Kulturë
Jusuf Buxhovi: Maqedonia, pjesë e botës shqiptare
E marte, 09.02.2021, 04:19 PM
MAQEDONIA, HISTORIKISHT DHE ETNIKISHT, NGA ANTIKITETI DERI TË KOHA JONË - PJESË E BOTËS SHQIPTARE
Nga
Jusuf Buxhovi
-Reagim
ndaj teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut ku shtrembërohet historia e shqiptarëve, duke u
paraqitur si ardhacakë dhe "pushtues" të Maqedonisë gjatë Perandorisë
Osmane! Ky diskurs nuk është i rastësishëm e as i sotëm, por pjesë e fushatës
së organizaur nga akedemikët maqedonë si dhe klasa politike maqedone, që
shqiptarëve t'u imponohet statusi i pakicës. Për këtë përgjegjësinë dhe fajin
më të madh e kanë politikanët shqiptarë, të cilët, nga viti 1991, kur Maqedonia
u shpall shtet i pavarur, nuk ndoqën vendimet e Referendumit të vitit 1992 si
dhe jetësimit të tyre, por, për arsyena të pushtetit, pranuan rolin e vasalit.
Kjo u pasqyrua edhe me Marrëveshjen e
Ohrit të vitit 1991 kur u zhvalerësua edhe lufta e armatosur e UÇK-së për brazi
kushtetuese, dhe në atë të Prespës para një viti, kur u hoq dorë nga përcaktimi
i popullit shtetformues. Me këtë rast çështja e barazisë kushtetuese të
shqiptarëve në preambulën e Kushtetutës së shtetit si dhe barazia e gjuhës
shqipe si kategori kushtetuese, u manipulua
dhe po manipulohet me të barazisë
ligjore, që nuk paraqet tjetër pos atë të pakicës së diskriminuar në përputhje me numrat!
.....
Maqedoninë
antike, si mbretëri ndër më të njohurat e kohës dhe Maqedoninë si shtet politik
i krijuar në fund të shekullit njëzet, pos emrit dhe një takimi të vogël në një
pjesë gjeografike, jashtë çfarëdo reference historike, i lidh vetëm prania e
shqiptarëve, të cilët historikisht janë trashëgimtarë të maqedonëve antikë si
pjesë e botës pellazge-ilire. Në këtë aspekt, Maqedonia shfaqet emër historik i
shqiptarëve, njëjtë me Epirin, Dardaninë dhe Mbretërinë Ilire.
Ky
qëndrim, megjithatë thyen stereotipet e deritanishme rreth asaj se Maqedonia
antike dhe maqedonët ishin pjesë e Greqisë antike, pra grekë. Ndërsa përkatësia
botës pellazge-ilire dhe mbretërive që kishte ajo, thyen edhe atë të çështjes
së helenizmit si ekskluzivitet grek për faktin e pamohueshëm se e gjithë ajo që
shfaqet si kulturë dhe qytetërim antik, nga miti e deri te filozofia, e ka
shtratin te një qytetërim paraprak i njohur si pellazg, mbi të cilin u ngrit ai
i mëvonshmi që iu atribuua atij grek. Kjo pranohet me të madhe dhe dëshmohet
edhe nga autorët antikë dhe të mëvonshëm.
“Maqedonia
nga antikiteti deri te koha jonë”, jo rastësisht merret me thyerjen e këtyre
tabuve. Pretendimi se Maqedonia është pjesë e botës pellazge-ilire dhe si i
tillë kundërshton stereotipin e gabuar të përkatësisë së helenizmit grek të
krijuar nga filohelenizmi politik i shekullit XIX i ngritur asokohe nga
intelektualë dhe shkencëtarë të njohur evropianë, të shumtën gjermanë dhe
austriakë mbi konceptin e rikthimit të tij në sfondin e iluminizmit evropian,
është shumë më afër të vërtetës historike, se mohimi ose përjashtimi i saj nga
historiografia e manipuluar dhe e shtrembëruar ruse, greke, serbe, bullgare dhe
të tjera për qëllime politike, që për pikënisje, jo rastësisht kanë Maqedoninë dhe Maqedonët jashtë çdo
lidhjeje me shqiptarët po edhe të përjashtimit të tyre nga historia.
