Mendime
Basir Çollaku: Diktatura e re e bijve e do të vdekur Agron Tufën
E shtune, 27.02.2021, 08:34 PM
Diktatura e re e bijve e do të vdekur Agron Tufën
Nga
Basir Çollaku
Diktatura e re e bijve
Shqipëria
po hyn në zgjedhjet parlamentare 2021 me një paradoks monstruoz: pas 30 vitesh
nga rënia formale e diktaturës komuniste, Shqipërisë i duhet të ndeshet sërish
me po atë trashëgimi diktatoriale, të cilën pandehëm se e rrëzuam. Është i
njëjti establishment ideologjik, janë të njëjtët personazhë të pushtetit të
djeshëm diktatorial. Mikstura politiko-ideologjike në rastin tonë është kalimi
i pushtetit nga etërit te bijtë dhe nipërit. Bijtë tashmë kanë arritur të
restaurojnë dhe në fakt po i japin vijat e fundit dizajnimit të diktaturës së
re, duke e shkërbyer atë si demokraci në agjendat e jashtme politike.
Por
fasada e restauruar e diktaturës së re nuk mund të mbulohet. Së pari, ajo bie
në sy nga Parlamenti njëngjyrësh i ish-PPSH-së me kreun e saj, ish-spiun të
sigurimit, ish-kryetar të KP Tepelenë, ish-ministrin e Brendshëm të fundit të
diktaturës, Gramoz Ruçi. Vetë qenia e tij në majë të piramidës legjislative të
Republikës, tregon se jemi rikthyer 30 vite mbrapa, në kohën kur ai kishte një
post më të ulët se ky i sotmi. Ekziston dhe një opozitë-kukull, mercenare, që
nuk përfaqëson asgjë e askënd, që është joshur të jetë e pranishme për t’i
dhënë oksigjen parlamentit monist, për ta legjitimuar në terma teorikë
pushtetin e diktaturës së bijve.
Opozita e vërtetë është
jashtë parlamentit
Së
dyti diktatura e re e bijve ka instaluar tashmë prej vitesh në krye të
institucioneve më të rëndësishme e më të ndjeshme të shtetit “qentë e vjetër
besnikë” – ish-oficerët e ish-shefat e Sigurimit të etërve, tok me ish-organet
e drejtësisë së diktaturës. Ata kontrollojnë jetën administrative dhe publike
të shtetit përmes Shërbimit Informativ, Policisë së shtetit, Akademisë së
Sigurimit të Policisë, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar
(DSIK), Shtabit të Forcave të Armatosura, Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të
ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe
Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Mbeten
për t’u futur nën kontroll Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, por tashmë
instrumentet e vetingut kryesohen nga ish-shefat e Sigurimit të shtetit dhe
kësisoj, përmbyllet me grusht të çeliktë restaurimi homogjen i diktaturës së re
të bijve. Qentë besnikë të diktaturës së vjetër nuk e kanë aspak problem
ndërgjegje të dëshmojnë zellin e dikurshëm në shërbim të diktaturës së re
(njëlloj si në diktaturën e etërve), në të gjitha ndërmarrjet e skemat e sotme
të korrupsionit e trafikut shtetëror.
Së
treti, të gjithë tashmë e kemi parë likuidimin e lirive para syve tanë, rekrutimin
dhe pushtimin e mediave për çka flasin dhe raportet ndërkombëtare. Ustallarët e
diktaturës dinë si t’ua mbyllin gojën të vërtetave, dinë si t’i terrorizojnë
protestat e shoqërisë. Metodat e paceremonishme e brutale, dhunën dhe
shantazhet, arrestimet, vrasjet, rrahjet e përgjakjet i kemi parë tashmë. E
pajisur me këtë arsenal të gjithanshëm kriminal, diktatura e re përgatitet në
mësymjen vendimtare për betejën finale: fitoren e zgjedhjeve elektorale të 25
prillit 2021.
Diktatura
re nuk shet dokrra parimore ideologjike si diktatura e vjetër: qëllimi i saj
është të sundojë me çdo kusht përmes oligarkëve të familjes së vet politike –
një klientelë, të cilën e ka fuqizuar me aferat korruptive shtetërore. Kjo
klientelë oligarkësh tok me trafikun e kontrolluar të drogës dhe instalimin
masiv në poste kyçe të ish-shefave të Sigurimit, angazhohet, siç e kemi parë,
në zgjedhjet elektorale për të shpartalluar vullnetin dhe pavarësinë e votës së
lirë.
