vetë shpirtrat u zgjuan për tokën e «moçme». Këtu del zëri kumbues i shkrimtares, se kjo tokë, kjo lindje ka histori që duhen ditur dhe duhen ruajtur!

«Shqiponja, shpendi më fisnik në botë!» ku mund të vallëzojë ajo më bukur se me notat e Lahutës! Autorja kap pikën kulminante të romanit në udhëtimet e saj, pra të Shqiponjës me Helenën, në krahët e së cilës jeta merr kuptim dhe na duket se jemi para dramave të moçme shqiptare me besnikëri që quhet shenjtëria jonë, apo kulti i malësorëve që na dalin vallëzues të mrekullueshëm, tipare këto që rrallë kush mund t’i ketë, veç këtij dheu!

Besa dhe Kostandini

Aty ku shpirti fle ëndshëm si Helena dhe dashuria, aty ku asnjë grua nuk dëshiron prehrin e saj të «thatë», pra sublimja për sublimen nuk matet as me flori as me një peshë tjetër. Ja si e nxjerr Angjelina këtë madhështi: «Të tilla gra e mbajnë botën e madhe në grushtin e tyre të vogël»

Kur na shfaqet Kostandini, ky kryepersonazh i të gjitha kohëve në udhëtim shekujsh në kohë të shkuara, dhe sot aty sy më sy me të bukurën Helenë, romani është kështjellë me disa kulme që quhet Kodi i shkrimtares! Ndërsa unë do të them: Gruaja ka kodin për gjëra të paimagjinuara, ku mrekullia shihet vetëm me sy të mirë, por në asnjë kohë me sy të ligësuar! Duke lexuar romanin, ndeshim thënie aq të fuqishme sa na nguliten në kokë dhe nuk harrohen më, që përbëjnë kodin magjik të shkrimtares: «Të falësh është mrekulli, mos pendimi është dhunë», një botë e tërë shpirtërore që ka filozofi të njëshme, që ka shpirt për vepra të mira! Në roman personazhet negative kanë një fuqi përshkrimi të veçantë ku pesha e tij matet me dy pole: të pajtimit dhe kundërshtimit, të keqes dhe të mirës, të shëmtisë dhe bukurisë!

Mesazhi im

Të mos harrojmë lindjen tonë në gjithë këtë udhëtim, sa në imagjinatë, po aq të përjetësuar, kulturën tonë, ata që jemi në qenien tonë shqiptare! Populli ynë ka një Shqiponjë që ka lindur para çdo besimi a predikimi tjetër, me një emër, me një gjuhë me një Flamur dhe himnin që i përket. - Ndaj, dje e sot, për jetë dhe për vdekje, me një besim mu si lulet në kopshte, mu si lisat mes tokës dhe qiellit është kombi ynë!

- “Do të më mungosh! - tha dhe lotët i ranë mbi gjoksin e Kostandinit. Ora ende maste dashurinë’’.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora