Kulturë
Kastriot Dervishi: Musine Kokalari
E merkure, 10.02.2021, 10:19 PM
Musine Kokalari
Nga
Kastriot Dervishi
Musine
Kokalari u gjykua si drejtuese socialdemokrate në procesin ndaj anëtarëve të
Koalicionit Demokratik, një formacion i përbërë edhe nga monarkistët e Qenan
Dibrës dhe grupi i rezistencës së Sami Çeribashit. Veç tyre ajo flet edhe për një
korrent të katërt, i cili mundet të jetë i përfaqësuari nga Suat Asllani apo
Gjergj Kokoshin, të cilët kishin bërë pjesë në Frontin Demokratik. Ata u
akuzuan vetëm pse kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve deri në organizim të
opozitës, të kishin të drejtën e fjalës si dhe të shpalosnin lirisht programet
e veta. Këtë të drejtë, regjimi e artikuloi edhe me çështje të tjera të
sajuara. Procesi gjyqësor ndaj 37 të pandehurve (4 ishin bashkëpunëtorë
Sigurimi) u zhvillua më 17 – 30 qershor dhe vendimi u dha më 2 korrik 1946.
Musineja u arrestua më 23.1.1946 (u lirua nga burgu më 8.10.1961) dhe u dënua
me 20 vjet burgim.
Musineja
nuk i pranoi akuzat. Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që iu bënë nga ana e
gjyqtarëve dhe prokurorit. Prokurori reagoi duke thënë se ajo ishte zhytur në
tradhti, qysh kur bënte pjesë në organizatën e Ballit Kombëtar të drejtuar nga
Mit’hat Frashëri. Musineja nisi të lexonte mbrojtjen por nuk e lanë ta vijonte.
Iu tha se teksti do të administrohej në dosje. Në ditën e lindjes së Musinesë,
më poshtë paraqitet një pjesë nga fjala e mbrojtjes së saj, e cila nuk u lejua
të lexohej. Musinja u nda jeta në moshën 66 vjeçare në internim.
Pjesë nga fjala e
mbrojtjes:
Propaganda
e shëndoshë, e trumbetuar për rezistencë që i vë të rinjtë në lëvizje të cilat
duke mos patur një kriter të shëndoshë ideologjie, të ushqyer vetëm me fjalën
nacionalizmë të thatë, të cilat duke mos kuptuar se lufta kundra një vije që i
bëhet Ballit ose Legalitetit është luftë kundër një vije politike kompromisi
ose koncepti shoqëror feudal, në vend që t’i afrojë, i largon pa ditur as ata
vetë duke menduar se po luftohet ose nuk i duan. Të hyjmë si numër në gjirin e
Frontit, s’e kemi bërë dot dhe mbetëm jashtë. Ahere një tentativë bëhet dhe ka
efekt, duke shkëputur andej nga janë vetëm atëherë kur i gjithë elementi jashtë
Frontit të jetë vënë në lëvizje dhe kur e gjithë prapaskena të jetë vënë në
pamundësi të bëjë gjë dhe në qoftë se ka ndërmend dhe me ojë nuk e ofroi, me
një qëndrim zyrtar të prerë duke mos ushqyer shpresa, në çastin e demokratizmit
për t’u dëftyer për mirë a për keq, ashtu siç është me të vërtetë.