Mendime
Jusuf Buxhovi: Bashkimi Kombëtar mund të projektohet në kuadër të unionit të dy shteteve shqiptare
E marte, 26.01.2021, 10:19 PM
BASHKIMI KOMBËTAR MUND TË PROJEKTOHET NË KUADËR TË UNIONIT TË DY SHTETEVE SHQIPTARE
Nga
Jusuf Buxhovi
Mesazhi
i ambasadorit amerikan në Kosovë Kosnett rreth asaj se ushtarët amerikanë nuk kanë
vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as për Serbinë e Madhe, duhet kuptuar drejt
në Prishtinë dhe Beograd si nga aspekti i pragmatizmit politik dhe ai diplomatik, po edhe si vërejtje serioze
ndaj veprimeve që rrezikojnë interesat
amerikane në Kosovë.
Aspekti
i pari ka të bëjë me atë se Kosova si shtet i pavarur është projekt perëndimor
(kryesisht amerikan), për të cilin shtetet perëndimore në krye me SHBA-të ndërhynë ushtarakisht ndaj Serbisë duke
anashkaluar edhe të drejtën ndërkombëtare.
Ndërsa
aspekti i dyti ka të bëjë me atë se
hapja e kësaj çështjeje kuturu siç po bëhet nga disa politikanë të
papërgjegjshëm në Prishtinë dhe Tiranë për qëllime zgjedhore, pa përjashtuar
edhe ato të "fsheshura" që vinë nga Beogradi, mund t’i shkojë për
shtati vetëm Rusisë dhe aleatëve të saj të cilët po punojnë me ngulm që me tema
të tilla, të destabilizohet rajoni, prej nga mandej, në dobi të tyre, mund të
imponohen rikonfigurime të tjera gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Natyrisht
se nga pikëpamja historike, kontekstet e ideologjive të shekullit të kaluar, ku
nacionalizmi ka ushqyer projektet shtetmëdha, siç ishte krijimi i Serbisë,
Greqisë, Bullgarisë, që shkuan në dëm të çështjes shqiptare, po qe se rikthehen
me retorikën e “bashkimeve kombëtare”, qoftë edhe nën pretekstet e
“marrëveshjeve historike me Serbinë”, siç ndodhi kohë më parë nga Thaçi, Vuçiçi
dhe Rama, rrezikojnë drejtpërdrejt
shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull,
për ç’gjë, kundërshtimi i vendeve kryesore evropiane (Gjermanisë dhe Britanisë
së Madhe) edhe ndërhyrja amerikane kundër saj, ishte e pritshme.
Andaj,
sot më shumë se kurrë retorika e “bashkimit kombëtare”, duhet të zhvendoset nga
rrafshi i keqpërdorimit politik, për t’u vendosur te ai politik-diplomatik, që
nuk mund të jetë tjetër pos te opsioni
i një
unionit të mundshëm i dy shteteve
shqiptare, me mjete demokratike dhe në çatinë e përbashkët evropiane, gjithnjë
në bashkëpunim dhe bashkëveprim me aleatët perëndimore, veçmas me SHBA-në dhe
NATO-n.
Të
tjerat, mund të jenë vetëm saltomortale, që do t’i shkonin për shtati Beogradit
dhe Rusisë!