Diktatura
e bijve e glorifikon dhe e rehabiliton çdo ditë prejardhjen e familjes nga
vjen, krenohet me mitin dhe krimet e etërve. Provoni t’i prekni pinjojtë e
etërve në këtë «thembër» të ndjeshme dhe atëherë do ta shikoni tërbimin dhe
shpërfytyrimin e tyre. Rastin më ilustrues të demaskimit të trashëgimisë totalitare
të etërve – restaurimin e diktaturës së re të pinjojve, e përbën ish-drejtori i
Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, shkrimtari Agron Tufa.
I
referohemi shembullit të Tufës, jo vetëm pse ai shkaktoi tërbimin dhe
përbetimet e xhindosura të pushtetit të etërve, por për shkak se denoncimet dhe
demaskimet e tij u bënë institucionalisht, në bazë të ligjit, pa kompromis.
Edhe pse, për fat të keq, në një përballje të vetmuar, pa mbështetje. Përveçse
një shërbim i shquar në dobi të atdheut dhe shoqërisë, konfrontimi i tij ishte
dhe një test që nxori në pah shumë gjëra, të cilat na dukeshin të pagjasa. Ndër
to dhe faktin sa e ngulfatur, sa e strukturuar dhe sa perfide është trashëgimia
totalitare e diktaturës së etërve dhe se si me po atë lëndë po gatuhet
diktatura e re e pinjojve.
«Thuaje të vërtetën dhe
shko e mbyllu për gjak»
Kështu
thotë një proverb i trevës verilindore nga vjen Agroni. Përmes Institutit të
Studimit të Krimeve të Komunizmit Agron Tufa dëshmoi shkallën gjenocidale të
përndjekjes së qytetarëve gjatë diktaturës, luftën e klasave dhe gjyqet e
inkuizicionit komunist (me mbi 100 volume studimore, lëndë arkivore, dëshmi
memuaristike, albume dhe projekte enciklopedike, filma dokumentarë, mësime të
hapura nëpër gjimnaze e universitete etj). Por kur strategjia e përhapjes së
dëshmive dhe krimeve të komunizmit nisi të shtrihej në media, për publikun e
gjerë, atëherë pushteti e harroi detyrën ligjore që ai përfaqësonte dhe u
përpoq t’i mbyllte gojën me kërcënime, shantazhe e shpifje në stilin e njohur
të skenarëve të ish-sigurimit.
Edhe
më parë debatet publike që kishte shtruar Tufa kishin sjellë shqetësim e acarim
të elitave nostalgjike të diktaturës, të lidhura natyrshëm me pushtetin e sotëm
të pinjojve. Kujtojmë debatet e tij publike për implikimin e shkrimtarëve të
sistemit me organet e drejtësisë komuniste në dënimin apo pushkatimin e
poetëve; debatin e acaruar për shfaqjen e pandërprerë të filmave dokumentarë e
artistiko-propagandues të kohës së komunizmit; debatin për muzealizimin e burgjeve
dhe kampeve të vdekjes me tela me gjemba (kampin e Tepelenës) etj.
Por
përballjen më të ashpër e më të pabarabartë me figurat e larta të pushtetit dhe
parlamentit shënon pikërisht fundi i vitit 2018 dhe gjithë viti 2019 kur Agron
Tufa guxoi të ndërmerrte operacionin ligjor të evidentimit të ish-oficerëve të
Sigurimit famëkeq të diktaturës, që kishin mbushur institucionet më të larta
demokratike të shtetit. Me një shkresë të bazuar në ligjin mbi transparencën
dhe të drejtën e informimit, Tufa e nisi fushatën e evidentimit të ish-shefave
të sigurimit nga parlamenti e ministritë, deri në institucionet shtetërore të
rëndësisë së veçantë. Tufa hyri kësisoj në një përballje të pakompromis me
majën e trashëgimisë komuniste në pushtet, duke pasur me vete aleat vetëm
ligjin.
Në
këtë periudhë Tufa bën të parin kallëzim penal zyrtar në Shqipëri pranë
Prokurorisë së Krimeve të Rënda për «krime kundër njerëzimit» në adresë të
Edmond Cajës, ish-shefit të policisë së kamp-burgut politik të Qafë-Barit
(kallëzim të cilin e pushoi kreu i SPAK Arben Kraja në dhjetor 2019, sapo u
zgjodh në detyrë). Këtë Tufa e dubloi dhe me një kallëzim penal në gjykatën e
Mynihut, në rrethinat e të cilit ushtron biznesin ky ish-xhelat i burgjeve
komuniste.
