Kulturë
Jusuf Buxhovi: Kosova - histori e shkurtër
E diele, 14.02.2021, 12:47 PM
SHTETI I KOSOVËS E RIKTHEN DARDANINË NË HISTORI
Jusuf Buxhovi:
"Kosova - histori e shkurtër", botues: "Faik Konica" dhe
"Jalifat Publishing". Faqe 912.
“Kosova
– histori e shkurtër” paraqet sintezën e “Kosovës” I-VIII të botuar midis
viteve 2012-2017. Botimi i veçantë, në formën e “rrudhur” të atyre që u shtruan në tetë vëllimet me mbi pesë mijë
faqe, ka për qëllim që hapësira e gjerë vëllimore të përmblidhet në një libër
të vetëm, në mënyrë që edhe në këtë formë të jetë në gjendje të përçojë
mesazhet e veprës. Është bërë përpjekje
që me shtrirjen e lëndës në dhjetë kapituj, të ruhet tërësia konceptit të
veprës në aspektin kohor dhe hapësinor, ku
Dardania shfaqet si pjesë e rëndësishme e botës pellazge-ilire nga
antikiteti, mesjeta e hershme, ajo e mesme dhe e vonshme e deri te koha jonë.
Kështu,
në këtë kundrim “të rrudhur”, Dardania ruan unitetin e brendshëm etnik të botës
ilire,në tërësinë e së cilës merrnin pjesë edhe Maqedonasit, Epirotët, Brygët
dhe fiset e tjera nga familja e përbashkët pellazge, siç ruan edhe kohezionin e brendshëm shoqëror dhe politik, së cilës ngjarjet e
caktuara dhe rrethanat e ndryshme nga
antikiteti i hershëm e deri te koha jonë, nuk ia kanë ndryshuar kornizën e
përbashkët.
Paraqitja
e identitetit etnik, atij kulturor, shoqëror dhe politik në një kontekst
historik të thellë dhe të gjerë, pra në kohë (nga lashtësia antike), dhe në
hapësirë (në përmasat etnike), me qasjen
nga rrënjët dhe jo nga degët, nuk është as çështje e thjeshtë e as punë pa vështirësi. Sepse, në njërën anë kemi të bëjmë me thyerjen apo kundërshtimin e
stereotipave të njohur historikë nëpër
të cilat ka kaluar dhe vazhdon të kalojë ajo në dioptrinë e historiografisë
europiane nga shekulli XVIII e XIX e këndej të fokusuara rreth klisheve të
teorisë së indoeuropianizmit kur etnogjenezës shqiptare, të shkëputur nga
çfarëdo lidhjeje me Pellazgët dhe helenizmin si prodhim të tij të përvetësuar
nga Grekët, do t’i vihen limitet e paqarta dhe me shumë dilema të origjinës
ilire. Ndërsa, në tjetrën anë, kemi të bëjmë edhe me koniunktura politike që e
kanë ndikuar atë nga Kriza Lindore e këndej, kur do të shfaqen programet
hegjemoniste serbomëdha dhe grekomëdha (Naçertanja dhe Megaloideja),sipas të
cilave, Shqiptarët do të duhej të përjashtoheshin dhunshëm nga hapësira e tyre
etnike, duke u përdorur “argumentet” e prodhuara prej tyre, sipas të cilave ata
shfaqen diku në mesjetën e mesme, të mjegulluar, pa identitet shoqëror e
kulturor dhe jashtë çdo strukture shoqërore madje, që si të tillë dalin të shkrirë në
amallgamin osman, i rrezikshëm për qytetërimin perëndimor!
Kështu,
rivlerësimi i faktorit dardan në atë të bashkësisë ilire në kuadër të atij
pellazg, nuk ka të bëjë vetëm me kuptimin e lashtësisë, ku i ka rrënjët një
entitet i dëshmuar historik, por për të nxjerrë në pah edhe një të vërtetë historike se Dardania antike, në përmasat e
saj të ngushtuara (pa pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë së Veriuut), është
Kosova e tanishme - shtet i pavarur, e banuar kryesisht nga pasardhësit e tyre
Shqiptarët. Kjo pamje etnike, njihet të
ketë qenë përafërsisht e njëjtë nga antikiteti, koha e perandorisë së Romës,
Bizanti, Perandoria Osmane për të ardhur edhe deri te koha jonë.
