Kulturë
Blerim Rrecaj: Mjedis i ftohtë ku vazhdojnë përpjekjet
E marte, 24.11.2020, 08:57 PM
Mjedis i ftohtë ku vazhdojnë përpjekjet
Nga
Blerim Rrecaj
Kohëve
të fundit kanë nisur të duken edhe mjegullat. Ndonjëra shfaq fytyrën e saj në
një mëngjes, ndonjëra edhe në ndonjë pjesë tjetër të ditës. Duken e zhduken.
Dielli ende i pranishëm në këtë nëntor që vazhdon rrugëtimin. Ndonjëherë edhe
në mbretërinë e ca mbrëmjeve të bukura e muzgje të kthjellëta me çaste të
këndshme. E gjethet vazhdojnë t'i braktisin degët e trungjeve, derisa t'i lënë
ato fillikat. E nëpër gjethe bredhash e pishash rrinë kacavarur pika rrëshire,
që po t'u afrohemi pak më ngat me të drejtë mund t'i emërtojmë si lotë nëntori,
a edhe lotë vjeshte. Vazhdojmë rrugëtimin jetësor me masa që ndryshojnë, e
vendimeve që merren për vërtitjen e virusit enigmatik. E tash vërshojnë
njoftimet për zbulim vaksine që pritet ta zgjidh këtë problem gjithëbotëror. Në
shumë lokale rrijnë njoftimet se s'lejohet hyrja pa maska e pa dorëza, ndërsa
për maskat vlejnë mbishkrimet, dorëzat pothuajse nuk i përdor askush. Temë
tjetër e madhe dhe e shumëpërfolur është edhe e ashtuquajtura: Gjykata
speciale. Thua se vetëm këtë barrë problemi e kishim mangut. Aleatët tanë edhe
këtë herë janë fjalët, saqë dalin lloj-lloj formulimesh. Njëri nga to:
"Bac çka është kah bahet, na mbytën sloganet!", veçse shton më shumë
pluhurin e grumbulluar tash e sa kohë. Ndërkohë ndërtimet vazhdojnë, e
punëtorët tashmë kanë filluar të ndezin zjarre rreth objekteve, në qiell të
hapur, rreth së cilave, ngrohen paksa.
Ashtu
siç po mundohemi të ngrohemi në shoqërinë e ndonjë libri, herë pas here. Dhe
herë-herë veten po e shohim aktiv në jetë e në përballimin e saj. E herë-herë
pasiv. Herë gjysmë kështu e herë gjysmë ashtu. Të këndellur e të kalamendur.
Mes vullnetit e plogështisë. Në një mjedis të ftohtë të ngrohur nga përpjekjet
në jetën që vazhdon...