Me
këtë pretendim, po ashtu, shikohet edhe ngritja e çështjes së Maqedonisë, nga
ajo gjeografike, që e kishte nga mesjeta e këndej, te ajo politike, siç ndodhi
me insistimin e Rusisë nga Kriza Lindore e këndej, e cila kishte për qëllim që
etnisë shqiptare të shpërndarë në katër vilajete (Shkodrës, Kosovës, Manastirit
dhe të Janinës) ku ajo projektohej artificialisht me argumente fetare
(krishterimi ortodoks), t’i rrënohej koncepti i vilajetit të përbashkët
shqiptar në Perandorinë Osmane (një formë e Shqipërisë Osmane që do të kthehej
në Shqipëri europiane në përputhje me rrethanat). E ashtuquajtura Republikë e
Krushevës, që doli pas kryengritjes së “Ilindenit” në vitin 1903 dhe zhvillimet
tjera të ndërmarra nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria në vilajetet shqiptare, nga
një çështje gjeografike të shkëputur dhunshëm nga konteksti historik, krijuan
çështje politike në përputhje me projektet e tyre hegjemoniste ndaj një pike kyçe, ku ajo kishte epiqendrën
historike dhe etnike. Si e tillë, në fillim të shekullit XX, Maqedonia u kthye
në një poligon politik të interesave serbe, greke dhe bullgare, që ushqeu
krizat rajonale dhe ato botërore (luftërat ballkanike dhe atë të madhen
botërore), nga të cila më së shumi përfitoi Jugosllavia e Titos dhe koncepti i
ngritjes së saj në republikë të federatës jugosllave, me çka atë përfundimisht
e nxori nga interesi bullgar dhe grek dhe interesat ruse, për ta kthyer në
çështje jugosllave, së cilës i duhej edhe krijimi i kombit politik maqedonas si
dhe gjuha maqedone me alfabet cirilik (nga Vuk Karaxhiqi), ndonëse nga pikëpamja
filologjike – ruan karakteristikat e një dialekti të bullgarishtes.
Reinkarnimi
i Maqedonisë antike në shtet politik të kombit maqedonas jashtë kritereve
historike, siç ndodhi në vitin 1991 pas shpërbërjes së Jugosllavisë, nga
aspekti i pragmatizmit politik evropian, sigurisht se me një marrëveshje
politike midis Shkupit dhe Athinës rreth emërtimit çfarëdo qoftë, mund të marrë
epilogun “pajtues” midis gjeografisë (në anën e Shkupit) dhe “trashëgimisë së
përvetësuar historike” (në anën e Athinës).
Kjo, megjithatë, nuk ndryshon
faktin se as kombet politike, siç është ai maqedonas, i mbështetur mbi një
amallgam bullgar-sllav, i krijuar së voni, as përvetësimi i emërtimeve të
shteteve nga ai i një mbretërie botërore siç ishte i Maqedonisë antik në një Maqedoni
koniunkturale, nuk mund të ndryshojnë të vërtetat historike, siç janë ato se
popullata sllavo-maqedonase e shkapërderdhur në pjesën e saj dhe atë të
mbretërisë dardane nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e këtyre mbretërive antike, siç nuk mund të mohojë as faktet historike
dhe realitetet jetësore deri te ato bashkëkohore, që kanë të bëjnë me
shqiptarët - trashëgimtarë legjitim të Maqedonisë antike dhe të qytetërimit të
saj, gjurmët e së cilës shfaqen dhe ruhen në kulturën e tyre.
Kjo e drejtë konfirmohet edhe deri në kohën tonë qoftë kur flitet për
Maqedoninë jugosllave, atë që doli pas shërbrëjes së saj si dhe atë që pas
marrëveshjes së Prespës, hoq dorë nga trashëgimia e përvetësuar helene për t’iu
kthyer amallgamit bullgaro-sllav.
Në
këtë aspekt, libri “Maqedonia nga antikiteti deri te koha jonë”,
përqendrohet te argumentet historike, te
argumentet politike dhe te argumentet demografike të para në kuadër të çështjes
shqiptare, pa përjashtuar edhe faktorët tjerë
në tërësinë e saj (sllavo-maqedonët dhe të tjerët në përputhje me rolin
dhe vendin e tyre në të) dhe pa u përfshi në polemika me faktet e sajuara ose
të shtrembëruara nga shumë historianë serbë, bullgarë, rusë, grek, maqedonas
dhe të tjerë, të cilët, faktet historike i trajtojnë të shkëputura nga tërësia
dhe të shumtën në përputhje me realitetet politike paçka se ata janë në
kundërshtim pikërisht me të vërtetën historike.
Me
argumentet historike - Maqedonia antike paraqitet pjesë e etnisë dardane-ilire.