Reagimi
i pushtetit erdhi vetëm pas 4 muajsh, më 1 prill 2019, nga salla e Komisionit
të Ligjeve në Kuvend, përmes ish-gjykatësit ushtarak të diktaturës, ligjvënësit
Spartak Braho, pasi kishin gjetur tashmë një pretekst, që të mos kishte të
bënte me çështjen e pranisë së dendur në institucionet e shtetit të
ish-oficerëve të Sigurimit. Preteksti qe kërkuar me sforcim të madh në botimet
e ISKK të vitit 2014 në librin studimor «Krimet e komunistëve gjatë luftës
(1943-1945)». Qe gjetur «hedhja baltë mbi luftën e lavdishme
nacionalçlirimtare», që e patën udhëhequr Dushan Mugosha, Miladin Popoviçi dhe
çiraku i tyre Enver Hoxha.
Miti i «luftës së
shenjtë» dhe fushata e linçimit kundër Tufës
Braho,
Brokaj, Bare, deputetët, ish-ministrat e ish-diplomatët – besnikë e nostalgjike
të enverizmit – nuk mund të dilnin në mënyrë tepër të trashë kundër narrativës
së Agron Tufës mbi çmontimin e ish-Sigurimit nga politika dhe institucionet e
sotme, të cilat duhet të jenë demokratike. Kjo duhet lënë në heshtje. Por ama
mund ata mund ta shajnë e ta anatemojnë, ta kërcënojnë e ta shantazhojnë Tufën
(siç ngjau) në emër të luftës, mitit të shenjtë themelor të komunistëve,
ndonëse të fryrë me propagandë e gënjeshtra. Luftë, të cilën komunistët e patën
degraduar në «luftë civile», terror e ekzekutime pas shpine të figurave më të
shquara intelektuale.
Kështu,
në narrativën e tyre nuk kumboi asnjëherë asgjë mbi të cilën e kishte vënë
theksin Tufa: Kush është e kaluara e secilit në politikën e sotme? Kush i
udhëheq Gjykatat, Prokurorinë, Shërbimin Informativ Kombëtar, strukturat e
Policisë së shtetit? Kush janë ministrat? Kush janë deputetët, të kaluarat e
secilit aktor në këtë maskaradë? Si erdhën? Kush i solli? Ç’përfaqësojnë? Kujt
i shërbejnë? A është e ligjshme? Çfarë garancie morale na japin këta njerëz të
implikuar me krimet e diktaturës? A e ka problem higjiena e tyre morale të
bashkëpunojë sot me krimin shtetëror, me trafiqet dhe korrupsionin?
Fushata
e fyerjeve, shpifjeve, kërcënimet e përsëritura me vdekje për Tufën dhe
familjen e tij, që filloi nga 1 prilli 2019 zgjati edhe pas largimit të tij
familjar në azil politik në Zvicër. Tufa veproi deri në fund institucionalisht:
kërkoi drejtësi nga instancat e pushtetit në Kuvend, në prezencën e OSBE,
ndërkohë që bëri pesë padi dhe kallëzime penale. Organet proqeveritare të
drejtësisë luajtën farsën e tyre dhe në fund të gjitha këto padi e kallëzime u
pushuan ose u mbyllën kundër tij. Një muaj para largimit nga Shqipëria, Agron
Tufa mori kërcënime të reja me vdekje, ndaj iu drejtua me një letër dhjetë
ambasadave të vendeve më të rëndësishme perëndimore për të kërkuar mbrojtje
prej tyre.
Sigurisht,
ndjeshmëria e dhembshuria e ambasadave te ne, dihet që rezervohet vetëm për
pushtetin e Ramës dhe Rilindjes. Duke mos pasur asnjë garanci për jetën dhe mes
një fushate të pabarabartë shpifjeje e përbaltje, pikërisht nga ata që kishin
qenë ekzekutorë të vendimeve me vdekje për qytetarët gjatë diktaturës, Tufa u
largua përfundimisht nga atdheu në kërkim të azilit politik.