Pra,
pamja etnike, pak a shumë e njëjtë me një ndërlidhje mijëravjeçare, megjithatë,
do të ishte e njëanshme dhe e paqartë fare, poqese do të mbetej jashtë
dinamikës shoqërore, politike dhe shpirtërore nëpër të cilën ka kaluar ajo dhe
është dëshmuar historikisht si një faktor tepër i rëndësishëm nga antikiteti e deri
te koha jonë, siç do të ishte e pakuptueshme po qe se përmasat e saj të
shikohen të shkëputura nga gjithë ai zhvillim nëpër të cilin kaloi bota e gjerë
pellazge si një pjesë e pandashme e qytetërimit botëror e degëzuar në kuadër të
qytetërimeve më të rëndësishme si dhe të rrethanave shoqërore-politike ku mori
pjesë në krijimin e mbretërive dhe të perandorive më të mëdha të kohës.
Në
“Kosova – histori e shkurtër”, vend i veçantë u kushtohet rapor-teve historike nga mesjeta e mesme dhe
ajo e vonshme, veçmas gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, ku shfaqet
identiteti etnik, shoqëror dhe politik ilir-dardan-arbëror, që do të përfundojë
me pavarësinë e shtetit shqiptar në fillim të shekullit XX dhe me atë të
shtetit të Kosovës, të liruar nga pushtimet serbo-jugosllave në fillim të
shekullit XXI. Në këtë zhvillim të pandalshëm historik, Dardania që nga Kriza
Lindore, në realitetet e atëherëshme evropiane të Perandorisë Osmane ku ajo
bënte pjesë, me insistimin e Rusisë dhe në përputhje me logjikën hegjemoniste
pansllaaviste, shfaqet si Kosovë (Vilajet i Kosovës, njëri nga katër vilajetet
me shtrirje nga Nishi në veri, deri te Bullgaria në perëndim dhe deri te
Manastiri në jug). Kjo do t’ia ndryshojë gjithë konfigurimin historisë së saj,
duke e konvertuar dhunshëm në kuadër të historisë serbe, madje si “djep
historik”!
Por,
edhe përkundër këtyre realiteteve të dhunshme të vendosura nëpërmes pushtimeve
me armë dhe gjak, ajo që në aspektin politik, shfaqet si Kosovë, që në periodën
nga luftërat ballkanike (1912-1999) nën pushtimet serbo-jugosllave shkëputet
politikisht nga tërësia e saj etnike me anatemën e shuarjes historike,
përkundër politikës gjenocidiale dhe të kulturocideve me mjete dhe metoda
shtetërore, vazhdoi të ruajë identitetin e botës shqiptare. Gjendje kjo që do
të pasqyrohet edhe në ndryshimet politike gjatë Luftës së Parë Botërore
(1915-1918) dhe të Dytës (1941-1944), kur në forma të ndryshme, në përputhje me
interesat e fuqive të mëdha, do t’i kthehet bashkimi i pjesërishëm. Ndërsa
diskursi i historiografisë hegjemoniste për “djepin e shtetit mesjetar serb” në
Kosovë, ku Rasha e Nemanjajve dhe krishterimi ortodoks shfaqen si “atu”
historike, jo vetëm që demistifikohen, por, duke u parë Rasha dhe Nemanjajt si
etni tribale-dardane, ndërsa Dardania Mesjetare qendër e hegje-monizmit rasian
si një “Ilirikum Magnum”në kuadër të Bizantit të shkërmoqur, ata i kthen në
kuadër të historisë ilire-dardane. Ndërsa krishterimin e përvetësuar ortodoks
nga kisha serbe në shekullin XX, e kthen te iliro-dardanët, ku edhe e ka vendin
nga shfaqja e tij në Ilirik në shekullin IV e deri te koha jonë.
Natyrisht
se ky kundrim, pas shfaqjes së shtetit të Kosovës dhe shpalljes së tij, më 17
shkurt 2008, kësaj çështjeje i jep një dimension të ri, meqë shteti i Kosovës,
kthehet në histori jo vetëm nëpërmes paradigmës politike, siç ishte ajo e
lëvizje kombëtare për liri, demokraci dhe pavarësi,së cilës iu desh edhe
ndërhyrja ndërkombëtare (e NATO-s nga 23 marsi deri 12 qershor 1999), por
kthehet edhe nëpërmes të drejtës historike, që lidhet pashmangshëm me
mbretërinë e Dardanisë në antikitet si dhe rolin e botës ilire-dardane në
mesjetë e deri te koha më e re, me ç’rast, këto realitete nxirren nga kundrimet
e njohura ideologjike si dhe ato që ia
kanë krijuar kornizat e historiografisë serbomadhe, për t’u vendosur në
kornizën e njëmendë historike, etnike, kulturore dhe shoqërore-politike në
përputhje me zhvillimin e saj të
natyrshëm.
(Shkëputje nga Hyrja e librit "Kosova - histori e
shkurtër").