Kulturë
Klodian Ndreca: Intervistë me shkrimtaren e re Enxhi Drapi
E diele, 22.11.2020, 12:12 PM
“Në gjithçka që shkruaj marr shkas nga ngjarje të vërteta, jam vetvetja”…
Intervistë me shkrimtaren e re Enxhi Drapi
Enxhi Drapi është studente në Fakultetin e
Drejtësisë dhe shkruan poezi, prozë, ese, të cilat janë pjesë e kredos
shpirtërore, e përjetimeve emocionale dhe impenjimeve të saj. Një roman i saj,
që sapo ka dalë dhe qarkullon nëpër libraritë në Shqipëri e Kosovë, por dhe
ndër qarqet letrare të botës shqiptare, ka bërë jehonë dhe është mirëpritur nga
lexuesi dhe kritika. “Diku ku dielli nuk perëndon” është romani i saj, një
titull i pazakontë dhe një histori e pa zakontë, një roman psikologjiko-social,
i guximshëm në qasjen tematike dhe mesazhet që përcjell, i cili godet fort në
mentalitetin e shoqërisë, ku rrëfehet historia e Helenës, një vajze në dukje të
thjeshtë dhe e dobët por e cila arrin t’iu bëjë ballë sfidave, sëmundjeve dhe
kërcënimeve jo të thjeshta. Vajza e një inxhinieri ndërtimi, i cili kthehet në
një vrasës të sëmurë dhe herë pas here të pamëshirshëm. Në intervistën e saj,
Enxhi rrëfen disa “sekrete” të romanit, raportin mes historisë personale dhe
fantazisë e trillit estetik…
-Çfarë është letërsia për Ju?
-Një aventurë spontane e krijuesit
drejt vetvetes së tij më të thellë. Është pushteti i njërit prej emocioneve më
të bukura njerëzore. Është një magji. Një hapësirë që kërkon gjithmonë të
plotërohet, të ridimensionohet gjer në kufijtë e ëndrrës. Një udhëtim ndryshe
drejt vetes dhe drejt atyre që më rrethojnë, drejt kohës, historisë dhe
përditshmërisë…
-Diçka për jetën
tuaj, sa vend zë ajo në krijimtarinë tuaj.
-Shkollën nëntëvjeçare e kam kryer tek “Mihal Grameno”, kurse të mesmen
në gjimnanzin “Ismail Qemali”. Që e vogël kam shkruar poezi ese, më pëlqen
shumë sporti, veçanërisht volejbolli, i cili është shkaku që rrezikova
shëndetin dhe ngela në vitin e dytë të gjimanzit. Personazhi Helena, në roman
përfaqëson një pjesë të mirë të intrigave, kurtheve dhe xhelozive me të cilat
unë jam përballur në jetën time të gjimnazit. Një pjesë e mirë e personazheve
të romanit janë realë. Jam përballur dhe vazhdoj të përballem me shumë
individë, të cilët mundohen me xhelozi, kurthe dhe intriga të më kanosin
dështime, Por jam e bindur në aftësitë, vlerat dhe intelegjencën time, kështu që
arrij të supreoj me sukses çdo vështirësi.
Dëshiroj gjithashtu të përmend se shkaku i ngeljes ishin Belina dhe
Greta, të cilat gjithashtu janë personazhe dhe pjesë e romanit. Bënë gjithçka
për të më penguar vazhdimin e gjimnazit dhe sipas mendjes së tyre ia arritën.
Por realiteti i sotëm po tregon të kundërtën, sepse sot kam superuar çdo
vështirësi, po përfundoj studimet në Fakultetin e Drejtësisë, jam autore e një
romani dhe po punoj për disa projekte të cilat dua ti lë suprizë për momentin.
-Në romanin tuaj “Diku ku dielli nuk perëndon”, ju me një stil do të thosha rrënqethës dhe të beftë,
zbuloni fuqinë e dashurisë njerëzore dhe zhgënjimit, luftën mes iluzioneve dhe
humbjes së tye nga realiteti lakuriq. Diçka më tepër…
-Ky roman ka në shtratin e vet narrativ
jetën e një vajzë të re që përballet me dilemma ekzistenciale, një histori e pa
zakontë, një roman psikologjiko-social që kritika e ka quajtur, “i guximshëm”
në qasjen tematike dhe mesazhet që përcjell, i cili godet fort në mentalitetin
e shoqërisë, ku rrëfehet historia e Helenës, një vajze në dukje të thjeshtë dhe
e dobët por e cila arrin t’iu bëjë ballë sfidave, sëmundjeve dhe kërcënimeve jo
të thjeshta. Vajza e një inxhinieri ndërtimi, i cili kthehet në një vrasës të
sëmurë dhe herë pas here të pamëshirshëm. Mois, një njeri i cili pranon të bëjë
gjithçka vetëm që fëmijët e tij të mos cënohen, por papritur e gjen veten në
duart e një hebreu, Xhorxh, i cili e përdor dhe mundohet ta mbajë pas vetes në
mënyrë që të mos e ketë rival. Është një roman ku fatet njerëzore ngërthehen në
një vorbull të çuditshme, përgjatë një historie, e cila trajton temën e krimit,
dështimit, cmirës, paragjykimit, si pjesë të negativitetit të jetës së kujtdo,
që kur përfundon me fitoren e pozitives, kthehet në mendësi çlirimi dhe
progresi.
-Romani juaj bazohet
mbi një histori të vërtetë apo është ngjarje e trilluar? Sa rol luajnë
personazhet që përmendët në rrëfimin tuaj…
-Në gjithçka që shkruaj unë marr
shkas nga ngjarje të vërteta, që kanë ndodhur ose ndodhin rëndom në jetën e një
vajze të re, plot ëndrra për jetën, por që përballet me kurthe dhe intriga
shekspiriane. Sigurisht, unë si shkrimtare ngjarjen e përpunoj nën filtrin
estetik dhe e bëj të komunikueshme emocionalisht me një shtresë sa më të gjërë
njerëzish, që ata të mund të gjejnë vetveten në atë çfarë unë rrëfej. Parë në
këtë këndvështrim, ngjarja edhe është edhe nuk është reale, pasi raporti mes të
ndodhurës dhe të transfiguruarës nga ana ime në filtrat estetike janë në kufij
të padukshëm, aq sa nuk dihet se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra.
Megjithatë, siç ju tregova më parë, në analizë të fundit, kemi të bëjmë me një
histori të ndodhur, që pavarësisht filtrave estetikë, në thelb mbetet e njejta,
pra e ndodhura reale, historia ime e derdhur në një narrativë romaneske.
-Romani juaj është
pritur ngrohtë nga lexuesi dhe kritika profesioniste. Cili mendoni se është
çelsi i këtij suksesi?
-Lexuesit e kanë pëlqyer, mjaft prej tyre më kanë shkruar dhe kanë
kontaktuar me mua, pasi jo pak prej tyre aty gjejnë vetveten. Janë aty hallet e
tyre, përditshmëria ankthioze, dashuritë e mbetura në rrugë, pasionet që iu
zihet rruga nga merimanga e intrigës, etj. Sa për kritikët letrarë, besoj se i
ka tërhequr jo vetëm subjekti dhe mesazhet e romanit, por dhe stili dhe mënyra
e të shkruarit, pasi kam bërë kujdes që të përcjell me realizëm një përvojë dhe
emocion njerëzor, të cilin kam dashur ta ndajë me lexuesit e kësaj kohe kaq të
ngarkuar…
Intervistoi: Klodian
Ndreca