Siç
kemi pasur rastin ta shohim, pas largimit, veprimtaria e tij për demaskimin e
personaliteteve politike e publike që ishin, sipas shprehjes së tij «foljet
ndihmëse të diktaturës», ka vazhduar pa kompromis, me një ritëm edhe më
intensiv. Publikimi i dokumenteve arkivore që dëshmojnë pseudonimet e spiunëve
të Sigurimit të shtetit për kryetarin e sotëm të Parlamentit shqiptar, Gramoz
Ruçit («Cigarja») dhe të shkrimtarit socrealist sigurims, Nasho Jorgaqi
(«Dragoi»), kanë pasë një jehonë të paharrueshme mediatike.
Përbetimi i ligjvënësve
për hakmarrje ndaj Tufës edhe në Zvicër
Veglat
e ish-diktaturës komuniste, Sigurimi dhe organet e drejtësisë (hetues gjyqtarë,
prokurorë), që me ardhjen në pushtet të Rilindjes janë instaluar në krye të
institucioneve më të larta të shtetit, deri në parlament, nuk do ta falnin
Agron Tufën po të qëndronte në Shqipëri dhe akoma më fort, nuk do ta falnin
nëse ai, papritur, nga ndonjë kapriço e fatit do të vendoste të kthehej në
atdhe. Kërcënimet me vdekje ndaj tij, familjes dhe avokatit, herë me mesazhe
anonime e pas ikjes së tij, hapur, publikisht, përmes shtypit, tashmë jo nga
anonimë apo persona privatë, por nga krerë të rëndësishëm të pushtetit
(ligjvënës, ish-ministri i Mbrojtjes dhe një ish-zëvendësministër i diktaturës së
viteve 1980), tradhtojnë nervozimin dhe mllefin e grumbulluar ndaj Tufës, i
cili shpërtheu në përbetime ekstreme. Ata përbetohen se «nuk do lëmë gur pa
lëvizur, unë i pari, po dhe të tjerë përmes meje, do të bëjmë çmos deri sa ta
gjejmë edhe në vrimën më të fundit ku është fshehur atje në Zvicër…» (S. Braho
dhe S. Brokaj në numrat e gazetës Dita të 4-5 dhjetorit 2019).
Ose
«Ne do të bëjmë të pamundurën, në rrugë zyrtare e jozyrtare përmes ambasadave
tona në Tiranë dhe Bernë për t’ia bërë të pamundur qëndrimin atij, jo vetëm në
Zvicër, por në të gjitha vendet e Europës» (Brokaj, Dita, 5 dhjetor 2019).
Ndërsa ish-ministri i Tregtisë së Brendshme të diktaturës, e kishte edhe më
«origjinal» përbetimin: «Nëse Agron Tufës do t’i jepej dënimi i merituar me
vdekje, unë do të dilja i pari vullnetar që t’i jepja plumbin ballit».
Më
ka bërë përshtypje një intervistë në emisionin e gazetarit Denis Dyrnja në
«Top-Talk» («Top Channel»), më 29 prill 2019, kur njëri prej epigonëve të
Spartak Brahos, bejtexhiu enverist i gazetës «Dita» Arben Duka, zbuloi padashje
një skenar tipik sigurims ndaj Tufës. Pasi e quajti Tufën «një terrorist
islamik, i cili falet 7 herë në zyrën e shtetit», ai bëri një pohim të këtillë:
«Agron Tufa ka hyrë në gjak me 28 mijë dëshmorë, me gjithë Shqipërinë. Ne nuk
marrim përsipër çfarëdo që mund t’i ndodhë atij. Ai gjithë jetën do të mbetet i
frikësuar me kokën pas». Pra, nëse do të vinin në jetë planin e tyre për
eliminimin e Tufës, ustallarët e Sigurimit përreth Brahos e Co e kishin
parapërgatitur tashmë alibinë. Si duket largimi i (pa)pritur i Tufës ua paska
prishur planet, andaj patën atë shpërthim përbetimesh patologjike në shtyp.
Agron Tufa i ka
llogaritë e hapura me restauruesit e diktaturës së bijve
Me
publikimet e reja nga azili, Tufa na vërtetoi bindshëm, përmes dokumentash e
aktesh origjinale, se pushteti politik i rilindjes mbështetet në veglat e
ish-Sigurimit dhe drejtësisë komuniste; se organet e reja të drejtësisë, që
kaluan procesin trevjeçarë të vetingut janë kalkuluar për të sjellë në SPAK apo
KLP gjykatës, hetues apo prokurorë të diktaturës që kanë dhënë dënime politike;
se institucionet përgjegjëse për dëshminë e pastërtisë së figurës (AIDSSH dhe
DSIK) ishin të lidhur e të mbushur vetë me ish-oficerë të Sigurimit; se SHISH,
Policia e Shtetit, Akademia e Policisë, të gjithë gëlojnë nga ish-shefat e
sigurimit, ish-kolegë mes vedi, tok me gratë e tyre që shërbejnë në këto
institucione.