Shfaqja e saj në shekullin V para erës së re si dhe ngritja e saj në perandori
botërore në shekullin IV nga Aleksandri i Madh, ruajnë karakterin e saj. E
tillë pasqyrohet edhe gjatë kohës së Perandorisë së Romës dhe në atë të
Bizantit. Në të nuk ka kurrfarë gjurmësh sllave nga shkaku i njohur botërisht
se në Ilirik ata shfaqen diku pas shekullit VII të erës sonë, në kohën e
perandorit të Bizantit, Heraklit, pra nëntë shekuj më vonë, prej nga, në
shekujt IX dhe X, pasi ta kenë pranuar krishterimin, me formacionet e tyre
fisnore, gjithnjë me tretmanin e “barbarëve” të cilëve ju lejohet organizimi
autentik fisnor (fillimisht zhupanitë e më vonë despotatet), marrin pjesë në
jetën shoqërore dhe politike të perandorisë. Në këtë zhvillim, gjithsesi se
mbretëria e Bullgarisë dhe ngritja e saj në një faktor të rëndësishëm në
shekujt IX-X luan një rol të veçantë, që mund të thuhet se ka ndikuar rrethanat
politike dhe shoqërore, po jo edhe ato etnike, në Ilirikun Qendror. Ky fakt nuk
qe e mundur të përmbysej as nga referencat e Maqedonisë gjeografike që u shfaqen
në shekullin XIX si dhe përpjekjet, që ajo të lidhej me Bullgarinë e Borisit
dhe të Samuilit për krijimin e Bullgarisë
së Madhe siç vendosi Paqja e Shën Stefanit të marsit 1878 si dhe, nuk qe
në gjendje ta ndryshojë as propaganda e njohur
Beogradit për identifikimin e saj
me “Serbinë mesjetare, paçka se me këto “argumente”, në vitin 1912 gjatë
Luftërave Ballkanike, në emër “të çlirimit”, u pushtua nga ushtria serbe.
Argumenteve
historike të parashtruara më sipër, ku vazhdimësia e mbretërisë maqedone dhe
asaj dardane edhe gjeografikisht kishin shtratin e tyre të përbashkët etnik në
hapësirat e shtetit të sotëm maqedon, mund t’u shtohen edhe ato politike, që
kanë të bëjnë me periudhën e Perandorisë Osmane dhe fundin e saj, kur edhe do
të shfaqen interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha në këto pjesë prej nga e ka
edhe origjinën ngritja e saj në krizë të sajuar politike me synimin që të
kthehet në pre të pretendimeve ruso-sllave në përputhje me programet
hegjemoniste bullgare, serbe dhe greke, me ç’rast, edhe shqiptarët, të
përfshirë në katër vilajete (të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të
Janinës),do të shfaqen me kërkesën e tyre për një vilajet të përbashkët autonom
në kuadër të Perandorisë Osmane,një si Shqipëri Osmane, në rrugë për t’u kthyer
në Shqipëri Europiane çastin që Perandoria Osmane do të merrte fund.
Në
këtë aspekt, vilajeti i Kosovës,si më i madhi, kazatë e të cilit përfshinin
pjesën më të madhe të asaj që shfaqej si hapësirë gjeografike e Maqedonisë,
paraqitet qendër e shqiptarizmit politik, që doli nga programi i Lidhja
Shqiptare të Prizrenit, i qershorit të vitit 1878, me Shkupin qendër të
vilajetit, prej nga do të drejtohet e gjithë lëviza kombëtare e viteve
1908-1912, që sollën edhe deri te shpallja e shtetit shqiptar, më 28 nëntor 1912.
Ngjashëm mund të thuhet edhe për vilajetin e Manastirit si dhe qendrën e saj
Manastirin, ku nacionalizmi shqiptar kishte qendrën kulturore ku edhe u
themelua alfabeti i gjuhës shqipe me shkronja latine.
Krahas
argumenteve etnike dhe atyre politike, janë edhe ato demografike, që të drejtës
historike ia krijojnë edhe legjitimitetin e të drejtës jetësore, me të cilat
dëshmohet prania e pandërprerë e shqiptarëve në këto troje nga antikiteti,
realitet ky që nuk mund të anashkalohet, e aq më pak të rrënohej dhunshëm, siç
u veprua me gjenocide gjatë viteve 1912 dhe 1944-45 dhe me etnocide të
vazhdueshme, qoftë edhe me shpërngulje me marrëveshje shtetërore me Turqinë, të
viteve 1936 dhe 1953, të cilat, infrastrukturën e administratës ekzekutive e
kishin në Shkup në kryeqytetin historik të shqiptarëve.
(Shkëputje nga libri "Maqedonia nga antika deri te koha
jonë", botuar në vitin 2019 nga "Faik Konica" &
"Jalifat Publishing". Libri së shpejti botohet i përkthyer në
anglisht).