Agron
Tufa na tregoi bindshëm, se koka e këtij «oktapodi» gjendet në krye të
parlamentit shqiptar dhe se kryeministri e ndjen tepër familjare mbështetjen e
tyre. Instalimi i kësaj mizërie të policisë politike të diktaturës nuk është
fare i rastësishëm: ata janë thjesht ish-kolegët e Ruçit.
Por
nëse qëndrimi i Agron Tufës në Shqipëri do të kishte pasoja fatale për jetën
(duke pritur drejtësi prej po atyre «foljeve ndihmëse të diktaturës» që ai
demaskonte publikisht, në bazë të detyrës së tij), atëherë një kthim i tij
eventual në atdhe, pas zgjerimit të fushës së luftës së tij kauzale, do të
shënonte likuidimin më se të sigurt fizik të tij dhe të familjes. Pas
përbetimeve publike të krerëve me pushtet absolut, kthimi i tij në Shqipëri do
të ishte i barabartë me tragjedinë dhe veprën e pandreqshme të vdekjes.
Agroni
nuk duhet t’i dëgjojë këshilltarët e tij të këqij, që e tundojnë të kthehet.
Çdo kapriço tjetër e fatit që do ta sillte në Shqipëri, do të sillte të njëjtin
përfundim: hakmarrjen e përgjakshme ndaj tij dhe familjes. Një përfundim të
tillë e nxjerr qoftë dhe mendja më e rëndomtë, që e njeh pushtetin absolut të
«qenve që janë zgjidhur nga zinxhiri i diktaturës» (siç i pëlqente të shprehej
vetë Tufës). Edhe pse është larg, ekziston, është bërë publike një etje
hakmarrëse për të bërë Tufën një shembull ilustrues për këdo tjetër që do të
ndiqte kurajën e tij.
Agron
Tufa i ka lënë vetes shumë llogari të hapura hakmarrjeje, ndër të cilët
përmendim: kryetarin e parlamentit me pushtetin e tij politik apo të bandave që
ai ka pas vetes; kreun e SPAK-ut Arben Kraja, për të cilin Tufa dëshmoi përmes
dokumentave që ai ka qenë hetues i diktaturës dhe ka dhënë dënime politike; me
Këshillin e Lartë të Prokurorinë (kujtojmë publikimin e pseudonimit «Venusi»
për ish-spiunin, mandej hetuesin e diktaturës Bujar Sheshaj – sot anëtar i
këtij Këshilli); me Policinë e shtetit (për publikimin e dokumentave të një
sërë shefash e drejtorësh si Nikollë Rica, Albert Dervishaj, Xhavit Shala, Gani
Zeneli etj.); me DSIK (për publikimin e dokumentave të ish-operativëve të
sigurimit, që sot drejtojnë zyrat e Vetingut); me SHISH, për të njëjtat arsye,
e madje dhe me Shtabin e Forcave të Armatosura, për praninë në poste të larta
dhe aty të 10 ish-oficerëve të sigurimit; për publikimin e akteve të dënimeve
me vdekje dhe me dënime politike të deputetit ligjvënës Spartak Braho e për
shumë figura të tjera të larta drejtuese institucionesh, pa përfshirë këtu
figura publike shkrimtarësh.
Këta
njerëz të pushtetshëm, ish-vegla të diktaturës më parë dhe sot mjeshtra të
korrupsionit shtetëror, me të gjitha fuqitë e pushteteve që kanë, pa opozitë,
nuk do ta tolerojnë kurrë faktin e dekonspirimit publik të së kaluarës së tyre,
prandaj me rastin më të parë do të hakmerreshin, duke hartuar skenarët e një
loje zbavitjeje sadiste, deri në likuidimin fizik të tij e të familjes.
Agron
Tufën dhe familjen e tij nuk do ta mbronte askush, nuk do ta shpëtonte askush,
pse ai, duke luftuar pa kompromis për kauzën e pastrimit të shoqërisë nga
trashëgimia totalitare ka bërë armiq të shumtë e të fuqishëm jo vetëm majtas në
spektrin e politikës.
Teksti është marrë nga gazetamapo.al